Ahmet Qeriqi: Ali Pashë Tepelena në disa nga veprat letrare dhe publicistike të autorëve tanë e të huaj

Ahmet Qeriqi: Ali Pashë Tepelena në disa nga veprat letrare dhe publicistike të autorëve tanë e të huaj

Figura madhështore e Ali Pashë Tepelenës ka bërë që për te të shkruhen shumë vepra publicistike, letrare e artistike, romane, novela poezi, studime, analiza dhe tërë një literaturë, që është po aq e pasur sa edhe ajo për Skënderbeun. Kjo literaturë për Ali Pashë Tepelenën është shkruar nga anglezët, francezët, italianët, hungarezët, turqit, bullgarët, grekët, natyrisht edhe nga shqiptarët.

Në shekullin 19-të për Ali Pashë Tepelenën ka shkruar shkrimtari i madh francez, Victor Hygo, po ashtu poeti më i madh i kohës në Angli, Xhorxh Gordon  Bajron, shkrimtari francez Aleksandër Dumas, romansieri më i madh i shekullit  19 në Hungari Jokai Mor, pastaj Emil Legrand,  Stoyan Christowe,  William Plomer,  Pouqeuville  e të tjerë.

Në mesin e studiuesve e shkrimtarëve shqiptarë shquhen  Sabri Godo me romanin e tij të njohur për Ali Pashë Tepelena të përmirësuar e të botuar tre herë, pastaj Dorian Koçi, Irakli Koçollari, Minella Gjoni e të tjerë.

 

Hygo: Ali Pashë Tepelena si Bonaparti

(Gazeta Shqip – 23 Maj 2015)

Emile Legrand është njëri nga neohelenistët francez që është marrë me studimin e gjuhës së re greke, por edhe me letërsinë e shqiptarëve të Greqisë. Ai në vitin 1912 ka botuar librin : “BIBLIOGRAFIA E BOTIMEVE SHQIPTARE NGA SHEK. V-XIX”, e cila është botim i Bibliotekës Universitare të Parisit. Gjatë kërkimeve në arkivat greke ndesha një libër të vitit 1871 të këtij studiuesi. Titulli i libri është : “COLLECTION DE MONUMENTS POUR SERVIR A L’ETUDE DE LA LANGUE NEO-HELLENIQUE nr.18- GENEALOGIE D’ALI PACHA” (Përmbledhje e Monumenteve për të shërbyer mbi studimin e gjuhës së re grek, nr. 18 – Gjenealogjia e Ali Pashait).

Libri fillon me një parathënie të Emile Legrandit mbi poemën që i kushtohet Gjenealogjisë së Ali Pashë Tepelenës, ngjitjen e tij në frontin e Vezirit të Janinës, lidhjet e ngushta me nënën e tij, Hankon, këshillat e saja etj.

Siç shkruan Legrand këtë poemë e ka njohur nga profesor z. Brunet de Presle që i kishte mësuar gjuhën e re greke. Poema është sjellë në Francë nga z. Grasset, agjent konsullor i Francës në Epir. Për fat të keq autori ka mbetur anonim, por Emile Legrand bënë vlerësimet më të larta nga ana e krijimtarisë letrare. Në këtë libër janë botuar edhe disa vargje në gjuhën shqipe që i kushtohen vdekjes tragjike të Ali Pash Tepelenës.

 

 

Ja çka shkruar për Ali Pashën  shkrimtari i madh francez i shekullit 18-të, Victor Hygo

 

Ali Tepelena, dritë nga drita dalë,

Që në divan më mban vend të parë,

Emri yt i madh, shkoftë deri te retë!

Po mbamë një çikë vesh, vezir, dhe këta trima kokëshkretë:

Ti, hije e Padishahut, dhe ai vetë hije e Allahut.

Një qen je, mor i flamosur, asgjë më shumë!…

 

Viktor Hygo, ishte 27 vjeç kur shkroi poemën, “Pashai dhe Dervishi”. Pashai me jetën e tij plot bëma, tashmë ishte një personazh i njohur në sallonet franceze. Hygoi atëherë një djalosh i ri, do të magjepsej nga karakteri i tij,  sfida me të cilën e pa jetën, duke e bërë vendin e tij Shqipërinë, një vend ekzotik për të gjithë ata që donin heronjtë. Por ai ishte Ali Pashë Tepelena një hero? Historia që tregon Hygo te poema që u botua në vitin 1829, shtatë vjet pas vdekjes së Ali Pashës më 1822 e vë pashain shqiptar përballë një dervishi. Qëllimi i shkrimtarit është ta bëjë Ali Pashën të pendohet për të gjitha bëmat që ka bërë, kur shkruan se “një popull të tërë po mbyt”.

 

Varr i hapur të pret, pa e ditur as ti vetë.

Mbushur dëng si thes, zemërimi yt,

Një popull të tërë po mbyt

Mbi ballin e tyre të larë, ti u vetëtin si kosa në bar

Dhe pallatin tënd madhështor, mirë po e çimenton

Me eshtrat e tyre bluar, kur gjaku lumë u shkon…

 

Ai përshkruan jetën e Ali Pashës, nga lindja te rënia në Janinë, duke e quajtur fundin fatal të tij, si një dënim nga perënditë. Është  gjuha e përballuese e  Hygoit ndaj kësaj figure të historisë sonë.

 

“Daç shpirti yt do marr arratinë; për çdo krim,

Emrin e atij që ke vrarë, vetë djalli do thërras me guxim,

E do shohësh aher’ rreth teje i pataksuar,

Fantazmat me njolla gjaku, e me venat zbrazur,

 Si do vinë mizëri, më shumë nga vetë llafet që me lebeti.

 Do llomotitësh ti!

 

Shkrimtari është i bindur se fundi i Ali Pashës është një fund i merituar, dhe as gënjeshtra që mund t’i bëjë engjëllit të vdekjes nuk mund ta shpëtojë…Ai e quan çifut faqezi, megjithëse në fund përmes gjestit që pashai bën duke i falur qyrkun dervishit, tregon për shpirtin e tij të ndjeshëm, që përulet përpara së vërtetës. Është interesante kjo poezi e cila është pjesë e librit të parë të botuar nga një prej figurave më të rëndësishme të letërsisë botërore. Poezia është pjesë e përmbledhjes poetike “Orientalet”. Për Dorian Koçin, nëndrejtor i Muzeut Historik Kombëtar dhe njohës i mirë i figurës së Ali Pashë Tepelenës, Viktor Hygo e shkroi këtë poemë i frymëzuar nga orienti dhe nuk kishte shkelur ndonjëherë këtu.

 

Sipas tij, kjo lloj përqasje ishte në frymën e kohës dhe qe nxitur shumë nga leximet e librave të Pouqeuville, konsullit francez pranë Ali Pashës në Janinë dhe të shkrimet e alzasianit Adolphe Cerfbeer, i mbiquajtur Ibrahim Manzour, komandant i xhenjos në shërbim të vezirit, që e paraqiste të nxirë figurën kontradiktore të pashait. Përmbledhja me poema e Hygoit shoqërohet me një parathënie nga vetë shkrimtari ku i kushton vëmendje dhe arsyes përse ka shkruar për Ali Pashën.

“Që në parathënien e veprës së vet, Hygoi jep mendimin dhe gjykimin për figurën e Ali Pashë Tepelenës, të cilin e krahason me Napoelon Bonapartin”, thotë Koçi. “Barbaria e vjetër aziatike, ndoshta nuk është aq e zhveshur nga njerëz të mëdhenj sa ç’pandeh qytetërimi ynë. Duhet rikujtuar se ajo prodhoi të vetmin kolos që ky shekull arriti ta vërë ballë për ballë Bonapartit… atë njeri gjeni, turk e tartar në të vërtetë, atë Ali-Pasha, që është për Napoleonin çka është tigri për luanin, skifteri për shqiponjën”, shkruan Hygo.

Sipas Koçit, ashtu siç duket dhe nga paragrafi, Hygo nuk e njihte mirë origjinën e Ali Pashës por admironte lojën e tij diplomatike dhe karakterin e veçantë që i kishin dhënë një famë të madhe në Evropë. Sipas tij, poezia është frymëzuar nga një pasazh i librit të kujtimeve të Ibrahim Manzurit, me dervishin mistik që rrinte jashtë Janinës dhe që pashai tepelenas e nderonte shumë duke i toleruar çdo qortim apo fyerje.

“Orientalet” është një koleksion me poema nga Hygo i inspiruar nga lufta greke për pavarësi. Për herë të parë libri u botua në janar të vitit 1829. Nga 41 poema, 36 janë shkruar gjatë vitit 1828. Poemat janë të frymëzuar nga raporti mes Greqisë dhe Perandorisë Otomane.

Aleksandër Dyma, një tjetër figurë e rëndësishme e letrave franceze, i kushtoi një libër këtij personazhi. “Ali Pasha” quhet libri i cili ka ardhur së fundmi në shqip nga botimet “Saras”. Një libër që për vetë koherencën historike ku është shkruar jep një tablo të gjallë të jetës së një prej personazheve më interesantë të historisë sonë. Bajroni ishte një tjetër anglez që i kushtoi poezi Ali Pashës, ndërsa të tjerë udhëtarë apo shkrimtarë e gazetarë të kohës, e vendosën në librat e shkrimet e tyre, si një personazh frymëzues dhe pse të ashpër, por me një ndikim në histori.

(Gazeta Shqip – 23 Maj 2015)

 

Për dallim nga shkrimtarët e historianët evropianë të kohës, figura e Ali Pashë Tepelenës nga shkrimtarët, diplomatët e udhëpërshkruesit e kohës është paraqitur bardh e zi e më shumë zi, mbase për faktin se ai ishte një rival i fortë i Napoleon Bonapartës, në kohë kur ai ishte në rrugë ta pushtonte mbarë Evropën.

Hygo, Dyma, e sidomos Pukëvili që ishte agjent i Napoleonit në Pallatin e Ali Pashait, jetën dhe veprën e pashait e kanë deformuar duke e paraqitur në radhë të parë vrasës, pa zbuluar  esencën e angazhimeve të tij për ndarjen e Ballkanit nga Perandoria Osmane e kohës. Duket se këtë ndarje nuk e donte Franca dhe ajo priste që këtë ndarje ta bënin të krishterët e Ballkani e jo shqiptarët që kishin ndërruar fenë, apo edhe për shkak se ende konsideroheshin si skithët e Perandorisë.

Urrejtja e Francës për shqiptarët, algjerianë, marokenët dhe përgjithësish popujt me fe islame  ka qenë e vazhdueshme dhe si e tillë ajo ka arritur deri në ditët tona.

Hygoja i madh nuk ka shkruar as i ka dënuar  krimet 100 fish më mizore e më fatale të Napoleon Banapartit,  i cili kishte pushtuar shtetet e Evropës dhe kishte depërtuar edhe në zemër të  Rusisë  me  300.000 ushtarë dhe ishte kthyer me 10 mijë.

Teuta S. Rizaj: Ali Pashë Tepelena në romanet e shkruara anglisht

Teuta S. Rizaj: ALI PASHE TEPELENA NE ROMANET ANGLEZE eshte studim i vecante komparativ letraro-shkencor ne fushen e letersise angleze. Fillimisht e shkruar si teze e magjistratures dhe e mbrojtur me 1981, tani, por tani  i ofrohet lexuesve, duke e pasqyruar nga çdo kend figuren madheshtore te Ali Pashe Tepelenes, jeten dhe veprat e tij. Romanet historike te Stoyan Christowe ( Stojan hristov ishte me origjinë bullgare, por duket se vepërn e ka shkruar në gjuihën angleze) dhe William Plomer si dhe burimet tjera te shfrytezuara dhe konsultuara per hartimin e ketij studimi monografik, permes analizave kritike dhe krahasimeve te mprehta, nxjerrin ne drite dy anet komplekse te personazhit: Aliun burre shteti dhe Aliun njeri; Aliun e jashtem dhe Aliun e brendshem, Aliun mizor dhe Aliun subtil, Aliun e pergenjeshtruar dhe Aliun e vertete. Inteligjenca e tij brilante, dhuntia natyrore per te sunduar dhe drejtuar Pashallekun e Janines dhe me gjere, njohurite ne thelb te puneve qeverisese, administrative, diplomatike, ushtarake, juridike dhe ekonomike, e benin nje sundimtar te shquar dhe me vizion te qarte, te cilit ia kishte friken edhe vet sulltani. Sundimi i tij autonom ne trojet jugore te Shqiperise, ne nje cep te larget te posedimeve osmane ne Evrope, nxiten imagjinaten perrallore ne Evropen Perendimore. I vizituar nga shume evropiane, perfaqesues diplomatike, shkrimtare, artiste, mjeke, udhetare rasti etj., Ali Pashe Tepelena, sikurse edhe Napoleon Bonaparta, u be inspirim i pashtershem dhe objekt i trajtimit te gjithanshem jo vetem ne shkresat e diplomateve, por edhe ne shtypin e kohes, ne memoare, ne historiografi dhe publicistike, ku jo gjithmone pasqyrohej objektivisht personaliteti i tij, punet shteterore, jeta private dhe intime, botekuptimet e tij filozofike, shpirti i tij romantik, ndjeshmeria e tij ndaj te bukures se jetes dhe persosmerise njerezore, si dhe botekuptimet e tij mbi religjionin, perfshire ketu edhe bestytnite. Autoret angleze nuk e perceptuan qarte vizionin, synimin dhe luften e Ali Pashes per unifikimin e krahinave shqiptare nen sundimin e Pashallekut te Janines. Ky objektiv lidhej shume me lufterat e Napoleonit ne Evrope dhe impaktin e ketyre lufterave ne zgjimin kombetar te shume popujve evropiane, me kete edhe popujve ballkanike qe ishin nen sundimin disa shekullor osman. Andaj, konsiderohet se Ali Pashe Tepelena ishte nder artikuluesit me te hershem te idese se unifikimit kombetar ne Ballkan, dhe vetem mungesa e nje aleance te mirefillte me pashallaret tjere krahinor te Shqiperise, e pamundesoi unifikimin e Shqiperise, si shtet i pare nacional ne Ballkan.

 

Ali Pasha në romanin “Luani i Janinës” i shkrimtarit hungarez Jokai Mor

Për dallim nga të gjithë shkrimtarët evropianë që kanë shkruar poezi, poema e romane për Ali Pashanë, për dallim edhe nga vetë shqiptarët si Sabri Godo e të tjerë, figura e Ali Pashë Tepelenës në romanin Luani i Janinës, i shkrimtarit hungarez Jokai Mor, është vepra më e kompletuar,  më serioze dhe në shumë segmente romani më realist  që është shkruar ndonjëherë për te. Është i vetmi shkrimtar botëror i cili ka vërejtur me përgjegjësi, me një realizëm të çmuar për kushte dhe rrethana të kohës, figurën komplekse e shumëdimensionale të Luanit të Janinës, Ali Pashë Tepelenës. Nga vepra e tij hetojmë se ai ishte në kontakt dhe njihte mjaft mirë literaturën evropiane për Ali Pashanë, por nuk kishte rënë në kurthin e urrejtjes fetare, as e ka konsideruar si një  despot shqiptar mysliman.

Jokai Mor në romanin e tij kishte vërejtur jo vetëm dinakërinë e Aliut, jo vetëm  sikur thuhej despotizmin e vrasjet e panumërt, por në radhë të parë fuqinë e pashtershme të mendimit të tij realist, fuqinë fizike dhe autoritetin që ushtronte me seriozitetin dhe temperamentin e tij. Ai i kishte segmentuar të gjitha tiparet e tij, ato të  botës fizike e shpirtërore e mbi të gjitha bindjen e tij se mund të sundonte i pavarur nga Perandoria por edhe i pavarur nga ndikimi e hileja e shteteve të Evropës.

Pavarësisht se ai ishte në luftë të përhershme me Sulltanin, ai nuk ra në prehër të Napoleonit,  të Carit rus, as të atyre austro-hungarezë. Ai donte të ruante Ballkanin, ashtu sikur  ruante Egjiptian, Mehmet Ali Pasha, që e kishte çliruar nga francezët jo për t ia dhuruar  Stambollit por për ta qeverisur vetë, ashtu sikur e kishte bërë shtet Sirinë, Ibrahim Mehmet Ali Pasha në vitin 1830.

Ky roman i shkrimtarit Jokai Mor i botuar për herë të parë në vitin 1854  është përkthyer në gjuhën shqipe nga autori i këtij shkrimi dhe ka shumë kohë që pret të botohet. Vonesa 164 vjeçare për ta nxjerrë në dritë njërën ndër veprat më të fuqishme të shekullit 19, jo vetëm në Hungari, flet më së miri se sa e kanë dashur, çmuar  e respektuar shqiptarët, Ali Pashë Tepelenën, madje sipas mendimit tim,  kjo vonesë është në pajtueshmëri të plotë me atë që thoshte vetë pashai 200 vjet më parë.

Ai në fund e kishte kuptuar se nuk kishte pasur për kë të mundohej gjatë tërë jetës, sepse atë e kishin tradhtuar edhe bijtë e tij dhe të gjithë të afërmit, përveç disa toskëve e gegëve që i kishin mbetur besnikë dhe të cilët Ibrahim Pasha i Moresë, një renegat i Sulltanit, bastard shqiptar,  ua kishte shkurtuar kokat një nga një.

Kjo është “përkujdesja” shqiptare për personalitetet, të cilat na i njeh dhe i respekton bota, por ne nuk ua kemi ngenë.

 

Edhe pas 164 vitesh, edhe pas shumë viteve të pritje për  botim ky roman mbetet i mbyllur për publikun lexues shqiptar.

Më mbetet të iu them “aferim” përfaqësuesve të institucioneve në Kosovë dhe të Shqipërisë  që duket se nuk kanë dëgjuar as kanë mësuar kurrë për Ali Pashë Tepelenën. Tekefundit Janina, dikur kryeqendra e Shqiptarisë, tani është nën Greqinë dhe ndodh që greokpullosët mund edhe të na hidhërohen, sepse edhe ashtu janë të hidhëruar në Pashain shqiptar,  jo vetëm sepse gjyshërit  e tyre ai i  kishte bërë synet nga koka,  por për faktin se nuk po e gjejnë dot thesarin dhe arin ku e ka fshehur ai, edhe pse kanë gërmuar krejt Janinën me rrethinë.

Po populli shqiptar nuk e ka harruar pashanë. Ai edhe sot i këndo dhe mburret me veprat e heroizmin e tij. Dhe çuditërisht kënga më e përkushtuar, më antologjike është kënduar e këndohet në Kosovë. Në variantet që këndohen  edhe sot sidomos Kënga 44 pashallarë është një krijim popullor shumë i përkushtuar, ku Pashait shqiptar nuk i përshkruhet asnjë dobësi, asnjë e ligë, asnjë e metë, apo mizori sikur bëjnë këngëtarët e Shqipërisë së Mesme e të Jugut, që i këndojmë trimërisë dhe “mizorisë” së Ali Pashait. Ja vetëm dy shembuj:

Hajde Ali Pasha në dorë kur mos të rafsha!

Apo sipas Kadaresë:

Një varr i vetëm nuk ta nxinte dot lavdinë,

lavdinë bashkë me mizorinë.

Fragmente nga kënga Dyzet  e katër pashallarë

 

Kjo kalaja bregut të gjolit,

Karshillak po i ban Stambollit.

Kjo kalaja bregut të detit

Karshillak po i  bajka mbretit.

Ç’ ka kalaja që po dridhet?

Ali pasha nuk po lidhet.

Ç’ ka kalaja që gjëmon?

Ali Pasha po lufton.

Lum Kalaja kend ka brenda

Ali Pashën me shtatë zemra

….

 

Kontrolloni gjithashtu

FADIL REXHA: KUR MUNGON LUANI MAJMUNËT BËHEN MBRETËR

Fadil Rexha: LARGIMI NGA VENDLINDJA

Ishte një mëngjes i ftohtë pranvere me bore e shi. Me lot në sy, u …