Ahmet Qeriqi: Adem Jashari, (1955-1998) fenomen i papërsëritshëm në historinë shqiptare, por edhe më gjerë

Hyrje

26 vjet më parë, në Prekaz të Drenicës, ora kishte ndalur tik-taket e saj, për të shënuar një ndeshje, për jetë a vdekje, një sulm barbar që kishte ndërmarrë me tërë një polici e ushtri  sodomia  pushtuese serbe, kundër shqiptarëve, që e donin me çdo kusht lirinë, për të cilën tri ditë rresht derdhën gjak, burrat, gratë, fëmijët, disa nga krerët e Ushtrisë Çlirimtare  të Kosovës dhe kryekomandanti i saj,  Adem  Shaban Jashari.

Protagonist kryesor i qëndresës dhe heroizmit shqiptar, nuk doli rastësish në atë ditë, nuk e nxori në sipërfaqe  rasti për ta mbrojtur “Pragun e Shtëpisë’, sikur kanë thënë e thonë pacifistët, nuk ishte kryetar  fisi as kryetar i Jasharëve, nuk ishe anëtar i asnjë partie politike, sikur përpiqen ta përvetësojnë… nuk ishte aventurier sikur përpiqen ta paraqesin kumbarë dhe pobratimët e  Serbisë, por ishte vetë, Adem  Shaban Jashari, i cili për koincidencë historike kishte lindur në Ditën e madhe të  historisë shqiptare, ditën e 28 nëntorit.

Të gjithë ata që nuk e kanë ditur dhe duan ta dinë historinë e Adem Jasharit, në mos më shumë e dinë, se ai me të vetët, i kanë takuar dhe i takojnë  një familjeje me tradita idealizmi e atdhetarie. Adem Jashari burim frymëzimi kishte historinë e rezistencës shqiptare nëpër shekuj, veçmas rastet në Drenicë. Së bashku me babanë, Shabanin dhe vëllanë, Hamzën e të tjerë, kishte marrë pjesë në varrimin e Tahir dhe Nebih Mehës, në maj të vitit 1981, në Prekaz, ku edhe ishte betuar për ta ndjekur shembullin e tyre  të rezistencës.

Ka organizuar dhe ka marrë pjesë në demonstratat kundër regjimi të ish-RSFJ-së e më vonë edhe pas shpërbërjes së saj. Dihen lëvizjet dhe vajtja e tij në Shqipëri për stërvitje dhe për të marrë armatim,  pastaj aksionet që ka ndërmarrë. Dihen bashkëpunëtorët më në ngushtë, me të cilët ka vepruar, dhe me të cilët shpallur fajtor nga regjimi i Millosheviqit dhe është dënuar 20 vjet burg në mungesë…

Të dhëna biografike dhe rezistenca heroike

Më 28 Nëntor të vitit 1955, në kullën e njohur për besë, njerëzi e atdhetari,  Shaban Jasharit, në Prekaz, pikërisht në Ditën e Flamurit, në ditën e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, i kishte lindur një fëmijë mashkull, të cilin, nënë Zahideja dhe babë Shabani e pagëzuan me emrin, Adem, me emrin më të njohur të Biblës, me emrin që simbolizon njeriun e parë të krijuar nga Hyji.

Ai kishte lindur në një ditë të shënuar, andaj edhe prindërit e pagëzuan me një emër të njohur. Një emër i cili më vonë do t’ i bashkohet datave më të rëndësishme të historisë shqiptare, por edhe emrave më të shquar e më të sakrifikuar të asaj historie.

Ditëlindja e Adem Jasharit, më 28 nëntor 1955 dhe dalja publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 28 nëntor 1997, i shtuan historisë së re shqiptare edhe dy data të tjera në kalendarin e datave më meritore dhe më me rëndësi për tërë kombin, kthimit të Skënderbeut në Krujë më 28 nëntor të vitit 1443 dhe Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor të vitit 1912.

Më 5. 6 e 7 mars të vitit 1998, në Kullën e Jasharëve të Prekazit, por edhe përreth lagjes Jashari përgjithësisht, natën vonë ishte strukur lubia me shtatë krerë. Si pjellë e satanait, ajo po priste agun e ditës për të filluar sulmin shkatërrimtar kundër kullave të qëndresës, të cilat për një kohë të gjatë nuk kishin lejuar marshimin e forcave të territ nëpër rrugët e lagjes së tyre dhe më gjerë…

Rezistenca e kryetrimit të kohës sonë, e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, e familjes së tij të ngushtë dhe të gjerë, e tërë lagjes Jashari përgjithësisht, më 5.6 dhe 7 mars të vitit 1998, kishte rikthyer në kujtesë legjendën biblike të luftës së Davidit kundër Golijatit, legjendën e 300 spartanëve, legjendën e Lakademonit antik, legjendën e vajzave të Kurbinit, qëndresën heroik në kullën e barotit të Ali Pashë Tepelenës, legjendën e Halil Patronës, Oso Kukës dhe sa e sa shembujve të tjerë të heroizmit shqiptar nëpër shekujt, të heroizmit njerëzor.

Legjendari, Adem Jashari, për nga përmasa e qëndresës dhe vetësakrifikimit është fenomen “sui generis”, fenomen që i tejkalon përmasat kombëtare e rajonale, është fenomen që  paraqitet rrallë herë në historinë e qytetërimit, ose njëherë gjatë disa shekujve.

Digresione, rrëfime e krahasime ngjashmërie nga historia

Duke folur për fenomene të tilla, studiuesi i vëmendshëm i etnopsikologjisë shqiptare dr. Kristë Maloku, në studimin e tij “Shteti apo kombi”?, botuar në vitet e tridhjeta të shekullit njëzet, ndër të tjera ka shkruar: “Shpëtimtari i kombit duhet të ketë fantazi krijuesi si Platoni, … entuziazëm djalërie si Alkibiadi, vullnet vetëflijues si Sokrati. Por kësi shpëtimtarësh të kombit nuk mbijnë aq lehtë në Shqipëri e as tjetërkund, sepse Zoti i dërgon ata vetëm njëherë brenda qindra e mijëra vjetësh. Dhe, i dërgon vetëm si një kurorëzim të një pune të gjatë kombëtare, plot orvatje e mundime, si një lulëzim të shkëlqyeshëm mbi gjethe, gjemba e ferra të një kopshti të kulturuar kombëtar. (Kristë Maloku, Shteti apo kombi, botuar në revistën “Dardania Sacra nr.4 Prishtinë 2002,f.74.) Ky konstatim vegimtar i Kristë Malokut, përputhet në tërësi me përshkrimin që ai i bënte shpëtimtarit, heroit të një kohe të caktuar historike.

Veçantia tipike e këtij fenomeni i ka specifikat e veta në kohë dhe në hapësirë. Rrëfimi për luftën, qëndresën dhe sakrificën e Adem Jasharit, Hamëz Jasharit, Shaban Jasharit dhe të JASHARËVE të tjerë në Prekaz, më, 5.6 dhe 7 mars të vitit 1998, është rrëfimi më tronditës, në të njëjtën kohë rrëfimi më krenar dhe më i sublimuar nga të gjitha rrëfimet e tjera të luftës dhe të sakrificës njerëzore, të kryera në emër të idealit të lirisë, në emër të çlirimit nga njëra ndër makineritë më të tmerrshme e krimit, që ka sunduar ndonjëherë në botë.

Filozofi më i madh gjerman, Georg Vilhelm Fridrih Hegel, në veprën madhore “Fenomenologjia e shpirtit” në kapitullin, “Perënditë dhe njerëzit”, ndër të tjera ka shënuar: “Forcat e përgjithshme disponojnë në vetvete shenjën e individualitetit, e cila është e lidhur me principin e veprimit. Nga kjo del se vepra e tyre manifestohet si veprim i lirë, i cili përgjithësisht rrjedhë prej tyre. Kështu kanë vepruar perënditë, kështu veprojnë edhe njerëzit*.( Hegel Fenomenologjia e shpirtit, BIGZ 1974 faqe 420.) Pikërisht në suaza të këtij përkufizimi filozofik të Hegelit, duhet zbërthyer frymën e principit të jetës dhe të veprës së Adem Jasharit, të Anteut të kohës sonë, i cili u përball me forcën e brutalitetit barbar, për të ngadhënjyer mbi atë forcë djallëzore, me aktin e qëndresës dhe të heroizmit unik, të flijimit kolektiv të familjes, fenomen ky rrallë i përsëritshëm në historinë e qytetërimit.

Rrëfimi historik për Adem Jasharin, duke e krahasuar atë me personazhe të caktuara të Biblës apo të rrëfimeve të tjera para antike dhe të kohës antike si, Anteu, profeti Job, Juda Makabe, Spartaku, Farabundo Marti, Çe Geuvara e shumë të tjerë, është rrëfim që në shumë segmente i tejkalon tregimet e moçme mbi trimërinë, qëndresën, vendosmërinë dhe vetësakrificën.

Fenomeni Adem Jashar, fenomen shqiptar i llojit të vet

Legjendari i kohës sonë, Adem Jashari, në historinë tonë më të re, në ndërgjegjen e liridashësve shqiptarë, është ngulitur jo vetëm si kult, që simbolizon trimërinë, vendosmërinë, sakrificën, po mbi të gjitha është simbol unik i fuqisë dhe i vitalitetit kombëtar, simbol i përsëritjeve ciklike të ngritjeve shqiptare, pas rënieve të shumta. Adem Jashari është Mesi i realizuar, është shpëtimtari që e kemi pritur me shekuj, është udhërrëfyesi dhe shembull-dhënësi realist i lirisë.

Epiqendra e heroizmit dhe qëndresës shqiptare sot, nuk mund të mendohet pa ideatorin dhe projektuesin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari. Vepra e tij heroike ishte dhe vazhdon të mbetet burim i frymëzimit më të fisnikëruar kombëtar për të gjithë shqiptarët liridashës dhe më gjerë. Vizita, që shqiptarët, por edhe shumë liridashës e humanistë të tjerë nga mbarë bota i bëjnë Kullës së Jasharëve, tani në Kompleksin Memorial Kombëtar, në Prekaz, është tregues se pikërisht në qendër të Shqipërisë po përjetësohet një vend-pelegrinazh i ri i botës shqiptare, një vend i shenjtë jo vetëm i Shqipërisë.

Fenomeni Adem Jashar po ngrihet në monument përjetësie fizike e shpirtërore, jo si mit mesjetar, jo si legjendë e rrëfimeve tradicionale mitologjike, por si një personazh i veçantë dhe realist i historisë me përmasa po ashtu tipike, realiste, sepse vepra dhe heroizmi i tij shënuan piedestalin, preken atje ku nuk arrijnë dot as legjendat, shënuan majat më të larta, përtej të cilave pushon edhe fjala.

Në të gjitha segmentet studimore, në të gjitha format e krahasimit dhe të përshkrimit, fenomeni Adem Jashar, imponohet para së gjithash me origjinalitet, imponohet me veçanti tipike të një tipologjie autentike në paraqitje, që mbërthen në vetvete të gjitha përshtresimet universale të Njeriut, i cili jo rastësisht kishte sfiduar terrin, barbarinë, dhunën, jo rastësisht iu kishte kundërvënë ushtrisë gjakatare të kryekriminelit, despotit dhe kasapit të Ballkanit.

26 vjen më pas

 

Në përvjetorët e sakrificës dhe heroizmit të Legjendarit, Adem Jashari dhe jasharëve të rënë e të martirizuar, krenohemi me epokën e tij, por nuk mund të krenohemi se e kemi çuar deri në fund amanetin e tij, pavarësisht pompozitetit, retorikës politike, fjalimeve emocionale, ceremonive tashmë tradicionale, të cilave iu mungon esenca e porosisë së legjendarit, e cila njëzohej fuqishëm me moton filozofike të Ukshin Hotit, “Bëje ose vdis!”. Të ndodhur para kësaj dileme, shumë politikanëve shqiptarë, që gjatë këtyre ditëve bëjnë homazhe para varrit të legjendarit, do të duhej t’iu dridheshin këmbët, do të duhej të iu thaheshin buzët, do të duhej t’iu ngelnin në fyt fjalët e zgjedhura dhe përkushtimi për Legjendarin…

 26 vjen më pas, katër bashkëluftëtarët më të ngushtë të Adem Jasharit, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ndodhën në burgun e Hagës, të akuzuar  nga Prokuroria e Gjykatës Speciale, për gjoja krime lufte. Tre pushtetarë aktualë, Albini, Glauku, Vjosa, nuk denjojnë t iu përmendin as emrat  katër bashkëluftëtarëve të tij, ndërsa kanë ricikluar dhe ri-kumtuar retorikën e tyre të zakonshme, duke e lavdëruar Legjendarin, duke treguar përkushtim për qëndresën e tij, për mbrojtjen e pragut e cilësime nga mendësia e mundësive që disponojnë në perceptimet e tyre…

(Ky shkrim, tashmë i përditësuar,  i botuar në vitin 2003 është vjedhur nga një,  Erald Selca dhe është botuar në portalin, Ekonomia online, mbase edhe në ndonjë portal tjetër. Shkrimi im i parë për Adem Jasharin daton qysh para 20 viteve, por ndërkohë është përpunuar dhe është plotësuar. Në faqen e Radios në Internet gjendet qysh nga viti 2005. Përvetësuesi i shkrimeve, Selca ka postuar edhe shkrime të tjera të miat dhe autorëve të tjerë  në emër të vet. Po jo vetëm ky. Janë edhe disa portale të cilat i botojnë shkrimet për UÇK-së dhe Adem Jasharin pa vënë emrin e autorit, ose me emra të rrejshëm. Redaksia e Radios-Kosova e Lirë është në fazën e përgatitjes së materialeve për denoncimin një për një të përvetësuesve të shkrimeve autoriale  nga  hajnat e internetit). Më vonë në një film dokumentar për Adem Jasharin, dy ish gazetarë të RKL-së e kanë interpretuar tekstin në një film të tyre, pa u konsultuar me autorin, pa e marrë të drejtën legjitime dhe pa e përmendur fare emrin e tij. (Emrat e njohur për redaksinë e Radios-Kosova e Lirë).

 

Kontrolloni gjithashtu

Foqion Postoli (1889-1927) shkrimtar dhe atdhetar i shquar

Foqion Postoli (1889-1927) shkrimtar dhe atdhetar i shquar

Foqion Postoli u lind në Korçë, ku mori mësimet e para. Ai i përkiste një …