Qëndresa e Prekazit e 5, 6 dhe 7 marsit e vitit 1998, ka qenë njëra ndër betejat më të dhembshme, por edhe më krenare të historisë sonë më të re.
Tri ditë rresht luftuan në mbrojtje të dinjitetit kombëtar dhe njerëzor të gjithë Jasharët, duke filluar prej Legjendarit Adem Jashari, pastaj Hamëz Jashari, Shaban Jashari dhe duke u zgjeruar në tërë lagjen.
Shembullin e Adem Jasharit për të mos u dorëzuar e kanë ndjekur edhe Hamit Jashari me tërë familjen e tij, pastaj Hajzer Zymer Jashari po ashtu me tërë familjen, Faik Jashari e shumë të tjerë.
Për tri ditë rresht mbi shtëpitë dhe mbi anëtarët e këtyre familjeve u zbrazën të gjitha llojet e makinerisë së krimit serb. Nuk mbeti shtëpi, pullaz, mur, bodrum pa u granatuar me predha tankesh, me minahedhës, me topa kalibrash të ndryshëm me praga e mitralozë të rëndë.
Gjatë atyre tri ditëve të sulmit më barbar të okupatorit serb kundër familjeve Jashari, ranë heroikisht dhe u martirizuan 57 pjesëtarë të familjes së ngushtë dhe të gjerë Jashari, duke përfshirë edhe disa miq, të cilët u ndodhen te të afërmit e tyre. Ranë për të fituar përjetësinë 20 pjesëtarë të familjes së ngushtë të legjendarit Adem Jashari, 12 anëtarë të familjes së Hamit dhe Salë Jasharit, 11 anëtarë të familjes së Halit, Zymer dhe Zejnë Jasharit…..
Të rënët e të martirizuarit ishin të të gjitha moshave prej djemve e vajzave të mitura deri te gratë, plakat e pleqtë. Ranë në këtë mes edhe të gjithë ata që rezistuan me armët që kishin dhe që për asnjë çast nuk u ligështuan dhe nuk u dorëzuan.
Hajzer Jashari u lind më 15 prill 1969, në Prekaz të Ulët. Babai, Zymeri dhe nëna Mihrija lindën e rritën 12 bij e bija.
Hajzeri mësimet fillestare i mori në Skënderaj, ku ka mbaruar edhe tetëvjeçaren dhe shkollën e mesme, drejtimin teknik tregtie. Pas kryerjes së shkollës nuk gjen dot punë dhe detyrohet të merret me bujqësi me qëllim për të ndihmuar familjen shumanëtarëshe. Një kohë ka punuar si punëtor stinor në ndërmarrjen “Prokukt” në Skënderaj.
Në fund të vitit 1993, së bashku me Faruk Bislimin nga Klina e Ulët, bën përpjekje për të kaluar ilegalisht kufirin, meqë nuk kishte pasaport. Faruku arrin të kalojë kufirin, ndërsa Hajzeri kapet në kufirin Vojvodinë-Hungari dhe dënohet me burg, të cilin e mban në Suboticë.
Ishte në dijeni të aktivitetit ilegal të kushëririt të tij, Adem Shaban Jashari dhe të anëtarëve të tjerë të bërthamës së tij çlirimtare.
Prej kohës së daljes publike të UÇK-së, më 26 nëntor të vitit 1997, familja e ngushtë dhe e gjerë Jashari e Prekazit, kishte marrë të gjitha masat për të rezituar kundër forcave okupatore. Pothuajse çdo natë mbaheshin tubime në odat e këtyre trimave, të cilët po projektonin rezistencën, e cila parashihej të përfshinte tërë Kosovën. Shaban Jashari me autoritetin e një burri të urtë dhe trim, i afërt dhe i dashur për të gjithë, kishte bërë për vete të gjithë kushërinjtë, ndërsa për përkrahje të vendosur u shquan, Halit Jashari, Zejnë Jashari, Hamit Jashari, Faik Jashari e shumë të tjerë. Intervenimi i forcave serbe pritej nga dita në ditë. Shumica e burrave të lagjes Jashari ishin të armatosur.
Hajzer Jashari ishte trim dhe tejet i vendosur në opsionin e luftës së armatosur kundër regjimit okupator serb. Mbante kontakte me kushërinjtë e tij, ishte i pajisur me armë dhe bënte roje e kryente vëzhgimin e terrenit, meqë shtëpia e tij ndodhej përballë Fabrikës së Municionit, ku serbët kishin dislokuar forca të shumta policore dhe ushtarake, të cilat po përgatiteshin për ta sulmuar Prekazin.
Hajzeri ishte i vetëdijshëm se lufta do të fillonte, andaj shpeshherë iu thoshte si në shaka vëllezërve dhe kushërinjve: “u mërzitëm duke pritur, pse s’ po fillon lufta më?”.
Natën e 4 marsit të vitit 1998, Hajzer Zymer Jashari ndodhet në shtëpi, së bashku me nënën, Mihrijen, motrat: Sabrijen dhe Hanifen si vëllanë Murtezin dhe kushërinjtë e tjerë. Sulmi brutal dhe barbar i forcave ushtarake e policore serbe kundër Jasharëve kishte filluar rreth orës 6 të mëngjesit të 5 marsit. Në të njëjten kohë, me predha artilerie qenë goditur shtëpia e Legjendarit Adem Jashari, e Halit Jasharit e Hamit Jasharit ku edhe kishte filluar rezistenca e armatosur.
Forcat serbe kishin zënë pozicion te vendi i quajtur “Mali i Premë” rreth 200 metra përballë shtëpisë së Halit Jasharit nga ana lindore. Baza ishte sulmuar nga serbët edhe nga Fabrika e Municionit. Jasharët po sulmoheshin me armë të rënda të artilerisë nga të gjitha anët. Goditjet ishin fatale për të gjitha familjet nën rrethim. Sapo pushonte granatimi dhe forcat e këmbësorisë merrnin turr drejt kullave, ata ndeshnin nën breshërinë e kallashëve të Jasharëve çlirimtarë. Këmbësoria sërish tërhiqej dhe sërish fillonte sulmi nga artileria e rëndë. Në një gjendje të tillë të sulmit mizor Jasharët e Prekazit rezistuan rreth 80 orë.
Në shtëpi, të rrethuar nga të gjitha anët ndodheshin: Hajzer Zymer Jashari, Murtez Zymer Jashari, Mihrije Jashari, nëna e Hajzerit dhe motrat e tij: Sabrija e Hanifja. Pastaj, Halit Imer Jashari, me bashkëshorten e tij, Elhemen. Në kullë ndodheshin edhe tre bijtë e Zejnë Jasharit, Abdullahu, Bujari dhe Blerimi dhe bashkëshortja e tij, Bahtija, ndërsa Valdet Zejnë Jashari ndodhej në shtëpinë e Hamit Jasharit. Prej ditës së parë të sulmit të forcave ushtarake e policore serbe, kanë rezistuar me armët e tyre: Hajzer Jashari, Murtez Jashari, Abdullah Jashari dhe Halit Jashari.
Në rrethana të një rrethimi të hekurt, të goditur nga të gjitha anët me armë të rënda të artilerisë kanë rënë në altarin e atdheut: Hajzer Zymer Jashari, Murtez Zymer Jashari, Halit Imer Jashari, Abdullah Zejnë Jashari, Elheme Jashari, Mihrije Jashari, Bahtije Jashari, Sabrije Zymer Jashari, Hanife Zymer Jashari, Bujar Zejnë Jashari dhe Blerim Zejnë Jashari.
Në ditën e kartët, serbët kishin thyer rezistencën e Jasharëve dhe kishin tërhequr kufomat, të cilat fillimisht i dërguan në Servisin e Lah Tushilës, në dalje të Skënderajt. Në mesin e të viktimizuarve mungonin kufomat e Mihrije Jasharit dhe dy bijave të saj, Sabrijes dhe Hanifes, nëna dhe dy motrat e Hajzer Jasharit. Ende nuk dihen rrethanat e zhdukjes së këtyre kufomave, por dihet se shtëpia ku kanë qëndruar familjarët e Halit, Zejnë dhe Zymer Jasharit është bërë blozë nga granatimet dhe flaka e zjarrit që kishte përfshirë shtëpinë. Mendohet se serbët i kanë tërhequr kufomat për shkak se ishin femra dhe me qëllim, që të fshehnin sadopak krimin kundër grave dhe fëmijëve.
Trupat e këtyre dëshmorëve dhe dëshmoreve të kombit prehen në Kompeksin e varrezave në Prekaz, ku janë varrosur të gjithë të rënët më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, së bashku me legjendarin e UÇK-së, Adem Jashari.
Para shtëpisë së rezistencës së Halit Jashati është ngritur një kompleks modest përkujtimor, ku janë skalitur në mermer fotot dhe emrat e këtyre 11 të rënëve, të kësaj dege të lagjes Jashari të Prekazit.
Nga familja e Zymer Jasharit kanë shpëtuar: Enveri, Zyhrija, Hajrija, Drita, Veseli, Naxhija, Imeri, Sherifja dhe Hamidja.
Familja e Zymer Jasharit ka marrë mirënjohje nga SHP i UÇK-së, nga Zona Operative e Drenicës, nga shoqatat e luftës dhe nga Kuvendi komunal i Skënderajt për të rënët: Hajzerin, Murtezin, Mihrijen, Sabrijen dhe Hanifen.
Jasharët sërish kanë ngritur kullat e tyre dhe me bijtë, bijat, nipat e mbesat po vazhdimësojnë jetën, krenarë për veprat e baballarëve, nënave, motrave e vëllezërve, që u bënë gurë themeli për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. (A. Q.)
Kontrolloni gjithashtu
Hysni Xhafer Duraku (1.8.1961 – 3.12.1998)
Krushës së Madhe të Anadrinit, në dhjetor të vitit 1998, i ra për hise një …