Administratë Publike & Diplomaci
Kosova është shtet unitar në Kushtetutë, por në praktikë funksionon si një shtet unitar i dobësuar rëndë nga ndërhyrje etnike dhe politike në strukturën e saj të brendshme. Këto ndërhyrje nuk kanë qenë as të rastësishme dhe as të pashmangshme; përkundrazi, ato e kanë shtyrë vendin drejt një rregullimi shtetëror asimetrik, që në thelb bie ndesh me parimin e unitetit shtetëror.
Nuk bëhet fjalë për procese spontane. Këto ndërhyrje janë institucionalizuar përmes marrëveshjeve politike të nënshkruara nga vetë elitat e Kosovës. Që nga paslufta, e deri te marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit (2023), janë prodhuar lëshime të drejtpërdrejta që kanë cenuar sovranitetin dhe funksionalitetin e shtetit.
Kushtetuta e Republikës së Kosovës e vendos sovranitetin te shteti qendror dhe jo te pushteti lokal – ky është thelbi i shtetit unitar. Megjithatë, realiteti praktik e përgënjeshtron këtë parim, veçanërisht në tri raste konkrete që përbëjnë goditje serioze ndaj tërësisë territoriale dhe autoritetit shtetëror.
- Decentralizimi mbi baza etnike
Decentralizimi në Kosovë nuk u ndërtua si reformë funksionale e administratës publike, as si instrument zhvillimor apo ekonomik. Ai u imponua si projekt politik i diktuar nga jashtë dhe u zbatua mbi baza etnike. Si rezultat, u fragmentarizua autoriteti shtetëror dhe u krijua një pushtet lokal me logjikë identitare, jo qytetare, duke minuar parimin e barazisë dhe të unitaritetit.
- “Zajednica” – Asociacioni i komunave me shumicë serbe
Asociacioni përfaqëson një strukturë paralele me potencial real bllokues ndaj institucioneve qendrore. Ai nuk është konceptuar si mekanizëm i zakonshëm i vetëqeverisjes lokale, por si instrument politik për autonomi funksionale dhe, në perspektivë, për prirje secesioniste. Në këtë formë, ai cenon drejtpërdrejt sovranitetin dhe rendin kushtetues të shtetit.
- Eksterritorialiteti i objekteve të Kishës Ortodokse Serbe
Dhënia e statusit të veçantë për objektet e Kishës Ortodokse Serbe, me elemente të qarta eksterritorialiteti, përbën ndërhyrje direkte në sovranitetin territorial dhe juridik të Kosovës. Krijimi i zonave me regjim të veçantë brenda territorit shtetëror dobëson autoritetin e ligjit dhe prodhon precedencë të rrezikshme për rendin kushtetues.
Pasojat janë të qarta: shtetndërtim i penguar dhe administratë publike jo funksionale.
Këto zhvillime kanë ardhur kryesisht përmes procesit të dialogut, ku disa nga këto çështje janë futur dhe janë pranuar si kërkesa të drejtpërdrejta të Serbisë. Për to, Kosova nuk ka qenë e detyruar nga asnjë rrethanë objektive apo emergjente t’i pranojë.
Ky ka qenë edhe qëllimi strategjik i faktorëve të jashtëm: dobësimi i kapaciteteve shtetërore të Kosovës përmes negociimit të çështjeve që nuk duhej të ishin kurrë objekt dialogu.
Dialogu mbi çështje të panegociueshme, i kombinuar me decentralizim të politizuar dhe jo reformues, ia ka frenuar zhvillimin dhe konsolidimin shtetit të Kosovës. Gjithçka u justifikua me termin “akomodim i pakicës serbe”, ndërkohë që në thelb synimi ka qenë – dhe mbetet – krijimi i kushteve për fragmentim institucional dhe kontroll politik nga Serbia.
E gjithë kjo është bërë pa ndonjë trysni reale thelbësore dhe pa ndonjë rrezik serioz në rast se Kosova do t’i kishte kundërshtuar këto procese në mënyrë të vendosur dhe sovrane.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
