Ahmet Qeriqi: Dy emra të përveçëm të polifonisë shqiptare: Paro Ziflaj dhe Golik Jaupi II

Ahmet Qeriqi: Dy emra të përveçëm të polifonisë shqiptare: Paro Ziflaj dhe Golik Jaupi II

Ahmet Qeriqi
Ahmet Qeriqi

Dy emra të përveçëm të polifonisë shqiptare sot padyshim se janë: këngëtarja,  Paro Ziflaj, “Mbretëresha”  e këngës shqipe të jugut dhe Golik Jaupi, po ashtu këngëtari më emblematik dhe “Ylli” i  polifonisë shqiptare.

Dy këngëtarët e papërsëritshëm të këngës polifonike, Pranvera Zilfaj dhe Golik Jaupi,  janë një prani dhe paraqitje fenomenale e muzikës shqiptare në përgjithësi, e në veçanti e këngës së jugut,  e cila përveç mundësive të zakonshme shprehëse, ka edhe të veçantën, atë, më të vjetrën e më të rrallën, sikur është polifonia, një mënyrë e veçantë këndimi, sepse nuk është thjesht një këngë në grup, por është këngë mbi këngët, është edhe shfaqje, me elementet  të dramës dhe korit antik, është fragmenti më autentik i këndimit që ka rrjedhë, është ruajtur dhe  restauruar që nga koha shumë e lashtë, të cilën ende nuk e ka zbuluar muzikologjia, ose e ka zbuluar vetëm deri  në një nivel standard të hulumtimit. Fakti se ky format këndimi, sikur është polifonia ruhet nga UNESCO, është shumë domethënës, është pranim i një së vërtete që ka mbijetuar bashkë me shqiptarin,  që nga historia e lashtë e tij.

Pranvera  apo Paro Ziflaj dhe Golik Jaupi janë dy shtylla të gjalla të polifonisë shqiptare, dy këngëtarë që duket se i ka lindur vetë kënga, për ta kënduar atë, për t’ u bërë pjesë e saj dhe për të arritur në një nivel tejet të lartë të shprehjes artistike, deri atje ku nuk duket se ka arritur tjetër kush para tyre. Ata kanë më shumë se dyzet vjet që i tundin festivalet, që i shkundin skenat, që nuk e kanë mohuar kurrë këngën e tyre, identitetin e dinjitetin e këngëtarit, mjeshtër,  artist,  që dallohen nga shumë të  tjerë për të veçantat e tyre, për origjinalitetin në këndim, për zotërimin fenomenal të këngës polifonike, për depërtimin deri në bërthamën, në ADN-në e saj…

Këndimi i Paro Ziflajt ngjall emocion të veçantë,  meqë ajo e zapton këngën nga të gjitha elementet e saj shprehëse, pastaj e begaton me zërin melodik, sa të qetë,  po aq të fuqishëm e shpërthyes, ashtu si e kërkon kënga, përmbajtja dhe brendia e saj. Ajo i jep këngës krejt atë që mundet, meqë gjatë këndimit e përjeton atë, e dashuron me tërë qenien dhe nga ajo nxjerrë nektarin, nxjerrë maksimumin e mundshëm, të paarritshëm nga të tjerët, sidomos me këngën e saj polifonike. Pajtohem plotësisht me ata studiues të këngës, të cilët e kanë nderuar me epitetin e merituar, “Mbretëreshë e Këngës Polifonike”.

Duke qenë këngëtare  e mirënjohur, Paro Ziflaj, i ka mbetur besnike traditës së këngës së saj, i ka mbetur besnike kohës, e cila ia hapi të gjitha shtigjet dhe i ofroi krejt çka kishte për t’ i ofruar dhe  së cilës ajo nuk ia ka kthyer shpinën, sikur mjerisht kanë bërë disa këngëtarë, pa kurriz. Ajo, asnjëherë nuk e ka tradhtuar atë, sepse nuk ka kënduar “nga zori”, sikur përpiqen të na bindin disa sharlatanë, që jetojnë jashtë “kohës e hapësirës”,  por ka kënduar e këndon  me tërë qenien, këndon me shpirt e zemër, duke derdhur tërë  dashurinë e saj si këngëtare, duke mos e kursyer  veten  për t’ u bërë gjithnjë bashkë me te, andaj edhe nuk heq dorë nga ajo, sepse kënga nuk është rrobë që vjetrohet,  e pastaj hidhet,  nuk është mall tregu që blihet lirë e shitet shtrenjtë. Kënga është art, për më tepër është arti që buron nga zemra dhe i kthehet asaj, andaj këngëtarët e njëmendtë, që kanë krijuar identitet dhe dinjitet, nuk i nënshtrohen fushatave të ditës, nuk heqin dorë nga repertori, nuk e mallkojnë as e përbuzin kohën,  e cila i ka krijuar dhe së cilës edhe i kanë kënduar, jo nga zori por nga  dëshira, dashuria për këngën  që nga thellësia e shpirtit të tyre .

E tillë është Paro Ziflaj, andaj kanë të drejtë të gjithë  ata që e quajnë mbretëreshë të këngës shqipe. Ajo me vokalin e pasur, të lindur, me mënyrën uniforme të këndimit polifonik, që ka specifika origjinale, me përkushtimin dhe dashurinë e papërmbajtur për t’ i dhënë secilës këngë tërë fuqinë, mjeshtërinë, afinitetet përcjellëse, qëndrimin serioz gjatë këndimit, shquhet në mesin e shumë këngëtareve. Kjo qasje e kompletuar dhe e gjithanshme e  saj për këngën, ka bërë që këngët e saj solo, në grup apo këngët polifonike të mbesin margaritarë të këndimit të kohës sonë.

Golik Jaupi, po ashtu është këngëtar që rrjedhë nga origjina, nga ADN-ja e këngës polifonike.  Ai vjen nga malet e Shqipërisë naimjane:  “nga lisat’ e gjatë,  nga fushat e gjëra me lule, nga  bregoret bukuroshe e  lumenjtë  e kulluar, nga çuka, kodra, brinja, gërxhe dhe pyje të gjelbëruar”...

I edukuar që në fëmijërinë e tij të hershme me tingujt magjikë të këngës polifonike, këngëtari i mirënjohur, Golik Jaupi ka arritur të bëhet  njëri ndër mjeshtërit e rrallë të këngës shqipe, duke e latuar atë me mjeshtëri të artistit të lindur, duke u thelluar në fshehtësinë e misteret e saj, duke vjelë me shumë kujdes nektarin dhe duke i dhënë këngës tërë forcën shpirtërore artistike, për ta bërë sa më të fuqishme, sa më të preferuar për dëgjuesin, sa më të kuptueshme me mesazhin e saj dhe sa më të bukur me tonalitet karakteristik të këngës burimore polifonike dhe të këngës labe,  e cila në këtë kuadër ka edhe disa nga veçantitë e saja shprehëse.

Ylli i këngës polifonike shqiptare, Golik Jaupi, sjellë në “universin” e polifonisë, shtyllën kurrizore të saj, me zërin burrëror, paraqitjen serioze në rikthimin e skenave të kohëve të lashta,  pasi duket  sikur është lindur, në radhë të parë  për të kënduar dhe për ta begatuar këngën e këngëve, këngën polifonike shqiptare.

Kënga e Golikut jehon në timbrin e saj të thellë, të nxjerrë nga lashtësitë, me zërin që merr frymë nga bronket e natyrës së pastër shqiptare, zë i cili materializohet me tingujt e natyrës dhe jehon lirshëm, papengueshëm  duke u bërë pjesë e tërësisë universale të lëvizjes përjetësore.

Grupi polifonik shqiptar me zërat e Golik Jaupit, Paro Ziflajt e mjeshtërve të tjerë, (për të cilët do të përpiqemi të shkruajmë me aq sa mundemi dhe sa dimë),  shënon jo vetëm themelin e kulmin e kësaj tradite të këngës shqipe por vetë totalitetin e botës dhe frymës së saj përjetësore, muzikore.

Polifonia shqiptare është margaritar i muzikës në përgjithësi  dhe këngëtarët e këngëtaret e kësaj bote magjike, meritojnë respekt, që nuk e kanë harruar, që vazhdojnë ta këndojnë në kohën kur  këndimi tallava, tralala, kënga e përzier me ritme e ndikime të shumta, është në rrugë të degjenerimit të plotë.

Andaj, në përpjekje për ta ruajtur këngën burimore, që nxjerrë zë  nga lashtësia historike, këta këngëtarë i bëjnë nder kombit e atdheut, përgjithësisht janë nderi i manifestuar me art origjinal, autentik, me specifika dalluese, ashtu sikur janë dhe sikur restaurohen kudo në botë, specifikat kombëtare të kulturave të popujve e të kombeve.

Nderim dhe respekt për këta dhe shumë këngëtarë të tjerë të këngës burimore shqiptare, nga stafi dhe dëgjuesit e  Radios-Kosova e Lirë, e cila ka lindur në flakët e luftës çlirimtare dhe cila në programin e saj ditor u jep hapësirë meritore, ditore,  edhe këngëve të Jugut të Shqipërisë, të cilave mediet e tjera në Kosovë e në Maqedoni nuk u japin fare vend, apo transmetojnë ndonjë këngë, vetëm në ndonjë ngjarje kulturore.

 

Referencat:

 

https:definicion.de polifonia, 

Homofonia, melodi e shoqëruar, në Vikipedia.

Asqeri Petani: Magjia e këngës polifonike, “Dita” shtator  2017.

Ahmet Qeriqi: Edicioni i shkrimeve: Nëpër shekuj kënga e popullit. www.radiokosovaelire.com Kultura

Fonetika e gjuhës shqipe, tekst shkollor, universitar.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Aeroplanët e NATO-s, gabimisht sulmojnë popullatën e dëbuar shqiptare në afërsi të Gjakovës (E enjte 15 prill, 1999)

Ahmet Qeriqi: Aeroplanët e NATO-s, gabimisht sulmojnë popullatën e dëbuar shqiptare në afërsi të Gjakovës (E enjte 15 prill, 1999)

Lajmet  që shkëpusim nga agjencitë e huaja dhe nga terreni bëjnë të ditur se edhe …