Në mëngjes kam biseduar me Fatmir Xhelilin dhe Hilmi Ramadanin, të cilët janë të pandashëm në koordinimin e punëve dhe në ndihmat që i sjellin në Shtab dhe në zonën tonë. Hilmiu dhe Fatmiri duket sikur qysh moti kanë qenë në kërkim të njëri tjetrit. Tani ata janë të pandashëm. Aktiviteti i tyre në radhët e UÇK-së është i pazëvendësueshëm. Deri tani kanë pasur fat gjatë lëvizjeve nëpër postblloqet serbe. Por, asgjë nuk është e sigurt. Fare lehtë mund të bien në ndonjë pritë ose në ndonjë befasi tjetër të paparashikueshme. Fatmirin te ne e njohin të gjithë dhe është krejtësisht e pamundshme që policia vendore e Shtimes, apo shërbimi sekret serb të mos ketë informacione për lëvizjet e tij, aq më tepër kur Fatmiri punon edhe në Entin Specialistik të Shtimes. Krejt kjo është bazë hipotetike e dyshimit. Mirëpo nuk janë edhe shumë mjekë në Kosovë të cilët vazhdimisht i takon në zonat e luftës. Madje ka nga ai mes që edhe aktualisht punojnë në Spitalin e Prishtinë, si anesteziologia Burbuqe Bruqi, pastaj Flora Brovina, dhe shumë të tjerë. Është gabim i madh të dyshohet në sakrificën e tyre, ashtu sikurse është shumë vështirë të besosh se armiku nuk iu ka rënë në gjurmë. Mirëpo serbët mbase edhe qëllimisht i lejojnë lëvizjet e tyre, për t`u arsyetuar para faktorit ndërkombëtar se mjekët lejohen të kryejnë punët e tyre edhe në territoret që i ka nën kontroll UÇK-ja.
Te e fundit nuk dihet fati i askujt. Deri tani në zonat e luftës kanë pësuar dy mjekë të njohur, Lec Gradica, mjek i praktikës së Përgjithshme, i pushkatuar nga policia e okupatorit dhe doktor Shpëtim Robaj i cili ka rënë në një minë tokësore afër Abrisë.
Pasi jemi përshëndetur Hilmi Radamani dhe Fatmir Xhelili janë nisur në rrugën e tyre drejt paparashikueshmërisë. Së bashku me ta në drejtim të Shtimes janë nisur edhe Epiri dhe Elhamiu. Ata do të hyjnë ilegalisht në Shtime dhe do të qëndrojnë vetëm dy tri ditë te prindërit e mi. Atje tani për tani janë edhe familja e vëllait tim të ndjerë: Gazmendi, Shpendi, Shpresa dhe nëna e tyre Meleqja Në rast të ndonjë rrethimi Epiri e di se në podrum është një vend shumë i sigurt i cili në asnjë rast nuk mund të zbulohet.
Në mbrëmje kanë ardhur Galani, Ajvaz Berisha, Ilir Dugolli, Ali Durmishi, vëllai i Elez Durmishit po ashtu luftëtar i radhëve të para të UÇK-së, Gafurr Dugolli e të tjerë. Kemi biseduar gjerë e gjatë për një gamë problemesh. Ajvaz Berisha, zëvendëskomandant i Njësive Speciale të Shtabit të Përgjithshëm, profesor i letërsisë shpreh shqetësimet e tij lidhur me organizimin e dobët në nivelet qendrore. Ai po ashtu haptas shfaqë dyshimet e tij se në radhët e UÇK-së armiku i ka aktivizuar njerëzit e vet. Ajvazi përmend persona të caktuar të cilët kanë bashkëpunuar në një mënyrë ose tjetër me okupatorin…
-Janë këto probleme të shtrirjes dhe të zgjerimit të radhëve të UÇK-së, i them Ajvaz Berishës. Nuk mund t`i mohohet askujt vullneti për të luftuar kundër armikut, ndërsa sa i përket të të afërmëve të atyre që janë identifikuar si ish bashkëpunëtorë, kjo nuk duhet të diskutohet. Kjo luftë po i ndanë edhe vëllezërit në dy taborë, e lërë më kushërinjtë e farefisin.
Pas një bisede të gjatë në nivel të analizave të hollësishme, të gjithë pajtohemi se koha e kaluar nën robërinë sllave ka lënë gjurmë që vështirë fshihen. Njerëzia kanë kaluar shtigjeve dhe sfidave të rrezikshme dhe shpeshherë për ta mbrojtur familjen apo për një favor tjetër, janë lakuar.
Të çarat tanimë janë evidente. Duket bërë përpjekje për të kaluar nëpër to, pa hedhur barot në zjarr, për veç në raste evidente…