Ahmet Qeriqi

Ahmet Qeriqi: Fakte të reja në 74-vjetorin e Masakrës së Tivarit të 31 marsit të vitit 1945

Pas terrorizimit të Drenicës dhe rënies së mijëra dëshmorëve e martirëve në Rezistencën e Shaban Palluzhës, në janar shkurt të vitit 1945, një segment i OZN-së, në lidhje me kreun ushtarak e politik të Beogradit në bashkëpunim me OZN-në në Kosovë kishte marrë vendim që në fushatën e mobilizimit, gjoja  për t’ i ndjekur forcat fashiste, të rekrutonin mijëra shqiptarë, të cilët do të vriteshin mizorisht gjatë marshimit të tyre në dy drejtimet e marshimit.  Formacioni i parë  gjoja me vullnetarë të mobilizuar  ishte nisur për në “Frontin e  Sremit” në Vojvodinë, ndërsa formacioni  tjetër, kishte marshuar në relacion: Kosovë-Shqipëri-Mal i Zi-Dalmaci-Rijekë…

Në këto operacione antishqiptare morën pjesë: Divizionet 24, 26, 44, 46, 52 të Serbisë, Divizionet 41 dhe 50 të Maqedonisë, grupi i brigadave të Malit të Zi (brigada e Parë e Bokës dhe brigada e Gjashtë) dhe repartet speciale të OZN-s të drejtuara nga Spasoje Gjakoviq. Në kohën kur forcat jugosllave zhvillonin operacionet më të përgjakshme në Drenicë, më 8 shkurt 1945,komandanti suprem i UNÇJ-së J.B.Tito me urdhër të veçantë nr.31 vendosi administrimin ushtarak në Kosovë. Këtë vendim Titoja e mori më 7 shkurt 1945 në Beograd, në një takim me ushtarakët serb: Savo Dërleviqin, Gjuro Medenicën dhe Kërsto Filipoviqin. Me këtë urdhër, i tërë pushteti në Kosovë do t´i kaloi një grupi të caktuar ushtarakësh serbo-malazez, të cilët do të ushtronin pushtetin politik, ekzekutiv dhe atë gjyqësor.

Gjatë ndryshimeve në strukturën komanduese në krye të pushtetit ushtarak përkatësisht të “Shtabit të Ri Operativ” u emërua ish-shefi i Armatës I-rë: kolonel Savo Dërleviq, duke e zëvendësuar Fadil Hoxhën, i cili mbeti zëvendës i tij. Shef i Shtabit u emërua nënkolonel Dushan Vukotiq (deri në atë kohë ishte zëvendëskomandant i Divizionit 46 jugosllav), shef i prapavijës u caktua Stevo Dobërkoviq (i dërguar nga shtabi qëndror i Sërbisë), ndërsa komisar politik u emrua nënkoloneli Gjuro Medenica. Më 10 shkurt 1944 kjo komandë bëri riorganizimin e tërësishëm të ushtrisë duke formuar Divizionin e artilerisë, të kalorësisë, të ndërlidhjes, grupin operativ të brigadave, Divizionin 46,52…etj.

Shtabi Operativ, me qëllim të shpërbërjes së bërthamës së qëndresës shqiptare në Kosovë,gjatë muajve mars-prill 1945 mobilizon me dhunë shqiptarët për t´i dërguar në frontin e dytë të ashtuquajtur të”Adriatikut”-në veriperëndim të Jugosllavisë. Skenaristët e Masakrës së Tivarit, për dërgimin e mobilizuesve shqiptarë në pjesët veriperëndimore të Jugosllavisë, kishin zgjedhur rrugën Prizren-Kukës-Shkodër-Tivar-Dubrovnik-Rijekë.Për këtë front mobilizuan shqiptarët nga Vushtrria, Podujeva, Prishtina, Kaçaniku, Ferizaji, Gjilani, Lipjani, Shtimja, Theranda, Burimi, Peja, Gjakova, Rahoveci, Sharri, Prizreni… etj.

Sipas kujtimeve të pleqve që përjetuan këtë mobilizim të dhunshëm, të mobilizuarit shqiptarë, fillimisht janë tubuar nëpër qendrat e rretheve dhe ato komunale e pastaj, të organizuar në njësi ushtarake të komanduara nga oficerë shqiptar kanë udhëtuar në qendrën e përgjithshme mobilizuese (kazermën ushtarake)në Prizren .Pas sistemimit, shqiptarët e mobilizuar do të çarmatosen, me arsyetimin se armët do t’i marrin në Kroaci e Slloveni! Çarmatosja atyre ju ka dhënë një sinjal të keq dhe me të drejt ka lindur dyshimi në përgatitjen e ndonjë skenari shfarosës në prapaskenë. Kjo psikozë u thellua edhe më tepër, atëherë kur u çarmatosën edhe oficerët shqiptar dhe për përcjelljen e tyre u ngarkua Brigada XXVII e divizionit 46-të serb 5 e njohur për terrorizimin e popullit shqiptar gjatë muajve të kaluar.

Deportimi i shqiptarëve të mobilizuar, nga kazermat e Prizrenit u bë në tri eshalone:

  1. Eshaloni i parë që përbëhej nga 3.700 veta, u nis më 24.03.1945 dhe pas 5-6 ditësh arriti në Tivar, ku iu dorëzua reparteve të Divizionit të IX-të jugosllav. Gjatë rrugëtimit, derisa u dorëzuan në vendin e caktuar,të mobilizuarit u keqtrajtuan në mënyrë shtazarake nga kriminelët serbo-malazezë. Të mobilizuarit shqiptar nga Tivari do të nisen për në Istri,ku fillimisht disa ditë do të ndalojnë për të pushuar në ujdhesën Çiovë afër Trogirit. Dhe ato ditë gjatë kalimit me një anije të vjetër,nga ujdhesa për në Trogirë, u mbytën rreth 65 veta, prej të cilëve 29 qenë vetëm nga Kaçaniku.
  1. Eshaloni i dytë i përbërë nga 4.700 veta, u nis dy ditë më vonë (më 26 mars) nën përcjelljen e forcave të Brigadës XXVII dhe më 30 mars në Shkodër iu dorëzua Brigadës X malazeze 6. Gjatë marshimit katër ditor në rrugën Prizren-Zhur-Kukës-Puk-Shkodër ,përkundër lodhjeve e rraskapitjeve të mëdha nga rruga e gjatë,të mobilizuarit u maltretuan e u rrahën dhe në shumë vende shumë prej tyre u vranë…si, gjatë kohës së pushimit, gjatë kalimit të lumenjve apo gjatë tentimit të ndonjërit prej tyre për ta shuar etjen, në burimet e ujit.

Pas këtyre peripecive nga Shkodra nën përcjelljen e malazezëve – në mesditën e 1 prillit 1945 arritën në Tivar. Atë ditë të kobshëm rrugëve të qytetit shihej një mobilizim i ushtarëve serbo-malazez,të cilët vështronin me përbuzje kolonën e gjatë të shqiptarëve. Kjo kolonë është ndaluar në qendër të qytetit (me urdhër) kinse për të pushuar dhe ndërkohë ndodhë një eksces në mes rojes dhe katër shqiptarëve, të cilët u penguan që të pinë ujë në një krua aty afër.

Nga ky konflikt ushtarët e urdhëruar derdhin një breshëri plumbash në trupat e shqiptarëve, me ç’rast vriten disa prej tyre. Situata e tensionuar me qëllim (për ta filluar komplotin e përgatitur) e shtyri masën e shqiptarëve që të shtrihen për toke, ndërkohë që ajo hapsirë ishte vënë në shënjestër të pushkëve dhe mitralozëve që ishin vendosur në çdo qoshe të rrugëve, dritare dhe terracë të shtëpive e në shkëmbinjtë e kodrave përreth.

Nga rrëfimet autentike të dhjetëra  dëshmitarëve të dhëna të prezantuara në librin e studiuesit, Haxhi Birinxhiku( botoi Radio-Kosova e Lirë, Prishtinë- 2013) shqiptarëve hetohet se mobilizimi ishte bërë me qëllim që ata të shfaroseshin në masë, dhe shfarosja të bëhej duke e mbajtur fshehtas nga opinioni. Pas shpartallimit të kryengritjes së Shaban Palluzhës, në dimrin e vitit 1945, OZN-a kishte marrë përsipër që sa më shumë shqiptarë liridashës t’i shfaroste në pretekst se kishin bashkëpunuar me kryengritësit. Prej vitit 1945 e deri në vitin 1950, regjimi jugosllav kishte vrarë, dëbuar nga vendi dhe internuar  dhjetëra mijëra shqiptarë. Krejt kjo bëhej me qëllim që numri i shqiptarëve në Kosovë dhe në viset e ri-mbetura nën pushtim, të zvogëlohej sa më shumë që ishte e mundur dhe në të njëjtën kohë të trevat shqiptare të nguliteshin kolonë serbë e malazez. Pikërisht me këtë qëllim ata iu vërsulen shqiptarëve për t’ i shfarosur me të gjitha format e metodat e mundshme.

Dëshmitarët, që kanë mbajtur  mbi kurriz “kryqin” në rrugën për në “Golgotën” e Tivarit, rrëfejnë se përcjellësit e tyre serbë e malazez  (tek-tuk ndonjë shqiptar trutharë), gjatë tërë rrugës i kishin keqtrajtuar, rrahur, por edhe i  kishin vrarë  shumë prej tyre, meqë i trajtonin si robër lufte. Gjatë rrugës atyre nuk iu kishin dhënë as ujë për të pirë, madje nuk i kishin lejuar të pinin ujë as në burimet që hasnin gjatë rrugës,  me qëllim që të revoltoheshin, sa për të pasur pak pretekst për likuidimin e tyre.

Që të gjithë dëshmitarët, dëshmitë e të cilëve janë prezantuar në këtë libër, kanë veçuar faktin se përcjellësit e armatosur nuk i linin të pinin ujë, edhe pse ata marshonin nëpër lugina lumenjsh, natyrisht edhe nëpër monopate, ku në çdo vend kishte ujë. Atyre nuk iu lejohej të pinin ujë edhe kur kalonin afër lumenjve. Kishte mjaftuar që një i ri, apo i moshuar,  të ishte ndarë nga marshimi për të pirë ujë dhe ishte likuiduar prapa shpine.

Gjatë rrugëtimit i kishin pushkatuar edhe të sëmurët dhe ata që nuk mund të ecnin, ose ndonjërin,  që për një arsye apo tjetër kishte ngelur prapa. 25 të tjerë i kishin pushkatuar në shenjë hakmarrje, sepse një i ri nga Drenica, me qëllim për t’ u mbrojtur ia kishte rrëmbyer pushkën e kthyer drejt tij dhe e kishte vrarë përcjellësin serb, që kishte bërë përpjekje ta vriste.

Rruga për në Golgotë kishte zgjatur afër dy javë, për disa të tjerë edhe një muaj e më shumë sepse shumica syresh ishin mbajtur nëpër kazerma deri në kohën e nisjes. Dy javë rrugë, pa bukë e pa ujë, të rrahur e të matretuar, duke fjetur  në natyrë të hapur, apo në magazina të rrënuara, në stalla kuajsh.

Grumbullin e parë të të përzgjedhurve për rrugëtimin e gjatë drejt vdekjes dhe torturave mizore  i kishin nisur nga Mitrovica, në drejtim të Vushtrrisë. Pastaj  kishin pritur në Lypjan deri sa kishin ardhur edhe shumë shqiptarë të tjerë nga Gjilani e Anamorava dhe të gjithë, këmbë i kishin nisur në drejtim të  Shtimes e prej andej drejt  Prizrenit, Morinës, Kukësit, Fushë-arrësit, Pukës, Vaut të Dejës dhe duke marshuar nëpër Shkodër, kishin arritur në Tivar.

Në çdo vend ku kishin ndaluar, gjatë rrugëtimit  deri në Prizren, forcat e OZN-së marshuesve drejt Tivarit, iu kishin bashkuar edhe shqiptarë të tjerë, nga po thuajse të gjitha viset e Kosovës, përveç nga Gjakova me rrethinë, sepse komunistët projugosllavë: Xhavit Nimani dhe Fadil Hoxha ishin përkujdesur për të vetët. Ata e dinin se për ku i kishin nisur shqiptarët e përzgjedhur nga të gjitha viset e Kosovës, në mesin e tyre edhe shumë të rinj nën moshën 18-vjeçare.

Të dhënat lidhur me të masakruarit në Tivar janë hipotetike dhe nga burime të ndryshme numri i të masakruarve nga minimumi deri në maksimum sillet prej 300 deri në 1500.

Institucionet e Kosovës, historianët që pretendojnë se kanë bërë zbulime nuk kanë arritur të shënojnë një regjistër madje as të përkohshëm  me emrat e mbiemrat e të masakruarve, në Tivar. Për dallim nga mos evidentimi i këtyre të masakruarve, është evidentuar numri i  një pjese të shqiptarëve që janë vrarë në Srem dhe Banat të Vojvodinës

Lidhur me akuzat e disa “historianëve” profashistë, të cilët pa asnjë fakt relevant dhe pa asnjë dëshmi të vetme të të mbijetuarve pretendojnë se Shteti i sapo vendosur komunist i Shqipërisë kishte dijeni për masakrën dhe e kishte lejuar atë  po botojmë me këtë rast  disa të dhëna të cilat më 7 prill të vitit 1945 i ka publikuar komandanti i Korparmatës së  Tretë të Ushtrisë Çlirimtare të Shqipërisë, Shefqet Peçi në një komunikim urgjent drejtuar Shtabit të përgjithshëm.  Këto të dhëna i ka evidentuar studiuesja Anna di Lellio në Librin “Dimri i gjatë i vitit 1945-Tivari”.

Shefqet Peçi: Përpara një jave,   më se 7000 kosovarë,  të mobilizuar rishtas kanë kaluar nëpër Shkodër për në Mal të zi, të ndarë në tri grupe marshimi.

Grupi i Dytë prej më shumë se 300 vetash  posa arritën në bregdetin e Tivarit u rrethuan nga jugosllavët  dhe pasi u hoqën prej grupit ata të racës sllave, u hap zjarr kundër kosovarëve  ku mbetën të vrarë më shumë se 500 veta. Këto informata janë marrë nga të mbijetuarit që arritën të shpëtojnë nën grumbullin e kufomave. Rreth 10 nga të  shpëtuarit  ndodhen në Shkodër. Sipas informatave të kemi  shovinistë të shumtë jugosllavë ishin futur në radhët e ushtrisë, të cilët me anë provokimesh mundohen të mbjellin përçarje si nga ana e kosovarëve ashtu edhe nga ana e jugosllavëve, duke futur frikë në mesin e kosovarëve se do t’ iu vrasin të gjithëve, ndërsa jugosllavëve iu thoshin se kosovarët do të ikin… ( Raporti i drejtuar nga Shefqet Peçi, komandant i Korparmatës së Tretë të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, drejtuar Komandës së Përgjithshme. Materiali gjendet në Arkivin Qendror të Forcave të Armatosura (AQFA). Fondi 100/1, dosja 87, vitit 1945,  raporti nr. 198/1, Shkodër, 07. 04. 1945.

Nga ky dokument shihet qartë se kreu komunist i Shqipërisë nuk kishte fare dijeni lidhur me depërtimin e dhunshëm të 7000 shqiptarëve nga Kosova për në Tivar. Atë e kishte kuptuar zyrtarit 7 ditë pas masakrës.

Në një shkrim drejtuar  Uran Butkës, iu cili akuzon Enver Hoxhën për Masakrën e Tivarit, historiani i njohur dr. Hakif Bajrami, në një reagim të tij të botuar në Radion-Kosova e Lirë, me titull” Mos ia kthe pushkën veti dhe kombit tënd, Uran Butka ka sqaruar. Urdhrin pasi që po dëshiron ta dish e ka dhënë personalisht Millovan Gjillasi dhe aksionin e kanë kryer vartësit e Peka Dapçeviçit, komanda e tërë e Brigadës X malazeze. Po dëshirove emrat i ke në lirin e botuar prej tyre. Dhe ata të gjithë janë paditë nga Prokurori ushtarak dhe janë dënuar në vitin 1955, pas kërkesës më shkrim nga ana e Këshillit Ekzekutiv të Kosovës. Kjo kërkesë 10-vjeçare u bë me vonesë,  sepse nuk ka guxuar kush i gjallë ta ngritë çështjen prej Millovan Gjillasit. Por kur ai ra në burg, çështja  rreth Tivarit filloi të kthjellohen dhe tragjedia filloi ta marr një epilog, sado pak të drejtë, sepse të gjithë regrutët u konsideruan si luftëtarë të Luftës Antifashiste.

Këtë fakt e vërteton Kërkesa e Këshillit Popullor të Krahinës Autonome të Kosovës më 12 nëntor 1955, drejtuar Prokurorisë Ushtarake në Beograd. Prokuroria me shkresën nr. 556/56 më 6 shkurt 1956 jep këtë përgjigje se përcjellës të regrutëve shqiptarë nga Shkodra e deri në Tivar ishin pjesëtarët e Brigadës X malazeze, me qëllim që ata të i dorëzohen pastaj Divizionit IX sulmues të Dalmacisë. Millovan Gjillasi deri sa zgjatnin operacionet e luftës i thotë Peka Dapçeviçit, tekstualisht: “Eja t`ua bëjmë shqiptarëve siç ua ka bërë Savë Patarja më 1913, e ta shndërrojmë Dukagjinin në hambar të drithit për Malin e ZI, sepse shqiptarët ma kanë vrarë babin tim atje, si kolon”. Mendo, tash se prej kujt e mori lejen Vasa Qubrilloviçi që më 3 nëntor ta dorëzoi Elaboratin për likuidimin e shqiptarëve?

 

Burimet:

Haxhi Birinxhiku  Dëshmi për Tivarin ( botoi Radio-Kosova e Lirë, Prishtinë- 2013.

Anna di Lellio, Dardan Luta: “Dimri i gjatë i vitit 1945-Tivari”. faqe 135.

Dr. Hakif Bajrami: Mos ia kthe pushkën veti dhe kombit tënd, Uran Butka (RKL. 6.4. 2013)

Vikipedia.

Kontrolloni gjithashtu

Bedri Hamza është shprehet optimist se do ta fitojë garën për kryetar të Mitrovicës pa balotazh

Bedri Hamza shfaq dyshime lidhur me komunikimin e njërit prej organizatorëve të sulmit në veri të Kosovës me Mimoza Kusarin

Kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza, ka ngritur një zë kritik në lidhje me dialogun me …