Ahmet Qeriqi

Ahmet Qeriqi: I vetmi “virtyt” për të cilin na çmon Evropa, është durimi ynë gjenetik, historik

Ata që na bëjnë detyrimisht të durojmë, krye-parët e shteteve  anëtare të  organizatës globale  që quhet Bashkim Evropian,  kthehen dhe na lavdërojnë për durimin që kemi, pasi edhe pse na kanë injoruar historikisht,  sidomos  prej vitit 2008 kur kemi shpallur pavarësinë e deri tani,  aktualisht  kanë filluar  të na lavdërojnë, që jemi kaq të durueshëm, madje kjo disave ua ka humbur edhe durimin. Ky durim yni, autoritetet e BE-së i bën të arrijnë në përfundim  se përderisa shumica shqiptare  kanë durimin në gjene, mund të durojnë krejt  derisa Serbia të pajtohet me lëshimet që do t i bëjë Kosova.

Eurodeputeti, austriak, Lukas Mandl, ka ripërsëritur qëndrimet e tij përballë BE-së lidhur me liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Ai paska thënë se është  duke punuar shumë në këtë çështje por ka edhe kolegë nga vende të ndryshme evropiane që janë duke punuar po ashtu shumë në këtë drejtim. Unë pothuajse kam humbur durimin dhe e vlerësoj durimin që kanë shumë njerëz në Kosovë sepse është stërzgjatur kjo çështje. Liberalizimin e vizave e meriton populli i Kosovës, por  janë vetëm disa shtete anëtare të cilat akoma nuk janë bindur plotësisht për këtë ka thënë mes tjerash Lucas Mandl.

Disa nga zyrtarët e shteteve të Evropës mund edhe të habiten me të drejtë me durimin tonë kolektiv, për të cilin ne jemi, dhe nuk jemi sa duhet  të vetëdijshëm. Mendoj se shumica, as ka qenë as është e vetëdijshme për durimin, të cilin e ka me bollëk dhe kurrë nuk i bëhet vonë.

Edhe ne kemi armën tonë jetike, që nga koha e skllavërisë së moçme dhe gjithandej shekujve të robërisë e durimit, sepse vetëm me durim kemi arritur këtu ku jemi, shtrirë me shpinë përtokë dhe me dy gishta përpjetë. Jetojmë në  gjashtë shtete, në dy tonat, më të dobëtat e më të varfrat në Evropë dhe në katër shtete të gjitonëve tanë grabitçarë e vrastarë, të cilët falë durimit  tonë as janë ngopur as po ngopen, sepse ata qenkan  “të paqytetëruar e ne shumë të qytetëruar”, madje po të mos i thoshim  vetes, me eufemizëm pozitiv jemi bij të shqipes, fare mirë do ta shkonte të pranonin se jemi bij të durimit, bijtë e qyqes, e cila nuk e rregullon dot çerdhen për zogjtë e vet, por vezët i leshin në çerdhet e shpendëve të tjerë.

Durimi, ka qenë dhe është arma e më e fuqishme e skllavit, dhe kjo në përgjithësi  gjithnjë është çmuar  nga padronët e të gjitha ish  dhe tani regjimeve, globaliste, kapitaliste.

Durimi është fjala e parë e predikimit të çdo feje.

Këtu e gjen ngushëllimin shumica shqiptare.

Me durim dhe me kurriz të thyer arrihet gjithçka dhe krejt këtë që e kemi arritur do ta arrinim edhe “pa luftë”, por ja që historikisht del se kemi pasur disa të paduruar si Skënderbeu që nuk rrinte urtë  e butë në Pallatin e Baba Sulltanit, dhe e gjeti belanë me të gjithë të vetët tok. Shumë të tjerë pas tij duruan, madje duruan me stoicizëm e përkushtim për Dovletin edhe kur ua shkurtonin kokat

Edhe ashtu ne do të kishin pritur 500 vjet, ashtu sikur edhe kemi pritur, realisht.

Po ashtu i padurueshëm ishte edhe Ismail Qemali, ishte beg i uruari, guvernator, pasha, por nuk rrinte rehat dhe na shtini në “zahmet” të madh, sepse edhe ashtu do të liroheshim nga Turqia.

I tillë ishte edhe Enver Hoxha. Duhej të rrinte urtë e butë ashtu sikur bënë ballistët, zogistët dhe krejt istët e tjerë.

Edhe ashtu, sot në Shqipëri, një pjesë të madhe të pushtetit e kanë mafiozët, ballistët, kolaboracionistët e Mussolinit dhe të Hitlerit, durimtarët e denjë të asaj fjalës së urtë puro shqiptare, “qengji i butë i thith dy nëna”. I tillë është edhe Sali Berisha, i cili desh u çmend kur mësoi lajmin se në Itali ka fituar zgjedhjet, Gjorgjia Meloni një idealiste fashiste, një mbesë ideologjike e Mussolinit.

Edhe ne në Kosovë, duhej të kishim pritur, krejt derisa të dorëzohej Serbia, pasi në krye kishim durimtarin më të njohur të kombit deri në ditët tona. Po na prishi punë Adem Shaban Jashari dhe UÇK-ja, të cilët u nguten,  sepse me durimin tonë do ta kishim plasur edhe Serbinë deri tani, ashtu sikur i kemi plasur të gjithë pushtuesit.

Pikërisht, sepse jemi denbabaden bij të durimit “i kemi punët më mirë” se çdo popull tjetër.

Jetojmë të lirë e kënaqur, në gjashtë shtete dhe aq na bën.

Edhe Evropën një ditë do ta plasim me durimin tonë jetik, gjenetik.

Vetëm në një segment nuk kemi durim, nuk e durojmë dot njëri-tjetrin, por kjo  nuk u shkakton dëm fqinjëve as “miqve” tanë, përkundrazi.

Unë, lugat si hij’ e trazueme,

Trashëgimtar i vuajtjes dhe i durimit.

Endem mbi bark te malit me urinë  e zgjueme,

Dhe me klithma te pa kënaquna t’ instinktit. ( Migjeni)

 

 

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …