Ahmet Qeriqi: Bota e trishtuar, fatale dhe absurde e Franc Kafkës

Shkrimtari i madh austriak  me origjinë hebraike, Franc Kafka (1883-1924) është një krijues i veçantë nga të gjithë shkrimtarët botërorë. Kushdo, që për herë të parë lexon ndonjë vepër të tij, heton se Kafka nuk është dhe nuk shkruan si të tjerët, se  bota e tij e shprehur në tregime, novela apo romane është tjetër fare, dhe ajo dallon në shumë segmente, jo vetëm nga ana formale e mbarështimit të materies, por edhe nga përmbajtja dhe qasja krejtësisht e veçantë lidhur me botën dhe disa nga fenomenet e jetës njerëzore.


Të rrallë janë lexuesit e pasionuar dhe seriozë, të cilët nuk janë detyruar ta rilexojnë madje edhe disa herë rrëfimin e tij mjaft sfidues për ta zbërthyer. Vepra e tij është si katrori i Rubikut, ku për vendosjen e të gjitha ngjyrave në vend të vet të duhet kohë, por edhe një çelës, të cilin nuk është e lehtë ta gjesh. Për dallim nga katrori, interesimi për të cilin pushon pasi ta kesh zbërthyer, si një enigmë, vepra e Kafkës ka aq shumë enigma sa lexuesi, pasi e lexon veprën e tij e kënaq një pjesë të kërshërisë, i vetëdijshëm se shumëçka nuk ka kuptuar. Ka në mesin e lexuesve por edhe të shkrimtarëve, që kanë konstatuar se pavarësisht seriozitetit gjatë leximit, Kafka është i errët dhe pamundësia për ta zbërthyer qëndron në këtë fakt, jo në faktin e pamundësisë për ta kuptuar totalitetin e botës së tij krijuese.


Si duket Kafka ka qenë i vetëdijshëm për anën e errët e krijimtarisë së tij. Madje ai ka dyshuar shumë në krijimtarinë e tij. Në porosinë, që i kishte lënë shokut të tij, Maks Brod, pak para vdekjes kishte shkruar:


“I dashur Maks, lutja ime e fundit: gjithë çfarë gjendet në trashëgiminë time, pra në raftin e librave, në raftet e ndërresave, në tavolinën e shkrimit, në shtëpi, në zyrë, apo në cilin do vend që të gjendet, e që të bjerë në sy, qofshin këta ditarë, dorëshkrime, letra të huaja dhe të mia, digji të gjitha pa përjashtim dhe pa i lexuar”. ( O Bihali Merin,  Kafka dhe procesi i tij, romani “Procesi”, Prishtinë 1972, faqe, 232).


Franc Kafka ka shkruar një mori me tregime, novela e romane. Ai u bë i njohur sidomos pas vdekjes, ku bota e lexuesve jo vetëm, në vendet ku flitet gjermanishtja, por sidomos në Francë, e lexoi dhe çmoi lart  krijimtarinë e këtij shkrimtari, i cili vazhdon të mbetet njëri ndër krijuesit më të lexuar, por edhe më enigmatikë  në mbarë  botën.


Kur themi enigmatikë nënkuptojmë faktin se veprat e tij mund të kundrohen nga aspekte të ndryshme për të zbërthyer botën e tij, meditimin shumë të thellë, mbase edhe parashikimin për fatalitetin që pësoi populli hebre, gjatë kohës së sundimit të Rajhut të Tretë, ku miliona hebrenj u burgosën u arratisën, u  vranë dhe u zhdukën në mënyrën më barbare, që kishte njohur ndonjëherë njerëzimi, duke përjashtuar edhe inkuizicionin mesjetar.


 


Romani “Procesi” i Franc Kafkës, i botuar pas vdekjes, konsiderohet si vepra më madhore e tij, por edhe njëri ndër librat më të lexuar në botë. Në këtë roman, krejtësisht  të veçantë për nga mënyra e ndërtimit, që mund të quhet edhe roman i personazhit, Kafka, jo vetëm bën përpjekje për ta paraqitur, por arrin me sukses ta trajtojë një fenomen jetësor, që nuk ishte trajtuar ndonjëherë, të paktën në krijimtarinë e asaj kohe. Ai,  në figurën e personazhit Jozef K. ndërlidh disa  motive me elemente nga biografia e tij, por duke i dhënë një dimension universal fatit të njeriut në shoqërinë e industrializuar kapitaliste, e cila e kishte tëhujësuar njeriun, e kishte bërë një prej veglave të shumta, me të cilat ajo manipulonte dhe  mbi të cilat ajo sundonte, zhvillohej dhe zgjerohej, si në kohën kur jetoi dhe shkroi shkrimtari, por ashtu ndodh edhe sot.


Jozef K. është një zyrtar i një rangu mesatar në administratë, i cili një ditë papritur mëson se ndaj tij është hapur një proces hetimor, edhe pse është  i vetëdijshëm se nuk kishte bërë asnjë vepër,  që binte ndesh me ligjin.


Megjithatë,  ai ishte bërë pjesë e një procesi hetimor, që vazhdonte dhe që i kishte ushtruar një ndikim shumë të keq dhe një ndërhyrje brutale në jetën e tij, deri atëherë  të thjeshtë e modeste. 


Duke përshkruar procesin e hetimeve dhe duke mos arritur ta kuptonte përse kishin filluar hetimet, kush i kishte filluar dhe për çfarë shkaku, ai jeton mes ëndrrës dhe realitetit, mes reales, e cila e dërrmon dhe ireales e fantazisë ku gjen strehë qoftë edhe për një çast.


Në raport me të njohurit, si zonja Grubah, zonjusha Bistner  e të tjerë ai ndihet mirë dhe në elementin real të jetës, ndërsa në prani të hetuesve, të inspektorit,  prokurorit dhe të gjykatësve, ai ndihet viktimë, pavarësisht se nuk ka bërë asnjë faj dhe pavarësisht se fajin e imagjinuar tij nuk  arrin ta dëshmonjë askush.


Duke folur për invencionin krijues të Kafkës, studiuesi i mirënjohur, O Bihali Merin shkruan: “Në asnjë çast nuk mund të qëndrojmë mbi rrafshin e domethënies tekstuale të fjalëve. Njerëzit sillen në sferën mes ëndërres dhe realitetit, janë zhdukur raportet e vendit dhe kohës. Gjërat janë të përditshme, fjalët tejet të thjeshta, mirëpo ligjet e kauzalitetit më nuk vlejnë. Nuk ka asgjë të fortë, të qëndrueshme. Në muzgun e këtyre mendimeve, njeriu papritmas gjendet para greminave. Tmerret shpërthejnë edhe në ëndërr, është vështirë të ikësh nga frika dhe rreziqet, që vërsulen kundër nesh  nga bota e hijes. Kjo është një frikë universale, një ndjenjë pasigurie e shpirtit neurotik, frika e udhëtarit nëpër një botë kaotike, por të rishrregulluar në mënyrë pedante dhe burokratike, që rri pezull midis fiksionit dhe esencës.” (Po aty, f. 227)


Kritiku dhe njohësi i shkëlqyer i veprave dhe simbolikës krijuese të Franc Kafkës, Bihali Merin ka zbërthyer disa anë të realitetit fantazmagorik të “Procesit” dhe ka konstatuar se ishte burokracia e kohës, e globalizmit kapitalist, e cila njeriun e kishte kthyer në vegël prodhuese, me qëllim për ta shfrytëzuar në të gjitha mjetet e metodat.


Çdo vetëdije që ngrehet kundër kësaj burokracie, ose që protestonte do të ndeshej me aparatin shtypës të një sistemi të perfeksionuar, që ngulfat nga të gjitha anët dhe të rrëmben si oktapodi apo njëqindkëmbëshi.


Duket se Franc Kafka ka paraparë globalizimin e kapitalizmit apo edhe të autaritarizmit monarkist, që ka mbijetuar dhe mbijeton për qëllimet e Piramidës së sundimit mbi njeriun e thjeshtë, i cili është i gjykuar të punojë, të shfrytëzohet, dhe të jetojë gjithnjë në frikë nga tërë aparatura shtetërore. Jeta e tillë është hije jete, pikërisht ashtu sikur përshkruan, Franc Kafka, i cili përveç dimensionit të përshkrimit  nga brenda të kësaj zezone individuale, ai parasheh edhe zezonën kolektive të hebrenjve, që  ishin ndjekur dhe ndiqeshin kudo edhe në kohën e tij, për të pësuar kolektivisht njëzet vjet pas vdekjes së tij.


 


Në romanin “Procesi” Kafka përshkruan pamundësinë e luftës së individit  me njerëzit e pushtetit, që janë shumë më të fortë se ai,  pavarësisht krejt pakuptimësisë së argumenteve me të cilat ballafaqohet individi. Në krejt faqet e këtij romani hetohet e vërteta tronditëse e realitetit të njeriut të  thjeshtë në raport me sistemet, që ndryshojnë dhe pushtetin e konsiderojnë një pengesë, apo si një diçka të mirë për të realizuar qëllimet. Personazhi i Kafkës  përgjithësisht është njeriu i thjeshtë dhe  jo heroi që ndryshon botën, apo heroi që mbron të drejtën dhe të vërtetën. Lidhur me këtë konstatim të tij ai ka shkruar: “Vetëm kur shkrimtari rastësinë mund ta kthejë në ligj dhe ta bëjë njeriun të pavdekshëm, vetëm atëherë ai ka një rol në art dhe vetëm atëherë roli i tij është profetik”. Sistemi gjigant i pushtetit  vë në jetë rrjedhën e gjërave  dhe paracakton rregullat e jetës e të sjelljes, rregulla këto që vendosin nga një karrem për çdo njeri dhe askujt nuk i japin llogari. Personazhi kryesor i romanit, “K” edhe pse bën përpjekje për ta kuptuar esencën e pushtetit, ai nuk e kap dot me mendjen e tij. Në çdo segment ndeshet me fatalitetin dhe absurditetin  e jetës, ku qenia e tij dhe të gjithë të tjerëve me të cilët rrethohet, pastaj  ambienti, rezonimi,  koha dhe hapësira, duken të pakuptueshme dhe nuk jetojnë në një unison.


 


10 rrëfimet e romanit “Procesi” që përbëjnë tërësinë tematike e ideore


 


10 rrëfimet e romanit “Procesi” që përbëjnë tërësinë tematike e ideore, në dukje të parë të lënë përshtypjen e fragmenteve, që nuk janë të lidhura mirë ose të kapitujve të romanit,  me praninë e sa e sa digresioneve, shpeshherë në dukje edhe në shpërputhje me kompozicionin. Pikërisht këtu, të paktën nga ana formale, Kafka ka ndërtuar romanin e tij të personazhit, duke i thënë dimensione të gjata rrëfimit kryesor dhe duke e mbarështuar tërë materien me një lidhje të brendshme, të fortë dhe të qëndrueshme.


Në kapitullin e parë ai përshkruan fillimin e hetimeve, pastaj jep dimensionin e shtrirjes dhe ndikimit, që ushtrojnë këto hetime jo vetëm te ai, por edhe të afërmit e tij.


Në kapitullin vijues, fillon marrja në pyetje, ku bëhet fjalë për ballafaqimin e parë me pakuptimësinë e këtyre hetimeve. Pastaj në dy kapitujt vijues, veprimi zgjerohet me biseda si me studentin, mikeshën e zonjushës Birstner, për të arritur te “Munxë dhënësi”, kapitull, ku Kafka paraqet dhunën e pushtetit, e cila shtrihet jo vetëm mbi kokën e tij, por mbi të gjithë, madje edhe mbi denoncuesit e tij.


Struktura ndërtimore e romanit vazhdon në kapitujt vijues ku “K” takohet me xhaxhanë, avokatin, Lenën dhe ku humb shpresat se do të ketë një mbrojtje të duhur nga ndokush. Ai duke besuar fort se po shkon drejt humbjes, heq dorë edhe nga avokati dhe lundron në përditshmërinë e tij plot ankth dhe paparashikueshmëri për fatin tragjik.


Dy kapitujt e fundit të romanit: “Në Katedralë” dhe “Fundi” përshtresohen në tërësinë e zhvillimeve që kanë ndodhur prej ditës kur ndaj “K”-së ka filluar procesi si dhe pamundësia për të zotëruar qoftë edhe një segment të vetëm të procesit  e deri te parapërgatitja për të marrë goditjen e fundit.


Kapitulli “Në Katedralë” përshkruan takimin e “K”-së me Kishtarin, i cili sikur e parapërgatit për ta marrë goditjen e fundit, pavarësisht se edhe ai beson në pafajësinë e “K”-së, por është i sigurt se do të bëhet ashtu sikur është shkruar, meqë njeriu nuk mund të futet në ligj, nuk mund ta ndryshojë atë, por vetëm duhet të bindet qoftë edhe kundër vullneti të tij. Kishtari, padyshim se përfaqëson klerin, i cili gjithnjë dhe në çdo kohë ka mbështetur pushtetin, madje edhe atëherë kur kishte filluar përndjekje e hebrenjve. Mjerisht kleri katolik, pjesa zyrtare e klerit, kishte aprovuar edhe gjenocidin dhe shfarosjen e hebrenjve nga makineria kriminele e Hitlerit  makineria më e madhe e krimit që ka njohur bota.


Përsiatja e rrëfimit të fshatarit, që pretendon por nuk arrin të futet në ligj, për shkak se ligjin e ruajnë sa e sa derëtarë të tjerë pas tij, duket sikur në mënyrë profetike dhe parashikuese  ka të bëjë me hebrenjtë të cilët u zhduken mizorisht dhe pa asnjë faj, ose me fajin e vetëm sepse ishin hebrenj dhe jo gjermanë, apo evropianë.


Në ditëlindjen e 31-të, personazhi kryesor i romanit, i koduar me shkronjën “K”, që është shkronja e parë e mbiemrit të shkrimtarit ballafaqohet papritmas ne dy të panjohur, dy zotërinj me kapota salloni, të zbehtë, të shëndoshë, me cilindra që dukeshin sikur t’iu kishin ngjitur për koke. “K” është i habitur se të dy këta njerëz  i duken si cirkusantë, por më vonë e kupton se ata do të jenë ekzekutorët e tij, të cilët e zhveshin lakuriq, duke ia ruajtur me kujdes rrobat dhe e parapërgatisin për ta therë. Në momentet e fundit ai kujtohet për gjykatësin, që nuk e ka parë kurrë, gjyqin e lartë, të cilin nuk arriti ta shohë kurrë, ndien se thika iu kishte ngulur në gurmaz dhe sheh sesi dy zotërinjtë ishin kërrusur mbi trupin e tij.


“Si qen! Tha “K” dhe iu duk se trupi i tij ishte më i fortë se vdekja”.


Fundi i procesit  përjetohet, jo si një larje e mëkatit, për individin, i cili nuk ka bërë as edhe një mëkat të vetëm, për ta mbytur në atë mënyrë, por është  fundi i një jete të jetuar qenqe, i një jete, i një trupi, i cili  megjithatë ishte më i fortë se vdekja. Fjalia “si qen” flet shumë. Në tregimin e tij “Rrëfimi i një qeni” Franc Kafka  jep një porosi universale. Ai thotë. “Mos u sillni me njeriun si me qenin, sepse ai fillon të veprojë si qen”.


Kafka, në krijimtarinë e tij  ka kombinuar për mrekulli gjërat e jetës së përditshme, duke i ndërlidhur  me ato të imagjinatës. E përditshmja është përshkruar si gjendje e sëmurë patologjike, pa rrugëdalje ndërsa imagjinata është përpjekja e tij për të përballuar përditshmërinë monotone të bezdisshme, në pamundësi për ta ndërruar atë…


 


 


Franc Kafka u lind në qytetin e  Pragë, me 3 korrik 1883 dhe vdiq me 3 qershor 1924 ne Vjenë te Austrisë.


 


Kishte origjinë nga një familje e arsimuar hebraike. I ati, Hermani  ishte mjeshtër fshati, por më vonë u be fabrikant i vogël. Ai dëshironte që i biri të bëhej fabrikant. Babai i tij kishte natyrë vetjake por imponuese në familje. Edhe e ëma, Xhulija, nuk i kushtoi shumë rëndësi Francit, meqë kishte edhe fëmijë të tjerë dhe obligime të shumta në rritje e tyre. Babai, por as e ëma nuk e kuptuan dhe  nuk e arsyetuan marrjen e Kafkës me shkrime, duke e quajtur atë si veprimtari jo dobiprurëse dhe një jetë andrallash Kafka ishte rritur nën kujdesin e një guvernateje. Ai pati dy motra e dy vëllezër. Vëllezërit i kishin vdekur të vegjël, ndërkohë që ai ishte rritur 


Në shkrimet e tij ka përshkruar edhe raportet, jo të mira me babanë egoist, i cili mbi të gjitha shihte përfitimin  material dhe nuk e arsyetonte dot veprimtarinë e tij shkrimore.


Edhe pse kishte jetuar në një familje relativisht të kamur, ai kishte trashëguar një shëndet të lig dhe në moshë të re, iu kishte shfaqur sëmundja e tuberkulozit, shërimin nga e cila nuk e filloi me kohë.


Pasi mbaroi gjimnazin gjerman, në Pragë. Kishte filluar  studimet për drejtësi. Në të njëjtën kohë kishte ndjekur kurse me mësime  për artin dhe gjermanistikën.


Në vitin 1908  mori diplomën e juristit dhe pikërisht asokohe  fillon të shkruajë rrëfimet e tij të para në prozë.


Po në atë vit  zë punë në një “Kompani italiane të sigurimi” , në Pragë.


Gjatë asaj kohe krahas punëve në administratë, Franc Kafka lexon disa nga shkrimtarët më të mëdhenj botërorë të kohës si: Tolstoin, Dostojevskin, Tomas Manin Kjerkegorën, Floberin e shumë të tjerë.


Në vitin 1909, në revistën “Hyperion” boton disa fragmente nga novela e tij e parë e titulluar: “Përshkrimi i një beteje”. Prej vitit 1913 e deri në vdekje ai botoi shumë tregime e novela por shumica e krijimtarisë së tij kishte mbetur në dorëshkrim. Gjatë kohës sa ka qenë gjallë ka botuar  përmbledhjen me tregime titulluar “ Vëzhgimi”, pastaj boton tregimin “Aktgjykimi”, tregimin “Zjarrvënësi”  nga romani “Amerika” e të tjera.


Novela e tij “Transformimi” u prit jashtëzakonisht mirë nga publiku. Me këtë novelë, për të cilën shkruan fjalët më të mira shkrimtarët e njohur, Maks Brod, Oskar Valcer, Kazimir Eshtmit, ai mori edhe shpërblimin e parë letrar” “Fontane-Preis”.


Në vitin 1912, në shtëpinë e shokut të tij Maks Brod, njihet me gjermanen Felisa Bauer, e cila ishte përfaqësonte një kompanit të diktafonave. Një kohë të gjatë Kafka pati korrespondencë me zonjushën Baurer, me të cilën ishte martuar dhe ishte ndarë dy herë. Në vitin 1917, ata ndahen përfundimisht.


Asokohe martohet  me një gjermane të re të Pragës, ndërkohë që i shfaqen shenjat e para të TBC-së.


Në vitin 1919, kafka boton veprën “Mjeku i fshatit” ku ishte shquar dhe ishte lavdëruar nga kritika sidomos novela: “Në koloninë e të dënuarve”.


Në vitin 1920 lë punën në Kompaninë e sigurimeve dhe shkon në një Sanatorium me qëllim për t u shëruar nga sëmundja. Asokohe lidh miqësi me shkrimtaren e njohur çeke, Milena Pollak, me të cilën ka shkëmbyer shumë letra, të cilat janë botuar pas vdekjes së Kafkës me titull: “Letra Milenës”.


Në vitin 1923, në kohën kur sëmundja kishte përparuar ai njihet me zonjushën, Dora Diamant, të cilën e kishte adhuruar së tepërmi. Kishte shpresë se falë dashurisë dhe zellit për të mos u dorëzuar do ta mposhte  sëmundjen, por nuk arriti. Më 3 qershor të vitit 1924 vdes në Sanatoriumin “Kirling” afër Vjenës.


 


Gjatë jetës së tij të shkurtë, Kafka kishte shkruar shumë, por kishte botuar pak. Tërë krijimtarinë e tij ia kishte lënë amanet shokut të tij, Maks Brod që ta zhdukte, ndërsa ky jo vetëm që nuk ia plotësoi atë amanet fatalist, por mori përsipër botimin në tërësi të të gjitha veprave të tij. Në vitin 1931, Maks Brod së bashku me shkrimtarët e njohur evropianë:  Andre Zhid, Herman Hese, Martin Buber, Hajnrih Man, Tomas Man dhe Franc Verfel  publikuan një “Proklamatë publike” ku vlerësuan lartë veprat letrare të Franc Kafkës, duke veçuar vlerën unike të kësaj krijimtarie letrare e artistike, e cila më pas pati ndikim të madh te një masë e madhe krijuesish e kritikësh letrarë.

Kontrolloni gjithashtu

Albert Zholi

-Albert Z. ZHOLI: Flasin për Ditën e Verës: Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka

Flasin Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka -Dita e Verës nuk …