Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ka reaguar me tone të ashpra ndaj Presidentes Vjosa Osmani, duke e akuzuar atë për sulme të papranueshme ndaj gazetarëve dhe mediave, pas arrestimit të kameramanit Jetmir Muji. Në reagimin e saj publik, Osmani u ankua për “përndjekje të vazhdueshme” nga media ndaj vajzave të saj të mitura, duke thënë se raportimi për shkollimin e tyre është i padrejtë. Por sipas AGK-së, ky qëndrim jo vetëm që është sulm ndaj lirisë së shtypit, por edhe tregon një qasje diskriminuese, pasi Presidentja po i trajton vajzat e saj si të veçanta nga nxënësit e tjerë. “Është e papranueshme që Presidentja e një vendi të bëjë dallim mes fëmijëve të saj dhe gjithë nxënësve të tjerë të Kosovës. Raportimi për arsimin, qoftë në shkollë publike apo private, është çështje me interes publik. Nuk ka arsye që për vajzat e Presidentes të vlejnë rregulla të tjera nga ato që vlejnë për çdo fëmijë tjetër”, theksoi AGK. Shoqata reagoi veçanërisht ndaj deklaratës së Osmanit, ku ajo përmendi se disa gazetarë, sipas institucioneve të sigurisë, merren me “veprimtari të kundërligjshme”. Sipas AGK-së, kjo është një formë shantazhi publik që rrezikon sigurinë juridike të gazetarëve dhe krijon një precedent të rrezikshëm për lirinë e medias. “Në vend se të sulmojë gazetarët, Presidentja duhet të mbrojë lirinë e medias dhe të garantojë trajtim të barabartë për të gjithë qytetarët, pa përjashtime për familjen e saj”, thuhet në reagim.
