Ahmet Qeriqi

Ahmet Qeriqi (1946 – 2025)

Ahmet Qeriqi u lind më, 24 dhjetor 1946, në fshatin Krojmir të Drenicës Jugore, ku kreu edhe shkollën fillore. Ishte fëmija i parë i Ali Emin Miftarit dhe Xhevahire Kadri Bebës, dhe rridhte nga një familje me tradita të shquara atdhetare. Ishte nip i Hoxhë Emin Miftar Shemës, kundërshtar i vendosur i regjimit jugosllav, i cili disa herë ishte dënuar për bindjet e tij kombëtare, si dhe i Kadri Bebës, luftëtar i përkushtuar për Shqipërinë Etnike dhe kryetar i Komunës së Lipjanit në vitin 1941, i cili u pushkatua nga forcat partizane jugosllave në vitin 1947.

Shkollën tetëvjeçare, paralelisht me kolegjin fetar islam, e kreu në Medresenë “Alaudin” në Prishtinë. Ka vazhduar mësimet në Medresenë e Mesme deri në dhjetor të vitit të tretë kur më, 6 nëntor 1965 u arrestua dhe u dënua me dy muaj burg për “propagandë armiqësore”, së bashku me medresistët Riza Gjoka nga Anamali dhe Shemadin Akiti nga Zajazi i Kërçovës. Për këtë shkak, Drejtoria e Medresesë e përjashtoi nga shkolla, pa të drejtë regjistrimi në institucione të ngjashme fetare në RSFJ. Dënimin e mbajti në Burgun e Prishtinës, në muajt nëntor–dhjetor 1966.

Gjatë viteve 1967–1969 kreu shërbimin ushtarak në Krizhevci të Kroacisë.
Në vitin shkollor 1969–1970, pas përfundimit të provimeve pranuese, u regjistrua në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, të cilin e përfundoi me sukses në vitin 1973.

Prej vitit 1973 deri më 1978 punoi si profesor i gjuhës shqipe dhe latine në gjimnazet e Ferizajt dhe Vitisë, ndërsa nga viti 1978 deri në mars 1981 në Akademinë Pedagogjike dhe në Shkollën Teknike të Prishtinës. Ka përfunduar gjithashtu studimet e shkallës së tretë në Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Prishtinë.

Në maj 1975, së bashku me Sytki Selmanin nga Shkupi dhe Muharrem Bajraktarin nga Ferizaj, udhëtoi në Bullgari, ku u furnizua me “literaturë të ndaluar” në ambasadën e Shqipërisë në Sofje. Në kthim, gjatë përpjekjes për ta sjellë literaturën në Kosovë, u përball me ndjekje e tortura nga policia e Shtimes e Therandës. Pas një procesi të inskenuar, u dënua me dy muaj burg për “armëmbajtje pa leje”, dënim të cilin e mbajti në Burgun e Ferizajt në tetor–nëntor 1975.

Në vitin 1977 regjistroi shkallën e tretë të studimeve në Letërsi Shqipe dhe i përfundoi provimet në vitin 1979. Në tetor të po atij viti, pas një bastisjeje në shtëpinë e tij në Shtime, iu gjetën fletore me shkrime kombëtare e poezi, të cilat u cilësuan si “propagandë armiqësore”. Për këtë u dënua fillimisht me gjashtë muaj burg, ndërsa pas ankesës së prokurorit Reshat Millaku, dënimi u ashpërsua në 1 vit e 6 muaj.

Ahmet Qeriqi me veprimtari ilegale është marrë prej vitit 1964, së bashku me Feti Mehdiun, për mes së cilit është vënë në kontakt me  Sabri Nososellën, anëtar i LËVIZJES REVOLUCIONARE TË BASHKIMIT TË SHQIPTARËVE.

Ka bashkëvepruar ilegalisht edhe me Zenun Gjocin, nga Rashiqi, Imer Halilin nga Prekazi i Epërm, Bajram Qerimin nga Tërpeza e Vitisë, profesor në Ferizaj, (i vrarë në rrethana misterioze, në vitin 1978),  Agim Ollurin, pedagog në Ferizaj, Agim Fejzullahun, po ashtu pedagog, (vrarë mizorisht në Shtime në vitin 1976), Shaban Krasniqin nga Karaçica, Sheqir Zenelin, profesor nga Prishtina, kushëririn, Sylë Qeriqin e Elez Durmishin  nga Krojmiri e të tjerë.

Në vitin 1976 ka qenë bashkëthemelues i Organizatës për Çlirim dhe Bashkim Kombëtar në Shkup, së bashku me Muhamet Ademin, Beqë Dervenin dhe Sytki Selmanin.

Në vitin 1978, së bashku me Zenun Gjocin, Sheqir Zenelin, Imer Halilin nga Prekazi, Muhamet Ademin dhe Beqë Dervenin nga Shkupi kanë vepruar në platformë të  programit të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, duke shpërndarë literaturë të ndaluar dhe duke propaganduar idenë e bashkimit të tokave shqiptare me Shqipërinë. Kanë shpërndarë edhe parulla dhe trakte me përmbajtje kombëtare, në Shkup,  Prishtinë, Ferizaj e gjetkë.

Në vitin 1981 ka marrë pjesë aktive në demonstratat e rinisë studentore së bashku me nxënësit e shkollës teknike ku ka punuar. Ka mbajtur lidhje veprimtarie ilegale me nxënësit e Akademisë Pedagogjike dhe të Shkollës teknike, në Prishtinë.

Meqenëse në Prishtinë dhe në mbarë Kosovën regjimi jugosllav kishte shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, më 3 prill 1981 ai u largua ilegalisht nga qyteti dhe u vendos në fshatin e lindjes, në Krojmir të Drenicës, ku qëndroi në arrati deri më 11 maj 1982, kur u arrestua.

Në shkurt të vitit 1983, për veprimtari antijugosllave, së bashku me 24 veprimtarë të tjerë, u dënua me tetë vjet burg për veprën penale të ashtuquajtur “propagandë armiqësore”. Dënimin e vuajti në burgjet e Prishtinës, Gjurakocit, Smrekovnicës, Suboticës dhe Novi Sadit, ku iu nënshtrua torturave të rënda nga hetuesit e UDB-së.

Pas lirimit nga burgu ka vazhduar dënimi për pesë vjet pa të drejtë pune në arsim. Nga viti 1988 deri në 1997, për të mbajtur familjen punoi në zdrukthëtari, bujqësi dhe ndërtimtari. Në vitet ’90, rifilloi aktivitetin atdhetar, duke mbajtur kontakte me Azem Sylën, Sheqir Zenelin, Ismet Shamollin, Nezir Myrtajn, Jetë Hasanin (dëshmor), Muhamet Malësorin (dëshmor) e shumë të tjerë.

Në vitin 1997, Ahmet Qeriqi u angazhua drejtpërdrejt në organizimin e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke vepruar fillimisht në pikën e Krojmirit. Gjatë gjithë periudhës së luftës ai ishte i angazhuar me armë në dorë, së bashku me anëtarë të familjes së tij: axhën Mehdiun, vëllanë Hasanin, vajzën Arbanën, djalin Epirin dhe vajzën e axhës, Milikien.

Krahas angazhimit të drejtpërdrejtë në terren, ai luajti një rol të veçantë në dokumentimin sistematik të zhvillimeve të luftës. Periudhën nga maji i vitit 1998 deri më 24 qershor 1999 e përshkroi ditë pas dite në shënimet e mbajtura gjatë kohës së luftës, të cilat më pas u sistemuan në dorëshkrimin “Kronikë lufte I dhe II”, ku përfshihen mbi 400 ditë të luftës, të pasqyruara me përpikëri kronologjike.

Gjatë kësaj kohe veproi në bashkëpunim të ngushtë me Sylë Qeriqin, Elez Durmishin, Heset Ollurin, Halil Ollurin, Vehbi Qeriqin, Naim Rizanin dhe shumë veprimtarë të tjerë.

Me vendim të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, në nëntor 1998 u emërua përgjegjës i Radios “Kosova e Lirë”, e cila transmetonte nga Malet e Berishës në Drenicë deri në qershor 1999, duke qenë një nga zërat më të fuqishëm të informimit të luftës.

Pas çlirimit, nga korriku i vitit 1999, ai mori drejtimin e Radios “Kosova e Lirë” në Prishtinë. Edhe në kushte të rënda financiare e teknike, pa përkrahje institucionale, arriti ta mbajë gjallë transmetimin dhe ta konsolidojë radion si medium të pavarur në shërbim të informimit publik.

Në shkurt të vitit 2001, së bashku me Valdet Hotin dhe Hilmi Ramadanin, depërtuan në zonat e konfliktit të UÇPMB-së dhe montuan teknikën e “Radios – Zëri i Lirisë” në malet afër Konçulit, duke dërguar atje edhe transmetuesin e parë të Radios “Kosova e Lirë”. Kjo radio funksionoi për afro dy muaj, duke shërbyer si burim informimi në rrethana lufte.

Në maj të vitit 2001, së bashku me bashkëveprimtarë, themeloi Redaksinë “Dëshmorët e UÇK-së” dhe inicioi projektin monografik “Feniksët e lirisë”, në kuadër të të cilit u botua vëllimi i parë me emrat dhe të dhënat për dëshmorët e UÇK-së.

Gjatë periudhës kur Radio “Kosova e Lirë” u drejtua nga profesori, ajo ishte dhe mbeti një medium në shërbim të vlerave të lirisë dhe të idealit çlirimtar. E lindur në rrethanat e luftës, radioja ruajti frymën e saj themeluese edhe në periudhën e pasluftës, duke promovuar kujtesën historike, duke mbrojtur interesin publik dhe duke mbajtur qëndrim kritik ndaj dukurive negative në shoqëri.

vitin 2016 sëbashku me simbolin e rezistencës kombëtare, bacë Adem Demaçi themeloi Televizionin “Dielli”, medium me program kombëtar, edukativ e kulturor.

Profesor Ahmeti realizoi dhjetëra dokumentarë për dëshmorët e kombit, për personalitete shqiptare, për krimet serbe në Kosovë dhe realizoi, po ashtu, edhe emisione edukative me vlera të veçanta kulturore.

Profesori ishte autor i 25 veprave letrare dhe historike, përfshirë romane, kronika letrare e historike, si dhe libra studimorë.

Vepra të botuara

(2002–2023)

  • Meditime në arrati (2002)
  • Në gjurmim të lashtësisë (2002)
  • Milush Kopiliqi, serb apo shqiptar? (2003)
  • Burgu (2004)
  • Masakra e Reçakut, krim kundër njerëzimit (kryeredaktor dhe bashkautor) (2004)
  • Fenomene shqiptare (2005)
  • Luftëtarë të NDSH-së (1945–1950) (2005)
  • Krojmiri (monografi) (2007)
  • Koha e jeniçerëve (2009)
  • Gjurmime dhe studime (2011)
  • Trëndafili i bardhë (përkthim, Jokai Mor) (2013)
  • Çlirimtarët e mercenarët (2015)
  • Luftëtarë të NDSH-së II (2016)
  • Varri i Nizamit (2016)
  • Tal Shema dhe Jami Çupi (2017)
  • Januz Bajçinca me bijtë (2018)
  • Zëri i lirisë (2019)
  • Sadri Sahit Çatani (2019)
  • Luani i Janinës (përkthim, Jokai Mor) (2019)
  • Guri i Betimit (2020; në gjermanisht më 2023)
  • Medreseja e Ulët e Mesme Shqiptare e Prishtinës (2021)
  • Mulla Sherifi i Kizharekës (2022)
  • Betimi i motrës (2022)
  • Saga e Malmirit (2025) – botuar pas vdekjes
  • Vegimtari (2026) – botuar pas vdekjes

Vepra në dorëshkrim

  • Kthimi (roman i papërfunduar – pjesa e tretë e trilogjisë Arratia, Burgu, Kthimi)
  • Fenomeni i Besës ndër shqiptarë
  • Nëpër shekuj kënga e popullit
  • Varri i Nizamit (version i zgjeruar)
  • Tal Shema dhe Jani Çupi
  • Kronikë lufte I & II
  • Pema e jetës (e papërfunduar)

Ai ishte gjithashtu bashkautor dhe redaktor në 19 vëllime të monografisë “Feniksët e lirisë”, një projekt i rëndësishëm dokumentues për dëshmorët e UÇK-së.

Po ashtu, është autor i 10 vëllimeve me studime, hulumtime dhe artikuj publicistikë, të botuar ndër vite në Radion “Kosova e Lirë”, si dhe në gazetat “Jeta e Re”, “Rilindja”, “Bujku”, “Zëri i Kosovës”, “Zëri i Lirisë” dhe në revista të tjera kombëtare.

Ishte i martuar me Zymryte Vehbi Shamollin nga Shala dhe la pas gjashtë fëmijë: Antigonën, Arbanën, Labërinë, Rrezartën, Epirin dhe Zamirin.

Ahmet Qeriqi ndërroi jetë më, 7 mars 2025, në ditën simbolike të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Ditës së Mësuesit, në flakën e pashuar të përkushtimit ndaj lirisë, arsimit dhe kombit.

Jetoi dhe veproi me ideale të pastra atdhetarie, duke lënë pas një trashëgimi të gjerë letrare, historike e kombëtare, që do të mbetet pjesë e kujtesës sonë kolektive.

Kontrolloni gjithashtu

Elez Durmishi: Një vit pa profesor Ahmet Qeriqin

Simbol i përkushtimit, ndershmërisë dhe besnikërisë ndaj idealeve kombëtare! Sot mbushet një vit që profesor …