Ahmet Qeriqi: Fushata kundër UÇK-së mund të ketë sukses vetëm nëse ringjallet Milosheviqi dhe ripushtohet Kosova

(Urrejtja dhe shkrimet kundër luftës dhe komandantëve të UÇK-së nuk fillojnë me akuzat e treshes perverse: Luba-Beni-Buzha)


 


Fushata kundër UÇK-së ka nxjerrë në sipërfaqe shumë horrllëqe të ish dhe tani mercenarëve, të cilët asnjëherë nuk i kanë stopuar shpifjet e gënjeshtrat, për  qëllime që dihen. Prononcimi i parë publik në lidhje me UÇK-së ka qenë ai i dr. Ibrahim Rugovës, me rastin e rënies së komandantit, Zahir Pajaziti, më 31 janar të vitit 1997, kur ai në një konference “xhumaje” me gazetarë kishte kërkuar që në zbulimin e sulmeve kundër policëve serbë dhe bashkëpunëtorëve të tyre të angazhohej edhe FBI-ja apo Interpoli, meqë polica e Serbisë nuk po arrinte t’i zbulonte ata, edhe pse po i vriste nëpër prita. Këtë deklaratë publike të Ibrahim Rugovës e dinë  të gjithë qysh nga shkurti i vitit 1997 kur ai është prononcuar publikisht.. Është rasti për të sjellë në kujtesë edhe deklaratën e tij famoze se UÇK-ja ishte projekt i fshehtë i Shërbimit sekret Serb. Pastaj deklarata tjetër qyqare se në Kosovë ka disa grupe të frustruara të shqiptarëve. Këto deklaratë Rugova i kishte bërë vetëm një muaj pas deklaratës  për  revistën zvicerane “Facts” më 15 dhjetor 1997, kur kishte deklaruar se nuk kishte asnjë të dhënë për UÇK-në dhe ajo sipas tij nuk ekzistonte.


 


Pas qëndresës dhe rënies heroike të Jasharëve në Prekaz më 5.6 dhe 7 mars të vitit 1998, kur  kushtrimit të gjakut çlirimtar të komandantit Adem Jashari iu përgjigj pjesa militante e shqiptarëve, zëdhënësi i politikës pacifiste të Rugovës, Jusuf Buxhovi, përmes gazetës “Bujku” diku në maj 1998, kishte kërkuar nga Ibrahim Rugova që sa më parë ta pacifikonte Drenicën, ( pa i treguar sesi mund ta pacifikonte edhe po të dëshironte) në mënyrë që të mos përsëritej kryengritja fatale e Shaban Palluzhës e dimrit të vitit 1945. Dhe jo vetëm këto. Me shkrime fyese e abuzuese kundër UÇK-së paraqiteshin kohë pas kohe disa gazetarë të ish-shkollës politike të Kumrovcit, disa gazetarë të Kohës Ditore dhe të gazetës së LDK-së,“Bota sot”.


Liridashësit e Kosovës i dinë emrat e tyre, u kujtohen edhe etiketimet e tyre të liga, por sharjet e fyerjet e tyre nuk e ndalonin dot shtrirjen gjigante të UÇK-së sidomos në verë të vitit 1998, kur pjesa rurale e Kosovës ishte përshkuar nga uniformat e luftës dhe kallashët e luftëtarëve të lirisë, dhe kur forcat ushtarake e policore serbe gjatë ditës terrorizonin shqiptarët liridashës, por gjatë natës strukeshin nëpër bunkerë dhe zbraznin  granata nëpër fshatra e lokalitete ku shtrihej UÇK-ja, por nuk bëheshin të gjallë dhe nuk lëviznin madje as me mjete të blinduara.


Qëndrimin tipik, zyrtar të krahut pacifist institucionalist, e ka prezantuar në librin e tij publicisti,  Henry Perrit, i cili, duke mos e zbuluar emrin e bashkëbiseduesit të njërit prej anëtarëve të  kreut të LDK-së shkruan:


“Karakteristikat e nomenklaturës së UÇK-së janë të rrezikshme. Ata janë të vrazhdë. Të gjithë janë të etur për pushtet… Adem Jashari nuk ishte një “Komandant legjendar”. Ai nuk e komandonte askënd. Ai ishte një kopuk fshatar, që u vra gjatë përpjekjes së dështuar ( të policisë dhe ushtrisë së Serbisë) për arrestimin e tij. ( Henry Perrit: Ushtria Çlirimtare e Kosovës, Prishtinë, 2008. F 55.)


 


Disa shkrime të shfrenuara të mercenarëve titistë kundër UÇK-së u botuan në gazetat e Kosovës dhe të Shqipërisë pas ofensivave të verës së vitit 1998, kur mendohej se UÇK-së i kishte ardhur fundi. Po ashtu shkrime të tilla në shtypin e zi e të verdhë u botuan edhe pas dezertimit të kolaboracionistit, oficerit të armatës Jugosllave, Tahir Zemaj i cili në gusht të vitit 1998 urdhëroi ushtarët  e “Republikës së Kosovës”të dorëzonin armët dhe të iknin nga të mundnin, meqë sipas tij lufta kishte mbaruar dhe ishte politika e cila do ta zgjidhte fatin e vendit.(!)


 


Gjatë tërë kohës së luftës shpirt-shiturit dhe mercenarët politikë e ideologjikë nuk i kishin reshtur sulmet e tyre të liga e djallëzore kundër UÇK-së, meqë ata nuk i besonin fitores, për më tepër i frikësoheshin asaj,  pasi e parandienin se koha do t’u zbulonte të ligat, shpirtin skllav, veprat antikombëtare, spiunimet, denoncimet dhe vrasjet e bashkëkombësve liridashës. Luftën e UÇK-së nuk mund ta pranonin ish-inspektorët e UDB-së, që kishin mbytur në tortura shqiptarë liridashës gjatë tërë kohës së regjimit pushtues jugosllav. Luftën e UÇK-së nuk e pranonte as politika zyrtare pacifiste, as klasa e atyre shqiptarëve që ishte pasuruar duke bashkëpunuar në shumë mënyra me regjimin e Milosheviqit. Besimin për fitore e kishin shprehur dhe e kishin jetësuar  vetëm forcat e vërteta dhe të dëshmuara liridashëse, të cilat edhe bartën mbi supe luftën fitimtare të UÇK-së.


 


Propaganda sistematike  kundër UÇK-së nuk ka dhënë rezultatet e dëshiruara nga propaganduesit, të cilët kanë derdhur e po derdhin para të majme, me qëllim për ta diskredituar luftën tonë fitimtare e çlirimtare, të paktën krahun e saj militant. Përpjekjet për ta ndarë UÇK-në, për t’ i ndarë dëshmorët edhe pse disa herë janë ndërmarrë nga krerët më të lartë shtetërorë, po thuaj kanë dështuar në përgjithësi. Pretendimet për ta ndarë një pjesë të komandantëve të UÇK-së me orientime politike pacifiste kanë dështuar edhe për faktin e heronjtë si Agim Ramadani, Sali Çeku e të tjerë, nuk e kishin respektuar programin veprues pacifist të LDK-së, por ishin thirrur në statusin e hershëm të partisë, ku nuk përjashtohej edhe mundësia e organizimit dhe zhvillimit të luftës së armatosur.  Po kështu përpjekjet për t’i rehabilituar dy komandantët e FARK-ut si: Ahmet Krasniqi e Tahir Zemaj po tregohen përpjekje të kota, pavarësisht se kush i ka vrarë dhe në çfarë rrethana janë vrarë. Eleminimi i tyre politik gjatë luftës kishte për qëllim të mos lejohej krijimi i  dy ushtrive, sikur ishin krijuar kah fundi i luftës në Bosnje,  në vitin 1995, ku përkrahësi  i Milosheviqit, Fikret Avdiq kishte rekrutuar shumë boshnjakë myslimanë në luftë kundër krahut militant të Alija Izetbegoviqit dhe luftëtarëve shumicë të Bosnjës, që luftonin kundër  forcave kriminale serbe të Milosheviqit, Mlladiqit e Karaxhiqit.


 


Gazetarët shqiptarë që kanë shkruar kundër UÇK-së, të cilët i kanë shprehur haptas qëllimet dhe opinionet e tyre janë:


Jusuf Buxhovi, në një shkrim të publikuar në maj të vitit 1998.


Veton Surroi, Shkëlzen Maliqi, Bajrush  Morina Rexhep Kastrati, Shkëlzen Gashi, Baton Haxhiu, Nexhmedin Spahiu, Vladimir Karaj,  Altin Raxhimi, Bardhyl Metaj,  pas luftës, Jeta Xharra, pastaj disa gazetarë të KTV-së e Kohës Ditore dhe të Portalit “Inexonline”.


 


Në shkrime kundër disa komandantëve të UÇK-së, por jo  kundër luftës së UÇK-së ishin dalluar edhe dy gazetarë të  gazetës, “Bota sot” Bekim Dajaku dhe Bardhyl Ajeti, të cilët janë vrarë pas luftës,  në rrethana ende të pasqaruara, dhe për të cilët dyshohet se janë vrarë nga SHIK-u, apo nga ndonjë grup i fshehtë, për shkak të shkrimeve të tyre denoncuese, por jo për shkrime të tilla sikur ato të Fatos Lubës apo Arben Idrizit.


Po ashtu në rrethana të pasqaruar dhe të pandriçuara deri tani është vrarë edhe zyrtari i lartë i LDK-së, Xhemajl Mustafa, zëdhënës shumëvjeçar i LDK-së dhe intelektual i shquar. Supozohet se Mustafa është vrarë pas një shkrimi të botuar në gazetën “Bota Sot”, edhe pse deri tani nuk është publikuar asnjë e dhënë e tillë. Edhe kjo vrasje, nëpër koluare i përshkruhet UÇK-së, edhe pse ende nuk është prezantuar asnjë argument se kush e ka vrarë dhe për çka është vrarë, Xh. Mustafa.


 


Kohë pas kohe janë shprehur kundër UÇK-së edhe disa gazetarë apo politikanë të tjerë, të cilët nuk kanë bërë emër në këtë drejtim, por në raste të caktuara nuk e kanë kursyer urrejtjen dhe cinizmin e tyre kundër komandantëve të UÇK-së.


Po t’ iu shtojmë këtyre radhëve  edhe dy mostrat antikombëtare, atdhemohuesin, Fatos Lubonja dhe psikopatin delirant, Arben Idrizi, si dhe përkrahësin e tyre, Berat Buzhala, (jeniçerin  e përkëdhelur të kryetarit të PDK-së, Hashim Thaçi), atëherë del se nga armata e mijëra gazetarëve shqiptarë në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni kundër UÇK-së janë diferencuar një pakicë gati e pallogaritshme në numër, por me ndikim nëpër disa   parti, në tri katër gazeta  dhe në klane të interesit, të cilëve iu shërbejnë. Në fushatë të egët kundër UÇK-së paraqiten kohë pas kohe edhe disa OJQ, të cilat u shërbejnë padronëve të tyre vendorë e ndërkombëtarë.


 


Pretendimet për ta paraqitur fushatën kundër UÇK-së, si fushatë kundër komandantëve, për të cilët thuhet se janë të korruptuar, nuk janë të qëndrueshme, përkundrazi janë naive dhe të pambështetura në fakte relevante, sepse abuzimet, korrupsioni dhe keqmenxhimi i parasë publike nuk ka të bëjë me luftën e UÇK-së, as me të kaluarën e komandantëve të apostrofuar si të tillë.


Fushata kundër këtyre komandantëve bëhet me qëllime të liga, me qëllime elektorale, me qëllim të denigrimit të prejardhjes së tyre politike,  sepse dihet mirë se bosët më të mëdhenj e më të fuqishëm ekonomikisht në Kosovë, më të korruptuarit e më të pasurit,  nuk janë fare nga radhët e luftëtarëve të lirisë, por janë profiterët e ish-regjimeve okupatore, janë ata që i kanë shërbyer Jugosllavisë, një kohë edhe Ibrahim Rugovës, nën ombrellën e të cilit janë pasuruar  dhe sot kanë arritur pasuri të pallogaritshme. Nëse ta zëmë se në Kosovë mund të identifikohen 30 apo pak më shumë ish komandantë të UÇK-së që janë pasuruar pas luftës, mund të  nxjerrim në sipërfaqe 300 apo 3000 të tjerë që nuk kanë të bëjnë fare me luftën dhe që kanë  më tepër pasuri se komandantët e apostrofuar, të gjithë tok. Ky krahasim nuk ka për qëllim rehabilitimin e atyre komandantëve që janë pasuruar në mënyrë të paligjshme, por për hir të së vërtetës duhet prezantuar edhe faktet e tjera, që pasqyrojnë realitetin e tërësishëm e jo të njëanshëm  në Kosovë, fakte që tregojnë të vërtetën e pa deformuar se kush, kur dhe prej kah është pasuruar?

Kontrolloni gjithashtu

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

F- etnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar, është një …