leoni

Ahmet Qeriqi: “Bjeshka e namun”, një roman i shkrimtarit, Martin Cukalla, që pasuron prozën e sotme, realiste, shqiptare

Në romanin  “Bjeshka e namun”, poeti tashmë i mirënjohur dhe prozatori, që premton shumë,  Martin Cukalla trajton me realizëm ndodhi të jetës së njerëzve në Shqipërinë e sotme, e cila ka ngelur  në udhëkryq, duke mallkuar dhe duke prishur të kaluarën, por ende  pa ndërtuar një sistem të qëndrueshëm vlerash, në rrugëtim drejt së  ardhmes. Shqipëria sot është bërë pre e mujsharëve të politikës, ku me një anë shfaqet  luksi e shfrenimi pa fre, ndërsa në anën tjetër shumica dërrmuese e shqiptarëve bën një jetë me halle e derte, një jetë që ka dalë nga binarët, por edhe nga tradita e njerëzisë shekullore, dhe nuk bëhet dot zap, as mund të mëkëmbet lehtë, meqë Shqipëria tashmë ndodhet e  ndarë, e përçarë politikisht, me klane mafioze dhe e shkapërderdhur si mos më keq.


Duke qenë njohës shumë i mirë i realitetit aktual dhe i së kaluarës në Shqipëri, Martin Cukalla inxhinieri i minierave, vrojtuesi i hollë i fenomeneve të jetës, por edhe i  gurit e dheut, ka arritur që në romanin e tij “Bjeshka e namun” të na japë një pasqyre besnike, realiste, të plagëve me të cilat po jeton sot shqiptari, i cili bën përpjekje  të jetojë ashtu si mundet, ashtu si di, apo ashtu sikur e mësojnë dhe  pastaj edhe e viktimizojnë të tjerët.


 


Në rrugën e tyre për të mbijetuar, inxhinierët me përvojë, Shkëlzen Boriçi e Sulo Shkëmbi, disa vjet më vonë pas rënies së regjimit komunist kthehen në minierën e dikurshme në krahinën e Matit, ku kishin punuar për shumë vite. Ata kishin marrë paraprakisht me vete lejen e shfrytëzimit të një miniere nga Qeveria, por në kontakt me realitetin ekzistues, në malet ku ndodhen minierat, ballafaqohen jo vetëm me vështirësi  subjektive, por edhe me një regjim tjetër, me regjimin virulent të  bandave të maskuara, të cilat veprojnë për interesat e bosëve të tyre, në Tiranë. Edhe pse të ballafaquar drejtpërdrejt me dhunën, ata nuk zmbrapsen, jo të verbëruar pas interesit material, as nga nostalgjia për të kaluarën, edhe pse ata kishin vendosur të ktheheshin atje ku kishin lënë pjesën më të dashur  të jetës, por me përgjegjësinë e  njerëzve të profesionit dhe këmbënguljen prej idealistësh, për të rihapur minierat, në rrugë ligjore dhe për të filluar punën, e cila do t’ iu sillte fitime atyre dhe minatorëve, që do të punonin në minierë.  Pas shumë e shumë vështirësish dhe konfrontimit me  “pushtetin në hije” dhe mafian e kromit, e cila ekzekuton vendimet që merren diku lartë, përmes njerëzve me maska, Shkëlzeni,  fillimisht plagoset e pastaj edhe vdes duke u ballafaquar me bandat, ndërsa Sulo Shkëmbi më në fund arrin që lejen për shfrytëzimin minierës t’u lë në duar, familjarëve të Shkëlzenit,  minatorëve të dikurshëm, njerëz të thjeshtë, por punëtorë, duke çuar në vend edhe amanetin e shokut të tij.


 


Kjo është me pak fjali përmbajtja e romanit, i cili është shkruar me kujdes, me një gjuhë të pasur e të latuar me mjete stilistike, dialog diskret dhe rrëfime fragmentare, intriga e sfida, të cilat e mbushin plot jetë tërësinë e rrëfimit.


Ngjarjet shkak-pasojë, që janë inkorporuar në këtë vepër janë mjaft bindëse për lexuesin, sepse të gjitha ato tok përbëjnë konglomeratin e jetës së shoqërisë shqiptare sot, e cila është e mbarsur me shumë të liga e zezona, në një rrugëtim që lë shumë për të dëshiruar, ngjashëm me konstatimin e epikës shqiptare, të përmbledhur me fjalinë kuptimplote: “Shumë po shdrit njaj diell, e pak po nxen”. Autori i romanit është njohës i shkëlqyer i traditës, njohës profesionist i tokës, i minierave dhe i fenomeneve të natyrës, i pajisur edhe me pikëpamje të thella të filozofisë së jetës, të dialektikës së jetës, e cila ka ligjet e veta, të tilla si universumi, të pagabueshme, të dobishme, por edhe ndëshkuese, nëse njeriu ndeshet me to, sidomos nga padituria. Duke përshkruar autopsinë e shoqërisë në rrokullisje, ai mes tjerash konstaton:


“Dolën në dritë e bënë moralin e ditës, ndjenja që ishin kultivuar si rrena e parazitizmi, u bë real agresiviteti që predikohej, njeriu në udhë u vesh si dyqanet bosh, me hekura në dyer e në dritare. Të fortët në grushte, thika, pistolete të vjedhura e me mashtrime zunë qoshet e odës së kuvendit të burrave dhe u fortifikua shkatërrimi…fshati dhe qyteti u kthyen në një xhungël njerëzore në rrokullimë, ci iknin, ca rrëmbenin, ca shkatërruan, ca vrisnin… Të shumtët në uri për bukë e televizor, për një shtëpi të ngrohtë, për një punë e për ca pare, për ca ilaçe e për një diplomë, si të rritur nga dëshpërimi e të rritur në dëshpërim, kërkonin shtegun e shtegun nuk e gjenin...


( Bjeshka e namun, f 158-159.). Si e tillë, jeta njerëzore ndodhet buzë humnerës  dhe gjasat për të bërë kthesë janë mjaft pesimiste, meqë pushteti është jo vetëm i lëvizshëm si peshku, por edhe kur fillon të prishet, prishet nga koka, ndërsa edhe kur plaket, vdes ngadalë, ashtu sikur kali.


 


Martin Cukalla, në titullin e romanit të tij “Bjeshka e namun” ka përzgjedhur një fragment të kujtesës fataliste dhe mjaft të përhapur të tragjikës, shqiptare. Nama e mallkimi e kanë përcjellë shqiptarin nëpër shekuj, ca nga padituria e tij, ca nga sundimtarët e despotët të huaj e të vetët, ca nga udhëkryqi, në vendin ku kanë gjalluar dhe gjallojnë shqiptarët, në kufirin mes lindjes e perëndimit, mes Evropës dhe Azisë, në vendin  ku ka ndodhur shkizma e krishterimit dhe  ku nga shekulli në shekull  janë vënë përballë ndeshjet  gjithnjë të përgjakura të perandorive, për të  konstatuar më në fund  se “Bjeshka e namun nuk është ai mali atje,  por ajo është në shpirtin e njeriut dhe lum kush e flak tutje pa  plagosur të tjerët”. ( Bjeshka e namun, f. 246.).


 


Duke folur për ligësinë dhe nopraninë njerëzore, Frederiku i Madh i Prusisë,  kishte konstatuar, se “shumica njerëzore lind skllave dhe ka frikë vetëm nga djalli dhe ferri. Në mendjen e secilit është ujku i djallëzuar dhe janë të paktë ata, që e mbajnë lidhur në zingjirë”.  Ngjashëm konstaton edhe shkrimtari e poeti, Martin Cukalla në tematikën e këtij romani. Për më tepër, me veset e liga njerëzore, pushtetarët hipokritë kanë krijuar banda të krimit të organizuar dhe të tillët veprojnë kudo ku konsiderojnë se cenohen interesat e tyre. Ata janë mbi ligjin, mbi policinë dhe mbi drejtësinë, sepse janë të lidhur me instancat më të larta të pushtetit, i cili i manipulon dhe i shtrydh për interesat e veta dhe i cili më në fund i likuidon në mënyra të ndryshme.


 


Në “Bjeshka e namun”, autori me gjuhën e fakteve dhe me mënyrën mjaft të suksesshme të rrëfimit, të lidhjes së pjesëve në tërësinë e kompozicionit ka përmbaruar një vepër, e cila jo vetëm që do të mbetet dëshmi e një kohe të rëndë e kaotike, por në të njëjtën kohë do të jetë edhe një mallkim dhe stigmatizim i fuqishëm i një rendi, që shkel njeriun, shkel vlerat më sublime të tij dhe, me qëllim të përfitimit e pasurimit, shkatërron gjithçka që i bëhet pengesë.


 


Romani nuk do të ishte i plotë sikur të mos e kishte të inkorporuar edhe pjesën tjetër të jetës, atë pjesën  humane, të shpirtit të njeriut të thjeshtë, i cila ka qenë dhe do të jetë sundimtari i përjetshëm i virtyteve, i burrërisë, besës e nderit, i idealeve fisnike të kësaj bote, i cili duron të gjitha vështirësitë mbi kurriz  por më në fund fiton, ashtu sikur është Durim Kreshniku me njerëzit e tij, pastaj Mjellma etj. Ky segment realist i  romanit rikthen besimin e njeriut në vlerat e vërteta njerëzore, në rastin tonë në vlerat tradicionale shqiptare si besa, nderi, burrëria, solidariteti në rast rreziku dhe mikpritja me bujari e zemër të hapur.


 


( Martin Cukalla u lind në Progonat të Tepelenës në vitin 1943. Ka diplomuar në inxhinierinë e minierave, ndërkohë edhe ka punuar në minierat Memaliaj, Bulçizë, Spaç si dhe  si dhe në Ministrinë e Industrisë e të Minierave, Prefekturën Durrës, Institutin e Minierave.. Deri tani ka botuar; Paguaj Yjet, 1995; Zgjimi, 2001; Dridhen qerpikët, 2003; Magji marsi akuarel,2004; Në shtëpinë e detin, 2006; Simfonia e erës,2007;  (Simfonia vantului në gjuhën rumune në vitin 2008, në Bukuresht); Refrene qyteti, 2008; Planeti im, 2009; Në prozë deri ta botuar: Kosova konstruksion, 2005 dhe Bjeshka e namun 2010. Jeton dhe punon në Tiranë.).

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Dhjetë alfabete të gjuhës shqipe, të cilat i ka prezantuar në një libër studiuesi i mirënjohur, Robert Elsie

Robert Elsie: Literatura shqipe në traditën islame-osmane I

Me ardhjen e tij ne Shqiperi, pushteti Osman solli me vete kulturen e tij te …