Adem Demaçi

Ahmet Qeriqi: Humanizmi, Atdheu, Liria, kredo jetësore dhe krijuese të Adem Demaçit

Jemi mësuar që Demaçin ta vlerësojmë në radhë të parë si simbolin e gjallë të rezistencës kombëtare, shqiptarin e pathyeshëm dhe më meritorin ndër të gjallët për lirinë e Kosovës. Jemi mësuar tashmë me  paraqitjet e tij realiste, qëndrimet e tij të drejta, shpeshherë të ashpra, por gjithherë  të vërteta, të shëndosha, të pastra  dhe pa paragjykime.

Të rrallë janë ata shqiptarë, që duke përcjellë paraqitjet e tij në opinion nuk kanë pyetur, se ku e merr tërë atë energji ky kalorës i fjalës dhe i mendimit të lirë? Çuditërisht, Demaçi ka manifestuar dhe manifeston një energji të brendshme e të thellë shpirtërore, e cila e ka përcjellë gjatë tërë jetës, në trajtën e një  dhuntie hyjnore, si virtyt universal, si fenomen i llojit të vet.

Demaçi, në botën e tij të pasur, ishte përplot  me energji krijuese e meditative, gjithnjë  energjik, i paepur, i sinqertë por edhe i ashpër, sipas momentit dhe rastit, kurdoherë i dashur për popullin, të cilit shpeshherë ia qan hallin, duke ia kujtuar vuajtjet shekullore dhe duke ia fishkëlluar lehtë të metat e babëzitë. Dhe, duke e parë Demaçin si “homo politicus” në njëfarë mënyre krijimtaria e tij letrare artistike ka mbetur nën hijen e kësaj, edhe pse është krijimtari e thellë dhe e mirëfilltë artistike, dhe tërësia e saj e deritanishme, nga të gjitha pikëpamjet ideore, artistike, stilistike e gjuhësore, e radhit në “sofrën” e parë të krijuesve kombëtarë  e më gjerë. Tregimet dhe romanet e Adem Demaçit janë po aq të veçanta në letërsinë tonë, sa është i veçantë edhe vetë autori në jetën dhe disidencën politike të tij.

Dikur shkrimtar i ndaluar dhe i persekutuar nga regjimi jugosllav, Demaçi ka qenë shkrimtari më i lexuar për afër 30 vjet në Kosovë e më gjerë, deri në vitet ‘90, kur u lirua nga burgu dhe kur vepra e tij kishte filluar të ribotohej.

Ishte kështu, në një masë, ndoshta edhe për faktin se veprat e tij ishin të ndaluara, por nuk është vetëm ky fakt, sikur pretendojnë ta interpretojnë  disa kritikë hileqarë dhe hipokritë. Tregimet e përmbledhjes “Kur Zoti harron”, pastaj romani antologjik “Gjarpinjtë e gjakut”, romani “Libër për Vetë Mohimin”, “Heli e Mimoza” “Tung, vargu im” “Dashuria kuantike e Filanit” përbëjnë një opus tërësisht origjinal krijues, në të gjitha segmentet e krijimtarisë letrare, artistike.

Demaçi në letërsi ka ecur  me kohën. Ai ka filluar të shkruajë tregime me temë sociale, pikërisht në akord me periudhën e vuajtjeve të mëdha dhe katrahurës së varfërisë, që i kishte pllakosur shqiptarët, ndërsa në romanin e tij të fundit, “dashuria Kuantike e Filanit” ai ka shkruar një roman modern, një roman të personazhit, duke thyer klishetë e ndërtimit të romanit tradicional. Me rastin e shënimit të 50 vjetorit të botimit të romanit të tij “Gjarpinjtë e gjakut” Demaçi ka thënë: “Krijimtaria ime ka qenë dhe ka mbetur thellësisht politike, por jo e shkruar në mënyrë politike, por në mënyrë artistike. Politika ka qenë ajo që me ka shtyrë, të merrem me letërsi, sepse ishte e pamundur që idetë e mia politike t’i plasoj ndryshe në turmat shqiptare, përveç nëse duke ia mbështjellë me njëfarë sheqeri”. (Minire Berisha). Ndërsa shkrimtari, Abdullah Konushevci e vlerëson Demaçin si njërin nga prozatorët më të mirë të prozës shqiptare në vitet pesëdhjetë. Ai shkruan se  tregimet e tij të botuara gjatë viteve 1953-1958 ishin intonime sociale e psikologjike për fatin e individit dhe atë kolektiv. Ndërkaq, ligjërimin poetik të Demaçit e vlerëson si një alter ego e miqve të tij krijues, një përkushtim për ta, ndërsa lirikën si dritë e shpirtit, pa patetikë, retorikë e kozmetikë.  Duke folur për romanin “Gjarpinjtë e gjakut” studiuesja, dr. Sabile Keçmezi-Basha thotë seProza e Adem Demaçit, si kjo e romanit “Gjarpinjtë e gjakut”, imponohet me ide, ofron mesazhe historike e aktuale dhe, mund të themi se së pari është një dokument artistik i kohës ku sublimohet fryma e situatave ekzistenciale, dhe, së dyti, ky roman  ka sublimuar  një substrat, që do ta quaja historik, dhe që vazhdimisht përsëritet në jetën e brezave. Si i tillë, ky roman del se është zë i ndërgjegjes së një kohe, i cili arriti të identifikohej me kolektivitetin e vet nacional, me fatin dhe tragjiken e tij historike. Mirëpo, s’është vetëm refleksi etik ai që e përvetëson lexuesin. Proza e Adem Demaçit sjell një vizion autorial, vizion prozaik, ku shkrihet historia, miti, legjenda, përvoja e vet autorit, theksimet e së kaluarës dhe tragjikja e atyre viteve. Dr. Sabile Keçmezi-Basha: Karakteri historik i romanit të Adem Demaçit “Gjarpinjtë e gjakut” “Zemra shqiptare” (17.05.2010.)

 

II. Romani,“ Dashuria Kuantike e Filanit”, në simbiozën e ideve humaniste

 

Romani i Demaçit, “ Dashuria Kuantike e Filanit” është roman tipik i personazhit si për nga modelimi i kompozicionit artistik ashtu edhe nga përmbajtja që trajton, në evokim të së kaluarës. Diskursi modern i komunikimit i akordon rrëfimit të dramës jetësore përmes kujtimeve, duke i shkrirë këto dy segmente në tërësinë e rrëfimit të thjeshtë, të çiltër, gjithnjë realist në përshkrimin e situatave duke e dimensionuar ngjarjen me elemente të reja narracioni. Kjo mënyrë e qasjes artistike, konsideroj se  ka qenë përzgjedhja më e mirë për të komunikuar me lexuesin, dhe në këtë drejtim Demaçi ka treguar se e njeh dhe i përcjellë me vëmendje të arriturat letrare e artistike bashkëkohore. “Nëntë letrat elektronike drejtuar Dardhës” janë themelet e romanit, janë shtyllat kryesore të godinës, ku shkrimtari, me shumë sukses, ka sintetizuar përvojën e tij jetësore si qëndrestar, idealist dhe krijues, në raport me kohën dhe njerëzit, në raport me të dashurit, por edhe me ata që nuk e duan, me ata që  bëjnë përpjekje të pareshtura për t i shkaktuar  plagë shpirtërore por edhe fizike, atij vetë dhe të gjithë atyre që nuk i përshtateshin dhe nuk i përshtaten regjimeve autarkike e despotike.

Filani, është ai që nuk i gjykon të tillët, madje as i urren, mbase duke pasur për bazë një segment të mesazhit biblik, që përmblidhet me fjalët: “Fali o Zot se nuk dinë çka bëjnë”. Në këtë raport, romansieri ka ndërtuar tipin e personazhit unikat, tipin e idealistit të pamposhtur, i cili në çdo çast, në çdo situatë e zotëron veten dhe i ruan të tjerët nga vetvetja e tij.  Filani, është ajo pika e pa zhdukur e Universit, është ADN-ja e patretshme, “është arsyeja që qëndron në ballë të Universit”, është piedestali ku arrin vetëm idealisti, në përpjekjet e tij  jetësore  për liri, barazi, drejtësi, që është korpusi unik i vendosur mbi principet e vetme, të cilat mund ta sjellin paqen e përgjithshme njerëzore… Filani është i gatuar me brumin e  njerëzisë dhe si i tillë, i lindur, i rritur, i edukuar ai ka arritur ta kuptojë me kohë se, njeriun  në jetë e mban besimi në të drejtën dhe në të vërtetën, duke lënë anash kënaqësitë e jetës, duke e bërë zap lakminë negative, duke mos pranuar nga jeta, atë që nuk të takon, duke mos lakmuar flakën e kashtës, e cila përhapet shpejt, por edhe shuhet përnjëherë, duke lënë prapa hirin  e zi, sterrë.

Romani “Dashuria Kuantike e Filanit” shquhet në radhë të parë për etikën humaniste, njerëzore, me porosi të qarta, që burojnë nga jeta, nga ligjet e saj universale.  I ngujuar nëpër qeli e kazamate burgjesh të ish-Jugosllavisë, Filani ngrys ditët, muajt e vitet, gjithnjë duke qëndruar vertikalisht, duke mbajtur qëndrim të fortë kombëtar dhe duke mos u sprapsur as edhe një herë nga idealet e shenjta njerëzore për: barazi, drejtësi, liri, duke mos u ndarë për asnjë çast nga kërkesat për çlirim dhe bashkim kombëtar mbi principet universale të Vetëvendosjes së popujve.

Në përballim me hetuesit dhe inspektorët e sigurimit, ai është krejtësisht i qartë dhe krejt i pandjeshëm ndaj ofertave të tyre. Filani është i vetëdijshëm se nuk ka kryer vepër penale. Këtë e dinë edhe inspektorët, por ai nuk pranon t’ i ndërrojë bindjet  e tij, qoftë edhe sa për sy e faqe, sa për të dalë nga burgu, sikur kishin bërë shumë të tjerë, para dhe pas tij. Ai, në qenien e tij ishte përgatitur për t’iu bërë ballë katrahurave e  rrebesheve jetësore, i bindur se vetë Krijuesi e kishte përzgjedhur për të kryer një mision të tillë, në dobi të kombit dhe të njerëzimit. Në një rrugë të tillë, të gjatë, të jetës së tij, Demaçi nuk do të thyhet asnjëherë, dhe ky qëndrim i tij i patundur, i çeliktë, e shquan atë dhe e vendos në piedestalin e idealizmit, duke e bërë shembull heroizmi për së gjalli.

Përshkimi i jetës nëpër burgje në dukje është fragmentar, por me elemente të pasura narrative, me përshkrim situatash e konfliktesh të përhershme në raport: i burgosuri me të burgosur të qelisë apo dhomës së përbashkët, në raport me  gardianët, inspektorët, drejtorët e  burgjeve etj, pastaj me personazhe të burgosurish shqiptarë, por edhe të burgosur të kombeve e kombësive të tjera të Jugosllavisë, të cilët kishin rënë ndesh me ligjin e regjimit dhe vuanin dënimet e rënda nëpër burgje, për veprat e ndryshme që kishin kryer, apo të cilat ua  kishin veshur.

Filani është i afërt me të gjithë dhe nuk shpreh urrejtje në pikëpamje kombëtare, nuk paragjykon, por paraqitet tejet komunikues dhe mban qëndrim parimor, si ndaj të burgosurve shqiptarë, me të cilët burgjet ishin të mbushura përplot, ashtu edhe ndaj të burgosurve të tjerë. Në raport me njerëzit e regjimit, ai është shumë i qartë dhe diskret, por edhe me ta komunikon lirshëm, duke u dhënë të kuptojnë se sa më shumë që e trashin zullumin, aq më të afërt e kanë mbarimin, sa më shumë që e mbajnë ngujuar atë, e bëjnë edhe më të vendosur dhe gjithnjë këmbëngulës në qëndrimet e tij.

Duke qenë se për nga zhanri, “Dashuria Kuantike e Filanit” është roman personazhi, është krejt e natyrshme që ngjarjet të sillen rreth tij, meqë ai është edhe strumbullari i rrëfimeve, përmbajtjes dhe strukturës ideore të romanit.

I shkruar në formë të thjeshtë, në formë letrash shpjeguese, drejtuar Dardhës,

Filani arsyetohet për qëndrimin e tij të prerë në raport me të, për shkak se e kaluara nëpër burgje ka krijuar një vakum të gjatë, në jetën e tij,  një ndërprerje shumë të gjatë të rrjedhës normale njerëzore, në aspektin fizik dhe pikërisht për shkak të kësaj të kaluare të gjatë, nëpër burgje, asgjë nuk mund të rikthehej më në vendin e vetë. Filani është i vetëdijshëm se pjesa joshëse e hireve dhe kënaqësive individuale ka kaluar përgjithmonë, andaj ai ndien nevojë të shpjegojë, për se ka marrë një qëndrim të tillë, përse ka vendosur ta braktis Dardhën, duke shpjeguar se këtë e ka bërë me qëllim për ta shpëtuar atë dhe vetveten.

Demaçi ka arritur që filozofinë e tij shumë të preferuar iluministe-idealiste, të stisur mbi principet e ligjeve të jetës, ta sintetizojë në këtë vepër madhore, e cila ruan në vetvete freskinë e shpirtit njerëzor, dhuntinë e  jetës, qoftë edhe të ngujuar brenda katër mureve të errëta e të lagështa nëpër qeli e kazamate, sepse jeta është dhunti hyjnore, dhe njeriu nuk ka të drejtë t’ia marrë tjetrit. Dhe nëse ia merr, ai, merr edhe një pjesë të tij të jetës, pavarësisht se si e bën këtë për përfitime individuale apo politike.  Demaçit i dhimbsen persekutuesit, meqë beson se ata janë të manipuluar, janë pjesë e ingranazhit të dhunës dhe si të tillë janë vegla fatkeqe.

Shkrimtari, Adem Demaçi në veprën e tij “Dashuria Kuantike e Filanit” mendoj se ka sintetizuar me sukses  një pjesë të filozofisë së tij jetësore në kërkim të së vërtetës, filozofinë  e tij autentike të jetës, e cila përshtresohet nga  dy segmente të fuqishme bazike, arsimimin dhe vetë-arsimimin  e tij të gjatë nëpër burgje, aq të gjatë në kohë, sa realisht ka mjaftuar për të kryer  10 fakultete, të cilat ai  edhe i ka kryer gjatë studimit dhe  leximit të pandërprerë të literaturës botërore. Këtë  dije enciklopedike Demaçi e shpreh  kudo, në çdo bisedë të çdo teme apo përmbajtje, meqë bota e tij shpirtërore e intelektuale është pasuruar me përvojën jetësore nëpër burgje, por  dhe në “liri”. Arsimimi dhe vetë-arsimimi i Adem Demaçit kanë dhënë si rezultat një tipologji të veçantë, të krijuesit dhe intelektualit të kompletuar  edhe në vrojtimin e definimin e raporteve, të cilat i ka marrë në shqyrtim në romanin e tij të fundit, Dashuria Kuantike e Filanit.

 

 

III. Përmbledhja me tregime  “Kur Zoti harron, një libër që kurrë nuk harrohet”

 

(Duke rilexuar rrëfimet e para të shkrimtarit dhe simbolit të rezistencës kombëtare shqiptare, Adem Demaçi)

Përmbledhja me rrëfime “Kur Zoti harron” e autorit të mirënjohur të letërsisë shqipe, Adem Demaçi, e botuar në vitin 1990 gjithsesi se është një vepër antologjike e prozës sonë, e cila kishte filluar të krijohej në Kosovë në vitet 50 të shekullit të kaluar.

Po bëhen 55 vjet qyshkur Adem Demaçi e ka shkruar tregimin e tij të parë, “Te xha Sakipi”, botuar asokohe në revistën letrare “Jeta e re”. Dhe prej vitit 1953, kur u botua rrëfimi i tij i parë, në historinë e Kosovës do të shquhej ky emër i veçantë, i cili do të bëhet i njohur jo vetëm në Llap, ku kishte lindur apo në Prishtinë ku ishte rritur, shkolluar dhe frymëzuar, por ky emër i veçantë dhe shumë meritor i kombit tonë do të bëhet shumë i njohur për të gjithë shqiptarët dhe jo vetëm për ta.

Ishte në radhë të parë talenti, por edhe shumë veti e virtyte të tjera, që i disponon shpirti i këtij njeriu, të cilat bënë që ky emër të mbetej përgjithmonë një emër i veçantë, i dashur, i nderuar, i respektuar, për të gjithë liridashësit e kombit tonë, një emër po ashtu i përveçëm, me të cilin lidhet tërë historia jonë e rezistencës, por edhe fillimet e prozës realiste shqiptare në Kosovë, ku krijimtaria letrare kishte filluar të zhvillohej me shumë vonesë, për shkaqe tashmë të ditura dhe mirë të kuptuara. Ky emër, do të mbetet i paharrueshëm edhe për regjimin okupator jugosllav dhe për të gjithë ata që në mënyra të ndryshme iu shërbyen ish regjimeve.

Adem Demaçi për shumë çka është simbol i shqiptarësisë liridashëse, është njeriu i cili edhe për së gjalli, me tërë dinjitet dhe kapital njerëzor e kombëtar po hyn lirshëm në pjesën më të shenjtë të historisë së kombit shqiptar.

Me qëndrimin e tij kurdoherë horizontal, me guximin e tij dhe fuqinë e vizionit u bë shembull tipik i njeriut të rezistencës, i cili frymëzoi sa e sa breza liridashësish, duke mbetur gjithmonë digë e pamposhtur në luftë për çlirimin dhe bashkimin kombëtar.

 

Fati i katandisur i shqiptarit

Rrëfimet e shkruara nga Adem Demaçi në vitet 50 të shekullit XX shënojnë fillimin e prozës realiste shoqërore në Kosovë, e cila burim frymëzimi kishte fatin e katandisur të shqiptarit të trojeve të robëruara të atdheut. Ashtu si dikur Migjeni, Nonda Bulka, Sterjo Spasse, Karl Gurakuqi, Demaçi e fillon krijimtarinë e vet letrare e artistike duke marrë pozicion realist, meqë në shpirtin e tij të ndjeshëm, më vonë revolucionar, ai do të brumoset me idealet e shenjta të çlirimit, për të mos u pajtuar kurrë me dhunën, robërinë, shfrytëzimin dhe denigrimin.

Si bir fshatari, Demaçi ka trashëguar një moral tradicional të vlerave. Si bir i një populli të shtypur e të katandisur, ai qysh në fëmijëri kishte arritur të identifikonte shkaktarët e vërtetë të shtypjes dhe shfrytëzimit, duke mos u ndalur vetëm në konstatimin si të tillë, por duke bërë tutje, fillimisht me publikimin e tregimeve e romaneve, më vonë me forma dhe metoda të tjera. Me kohë ka marrë guxim qytetar dhe intelektual me qëllim që ta denonconte pabarazinë shoqërore dhe këtë fillimisht e bëri përmes rrëfimeve, të cilat u lexuan dhe u komentuan me shumë interes, si në kohën kur u shkruan e po ashtu edhe më shumë në kohën kur regjimi titist i futi nën embargo dhe ndalonte leximin e veprave të tij.

Në anën tjetër, pikërisht këto tregime bënë që regjimi të hapte dosjen për këtë intelektual, i cili edhe pse kishte studiuar në Beograd nuk do të bëhej vegël e regjimit, sikur mjerisht u bënë shumë nga bashkëkohësit e tij, shumica prej të cilët nga Beogradi në Kosovë sollën edhe frymën sllave të mendimit, të krijimtarisë dhe të mentalitetit të tillë.

Frymëzimin dhe orientimin për të shkruar i mori nga gjendja tejet e rëndë e klasës së shtypur të asaj kohe. Demaçi, kishte goditur në shenjë, që në rrëfimet e para, meqë krejt lirshëm pasqyronte një realitet mizor, i cili kishte goditur sidomos shtresat e varfra të popullatës shqiptare, që kishte rimbetur nën pushtimin jugosllav. Kjo popullatë kishte mbetur në shënjestër të goditjeve nga nacional-shovinizmi serb, madje edhe nën maskën e bashkim vëllazërimit, socializmit dhe komunizmit jugosllav pas Luftës së Dytë Botërore.

Për dallim nga shkrimtarët e tjerë të kohës, të cilët në veprat e tyre glorifikonin politikën e vëllazërim bashkimit, duke kopjuar dhe duke përkthyer sa e sa vepra të autorëve serbë e sllavë, duke u frymëzuar nga heroizmat partizane të Kozarës e të Sutjeskës, Demaçi nuk ra në kurthe të tilla, sepse nuk kishte ambicie për të qenë pjesë e pushtetit, as për të vjelë favore duke shkruar dhe duke lajkatuar regjimin.

Ai mendonte esëll.

E shihte, e ndiente dhe e përjetonte rëndë pabarazinë shoqërore, e cila kishte goditur në radhë të parë shqiptarët. Dhe pikërisht këtu ai do të ndalej, jo vetëm për të menduar e për të konstatuar, por edhe për të vepruar fillimisht duke shkruar rrëfime, duke nxjerrë në sipërfaqe shembuj konkretë, të veshur me petkun dhe metodat shprehëse të letërsisë, e më vonë duke hartuar edhe plane e duke bërë organizime për rezistencë, liri dhe bashkim kombëtar.

 

IV. “Heli e Mimoza”

 

 

Proza e shkrimtarit Adem Demaçi prej fillimit të krijimtarisë së tij, në vitet ’50 të shekullit XX e deri tani, ka qenë dhe do të mbetet një prozë përmbajtësore, me tematikë të angazhuar, qoftë në aspektin shoqëror, ashtu edhe në atë kombëtar e meditativ.

Tregimet e para të botuara më vonë nën titullin: “Kur Zoti Harron” kanë qenë tregimet më të thella sociale të regjistruara në letërsinë shqipe, që kishte filluar të zhvillohej në vendin tonë, qysh në vitet e para të pas Luftës së Dytë Botërore.

Adem Demaçi një emër shumë i njohur, jo vetëm për botën shqiptare, i mirënjohur për qëndresën, guximin dhe atdhetarinë e tij të dëshmuar, është po ashtu i njohur edhe me disa vepra të shquara letrare e artistike, në mesin e tyre tri romane: “Gjarpinjtë e gjakut”, që konsiderohet se romani më i mirë i letërsisë shqipe të shkruar në Kosovë, në vitet 50-60 të shek XX, pastaj romani shumë i brumosur me ide humane, i shkruar pas lirimit nga burgu 27 vjeçar, i titulluar “Libri për vetëmohimin” dhe pjesa e parë romanit të sapobotuar “Heli e Mimoza”.

Vepra letrare artistike e Adem Demaçit është një sintezë e përpjekjeve, për ta shprehur botën meditative dhe filozofinë e tij të thellë humaniste përmes mjeteve dhe shprehjeve gjuhësore të romanit. Në këtë drejtim, Demaçi krijues, ka arritur të sendimentojë artistikisht një mori vlerash morale, në esencë humane, vlera këto të përgjithshme njerëzore, të cilat iu nënshtrohen dhe gjithnjë janë në akord me “ligjet e jetës”.

Në krijimtarinë e deritanishme letrare artistike, në skicat, rrëfimet dhe romanet e tij, Demaçi ka arritur të shpreh një pjesë të shpirtit të tij krijues, të shpreh një pjesë të botës së tij të pasur ndiesore, ka arritur të segmentojë fragmente nga filozofia e tij meditative dhe krijuese, të cilën e ka gjurmuar prore dhe ka arritur ta vjelë, sikur vjel bleta nektarin.

I çiltër në jetë, i thjeshtë në thjeshtësinë e tij meditative filozofike, gjithnjë i guximshëm, rrënues i pamëshirshëm i censurës dhe pengesave ideologjike, Demaçi, po i tillë lajmërohet edhe në krijimtarinë e tij artistike. Ai e njeh mjaft mirë artin letrar, ashtu sikurse e njeh edhe jetën, dhe sfidat me të cilat ballafaqohet ajo. Në çdo situatë, me të cilën e ka ballafaquar jeta, Demaçi ka gjetur modelin e ballafaqimit, por edhe të tërheqjes në raste të caktuara, i prirë kurdoherë nga filozofia e tij jetësore, e cila buron nga erudicioni i tij, nga literatura që ka lexuar dhe nga burimet e shumta të informimit, mbi të cilat e ka pasuruar kredon e tij meditative krijuese.

Pjesa e parë e romanit “Heli e Mimoza” trajton një segment të zhvillimeve shoqërore e politike në fillimin e zgjerimit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në pranverë dhe në verë të vitit 1998. Përmes dialogëve në raport: djali dhe ëma, (Heli- Shega), studentë e shokë të pandarë: (Heli – Mimoza), dhe bijë e baba: (Mimoza e Azem Zeqiri me të tjerë), Demaçi ka përmbledhur zhvillimet në kohë dhe hapësirë, duke mbarështuar në roman ngjarje nga jeta e përditshme, si dhe duke i sintetizuar ato si ngjarje që kanë rrjedhën e vetë si shkak pasojë, rrjedhën e ligjeve të jetës së përhapur në universum, rrjedhën e luftës së përhershme të ballafaqimit të të kundërtave, negacionin e negacionit. Demaçi krijues, tashmë disponon një filozofi të fuqishme të komunikimit letrar artistik mes personazheve, duke i përjetësuar ata letrarisht si pjesë të një tërësie, ku ata ballafaqohen me sfidat e jetës, me të priturat e të papriturat saj, me të rëndomtat e ngjarjet e jashtëzakonshme. Këndi nga ku Demaçi e vrojton realitetin, të cilin e përshkruan në roman, është një kënd autentik, i cili buron nga filozofia e tij jetësore, nga ligjet e natyrës e të Zotit, nga pjesëzat e shkëputura si dhe nga pjesëzat dhe tërësia e kuantumeve. Gjithçka në jetë dhe në natyrë ndodhet në kauzalitet të përjetshëm, ndodhet në një lidhje organike mes së kundërtave, në mes së mirës dhe të keqes, në mes të dritës dhe errësirës, në luftën e përjetshme të të kundërtave, mbi principet, në të cilët ekziston jeta, lëvizja, ligjet e natyrës, ligjet e jetës dhe të lëvizjes, universi…

Romani “Heli e Mimoza” është një roman realist, meditativ dhe psikologjik, që mëton të bëjë sintezën e ngjarjeve në një periudhë të caktuar, përmes protagonistëve të rrethit të ngushtë të Azem Zeqirit, i cili është edhe personazhi kryesor i veprës, i sintetizuar në përvojën dhe fatin jetësor të vetë shkrimtarit. Bartësit e ideve por edhe  dhe batutave jetësore janë njerëz të thjeshtë në dukje, por janë bartës të rrethanave të caktuara historike, të jetës së shqiptarëve nën robërinë serbe e sllave. Si të tillë, ata janë përshkruar si pasojë e robërisë së njerëzve të rritur në rrethana tejet të vështira të jetës. Shega, një grua malësore, e pafat në martesë, mezi e shpëton djalin nga tragjedia e sigurt, por i biri i vetëm, Heli i saj i dashur, mbetet me pasoja fizike gjatë tërë jetës. Ai mbetet gungaç në pikëpamje fizike, por ka një inteligjencë të jashtëzakonshme, dhe është i vetëdijshëm për gjendjen e tij. Ndërsa Mimoza është bija e një të burgosuri politik, e edukuar me norma morale pozitive, e çiltër, e pastër, besnike, e përkushtuar për brendësinë e shpirtit jetësor, e jo për ambalazhin, për mbështjellësin e jashtëm të atij shpirti. Ajo ka kuptuar esencën e jetës, duke qenë se në jetë ka përjetuar shumë të papritura në rrethana të caktuara. Ajo e dëshiron dhe e dashuron shokun e studimeve, Helin gungaç, sepse ajo e vëren gungën, si pjesë të formës së jashtme, ndërsa çmon përmbajtjen shpirtërore e njerëzore. Mimoza, nuk ka komplekse të natyrës borgjeze, të natyrës së rutinës dokësore patriarkale. Për më tepër, e edukuar nga mësimet dhe përvoja e babai humanist, ajo me vetëdëshirë do të sakrifikohet për Helin, për botën e tij të pastër ndiesore, për inteligjencien dhe talentin e tij, duke mos e vërejtur fare grushtin e pamëshirshëm me të cilin atë e ka goditur fatkeqësia. Mimoza, në dashurinë e saj të çiltër ka mbështetjen e babait humanist, por ajo ndeshet ashpër me të ëmën, Belkize, e cila në asnjë mënyrë nuk do të pranojë, që e bija e saj e vetme të bëhet nuse e një gungaçi.

Heroi kryesor i veprës është Azem Zeqiri një intelektual shqiptar, të cilin nuk e ka thyer burgu 27 vjeçar, përkundrazi e ka bërë të fortë, të qëndrueshëm, të çelikosur me ide humaniste e kombëtare. Ai tashmë është kthyer në ndërgjegje kombëtare, në sinonim të qëndrestarit të gjallë, të ideatorit, salvuesit dhe bërësit të një segmenti të lirisë. Ai tashmë është i vetëdijshëm se rruga e filluar nga ai vetë, e pasuar nga qindra e mijëra bashkëmendimtarë të tjerë, ka dhënë edhe frytet e para, të arrira, armët e para të lirisë të luftës heroike të UÇK-së. I vetëdijshëm për ndikimin që ushtron në radhët e çlirimtarëve, Azem Zeqiri bën edhe vërejtjet e para rreth organizimit të luftës, duke i dhënë përparësi luftës guerile dhe jo asaj frontale, e cila në kushte dhe rrethana të caktuara, fillimisht qe interpretuar si e padobishme.

Pjesa e parë e romanit “Heli e Mimoza” mbaron me marrjen e lajmit nga Azem Zeqiri për rënien dëshmorë të Fehmi Lladrovcit dhe Xhevë Krasniqit-Lladrovci.

Edhe pse vetëm si pjesë e parë, romani disponon tërësinë e duhur kompozicionale, është i pasuruar me të gjitha mjetet shprehëse që e shquajnë tërësinë e prezantuar në trajtë të një rrëfimi kompleks me stilin, gjuhën e pasur e të rrjedhshme, skalitjen e personazheve, e mbi të gjitha me përmbajtjen e thellë humaniste. Shpresojmë, që lexuesit, sa më parë t’i kenë në duar edhe pjesët e tjera të romanit.

Literatura:

  1. Hegel Fenomenologjia e shpirtit, BIGZ 1974.
  2. Kristë Maloku, Shteti apo kombi, Dardania Sacra nr.4. Prishtinë 2002.
  3. Selatin Novosella: Epoka e Adem Demaçit”, Prishtinë, 2009.
  4. Dr. Hakif bajrami:“Epoka e Adem Demaçit”, Prishtinë, 2009.
  5. Minire Berisha dhe Abdullah Konushevci, vlerësime kritike në 50-vjetorin e botimit të romanit “Gjarpinjtë e gjakut” të Adem Demaçit.
  6. Myrvete Dreshaj-Baliu, Begzad Baliu: Adem Demaçi dhe kulti i frymës së tij. 17. 4. 2012.
  7. Dr. Sabile Keçmezi-Basha: Karakteri historik i romanit të Adem Demaçit “Gjarpinjtë e gjakut”

Veprat e Adem Demaçit

Adem Demçi deri tani ka botuar këto vepra:

“Gjarpinjtë e gjakut” (roman), Jeta e Re, 1958.

“Gjarpinjtë e gjakut dhe novela të tjera” (zgjedhje), Nju-Jork, 1983.

“Gjarpinjtë e gjakut” (ribotim), “Zëri i Kosovës”, Zvicër, 1984.

“Gjarpinjtë e gjakut” (ribotim), “Lumi”, Lubjanë, 1984.

“Gjarpinjtë e gjakut” (ribotim i kthyer në gjuhën letrare), “Buzuku”, Prishtinë, 1990.

“Kur Zoti harron” (vëllim me tregime), Zëri i Rinisë, Prishtinë, 1990.

“Libër për Vet Mohimin” (roman), botoi autori, Prishtinë, 1994.

“Libër për Vet Mohimin” (ribotim), Rotanor Boksproduksjon AS, Skien Norëay, 1994.

“La metamorfosi di Vet Mohim” (përkthyer nga Nermin Vlora Falaski), Romë, 1995.

“Tung, vargu im”, “Rilindja”, Prishtinë, 2002.

“Heli dhe Mimoza”, Prishtinë, 2006.

“Dashuria kuantike e Filanit”, “Infopress” & “Buzuku”, Prishtinë, 2007.

“Alb Prometeu”, QNK “Arbnori”, Tiranë, 2008.

Kontrolloni gjithashtu

Blerim Metaj: SHQIPËRIA

Blerim Metaj: SHQIPËRIA

Ty Shqipëri ta puthi ballin, T’i njoh plagët e ta di hallin, T’i njoh dhimbjet …