Hakif Bajrami

Dr. Hakif Bajrami: Mos ia kthe pushkën veti dhe kombit tënd, Uran Butka

E lexova dy herë këtë shkrim autorial të autorit Uran Butka (version i shkurtuar që do të thotë se, në të ka pasur gisht edhe redaksia e gazetës).

Të ngrihesh sot e të thuash se: “Enver Hoxha urdhëroi vrasjen e kosovarëve ”, në Tivar, më 1 prill të vitit 1945, është një tragjedi për kombin, sepse sido që të ketë qenë “urdhrin” për masakrën e Tivarit e paska pasur dhënë një shqiptar. Po sa të ka paguar Beogradi, o  i gjori Uran Butka?

Nuk e kam mendjen të polemizoj me ty sepse psiqikisht ndoshta je i orientuar në hakmarrje dhe në atë rrugë vendos vet dhe nuk ka kush që të ndalë. Po ama, kur ka qenë koha që shkonin kokat, ne kemi shkruar për atë tragjedi gjithnjë duke i cituar me nga dhjeta dokumente jugosllave sepse AKUZËN duhej argumentuar mire e me themel. Uran, njeriu i parë që ka folur zyrtarisht për atë tragjedi, në Tivar më 31 mars 1945 çuditërisht është Aleksandër Rankoviçi në Kongresin themelues të Partisë Komuniste të Serbisë e ku ishte edhe Tito, po ishte edhe e tërë elita politike jugosllave. Po, është fakt se, Kongresi është mbajtur në ilegalitet dhe shumë herë kemi pyetur pse dhe prej kujt janë fshehur  gjërat. Ishte aty, në Kongres edhe përfaqësuesi i Shqipërisë. Pse reagoi Rankoviçi në fjalimin e Dushan Mugoshës që e mbajti në Kongres, kur ai u ngrit kundër dygjuhësisë në Kosovë. Meqë aty ishte elita komuniste, Rankoviçi u ngrit dhe i tha : “Ja shovinizmi në vepër. Ne kemi bërë në të kaluarën gabime, madje krime të papara ndaj shqiptarëve. Dhe më 31 mars 1945 në Tivar për një ushtar tonë, i kemi vrarë 300 shqiptarë. Këtë proporcion nuk e kanë pasur adet ta përdorin as nazistët gjermanë”, mbaron citati. (Gjeje Uran Butka librin- Osnivacki Kongres KP Serbija , Beograd 1972 në redaktim  të Bogumil Hrabakut. Aty e ke fjalimin integral).

Atë libër dokumentar e kam lexuar si dhuratë e profesorit Bogumil Hrabak  në vitin1972. Lidhur me këtë, meqë babai im  ka qenë regrut në Tivar (në Eshallonin e tretë prej Shkodrës e tutje) atë botë në Eshallonin e TRETË, me dhjeta herë e kisha dëgjuar duke folur për atë tragjedi dhe jo vetëm për atë. Prindin që ishte edhe hoxhë, e që iu  kishte caktuar detyra që t`i varrosë kufomat e mbetura, pastaj e kam intervistuar së bashku me 36 pjesëtarë tjerë, që e kanë parë masakrën me sy. Janë gjëra të tmerrshme, përshkrimet e tyre. Ata thonë: pjesën më të madhe të kufomave malazezët i kanë hedhur në det, një pjesë e kanë hedhur në greminën Tuxhemil e një pjesë fare të vogël e kanë lënë për varrim. Në vitin 1973, duke punuar në temën e magjistraturës në Arkivin ushtarak, në Beograd me sugjerim të Anton Miletiçit (kolonel-kroat) hasa në dokumente rrëqethëse që e përshkruanin tragjedinë e Eshalonëve shqiptare, si për ato që shkuan në Srem ashtu edhe për ato që shkuan për Adriatik, përmes rrugës: Kukës-Shkodër-Ulqin Tivar- Trogir e deri në çlirimin e Trieshtës dhe Mariborit.

Ato dokumente i kam ruajtur me kujdes deri më 1985 kur filloi sulmi çetniko-komunist ndaj shqiptarëve në shkallën më të hapur, sepse sulmi i mbuluar ishte gjithherë. Atëherë vendosa që disa dokumente t`i botoj, por prapë me një kujdes sepse nuk e vlente të dalësh aq hapur. Lidhur me tërë këtë histori tragjike dokumentet jugosllave askund nuk e përmendin asnjë udhëheqës shqiptar që do të ketë qenë në dijeni, pa lëre më të këtë urdhëruar vrasjen e shqiptarëve,  në Tivar. Jo nuk ka të dhëna as që është vrarë dikush nga shqiptarët gjatë rrugës Kukës-Shkodër si amputohet në disa raste. Shtrohet tash pyetja: Si mund të urdhëronte   Enver Hoxha ushtrinë që e drejtonte Tito dhe Peka Dapqeviçi?

Uran Butka!

 Urdhrin pasi që po dëshiron ta dish e ka dhënë personalisht Millovan Gjillasi dhe aksionin e kanë kryer vartësit e Peka Dapçeviçit, komanda e tërë e Brigadës X malazeze. Po dëshirove emrat i ke në lirin e botuar prej tyre. Dhe ata të gjithë janë paditë nga Prokurori ushtarak dhe janë dënuar në vitin 1955, pas kërkesës më shkrim nga ana e Këshillit Ekzekutiv të Kosovës. Kjo kërkesë 10-vjeçare u bë me vonesë,  sepse nuk ka guxuar kush i gjallë ta ngritë çështjen prej Millovan Gjillasit. Por kur ai ra në burg, çështja  rreth Tivarit filloi të kthjellohen dhe tragjedia filloi ta marr një epilog, sado pak të drejtë, sepse të gjithë regrutët u konsideruan si luftëtarë të Luftës Antifashiste.

Këtë fakt e vërteton Kërkesa e Këshillit Popullor të Krahinës Autonome të Kosovës më 12 nëntor 1955, drejtuar Prokurorisë Ushtarake në Beograd. Prokuroria me shkresën nr. 556/56 më 6 shkurt 1956 jep këtë përgjigje se përcjellës të regrutëve shqiptarë nga Shkodra e deri në Tivar ishin pjesëtarët e Brigadës X malazeze, me qëllim që ata të i dorëzohen pastaj Divizionit IX sulmues të Dalmacisë. Millovan Gjillasi deri sa zgjatnin operacionet e luftës i thotë Peka Dapçeviçit, tekstualisht: “Eja t`ua bëjmë shqiptarëve siç ua ka bërë Savë Patarja më 1913, e ta shndërrojmë Dukagjinin në hambar të drithit për Malin e ZI, sepse shqiptarët ma kanë vrarë babin tim atje, si kolon”. Mendo, tash se prej kujt e mori lejen Vasa Qubrilloviçi që më 3 nëntor ta dorëzoi Elaboratin për likuidimin e shqiptarëve?

 Ku u entuziazmua Brigada e X malazeze për masakër?

 Po kjo dihet me amnistinë ë çetnikëve me Urdhër të Kryesisë së AVNOJ-t më 21 nëntor 1944. Po me urdhër të kujt u vendos diktatura ushtarake më 8 shkurt 1945 dhe kush ishte Sava Derleviçi e kompania e tyre që prenë e grin shqiptarë në Kosovë dhe askujt nuk i dhanë llogari. Po, është fat që erdhën dy divizione nga Shqipëria në Kosovë se për ndryshe tragjedia do të ishte dhjetëfish më e lartë. Prokurori ushtarak i Gjykatës Ushtarake të RFJ shkruan tekstualisht: “Pjesëtarët e Brigadës së X-të malazeze i përcollën shqiptarët e mobilizuar për në Tivarin e Ri, me qëllim që tua dorëzojnë përfaqësuesve të Divizionit të Divizionit IX –të sulmues Dalmatin. Në Tivar u shkaktuan incidente. Me këtë rast vdiqën ose u lënduan një numër i madh u shqiptarëve. Pasi e kreva detyrën, i paraqita raportin kryetarit të Gjykatës Supreme Ushtarake, dhe më kujtohet se disa shokë nga Shtabi i Brigadës së X-të malazeze, janë përgjigjur për vepër PENALE, e disa në mënyrë disiplinore”. Shtohet tash pyetja,  po ta kishin jugosllavët ndonjë urdhër nga Shqipëria, atë do ta distribuonin në njëmijë adresa dhe nuk do të lënin  mjet pa përdorë për qëllime të veta propagandistike dhe politike antishqiptare. E vërtetë është se i  kam hulumtuar të gjitha dosjet rreth Tivarit të lejuara deri më 15 maj 1945 për hulumtim. Askund nuk përmendet si fajtor në masakrën e Tivarit ndonjë shqiptar, qoftë  edhe pa funksion ushtarak dhe politik. Prandaj çfarë dobie kemi kur ia “kthejmë pushkën veti” për shkaqe politike dhe personale. Shkenca ose e thotë të vërtetën ose e hedhë akuzën si të tillë, të trilluar. Sa i takon “urdhrit” të Enver Hoxhës : “T`arratisurit e dorëzuar në Divizionin tuaj, dërgojeni Divizionit 52 të Serbisë” . (AQSH, F. 206, v. 1945), nuk është komentuar drejtë. Fjala është për vullnetarë,  që ishin nën komandën e Kolonel, Qazim Komonit në ruajtjen e kufirit karshi Serbisë. Ata,  kur Divizioni i VI i Shqipërisë i drejtoi për luftime jashtë Kosovës, i rezistuan urdhrit dhe nuk shkuan drejtë Vishegradit, por kërkuan që të mbesin në Kosovë për t`i ruajtur trojet e veta. Është e vërtetë se Divizioni 52 ishte i Kosovës dhe jo i Serbisë, por sjelljet ndaj shqiptarëve, në viset tjera kanë qenë kriminale po nuk duhet të lidhen me gjenocidin në Tivar, për të cilin përgjegjës është Millovan Gjillas. Prandaj procedura hetimore rreth tragjedisë u bë e mundur vetëm kur Gjillasi shkoi në burg.

Me gjithë këtë gabimet dhe fajet e Enver Hoxhës duhet të objektivizohen sepse nuk e ka njohtë mire çështjen e shqiptarëve në robërinë jugosllave. Po kush i dorëzoi tek jugosllavët Qazim Komonin, Bedri Pejanin, Fuad Dibrën, Ibrahim Gjakovën, Halim Spahiun e shumë patriotë të tjerë? Këta  i dorëzoi Koci Xoxe, por fajtor është për kah pozita edhe Enver Hoxha, padyshim.

Një fakt tjetër kur janë temat e tilla delikate në pyetje është citimi i dokumenteve nga arkivat. Ne dimë se kush ka hulumtuar dhe sa dokumente janë botuar. Por disa shkronjës të librave për t` u bërë “shkencëtar” në vend që t`i citojnë dokumentet e botuara, po i citojnë arkivat jugosllave, por dhe fondet e tyre pa i parë kurrë. Kjo dukuri është tragjike.

Tash e shtroj një pyetje principale.

 Pasi që jeni shumë të kujdesshëm të akuzoni pse nuk u bë akuza në të kaluarën nga shteti shqiptar 1945-1992. Edhe më keq, kush e ka penguar shtetin shqiptar nga viti 1992 e deri më sot (2013) ta bëjë një padi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë? Nuk u jepet haku viktimave duke fajësuar individ që nuk kanë lidhje me tragjedinë.

E përshëndes çdo shkrim që mbështetet në fakte, por jo duke kopjuar dhe përvetësuar djersën e të tjerëve sikur po ndodhë me shumë libra, dje, sot e nesër nuk e di???.

Shënim”

Ky është shkrimi   i historianit të   njohur në Kosovë e më gjerë, z. Hakif Bajrami, në përgjigje të një shkrimi për Masakrën e Tivarit, me autor historianin Uran Butka, i cili ka botuar një shkrim se gjoja Masakra e Tivarit e vitit 1945 është kryer me urdhër të Udhëheqjes së Shtetit Shqiptar. Kjo shpifje me tendenca antikombëtare ka gati 20 vjet që trumbetohet jo vetëm nga Uran Butka e ca biçimë të tjerë që hiqen I historian, por edhe nga udhëheqja e PD-së së Tiranës, ku para një viti patën ngritur edhe një komision parlamentar për të çuar para drejtësisë Ramiz Alinë si urdhërdhënës, por që tash akuzojnë Enver Hoxhën, ndërkohë që arkivat jugosllave flasin krejt ndryshe dhe që trajtohen hollësisht nga Historiani Hakif Bajrami në shkrimin që po u nis, (marrë prej www.radiokosovaelirë.com).  Antikombtarizmi i Uran Butkës e kompani, pasardhësit e kolaboracionistëve të Luftës së Dytë Botërore vijojnë t’i bien borisë së tyre antishqiptare.

Kontrolloni gjithashtu

Reagimi i drejtorisë së Radios-Kosova e Lirë në deklaratën skandaloze e naive të disa anëtarëve të ish-stafit

Reagimi i drejtorisë së Radios-Kosova e Lirë në deklaratën skandaloze e naive të disa anëtarëve të ish-stafit

Reagimi i drejtorisë së Radios-Kosova e Lirë në deklaratën skandaloze e naive të disa anëtarëve …