Ahmet Qeriqi: Halil Patrona, heroi i madh i shqiptarëve ende i mbetur jashtë teksteve të Historisë së Shqipërisë

(Fjala e Ahmet Qeriqit, mbajtur në Akademinë përkujtimore kushtuar kryengritësit shqiptar, Halil Patrona, organizuar nga Radio-Kosova e lirë, mbajtur më 28 shtator 2010, në Amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare, në Prishtinë).


 


Shumë të respektuar pjesëmarrës në këtë Akademi Përkujtimore, në nderim të jetës dhe veprës së Halil Patronës, në 280-vjetorin  e kryengritjes së jeniçerëve në Stamboll, e cila në analet dhe dokumentet e kohës është shënuar si kryengritja më e madhe që ka ndodhur ndonjëherë brenda Perandorisë Osmane.


Disa nga Ju, e ndoshta edhe shumë nga ju do ta shtroni me të drejtë pyetjen, përse paska mbetur, që veprën e këtij komandanti të jeniçerëve shqiptarë ta përkujtojë Radio-Kosova e lirë dhe jo institucionet në Kosovë, Shqipëri apo në Maqedoni?


Këtë pyetje edhe unë ia kam shtruar sa e sa herë vetes, por duke qenë se institucionet tona merren me punë institucionale dhe nuk e njohin, apo nuk duan ta njohin veprën e Halil Patronës, Radio-Kosova e lirë, si Radio e kryengritësve shqiptarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, së bashku me veteranët e kësaj lufte dhe me përkrahës të kësaj ideje, ka marrë përsipër organizimin e kësaj akademie, të parën të këtij lloji në trevat shqiptare, ku do të flitet dhe do të përkujtohet, Halil Patrona dhe bashkëluftëtarët e tij.


Ndoshta ky veprim yni, do të nxisë mërinë  e institucioneve, në Prishtinë, në Tiranë e në Shkup, për të kthyer kokën prapa në histori dhe për të parë e për t’u bindur  njëherë e mirë se, Hail Patrona ka qenë  dhe do të mbetet njëri ndër personalitetet më të njohura të historisë së përgjithshme, një kryengritës, fama e madhështia e të cilit është pranuar kudo në botë dhe kjo mund të provohet fale lehtë.


Kur të ktheheni nga këtu, nëse ju intereson të verifikoni atë që do të thuhet këtu, shtypni në google, emrin e mbiemrin, Halil Patrona dhe do të gjeni hiq më pas se  1 milionë e 700 mijë njësi elektronike informative në shumicën e gjuhëve të botës, por edhe në gjuhën shqipe, vetëm prej vitit 2005. Do të zbuloni edhe qindra tablo artistike të dy piktorëve më të mëdhenj të Evropës, që pikturonin tablo në Pallatin e Sulltanit dhe nëpër rrugët e Stambollit. Këta ishin Jean Baptiste Vanmour, i cili kishte qëndruar 30 vjet në Stamboll  duke pikturuar dhe ambasadori gjerman, po ashtu piktor, Cornelis Calkoen. Tablotë e këtyre piktorëve të mëdhenj gjenden nëpër të gjitha galeritë artistike të kryeqyteteve evropiane e botërore. Vetëm disa nga këto tablo ne i kemi prezantuar me këtë rast.


Halil Patrona, ky emër i njohur nëpër të gjitha enciklopeditë e botës, ende nuk është sa duhet i njohur për opinionin tonë, për shqiptarët në përgjithësi, edhe pse origjinën dhe prejardhjen shqiptare të  këtij luftëtari  nuk e ka mohuar askush deri tani, ashtu sikur ka ndodhur dhe ndodh për disa personalitete të tjera të historisë sonë.


Ai ishte një shqiptar nga Hurpishti i Rrethit të Manastirit, i cili në historinë Osmane njihet si shqiptar kryengritës, që bëri emër duke u vënë në ballë të masave popullore, në Stamboll, më 28 shtator të vitit 1730.


Halil Patrona lindi rreth vitit 1690 në fshatin e quajtur Hurpisht, fshat në rrethin e Manastirit, në Maqedoni. Qysh si fëmijë ishte rrëmbyer nga turqit dhe ishte dorëzuar në mesin e jeniçerëve, jeni asqerëve, ushtarëve të rinj të Perandorisë. Në vitin 1720 ishte komandant i jeniçerëve në Vidin. Mori pjesë në një kryengritje, që u zhvillua asokohe në Nish, dikur qytet shqiptar, tash i mbetur nën Serbi. Duke qenë i ekskomunikuar nga radhët e jeniçerëve, për shkak të karakterit të tij kryengritës, shpërthyes,  kundër padrejtësive, ai ka punuar si shitës ambulant nëpër rrugët e Stambollit. Më vonë kishte ngritur një hamam publik në qendrën e Perandorisë. Asokohe, Halil Patrona tubonte rreth vetes jeniçerët e pakënaqur shqiptarë, në një mejhane të Gallata Sarajit. Të dhënat historike dhe kronikat e Stambollit të asaj kohe, bëjnë të ditur se regjimenti i Pestë i jeniçerëve, kishte rreth 12.000 pjesëtarë, kryesisht shqiptarë nga 35.000 sa kishin  të gjitha regjimentet tok. Halili ishte jeniçeri më me ndikim në këtë regjiment. Bashkëluftëtarët e tij më të ngushtë kanë qenë: Musli Basha, greku i pasur, Janaqi, Emir Aliu, Ahmet Çinari, Mehmet Onduçi, Mustafë Lazi, Ismail Tursuçi, Ali Gavuri, Ramazan Çigerxhiu e të tjerë.


Halil Patrona, e bëri çështje, zërin e vegjëlisë dhe të rajasë, duke kërkuar nga Sulltani të hiqte me një ferman special “malikanet”, tatimet e përjetshme, që paguanin të gjithë popujt e Perandorisë dhe të jepte urdhër për shkatërrimin e 140 shtëpive publike, që kishte ngritur Sulltan Ahmedi në vendin e quajtur “Ujërat e Ëmbla”, po në Stamboll. Po ashtu, ai akuzonte kreun perandorak se nuk shfaqte interesimin e duhur për fatin e luftës, se e kishte dobësuar ushtrinë dhe shtetin, të cilin po e kërcënonin përditë, persianët, rusët, kozakët…  Halil Patrona akuzonte Sulltanin dhe kreun perandorak për jetë të shfrenuar, për korrupsion, pasurimin e haremeve dhe kultivimin e tulipanëve dhe për shumë abuzime të tjera.


Kjo kryengritje në literaturën marksiste, njihet me emrin “Kryengritja e esnafëve” ashtu sikur e kishte emërtuar, vetë Karl Marksi.


Halil Patrona, ky vigan i historisë së përgjithshme, është anashkaluar nga tekstet e Historisë së popullit shqiptar. Vetëm në Fjalorin enciklopedik të vitit 1985, botuar në Tiranë, janë prezantuar disa zëra për biografinë e tij, e cila është më se e njohur në të katër anët e rruzullit, sidomos në Historinë e Perandorisë Osmane. Edhe Sami Frashëri, Halil Patronën  e kishte radhitur në mesin e personaliteteve të njohura shqiptare të kohës së Perandorisë Osmane, por, për shkaqe të panjohura, apo me qëllim për të mos thelluar hendekun mes shqiptarëve dhe turqve,  në enciklopedinë e tij të famshme e ka anashkaluar përshkrimin e historisë së ngjarjeve të shtatorit, tetorit dhe nëntorit të vitit 1730.


Vendin meritor, këtij trimi me gjak arbri, ia njohu historiani i madh austriak, Jozef von Hammer, i cili në veprën e tij madhore “Historia e Perandorisë Osmane në të cilën kishte punuar 30 vjet, përshkruan deri në detaje tronditjen më të madhe që kishte përjetuar Perandoria turke, nga kryengritja e Halil Patronës, njeriut të vegjëlisë, i cili arriti ta bëjë çështje dhe ta artikulojë aspiratën e vegjëlisë, të turmave, që vdisnin urie në Stamboll, në kohën kur Sulltan Ahmedi III kishte ngritur dhjetëra hareme dhe në to mbante 200 robëresha ndër më të bukurat, kishte ndërtuar 140 shtëpi publike në Stamboll dhe kishte urdhëruar të kultivoheshin kudo lulelajlet, që i quanin  “tulipanë”, prej nga edhe epoka e tij u quajt, “Epoka e tulipanëve”.


Halil Patrona e detyroi Sulltan Ahmedin të dorëzonte kokat e kreut të shtetit, Vezirit të Madh Damad Ibrahim, Kryeqehajasë, Kryemyftiut dhe Kapudan Pashait, admiralit turk të flotës perandorake. Sulltani nën presionin e turmave kishte përfillur të gjitha kërkesat e kryengritësve, ndërkohë që kishte ngritur në krye të Këshillit të luftës, Halil Patronën dhe disa nga jeniçerët e tij besnikë, duke iu premtuar, atij dhe të gjithë kryengritëseve, paqe dhe jetë të sigurt në hierarkinë sunduese.


Më vonë,  më 23 nëntor pasi ishte fashitur kryengritja, e cila mori vetëm katër kokat e shtetit, kundërshtarët e Halil Patronës me lejen e Sulltani Mustafës, të cilin Halili e kishte vendosur në post dhe i cili edhe pse i kishte dhënë fjalën e kreut perandorak se nuk do t’i ndodhte asnjë e keqe, Halil Patronës dhe 25 anëtarëve të elitës së tij iu shkurtojnë  kokat tinëzisht dhe pabesisht.


Ndërkohë, fillon sulmi kundër regjimentit të Pestë të jeniçerëve dhe për tri ditë luftime në Stamboll, në nëntor të atij viti, vriten rreth 7000 jeniçerë shqiptarë. Fushata kundër jeniçerëve shqiptarë u ndërmor edhe në Shqipëri, në Maqedoni dhe në Kosovë e tutje, ku ata që kishin shpëtuar duke ikur nga Stambolli, kishin gjetur strehë në malet e largëta të Atdheut, të pashkelura nga këmba e pushtueseve. Ekspeditat ndëshkuese të udhëhequra nga Osman Topall Pasha i Moresë, i caktuar në cilësinë e një inkuizitori të madh, u zhvilluan  në të gjitha viset e atëhershme të Shqipërisë, Maqedonisë e Kosovës në kërkim të jeniçerëve të Halil Patronës.


Për Halil Patronën janë publikuar mijëra shkrime, jo vetëm në gjuhën turke por në shumicën e gjuhëve të botës. Janë shkruar edhe tregime të shumta dhe romane. Shkrimtari më i madh i Hungarisë i shekullit XIX, Jokai Mor, autori i 100 romaneve dhe novelave të botuara dhe të përkthyera në 25 gjuhë të botës, ka shkruar romanin historik “Trëndafili i bardhë”, që i kushtohet kryengritjes së jeniçerëve shqiptarë në Stamboll, në krye me Halil Patronën.


Kjo vepër është përkthyer në shumë gjuhë të botës. ( Unë e kam përkthyer  këtë roman në gjuhën shqipe, por ende nuk e kam botuar. Po pres ndoshta institucionet tona një ditë do të kujtohen edhe për këtë personalitet të njohur, por të anashkaluar padrejtësisht nga tekstet e historisë.)


Edhe romansieri i madh turk, Reshad  Ekrem Koçu ka shkruar dy romane për Halil Patronën dhe “Epokën e tulipanëve”.


Në vitin 1917 është xhiruar një film në përmbajtje të romanit të shkrimtarit, Jokai Mor për Halil Patronën.


Jokai Mor ka shkruar edhe romanin “Familja shqiptare” që i kushtohet Luanit të Janinës, Ali Pashë Tepelena.


Hamami i Halil Patronës në Stamboll është restauruar dhe është nën mbrojtje të shtetit.  Tema e jehonës së kryengritjes së Halil Patronës, në Kosovë, është trajtuar në romanin “Koha e jeniçerëve” roman i cili do të përurohet  sot, në pjesën e dytë të kësaj akademie.


Halil Patrona, mendoj unë se  është personazhi ndër më të fuqishmit të historisë sonë.


Historianët tanë dhe institucionet tona shkencore, ende po e përfillin indolencën  e gjatë shekullore për këtë personalitet me përmasa botërore, i cili nuk paska bërë gjë për Shqipërinë, do të arsyetohen disa prej tyre, por ai ka bërë shumë për Turqinë, për shtresat e varfra, pa dallim feje e përkatësie, për moralin fetar e kombëtar, bëri shumë për ta ngritur në skenë njeriun e thjeshtë të Stambollit e të rajasë, që po vdiste urie, në kohën kur sundimtarët po jetonin në luksin e paparë ndonjëherë në Perandorinë Osmane, ashtu sikur ka ndodhur atëherë, dhe ashtu sikur po ndodh edhe sot,  kudo në botë por edhe ndër ne.


 


Të nderuar pjesëmarrës!


 


Angazhimi im dhe i disa kolegëve të mi për ta zbardhur personalitetin e Halil Patronës, nuk bëhet për qëllime egoizmi e rrahagjoksie , por për të vetmin qëllim idealist, ndriçimin e së kaluarës, të asaj të kaluare, e cila ka lënë porosi të përjetshme shoqërore e morale, sepse Historia është raporti i përhershëm midis së sotmes dhe të kaluarës sonë. Ne kërkojmë tek e kaluara, shpjegimin e problemeve që kemi, kërkojmë  ndërgjegjen e asaj që jemi sot”, thotë profesori i Universitetit “Sapienza” të Romës, Pietro Skopola.  Në parathënien e përkthimit  të romanit ” Trëndafili i bardhë” , të shkrimtarit Jokai Mor, në gjuhën angleze, përkthyesi, R. Nisbet Bain  ia sheh për të madhe shkrimtarit gjenial hungarez, që kishte ngritur në piedestal qenien morale të një shqiptari jeniçer, edhe pse ai e pranon se e vërteta qëndron, por i duket një gjë e keqe, që një shqiptar si Halil Patrona të ngrihet në nivelin e një bardi moral me përmasa botërore.


 


Më lejoni të lexoj para jush disa  fjali  nga parathënia librit për Halil Patronën të botimit në gjuhën angleze


 


“Pa dyshim që, romansieri hungarez ka bërë përpjekje të suksesshme, për ta paraqitur, të padrejtin dhe famëkeqin, Halil Patrona si një patriot të madh, martir të nderit dhe të drejtësisë, dhe duke heshtur  anën tjetër, ai sikur ka anashkaluar karakteristikat e mënyrës së ngritjes së Halilit dhe të karakterit të tij. Këtë e them për  aq sa jam unë kompetent,  si përkthyes,  për ta verifikuar autoritetin e tij. Historia që rrëfehet këtu mund të mos ketë qenë tërësisht një ngjarje e vërtetë, meqë sipas mendimit tim, shkrimtari, Jokai Mur është mbështetur krejtësisht në Historinë e Perandorisë Osmane të historianit, Jozef Von Hammer, një libër paksa i vjetër. Kjo nuk duket të ketë qenë aq e besueshme. Megjithatë, ngritja lartë e demagogëve të vegjël dhe kuriozitetet e tipologjisë orientale në epokën e quajtur të “Tulipanëve”, janë fakte absolute. Rrëfimet, deri në detaje të ngjarjeve janë në përputhje me kronikat turke. Një argument i tillë, sikur është ai i Halilit me një karakter të të huajit të rezistueshëm, ka ushtruar ndikim te ky autor, i cili është zëdhënës i romantizmit, gjithnjë i gatshëm për kontraste dhe befasi. Në anën tjetër, episodet e përgjithshme të romanit “Trëndafili i bardhë” dhe përshtypja e tmerrshme për zhvillimet e ngjarjeve në Saraj, në pjesën më të madhe, edhe nëse jo krejt, janë përshtypje të autorit, të denja për rrëfimet e librit të “Një mijë e një netëve”.


Në origjinal “Trëndafili i bardhë” me nën titull “Halil Patrona”, libri për të herë të parë është botuar në titull: “Ditët e fundit të jeniçerëve” një roman i publikuar për herë të parë në Peshti, në tri vëllime, në vitin 1854. Këto dy rrëfime janë mirë të specifikuara, dhe qysh atëherë i përkisnin  një tërësie por shpeshherë janë publikuar  ndaras. Kompania “Jarold e Figli” i botoi në një seri në vitin 1898. Duke vjelë përfitimet e shumta, të cilat kanë rrjedhë nga këto rrëfime, krejt këto  kanë qenë pastaj një dëftesë për të mbështetur idenë  time si kundërvënie, për t i vënë romanit një emër të ri “Halil Thashethemaxhiu”  anglisht (“Halil the pedlar”) meqë  karakteri i  tij mbi të gjitha ka qenë me fat.


 


Keni vërejtur se me çfarë cinizmi flet për Halil Patronën përkthyesi anglez, i cili kurrsesi nuk do të pajtohej, që një jeniçer shqiptar të idealizohej deri në atë masë, edhe nëse ka qenë i tillë. Në anën tjetër po ky përkthyes pranon paturpësisht, përfitimet e tij nga shitja e librit dhe ndërrimin e titullit nga origjinali, me të vetmin qëllim, për t iu kundërvënë idealizimit, që i ka bërë figurës historike të Halil Patronës, shkrimtari gjenial hungarez, Jokai Mor.


Ngjashëm me cinikun, Nisbet Bain, ka shkruar edhe shqip-shkronjësi, Ben Blushi në romanin e tij “Të jetosh në ishull” ku e poshtëron Halil Patronën ashtu sikur poshtëron e fyen paturpësisht  të gjitha personalitetet shqiptare të besimit islam, që nga Skënderbeu, Ali Pashë Tepelena e deri te Ismail Qemali, ndërsa lavdëron dhe ngrit në qiell, sidomos vojvodët e vozhdët  serbë dhe shqiptarët e krishterë të derës së Arianitëve.


Në enciklopedinë franceze, Halil Patrona paraqitet si përbindësh, vetëm për faktin se kishte plaçkitur e djegur 140 shtëpitë e dëfrimit, të ndërtuara me leje të Sulltan Ahmedit të Tretë, në vendin e quajtur “Ujërat e Ëmbla” në Stamboll, në ndërtimin e të cilave kishin marrë pjesë inxhinierët e njohur francezë të ndërtimtarisë.


I përmenda vetëm këto tri raste, ku përçmohet lavdia e madhështia e një shqiptari, i cili të pamundshëm dhe e kishte bërë të mundur. Halil Patrona është personaliteti i parë dhe i vetëm, i cili me mobilizimin e masave të shtypura të Stambollit dhe me mbështetje të jeniçerëve shqiptarë, e ka ndërruar nga froni një Sulltan, ashtu sikur është Milush Nikollë Kopiliqi i vetmi luftëtar që ka therë me thikë një sulltan gjatë tërë historisë së Perandorisë turke. Thuhet se nga zemërimi që nuk e kishte marrë dot kalanë e Krujës, kishte ndërruar jetë në Edrene, Sulltan Murati i Dytë, në kohën e Skënderbeut.


Dhe për fund të fjalës sime mbetet të them këtu para jush se historia e jeniçerëve të Perandorisë turke, merr hov me Skënderbeun, Gjergj Kastriotin, kulmon me kryengritjen e Halil Patronës dhe shuhet  me prerjen e kokës së jeniçerit që ishte bërë pasha, Ali Pashë Tepelenës. Katër vjet pas prerjes së kokës së Ali pashait, sulltani kishte nxjerrë një dekret me të cilin  shfuqizoheshin formacionet e jeniçerëve.


 


Të nderuar pjesëmarrës!


 


Në 280-vjetorin e kryengritjes së Halil Patronës në Stamboll, ne, sot, këtu në Amfiteatrin Kombëtar Universitar të Prishtinës, po përkujtojmë një kryengritës shqiptar nga Hurpishti, dikur qytezë dhe sot një lokalitet, që nuk gjendet dot në gjeografinë aktuale në Maqedoni, ndërsa vepra e tij, e njohur mirë në Turqi dhe në tërë botën, nuk është e shënuar në tekstet tona të historisë. Velloja e zezë e harresës megjithatë është grisur, ndërsa, ne kërkojmë nga institucionet tona që ta fusin në tekstet i historisë këtë kryengritës me gjak arbri, i cili dridhi Perandorinë me kërkesa sociale, morale dhe njerëzore, shembuj këta që rrezatojnë humanizëm dhe vështirë se mund të gjenden raste analoge si këto në tërë historinë.


Ju faleminderit!

Kontrolloni gjithashtu

Shqipëria fillon restaurimin e trashëgimisë kinematografike

Procesi i restaurimit të trashëgimisë kinematografike në Shqipëri ka një rëndësi të madhe për ruajtjen …