Ahmet Qeriqi: Disa nga lidhjet shqiptare armene, në dritën e të dhënave gjuhësore e historike IV

Ahmet Qeriqi: Disa nga lidhjet shqiptare armene, në dritën e të dhënave gjuhësore e historike IV

Në Drurin gjenealogjik të Familjeve Indoevropiane, gjuhëtari i madh gjerman, August  Schleicher (19 shkurt 1821 – 6 dhjetor 1868) ka shënuar dy degët e para të gjuhëve të sistemit Centum dhe Satem, gjuhën shqipe, si krahu perëndimor  dhe armenishten, në krahun lindor. Gjuhëtari më i njohur i kohës së tij, në  “Gramatikën Krahasuese të Gjuhëve Indo-Europiane”, bëri përpjekje të rindërtonte gjuhën Proto-Indo-Europiane, duke i vendosur të gjitha gjuhët në një pemë gjenealogjike.

Edhe pse Schleicher nuk ka dhënë ndonjë shpjegim të veçantë të lidhjeve gjuhësore, apo lidhjeve të tjera, ai këto dy gjuhë i ka vendosur në dy degët e para, duke pasuar pastaj me gjuhët  indo-gjermane, romane, sllave, perse, indiane, kelte  etj.

E përbashkëta e këtyre dy gjuhëve dhe gjuhës greke, sipas radhitjes së Shlajherit  qëndron në faktin se asnjëra nga këto gjuhë nuk u zhvillua në degë të tjera, por ngelen të kufizuara vetëm brenda një entiteti të caktuar gjuhësor.  Gjuha shqipe në trojet e Ilirisë dhe Dardanisë, gjuha greke në trojet e dikurshme të Greqisë dhe Bizantit dhe gjuha armene vetëm në Armeni. Gjuha greke ishte po aq gjuhë e biblës dhe predikimit fetar në tërë Bizantin, ndërsa gjuha armene vetëm në Armeni edhe pse teksti i parë i Biblës ishte shkruan  në gjuhën aramene, armene.

Duhet saktësuar që në fillim se e ashtuquajtura Albani e Kaukazit nuk ka pasur as ka ndonjë element  të përbashkët me Ilirinë, Dardaninë apo Shqipërinë e sotme. Thjesht kemi të bëjmë ne një koincidencë gjuhësore, ashtu sikur Albania në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dihet historikisht se gjeografi grek, Ptolomeu në shekullin II të epokës kishte shënuar emrin Albanopolis, qyteti i albanëve që përafërsisht  bie në Shqipërinë e mesme. Claudius Ptolemaeus (Greqisht: Klaudios Ptolemaios) (87 – 150) ishte një astronom, gjeograf, matematikan dhe teoricien i muzikës, një  grek nga Aleksandria. (Wikipedia internet)

Nuk mund të kishte ndodhur një rastësi e tillë, që në të njëjtën kohë, i njëjti entitet të jetonte në dy vende, mijëra kilometra larg njëri tjetrit, përveç në fantazinë e disa sharlatanëve shqiptarë, të cilët gjuhën shqipe edhe pse të shkruar para 600 vitesh e nxjerrin 30.000 vjet më të vjetër, si prodhim fantastik, pa as edhe një bazë të vetme gjuhësore apo historike.

“Albania Kaukaziane si shtet shtrihej në Kaukazin lindor, në territorin e Azerbajxhanit të sotëm, në Dagestanin jugor dhe në Gjeorgji. Në vitin 387 pas Krishtit, gjatë ndarjes së Armenisë në mes të Perandorisë Sasaniane dhe Perandorisë Romake, territori i Albanisë Kaukaziane u nda në dy zona: Aghuak dhe Utik , të cilat iu dhanë Armenisë. Albania Kaukaziane deri në shekullin e XIII-të njihej me emrin Persian Arran”, (Gazeta Shekulli.).

Familjet armene në Kosovë, në regjistrimin turk të Vilajetit Vëllk të vitit 1455

Historiani i mirënjohur i Mesjetës, veçmas i onomastikës së Mesjetës, dr. Muhamet Tërnava në librin e tij: “Popullsia e Kosovës gjatë shekujve XIV-XVI”, ka vërejtur edhe praninë e armenëve në trojet e Kosovës.  Përveç popullatës shumicë shqiptare të besimit ortodoks, në klasifikimin e emrave dhe mbiemrave, duke marrë për bazë trajtat shquese gramatikore ai kishte arritur në përfundim se të gjithë emrat që kishin mbaresën gjuhësore me  “i”  i trajtonte me të drejtë të përkatësisë shqiptare si Dimitër Dimitri etj. Ata me prapashtesën serbe -iq, Dimitar Dimitriq, prapashtesën e moçme sllave-bullgare,  -“ov- jev”, Dimitar Dimitrijeviq. Duke ndjekur këtë metodologji në klasifikimin e përkatësisë së onomastikës, dr. Muhamet Tërnava, në mënyrë shkencore kishte rrëzuar tezën e historiografisë sllave e serbe, e cila pretendonte dhe pretendon se  që të gjithë emrat me përkatësi ortodokse të trajtohen si sllavë, grekë e serbë.

Po kështu, në analizën që ai u ka bërë  “defterëve” të Turqisë të regjistrimit të popullatës së vitit 1455, duke prezantuar të dhëna mbi përkatësinë fetare e kombëtarëve të banorëve të Kosovës të asaj kohe, Tërnava ka zbuluar  edhe praninë e dy familje armene, njëra në Konzharikë, Kizhareka e sotme dhe tjetra në Tërpezë të Moravës. Të dhënat burimore: “Radina i biri i Ermenicës, në fshatin Tërpezë e Epërme të Moravës dhe Mihajli i biri i Ermeninit, në fshatin Kizharekë, nahija e Prishtinës. ( Dr. Muhamet Tërnava: “Popullsia e Kosovës gjatë shekujve XIV-XVI”, Prishtinë 1995 faqe, 398). Prania e armenëve në Mesjetë në trojet shqiptare ka qenë një pakicë, çuditërisht e shpërndarë më shumë në fshatra sesa në qytete.

Patronimi “Ermeni” apo armeni është edhe sot i përhapur në disa vende të Kosovës.

Drejtori i BPZHR-së në Gjakovë Bekim Ermeni, pastaj shumë pjesëtarë të tjerë të një apo shumë familjeve, me këtë mbiemër.

Prania armenëve në trojet shqiptare shtohet prej vitit 1915, kur shumë armenë gjatë shpërnguljes së madhe kishin kërkuar dhe kishin gjetur strehë edhe në vendet e Ballkanit e vaëmas në Shqipëri. Ky komunitet i ndjekur nga trojet e veta u trajtua me respekt të veçantë sidomos gjatë kohës së regjimit komunist në Shqipëri.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Vazhdon vala e pandalshme e të dëbuarve (E shtunë 17 prill, 1999)

Ahmet Qeriqi: Vazhdon vala e pandalshme e të dëbuarve (E shtunë 17 prill, 1999)

Moti është përkeqësuar. Shi, stuhi, pastaj mjegull. Kemi mbetur në tendë dhe po presin derisa …