Ahmet Qeriqi: Çdo dite i mjafton pikëllimi i vet. (E premte 30 tetor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Çdo dite i mjafton pikëllimi i vet. (E premte 30 tetor, 1998)

Në orët e zgjimit, i shkëputur nga ëndërrimi dhe gjumi i parehatshëm ndihem shumë i tensionuar. Në ato momente më kaplon një gjendje trishtimi dhe vërej se si jemi futur në një rrugë tejet të rrezikshme dhe të paparashikueshme. Shkollat janë mbyllur, puna në çdo segment ka ngecur. Varfëria i ka kapluar të gjithë. Shtëpitë janë djegur. Qindra fshatra janë shkatërruar. Përveç këtyre mbi kokë na rri kërcënimi vrastar i lubisë serbe.

Me shumë vështirësi e marr veten derisa ngrihem dhe pastaj nis ritmi ditor i pandalshëm, me shumë ngjarje dhe të papritura. Tanimë po fillon muaji i gjashtë qyshkur ndodhem këtu në Krojmir dhe përgjithësisht në zonat e luftës në fshatrat e Drenicës jugore.

Të gjithë i kanë hallet dhe shqetësimet e veta, të njëjta, ndërsa mua më rëndojnë hallet dhe brengat e të gjithëve. Derisa kemi qëndruar në Grykë kam dëgjuar disa  nga bashkëfshatarët të thonë, po këtij çka iu desh t`i sjellë krejt familjen këtu. Ose të tjerë që kanë thënë: këtij dhe të tillëve ua pamë sherrin, nuk ishim edhe aq keq në krahasim se çfarë situate kemi sharruar tash.

Derisa krejt këta muaj më defilojnë në dromca kujtimesh të palidhura vërej se të gjithë janë zgjuar. Ngritëm me përtesë nga meditimi.

Zamiri ende fle. Epiri gjatë natës po ushtron roje me Elhamiun e Sylës dhe me Agronin e Elezit. Në odë vazhdimisht kthejnë ushtarët gjatë natës. Disa flenë, disa të tjerë bisedojnë…

Atje zakonisht flë edhe Faruk Gashi.

Tezja Ajshe, edhe pse plakë dhe e dobët nga shëndeti ende punon, Punët kryesore dhe më të mundimshme i bën bashkëshortja ime, Zymrytja.

Arbana punon në ambulancën ushtarake.

Të gjithë sa jemi këtu kemi nga një detyrë, ndërsa unë përveç të gjitha detyrave të cilat më shumë ia kam ngarkuar vetvetes se sa i ka kërkuar ndonjëri nga unë, kam edhe këtë kronikë, e cila ditë e më tepër po më preokupon veçanërisht. Pavarësisht se çka mund të ndodh, unë do të radhis këtu të gjitha ngjarjet, ashtu sikur i shoh dhe i kuptoj vetë. Deri tani kam arritur ta ruaj gjykimin realist. Jam përpjekur të jem regjistrues i kujdesshëm i të gjitha ngjarjeve të cilat kanë ndodhur në këto anë apo për të cilat kam pasur fakte dhe dëshmi. Pozicioni i shkrimeve të kësaj kronike është realist, pa mistifikime, pa kurrfarë fshehjeje të veprimeve të akëcilit ushtar apo komandant.

Po mundohem që këto shënime të mbesin pasqyrë e kësaj epopeje.

Vërtetësinë do ta verifikojnë, ata, që do të shpëtojnë nga lufta meqë këtu kanë depërtuar me qindra personazhe. Lufta nuk mund të na merr të gjithëve. Dëshmitë te e fundit le të mbesin…

Në orët e pas ditës janë intensifikuar vajtje ardhjet. Nga Shala kanë ardhur Ramë Buja,  Shukri Buja, Agron Krasniqi e të tjerë. Jakup  Krasniqi  sigurisht se do të vijë më vonë.

Ramadan Rizani i cili së bashku me Heset Hamdiun e kanë shtrirë kontrollimin në Shalë, ku zakonisht deponohen e më pastaj ndahen ndihmat humanitare, më kanë lajmëruar se kanë arritur ndihma humanitare për popullatën Tani meqë atje kanë filluar të konsolidohen radhët e ushtrisë edhe puna me ndihmat është vënë nën kontroll.

Ushtaraku, Heset Sahiti, së bashku me ushtarakun Fatmir Shurdha kanë konsoliduar radhët.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Monotoninë e ditës së vjeshtës e thyejnë vajtje ardhjet e të njohurve. (E shtunë 7 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Monotoninë e ditës së vjeshtës e thyejnë vajtje ardhjet e të njohurve. (E shtunë 7 nëntor, 1998)

Sot ishte një ditë tipike e vjeshtës. Një ditë e zymtë, monotone dhe me shi. …