Ahmet Qeriqi: Bisedimet me Serbinë, fyejnë shqiptarët dhe degradojnë shpalljen e pavarësisë

 


“Kurrë nuk do ta njohim pavarësinë e Kosovës, por do të bisedojmë me shqiptarët lidhur me konfliktin shqiptaro serb”, kjo është  deklarata e kryetarit të Serbisë, e thënë  në prani të sekretarit të OKB-së Ban Ki Mun, gjatë punimeve në sesionin e fundit të AP të OKB-së dhe formula kontradiktore e kreut të Serbisë, Boris Tadiq, lidhur me bisedimet e ardhme në mes të Prishtinës dhe Beogradit, të cilat, nuk do të jenë bisedime teknike, sikur deklaron me pompozitet kreu i Kosovës, por bisedime për të gjitha çështjet e hapura, ashtu sikur preferojnë madje edhe disa shtete mike, të cilat e kanë pranuar pavarësinë e  Kosovës.


Bisedimet me Serbinë, në 10 vitet e fundit, por edhe më parë, asnjëherë dhe në asnjë situatë, apo rrethanë, nuk kanë qenë bisedime serioze, por vetëm bisedime nga pozita e pushtuesit, nga pozita e satrapit dhe hegjemonit. Edhe pse  Serbia ka konfirmuar se e sa herë se kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, ajo i ka imponuar qoftë negociatat, qoftë bisedimet me autoritetet e vendit tonë  dhe këto bisedime i ka përgatitur dhe i ka aranzhuar politika ndërkombëtare në relacion: OKB-BE-SHBA.


Bisedimet e kohës para shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në mes të grupeve negociatore të Prishtinës dhe Beogradit, ishin zhvilluar në kushte dhe rrethana, kur politikanët serbë nuk pranonin  as të shtrëngonin duart me pjesëtarët e ekipit të Prishtinës se lërë më të bisedonin seriozisht dhe në nivel relevant diplomatik.


Nisur nga prepotenca dhe arroganca e njohur serbe, kreu i Beogradit, i përkëdhelur dhe i mbështetur fuqishëm nga shumica e shteteve të Evropës, madje edhe nga Vatikani e shumë nga shtetet islame, vazhdimisht ka diktuar kushte dhe asnjëherë, në asnjë takim nuk ka pranuar shkëputjen e Kosovës, edhe pse Kosova, realisht ishte shkëputur me rezultatin  e luftës sonë çlirimtare dhe fitimtare  dhe ndëshkimin historik,  që iu bë Serbisë nga NATO-ja forca më e madhe ushtarake e botës, në pranverë të vitit 1999.


Duke qenë i përkrahur nga shumica e vendeve të botës,  Beogradi zyrtar nuk pranoi madje as planin e Ahtisarit, i cili parasheh një pavarësi të kushtëzuar dhe të mbikëqyrur për Kosovën, ndërkohë që përfill kërkesat maksimaliste për pakicën serbe, e cila, sipas këtij plani  është pakica kombëtare më e privilegjuara në botë.


A ekziston ndonjë vend në botë ku i pari i fesë, injoron  kërkesën e kreut të një shteti ku jeton,  për të marrë pjesë në një ceremoni fetare, sikur është rasti i injorimit të pranisë së kreut të Kosovës, në emërimin e paralajmëruar të kryepopit  të Serbisë në vendin tonë. Një kryepop i Serbisë në Pejë, sipas planit të Ahtisarit është autoritet mbi autoritetet shtetërore dhe qeveritare të Kosovës. Kjo është parë dhe është faktuar sa e sa herë deri tani.


Dhe jo vetëm kjo. Edhe pse plani i Ahtisarit parasheh ruajtjen e integritetit territorial të Kosovës, Qeveria e Kosovës nuk ushtron kurrfarë ndikimi në pjesën e saj në veri. Ajo nuk ka arritur asnjë rezultat në drejtim të shtrirjes së autoritetit në atë pjesë “de facto” shkëputur të Kosovës, qysh nga qershori i vitit 1999, kur forcat ushtarake franceze vendosen vijën ndarëse, vendosen kufirin e ri brenda Kosovës  dhe e ruajtën atë vijë ndarëse, derisa serbët u konsoliduar dhe e vendosen të ashtuquajturin pushtet paralel, i cili ka funksionuar dhe funksionin si pjesë e pushtetit të Serbisë.


Qysh prej vitit 1999, administrata e UNMIK-ut nuk ka lejuar që autoritetet e Prishtinës ta ushtrojnë kurrfarë ndikimi në pjesën veriore. Administratorët e UNMIK-ut, në veri,  vazhdimisht kanë qenë me prejardhje sllave, apo nga vendet të cilat e kanë përkrahur dhe e përkrahin Serbinë. Edhe aktualisht,  katër misionarë të lartë të UNMIK-ut, të cilët veprojnë në veri të vendit tonë janë me prejardhje  nga Rusia, Ukraina, një serb nga Kroacia dhe një zyrtare me origjinë sllave, me nënshtetësi gjermane. Kjo katërshe përbën stafin kryesor të mbetur të strukturave pro serbe të UNMIK-ut në veri të Kosovës. Ndërkohë bëhet e ditur se zyrtari i UNMIK-ut Vladimir Anokhin nga Rusia është ushtrues i detyrës së shefit të administratës së UNMIK-ut, në veri të Mitrovicës. Lilia Galieva, po ashtu nga Rusia është përfaqësuese komunale e UNMIK-ut në Leposaviq. Zyrtari i tretë rus në veri të Kosovës është Vladimir Grmovov. Andrei Efimov, nga Ministria e Punëve të Jashtme të Rusisë është këshilltar i lartë politik i UNMIK-ut në veri.


Këta zyrtarë janë përfaqësues të vendeve që kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës, dhe, janë ata të cilët nuk lejojnë të shtrihet autoriteti i Prishtinës zyrtare në atë pjesë. Nisur nga kjo gjendje faktike, deklaratat e kreut të Kosovës lidhur me shtrirjen e autoritetit në tërë vendin, janë krejt deklarative dhe  të paqëndrueshme.


Në kushte dhe rrethana të tilla, kur Serbia kontrollon veriun e Kosovës, kur enklavat serbe janë të lidhura horizontalisht dhe vertikalisht me Beogradin, dhe madje vetëm formalisht shtiren sikur e  njohin autoritetin e Prishtinës, kur kreu i Kishës serbe nuk respekton asnjë autoritet të Kosovës, për më tepër e injoron dhe e përbuz  atë egërsisht dhe paturpësisht,  kur kryetari i Serbisë deklaron haptas, para tërë botës se kurrë dhe në asnjë rrethanë nuk do ta pranojë pavarësinë e Kosovës, për çka u dashka të bisedohet me Serbinë?


Megjithatë bisedimet do të zhvillohen, sepse autoritetet e Prishtinës janë ata që kanë lëshuar pe dhe mjerisht do të lëshojnë edhe tani, meqë i qëndrojnë besnikë partneritetit me ndërkombëtarët, edhe kur këta ndërkombëtarë i detyrojnë ta ulin kurrizin deri në tokë.


Përndryshe çfarë kuptimi, çfarë logjike ka të bisedosh me përfaqësuesit e një shteti që të injoron, të shantazhon për ditë, nuk ta pranon legjitimitetin dhe bën përpjekje që me çdo kusht të diskreditojë, të përbuz dhe zhvlerësojë në të gjitha drejtimet.


Kreu i Kosovës, ndodhet para një sfide tepër të rrezikshme, sepse rifillimi i mundshëm bisedimeve me Serbinë, pavarësisht retorikës  boshe se nuk do të bisedohet për statusin, as për punët e brendshme të vendit, vë në pikëpyetje pikërisht sovranitetin dhe punët e brendshme.


Kosova ka shpallur pavarësinë, ka ndërtuar shumicën e institucioneve, është njohur nga 70 shtete të botës, në mesin e tyre edhe të disa shteteve më të fuqishme të botës, andaj edhe duhet të veprojë si e tillë.


Në një rast të tillë, për bisedime dypalëshe, mes dy shteteve duhet të përfillen parakushtet e barabarta, të cilat aktualisht nuk ekzistojnë. Serbia nuk e ka njohur Kosovën si shtet, ndërsa edhe Kosova nuk e ka njohur Serbinë, sepse kjo as që kërkohet nga Prishtina. Në një situatë të tillë ajo  detyrohet të zhvillojë bisedime  prej një pozite inferiore. Pranimi i kësaj pozite të  inferioritetit, e devalvon pavarësinë e shpallur të Kosovës, dhe pikërisht për këtë Tadiq u bën thirrje shteteve të botës, që të mos e pranojnë pavarësinë e Kosovës gjatë procesit të dialogimit.


Pranimi i autoriteteve të Kosovës për të biseduar me Serbinë nga këto pozicione, të cilat janë të imponuara  dhe në pozitë inferioriteti, fyen popullin liridashës të Kosovës dhe vë në pikëpyetje të madhe vetë shpalljen e pavarësisë.


Bisedimet me Serbinë nuk do të mbrojnë kurrë, nëse në Kosovë gjenden politikanë shqiptarë, të cilët do të pranojnë të sillen në rrethin e koniukturave të rrezikshme, gjithnjë  të kurdisura nga Beogradi dhe nga qarqet antishqiptare. 

Kontrolloni gjithashtu

Zvicra i bën thirrje Serbisë të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare

Në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, përfaqësuesja e Zvicrës ka bërë thirrje për …