Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, ka ngritur alarmin për rënien drastike të popullsisë në Kosovë, të cilën e cilësoi si më të shpejtën në botë. Sipas të dhënave të Bankës Botërore, vetëm në vitin 2024 Kosova ka humbur 9.7% të popullsisë, duke shënuar një rekord negativ në nivel global. Nga 1.74 milion banorë të regjistruar në vitin 2011, vendi ka rënë në vetëm 1.6 milion banorë. Shahini paralajmëroi se ky fenomen demografik prek drejtpërdrejt ekonominë dhe të ardhmen e vendit. “Çfarë do të ndodhë nëse ky trend vazhdon? Konsumi bie ndjeshëm – më pak të rinj do të thotë më pak kërkesë për produkte dhe shërbime. Tregu i punës ngadalësohet – një popullsi më e vogël dobëson fuqinë punëtore dhe pengon krijimin e vendeve të reja të punës. Rritja ekonomike rrezikohet. Banka Botërore parashikon rritje prej 3.8% për vitet 2025–2026, por kjo mund të mos mjaftojë për të kompensuar humbjet demografike”, tha ai. “Popullsia është themeli i ekonomisë dhe e ardhmja jonë. Kosova nuk mund të presë më – veprimi duhet të jetë urgjent dhe i menjëhershëm”, përfundoi Shahini.
