Brickos

Ahmet Jashanica: UÇK-ja i rroki armët dhe doli në male, ku para 50 vjetëve kishte luftuar edhe babai im, Azem Jashanica e mijëra të tjerë...

Ahmet Jashanica: UÇK-ja i rroki armët dhe doli në male, ku para 50 vjetëve kishte luftuar edhe babai im, Azem Jashanica e mijëra të tjerë…

Në një bisedë në studion e TV-Diellit, veprimtari, Ahmet Jashanica, djali i Azem Jashanicës, i njohur edhe   si Azem Bellaçevci,  i cili ishte njëri ndër ideatorët por edhe veprimtarët më të dalluar të Lëvizjes Nacional-demokratike Shqiptare, ka folur për vuajtjet e tij dhe të familjes, në kohën e regjimit titist e rankoviqist.

Ahmet Azem Jashanica, ka lindur në vitin 1941, në fshatin Bardh i Madh, ish Bellaçevc, ndërsa burgun e ka përjetuar në moshën 6-vjeçare së bashku me të ëmën, dy motrat dhe krejt familjen.  Në atë kohë regjimi jugosllav mbante në burg familjet e shumta të luftëtarëve të NDSH-së, të cilët nuk iu kishin dorëzuar regjimit dhe me atë akt antinjerëzor i detyronte që ata të dorëzoheshin, por shumë prej tyre nuk ishin dorëzuar. Në mesin e tyre ishte edhe Azem Jashanica, i cili më 21 shkurt të vitit 1948, pasi ishte rrethuar në një shtëpi të fshatit Prapashticë, së bashku me atdhetarin, Musli Dumoshi, kishin rënë heroikisht në përpjekje për ta çarë rrethimin.

“Edhe pse kam qenë i ri më kujtohet koha kur na mbanin në burg, në Prishtinë dhe në Mitrovicë. Unë kam qenë në një qeli me nënën e dy motrat më të reja se  unë, ndërsa axhallarët dhe pjesa  tjetër e familjes kanë qenë të ngujuar në dy qeli të tjera. Në tri dhoma burgu na kanë mbajtur derisa baba ishte vrarë në rrethim, e pastaj na kanë liruar dhe jemi kthyer në shtëpi. Kemi pasur vuajtje të mëdha dhe kushte minimale për ekzistencë, por falë besimit se një ditë do të çlirohemi dhe punës së pandërprerë kemi arritur të mbesim gjallë, në vuajtje e mjerime.

Vuajtja  nga regjimi serb nuk iu kanë ndarë familjes sonë nga viti 1878, kur të parët i kishte përzënë nga trojet e veta Serbia e Rusia. Asokohe kemi jetuar në fshatin Jashanicë të Toplicës ashtu sikur edhe qindra mijëra familje të tjera, dhe më pas të parët kanë ardhur në Kosovë. Në Bellaqevc të gjithë jemi muhaxhirë të ardhur nga viset shqiptare tani nën Serbi.

Në fillim nuk më kanë pranuar në shkollë, por pas disa viteve më regjistruan dhe e kam kryer fillimisht pesëvjeçaren e më parë edhe tri vitet e tjera të shkollës tetëvjeçare. Jam përpjekë të regjistrohem në shkollë të mesme por nuk më kanë pranuar, sepse thoshin je djalë i ballistit dhe nuk i duhesh kësaj shoqërie. Kam marrë pjesë në shumë konkurse por edhe kur i kam plotësuar kushtet më mirë se të tjerët nuk kanë pranuar. Për ne ka qenë e siguruar vetëm puna e krahut, puna në nxjerrjen e thëngjillit, puna në bujqësi…”

Ahmet Jashanica gjatë bisedës në studion e TV-Diellit ka sjellë në kujtesë shumë nga problemet me të cilat ka qenë i ballafaquar në jetë, pastaj në shërbimin e detyrueshëm ushtarak, ku e kishin keqtrajtuar si djalin e një  armiku dhe vazhdimisht e kishin persekutuar. Një kohë e kishte kaluar edhe në spitale nga pasojat e dhunës.

Ai flet me përkushtim për një ngjarje e cila i ka ngelur thellë në kujtesë, kur në vitin 1996, në fshatin Vërshec afër Magurës, në Blinajë ishte mbajtur një manifestim në 50-vjetorin e Kongresit të Lipovicës. “E kisha marrë ftesën dhe shumë i emocionuar isha nisur për rrugë. Ishte një ditë me vapë dhe rrugës për te shkolla e Vërshecit kisha pushuar pak nën një hije. Pastaj erdhi një burrë më i ri se unë dhe më pyeti për ku po shkoja. Meqë nuk e njihja i thashë se po shkoj për një fjalë nuse. Ai e kishte kuptuar se për  ku isha nisur dhe me tha: – Hajde ecim se edhe unë për atje jam nisur. Jam Nezir Buja, djali i Nezir Bujës më tha. Atëherë e kuptova kush ishte u nisëm. Qysh atëherë ia kam ndier aromën lirisë.

Fjala ime e shkurtë në atë manifestim në emër të familjes më ka ngelur në kujtesë gjatë tërë jetës. Atë ditë për herë të parë në jetë, pas 50 viteve kam takuar bij të luftëtarëve të babait tim, për të cilët kisha dëgjuar por kurrë nuk i kisha parë. Pastaj nuk vonoi dhe djemtë e vajzat e UÇK-së i rrokën armët dhe dolën në male, ku kishte luftuar edhe babai im, Azem Jashanica i cili kishte rënë së bashku me Musli Dumoshin e mijëra të tjerë…

Tani në moshën 79-vjeçare, Ahmet Azem Jashanica, ndihet i qetë, sepse Kosova është çliruar njëherë e përgjithmonë nga regjimi kriminal i Serbisë, Meritën kryesore për çlirimin e vendit ia atribuon luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por edhe ndihmës nga ajri të NATO-së. Janë këto tri shkronjat e arta, UÇK, që i kam në zemër, sepse këta luftëtarë i morën armët, dhe filluan nga atje ku i kishte lënë babai im dhe mijëra luftëtarët të tjerë të NDSH-së. Në asnjë mënyrë tjetër nuk do të ishim çliruar. Rrofshin djemtë e UÇK-së, që i sollën liri Kosovës. “Duhet me ja ditë vleftën lirisë dhe duhet me mbrojte si sytë e ballit”, porosit në fund të bisedës, Ahmet Azem Jashanica, në studion e TV-Diellit.

Kontrolloni gjithashtu

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën: Flasin Meri Mezini, Irini Qirjako, Margarita Xhepa, Alida Hisku, Myfarete Laze, Enrieta Sina

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën Gëzuar 8 Marsin nënat tona Çfarë është për …