Ahmet Qeriqi: Disa qaste meditimi për krijimtarinë dhe poezinë e Iliriana Kolekës

Ahmet Qeriqi: Disa qaste meditimi për krijimtarinë dhe poezinë e Iliriana Kolekës

Intelektualja, poetesha e profesoresha e mirënjohur, Iliriana Koleka, është me mesin e përfaqësuesve më me dinjitet  të jetës kulturore e shoqërore shqiptare

Intelektualët, shkencëtarët, shkrimtarët, poetët, analistët, veprimtarët,  përgjithësisht krijuesit  me prejardhje nga Epoka e Partisë së Punës të Shqipërisë, në mesin e tyre më besnikët, më të arsimuarit, më realistët,  për ditë  e më tepër po përfitojnë lexues e simpatizantë të shumtë kudo në trojet shqiptare  e veçmas në Kosovë,  ku enverizmi ka qenë dhe  është më i gjallë dhe më i fortë se kudo në meset tona. Jo enverizëm në kuptimin populist të fjalës, por në kuptimin idealist, historik, shoqëror e realist.

Ylli Meçe, Gjon Bruçi, Qemal Cicollari, Liri Gjoliku, Muharrem Xhafa, Iliriana Koleka  Isa Ferizaj, Hilmi Qazimi, Tefta Cami-Cani, Shpresa Bajraktari-Ruçi e shumë  të tjerë,  në studimet e analizat e tyre të botuara në mediet dhe portalet shqiptare, janë të veçanta, janë studime e shkrime që pasqyrojnë të gjitha kontradiktat e thella, jo vetëm të botës shqiptare, por edhe të kontradiktave me të cilat është mbarsur dhe ka filluar të rëndohet nga barra e vet,  kapitalizmi aktual, imperialist, kudo në botë.

Me shumicën  nga emrat e përmendur nuk njihem personalisht, por unë, na ana ime, i njoh këta burra e burrëresha,  shokë e shoqe të nderuar, e jo pak  të tjerë, pasi kam lexuar dhe i lexoj me interesim e vëmendje shkrimet e tyre, shumë nga ato edhe i botoj në faqen zyrtare të Radios-Kosova e Lirë, ku ka shumë lexues e simpatizantë të shkrimeve të këtyre e autorëve, të cilët në rrugët e tyre jetësore janë udhëhequr e udhëhiqen nga metodologjia shkencore, marksiste leniniste, me qëllim për ta pasqyruara realitetin objektiv, kontradiktat e jetës shoqërore feudo-kapitaliste, që po mbretërojnë në këtë botë, e cila po kolovitet në shtratin e pasigurisë kolektive njerëzore, sepse kapitalizmi tani ndodhet në fazën e fundit të shembjes e shpërbërjes,  e cila mund të shkaktojë një Luftë të Tretë Botërore ( në mos edhe ka filluar)  me pasoja të paparashikueshme për njerëzimin.

Intelektualja, poetesha dhe profesoresha e mirënjohur, Iliriana Koleka, është me mesin e përfaqësuesve më të dinjitetshëm të jetës kulturore e shoqërore shqiptare, në veçanti të epokës së socializmit, e cila e lindi, e rriti dhe e edukoi në radhë të parë në fryëmën  e pastër njerëzore, kombëtare e shoqërore. Nuk është e vetmja, po ka diçka që e  bën më të veçantë  dhe ajo është, qëndresa shembullore për të mos u luhatur nga  rrebeshet e së ligave e nopranive, në jetën  lakuriqe,  pa moral e pa dinjite të kapitalizmit të sotëm që po mbretëron në Shqipëri dhe kudo në troje, dhe jo vetëm ndër ne…

Disa segmente të krijimtarisë artistike, veçmas të poezisë së Iliriana Kolekës

Poezia e Iliriana Kolekës është e çiltër, e motivuar, e pastër, nganjëherë goditëse, e mëshirshme dhe e pamëshirshme, sipas rrethanave, është realiste, mbi të gjitha është poezi ku frymon lirshëm fjala e thënë  dhe e shkruar me vend, ajo fjala  e besës,  për të mos i thënë të zezës e bardhë, për të mos e tradhtuar të njerëzishmen, për të mos bërë tregti me djallin për një përfitim rasti, apo për shumë përfitime e favore, sikur bëjnë poetucë e gazetarucë, që ndërrojnë ngjyrat më shumë se kameloni.

Poezia e poeteshës, Iliriana Koleka, buron sikur uji nga gurgullima  e pastër e Alpeve tona, sepse është e motivuar, sepse ajo e dashuron poezinë me tërë afshin krijues, të një bote të pasur  e të pastër ndjenjash, të një perceptimi realist, që rrezaton njerëzi, atdhetari, sinqeritet, dashuri, dituri, maturi kur ajo duhet, vetëpërmbajtje kur e kërkon momenti, goditëse kur duhet goditur, hakmarrëse, kur nuk ka rrugë tjetër.

Në botë ka pasur dhe ka poetë e “poetë”, ka të tillë që dinë ta lakojnë fjalën në të gjitha rasat dhe nuk thonë asgjë, por ka edhe të tillë që me  një apo dy vargje të motivuara, thonë më shumë se një i vetëquajtur poet, në një përmbledhje poetike. Ka poetë,  ka edhe ndonjë rrenacak që di ta thotë të vërtetën, por nuk i përmbahet asaj, shkruan për lavd e krenari, shkruan për t’ u afirmuar dhe krejt kjo i ngec në fyt, sepse është e lehtë ta mashtrosh një njeri që ka besë e virtyte njerëzore,  por nuk mashtrohet dot një botë e tërë lexuesish që të gjykojnë, të vlerësojnë nëse je për t’ u vlerësuar,  por edhe të hedhin në shportë,   nëse e meriton atë.

Poezisë sot, shumica e krijuesve i kanë hequr  të jashtmet, pikat, presat, shkronjat e mëdha, i kanë hequr strofat, rimat, i kanë hequr timbrin, cezurën, melodinë e rimën, i kanë hequr edhe vargjet e thyera majakovskiane, edhe frymën joshëse, jeseniniane. I kanë hequr kumbimin e zjarrtë të fjalës naimjane dhe forcën buçitëse  si gjëmim topash të vargut fishtjan.

Atë e kanë zhveshur poezinë në emër të modernes,  avandgardës, por për mendimin tim, shumica syresh këtë e bëjnë,   në radhë të parë në mungesë të zotërimit të gjuhës letrare, në mungesë të pajisjes me një kulturë të përgjithshme, që është e domosdoshme për ta thënë si duhet atë që e mendon, dhe, që në radhë të parë e beson vetë.

Poetesha, Iliriana Koleka e ka ruajtur traditën e poezisë së mirëfilltë, e ka kultivuar dhe e kultivon me pitet e dashuri, sepse, ka lindur, është shkolluar e arsimuar,  në kohën kur janë krijuar vlerat më sublime, krijuese të kombit, vlerat përtej së cilave nuk shkohet më tej. Andaj edhe është poeteshë me kuptimin e fjalës, sepse ka ruajtur trashëgiminë dhe ka ecur e ecën duke e begatuar atë,  jo duke e mohuar e duke e injoruar, sikur mjerisht,  bëjnë shumë poetë, që dikur lavdëronin e sot shajnë, dikur merrnin çmime të Republikës sot shtirën se gjoja iu vjen turp, dikur e kishin dashur dhe e kishin lavdëruar deri në ekzaltim pushtetin e popullit, sot mohojnë si Shën Pjetri dhe nuk duan t’ ua kujtosh kohën që i ka lindur, i ka rritur, i ka arsimuar i ka bërë njerëz, intelektualë, krijuese e krijues.

Poetesha, Iliriana Koleka  pasqyron plagët e stome të shoqërisë, dhe ka aq shumë plagë sa shpeshherë mendon nga t ia fillojë, sepse jeta tanimë ka marrë tjetër rrugë, rrugë drejt të panjohurës:

Ç’bëra i mjeri, larg atdheut

Dhe loti plakut, rënkoi i rëndë

E lashë me lule këtë prag

E gjeta varr, e gjeta gjëmë. ( Atreu)

Duke pasqyruar dromca nga jeta e sotme, ajo i prek plagët, aktuale  të shqiptarit, që bën hapa  në rrugën pa fill e pa mbarim të Evropës e të botës, për të gjetur tjetër jetë, kur gjithçka vezullon, ku begatia nuk ka kufi, ku jetohet me djersë e pa djersë, varet nga njeriu, ku askush nuk vdes urie për një kothere buke, por vdesin me ngadalë me qindra e mijëra pasi thithen përditë nga shfrytëzuesit e të gjitha niveleve, të rrjeteve e korporatave kapitaliste.

Duke pasqyruar realitetin aktual të shqiptarit të sotëm, që është tjetërsuar në shumicë dhe jeton si mundet e si di, pasi gjithçka në dukje i lejohet, ajo godet të ligat, nopranitë,  e atyre që kanë grabitur pasuritë shoqërore, që kanë krijuar kapital përrallor, që sundojnë me forcën e parasë, që stërkeqin pushtetin dhe ligjet dhe që jetojnë në luks, degjenerim amoralitet, dhe në tërë një sodomi të shëmtuar…

 

Ora shtatë e tridhjetë, me gëzim po shkoj në punë

Qafira, jini të qetë, pas orgjive, bëni gjumë!

Mbi dyshekë mbushur dollarë, grabitura Shqipërisë

Nëpër vila e hareme, mbi djersën e vegjëlisë…

 

Lufta është ekonomike, më thoshte dikur im atë

Dhe kush barkun e ka plot, s’pyet kush ha bukën thatë

Kështu enden shqiptarët, buka thatë në jetë të tyre,

Në shpellë të Ali babait, djersë e tyre e rrëmbyer.

 

Mirëpo shpirti i saj kryengritës, gjithnjë revolucionar dhe i pamposhtur nga e keqja,  nuk pajtohet me realitetin e tillë, andaj ka marrë rrugën, jo për të ikur përgjithmonë nga Atdheu duke i dhënë edhe munxët, sikur bëjnë jo pak prej apatridëve,  por me qëllim mbijetese, pa harruar kurrë atdheun, pa ndërruar bindjet e mendimet për të kaluarën, pa tradhtuar besën, mirësinë, njerëzinë, sepse ato gjenden çdo kund te çdo komb, ku më shumë e ku më pak. Andaj e mbanë shpresa, se një ditë…

Do të vij të mbjell një lule, te një fjalë që s’e thashë dot

T’i puth zemrën Shqipërisë, t’ja fshij nga sytë ata lotë, (PAS ORGJIVE, BËNI GJUMË!)

Atdheu ka mbetur atje ku ka qenë dhe është,  dhe rron, sepse rrojnë digat e kombit, rron bazamenti, qenia, ADN-ja rrojnë veprat e heronjve e dëshmorëve, rrojnë trojet e përgjakura, rron shqiptari që ka jetuar denbabaden në këto troje, rrojnë trojet, fushat e malet, sheshet e lapidarët, rron kujtimi për gjakun e derdhur për liri, porosia e përcjellë nga brezi në brez, se balta e atdheut është më e ëmbël se mjalti, se atje rrojnë toske e gegë, si dy rrufe, sikur kanë jetuar sikur motit arbërorët nga Iliria e Teuta, nga Gjergji e Ismaili, nga Enveri e Ademi, sepse rron dhe do të rrojë përjetë shqiptaria, gjeografia e saj edhe pse e rrudhur, e ndarë në disa shtete ajo jeton brenda vetvetes, sepse nuk i ka pranuar as i pranon ata kufij të vendosur me dhunë e barbari, sepse jeta nuk mbahet dot në pranga, sepse jeta është luftë e përhershme, sepse po të ndalet lufta ajo vdes dhe kjo nuk lejohet, njeriu vdes, po jo njerëzimi, vdesin shqiptarë si vdesin të gjithë njerëzit por nuk vdes shqiptaria, kombi, gjuha, kujtesa, tradita, besa, atdheu…

 

Ku t’i gjej në vitin dymijëekatërmbëdhjetë

Heronjtë ilirë kreshnikë

Trimat shpatarë të vërtetë

Nga Kosovë në Janinë?

Gjithsesi në Shqipërinë Etnike

Në Pogradec, buzë liqenit

Në Preshevë, në Mirditë

Majë Korabit e Shkëlzenit

 

E ku tjetër t’i kërkoj

Nga Rozafa në Dodonë

Në malin e Tomorrit me lule ftoi

Në Llogora e në Antigonë

Për të ardhur drejt tek ty

O ushtri me kryetrima

Që mer emrin Labëri

Pjell heronj siç flet me rima.  (HERONJTË)

 

Të shkruash për vlerat e poezisë së Iliriana Kolekës, është fare e lehtë, sepse ke çfarë shpreh e shkruan, sepse ajo e jep vetë brumin e gatshëm, për të gatuar. Nuk ka nevojë fare ta ndash mendimin  se çfarë qëndrimi do të mbash, do ta lavdërosh apo do ta qortosh, sepse ajo shkruan me sinqeritet, me seriozitet, me përgjegjësi e përkushtim  për çdo fjalë që e radhit në varg, vargun në strofë,  strofën në poezi. Ajo ka ruajtur formën e brendinë, të jashtmen e të brendshëm, heterogjenen dhe homogjenen, duke krijuar një stil autentik të rrëfimit artistik, për ta shprehur sa më lirshëm dhe sa më kuptueshëm botën e pasur të ndjenjave, emocioneve dhe për ta dhënë kurdoherë mesazhin e caktuar.

 

 

Disa poezi të Iliriana Kolekës

ATREU

Atreun e panë nga shpat i malit

Si zot i reve, si at i rëndë

Hyri me anije në gji të Jalit

Si valë kurbeti, një në njëqind hënë

 

Balo e njohu, e në këmbë i futet

Një vashë e bukur i shfaqet pranë

Me zë të shuar, si jehonë këngë

I thotë që njerëzit më nuk janë

 

Lotojnë të dy gjysh edhe mbesë

Kokat e fisit nga jeta ndarë

I griu murtaja, i thau si vesë

Ndërsa Atreu, dhjetë vjet detar

 

Lotonte vasha, belëkëputur

Kopje e nënës si inxhi

Një lot nga sytë ra mbi një flutur

Që fluturonte mbi Kaoni

 

Ç’ bëra i mjeri, larg atdheut

Dhe loti plakut, rënkoi i rëndë

E lashë me lule këtë prag

E gjeta varr, e gjeta gjëmë.

 

PAS ORGJIVE, BËNI GJUMË!

Ora shtatë e tridhjetë, me gëzim po shkoj në punë

Qafira, jini të qetë, pas orgjive, bëni gjumë!

Mbi dyshekë mbushur dollarë, grabitura Shqipërisë

Nëpër vila e hareme, mbi djersën e vegjëlisë…

 

Lufta është ekonomike, më thoshte dikur im atë

Dhe kush barkun e ka plot, s’pyet kush ha bukën thatë

Kështu enden shqiptarët, buka thatë në jetë të tyre,

Në shpellë të Ali babait, djersë e tyre e rrëmbyer

 

Prandaj i hypa anijes, duart i bëra lopatë

Hodha mbrapa ca betime: ti Atdhe, mos ki merak!

Se prapë do kthehem një ditë, nuk do vdes, do të jem gjallë

 

Do të kthehem me një dritë, te një këngë e te një var

Do të vij të mbjell një lule, te një fjalë që s’e thashë dot

T’i puth zemrën Shqipërisë, t’ja fshij nga sytë ata lotë!

 

GRACKA E ËMBËL

Ti do vish drejt meje, një ditë të shtunë

Sepse mendimet e mija do të tërheqin si magnet

E kjo ditë s’ka për t’u zgjedhur për kunjë

Do ketë lindur ndonjë shënjt e do jetë një festë e vërtetë

 

Gjithësia do bëjë tifozllik për mua

Do rreshtojë xhuxhat e gjigandët sërë sërë

Do vërë qiellin e tokën të të thonë ‘të dua’

E të përkulen me respekt, një nga një të tërë

 

Atë ditë të shënuar do zbulosh me nge

Që ka një yll-luan që të ka ëndëruar

Një asteroid-skifter, që prej kohësh të sheh

Një komet -shqiponjë, që të ka kërkuar

 

Kur të arrijë ky çast, ki parasysh

Që mbrapa tyre jam gjithmonë unë

Ajo që s’heq dorë, s’bie asnjëherë në krizë

Ajo që organizon pa u lodhur tërë këtë punë

 

Siç e sheh, do biesh në grackën time

Shpejt a vonë, për mua, s’ka rëndësi

Meqë s’do kesh nga t’ia mbash, o trim i trimave

Futu në lagjen time që tani.

 

 

HERONJTË

Ku janë shqiptarët e shqiptaret?

Perënditë e perëndeshat

Seicili ka nga një pikë të dobët

Luanët kanë luaneshat

Paridi ka Tëlënën

Akili ka thëmbrën nga e tërhoqën

E ne të gjithë kemi heronjtë

Që i kërkuam e s’i poqëm

Ku t’i gjej në vitin dymijëekatërmbëdhjetë

Heronjtë ilirë kreshnikë

Trimat shpatarë të vërtetë

Nga Kosovë në Janinë?

Gjithësesi në Shqipërinë Etnike

Në Pogradec, buzë liqenit

Në Preshevë, në Mirditë

Majë Korabit e Shkëlzenit

E ku tjetër t’i kërkoj

Nga Rozafa në Dodonë

Në malin e Tomorit me lule ftoi

Në Llogora e në Antigonë

Për të ardhur drejt tek ty

O ushtri me kryetrima

Që mer emrin Labëri

Pjell heronj siç flet me rima.

 

DASHURI JASHTË STINE

 

Çfarë ligji i nënshtrohet Dashuria

A pyet për motin, kohën dhe stinët

A ndikohet prej ditës së javës dhe orëve.

 

Apo është thjeshtë një vegim i largët e i imët

Kur toka nis të flejë e mbuluar

Kur zogjtë ndalojnë këngën e ikin

Kur çadrat pushtojnë botën pa përtuar

 

Dhe kolla vjeshtake ndihet kudo me ritëm

Atyre të dyve, diçka e çuditshme i ndodhi

I’u ngjitën nëpër flokë ca gjethe të tejdukshme

Atij i doli në brez një shpatë bajlozi

 

Asaj i dolën në shpinë krahë ëngjëllusheje

Diçka bëri vaki në ato çaste të bekuara

Që i bëri të bien prapë në grackë

Siç bien të rinjtë e dashuruar

 

Dhe pleqtë kur s’e kanë të gjatë

Shkencëtarët e vranë mendjen me vite

Po s’gjetën gjë e kështu mbeti mister

Pse u puthën me zjarr ata të dy jashtë stine

Si t’ ishte diell përjashta e pranverë.

 

TI PRET

Dhe prapë liqenin e mbuloi bora

Dhe ne s’u pamë, përmbi një vit

E kur u njohëm s’e mendoja

Se do të mbrinte dhe kjo ditë

 

Anës liqenit ku ranë puthjet

Ti endesh sot me ca ketrushë

Dhe po m’i vret puthjet e lulet

Që kishin çelur në atë fushë…

 

Unë rri sodis malit druvarët

Që sharë e mprehtë të bëhem vetë

Të hedh poshtë pylli

 

 

Iliriana Koleka ka lindur në Tiranë në 29 korrik 1959. Është me origjinë nga Vunoi, fshat i Himarës, Vlorë. Shkollimin fillor dhe të mesëm e kryen në Tiranë. Diplomohet në Fizikë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Tiranë në janar të vitit 1985. Në 2001 bëhet doktore në Fizikë pranë Universitetit të Camerinos (MC)  dhe  në 2005 merr titullin e profesores së matematikës për shkollat e mesme klasa A047. Iliriana nis të ushtrojë profesionin e mësueses së Matematikë – Fizikës në arsimin e mesëm.

Në vitin 1987 boton librin “Energjia e të nesërmes”. Në 2014 sjell për lexuesit shqiptarë librin me poezi “Qielli i prenotuar”, kushtuar vëllait të saj, Sokol Kolekës, humbjen e të cilit, autorja e qan prej tetëmbëdhjetë vjetësh.

Ky libër përmban tetëdhjetë e katër poezi. Mesazhi që përcjell ky libër është që dashuria në gjithë format e saj (për atdheun, prindërit, njerëzit e dashur që nuk janë më, për miqtë e për njeriun e zëmrës) është e vetmja ndjenjë, që ringjall shpresën.

Jeton dhe krijon ne Milano të Italisë, ku edhe punon si mësimdhënëse e matematikës në një shkollë të mesme. 

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Adem Demaçi dhe projekti i tij për TV-Diellin

Mujë Hyseni: TV DIELLIT

Për mua sot qe o një ditë e mbarë U binda unë sot qe kemi …