Ahmet Qeriqi: Këngë për heroizmin dhe tragjiken shqiptare

Ahmet Qeriqi: Këngë për heroizmin dhe tragjiken shqiptare

Ahmet Qeriqi
Ahmet Qeriqi

(Përmbajtja, ritmi dhe gradacioni i këngës  “Prej Prokupjes deri në Nish”)

Në opusin e këngëve të veçanta të cilat dallojnë me spikatje të elementeve krejtësisht të rralla dhe autentike, kemi veçuar për ta marrë në shqyrtim këngën e mirënjohur të traditës sonë të begatshme homerike, këngën dikur shumë të preferuar, këngën e tragjikes dhe heroikës shqiptare,  “Prej Prokupjes deri në Nish”.

Kjo këngë e krijuar përafërsisht 150 vjet më parë, këngë shumë e preferuar në të kaluarën  ishte ndaluar në periudhën e bashkim vëllazërimit të shqiptarëve me popujt sllavë, në periudhën e sundimit titist rankoviqist. Kënga fillimisht u hoq nga fonoteka e këngëve  historike të trimërisë, e etiketuar  si këngë nacionaliste, e cila  nxit urrejtje kombëtare dhe fetare. Duke qenë se kënga ka një gradacion dhe ritmikë tejet të pasur artistike, disa rapsodë të papërgjegjshëm ndërruan tekstin e këngës duke e vjedhur  melodinë dhe jo rastësisht, kënga për Maliq Pashën, u këndua si këngë për Marshall Titon. Mirëpo meqë kënga sillte në kujtesë një periudhë të luftës së përgjakshme shqiptaro-serbe, ajo përfundimisht u hoq nga fonoteka. Varianti i vetëm i këndimit u ruajt në fonotekën e Radio Tiranës, kënduar nga rapsodi Dervish Shaqa.

Kënga me përmbajtje historike,  Prej Prokupjes deri në Nish, apo sikur quhet ndryshe edhe “Kënga e Maliq Pashës”, është krijuar në kohën e luftërave të përgjakshme shqiptaro-serbe, të fillimit të shekullit të 19-të, të cilat zhvilloheshin me flamurin osman nën komandën e Maliq Pashë Gjinollit, njërit ndër pashallarët mjaft të njohur  të kohës.

Komandanti i luftës kundër kryengritësve serbë ishte Maliq Pashë Gjinolli, një pasha me origjinë shqiptare, por në të njëjtën kohë edhe shqiptar-vrasës. Megjithatë ai ishte në ballë të luftës kundër fillimit të zgjerimit të Serbisë mbi trojet shqiptare të Nishit e të Toplicës.

Serbët asokohe kishin fituar një gjysmë autonomie dhe vepronin në dy drejtime. Në planin politik e diplomatik ata e pranuan vasalitetin ndaj Portës së Stambollit, por në anën tjetër kishin aktivizuar komitët, hajdutet dhe të gjitha bandat të cilat vrisnin  e masakronin shqiptarë autoktonë në viset e tyre deri në thellësi të Serbisë së sotshme, duke i trajtuar si turq, meqë kishin pranuar fenë islame.

Dhe, pikërisht sepse ata kryenin krime kundër shqiptarëve autoktonë, shqiptarët nga viset e Kosovës, nën flamurin e Maliq Pashë Gjinollit shkuan bajraqe-bajraqe për të luftuar kundër zgjerimit të Serbisë, në kohën kur Porta e lartë kishte filluar të tregtonte me trojet shqiptare.

Në një variant të kësaj kënge e cila ruan një uniformitet të jashtëzakonshëm të stilit të këndimit, stigmatizohet madhështia fallse e Maliq Pashës, sepse

Ishte gjaku i Zeqir Rezallës apo i Zeqir Llaushës në fushë-betejë, ishte gjaku i vegjëlisë që derdhej rrëke, ishte Shpata e Dan Zatriqit përballë serbëve kryengritës, por nami për trimërinë dhe heroizmin  po i mbetej Pashë Maliqit. Nami për ato luftëra të përgjakshme i mbetej flamurit turk, ndërsa derdhej rrëke gjaku shqiptar nën komandën po ashtu të një shqiptari trim, në shërbim të Portës.

Jo vetëm njëherë kishte qenë e tillë historia e përgjakshme e së kaluarës,  jo vetëm njëherë shqiptarët kishin luftuar deri edhe në Krime e në Savastapol,  në Bjeshkë  të Uzdrumit e në shkretëtirën e Sirisë,  përtej Urës së Qabesë, deri në Guadalaharë e në Fuente del Ebro të Spanjës.

I tillë ishte fati tragjik e dramatik, në rrugë për të mbijetuar në natën e tmerrshme, të gjatë dhe sterrë të zezë  të historisë.

Kënga historike elegjiake, “Prej Prokupjes deri në Nish”, ka shumë veçanti krijuese që nuk hetohen në asnjë këngë tjetër të folklorit tonë. Ajo ruan origjinalitetin e kohës dhe hapësirës, ruan elementet më tipike të këngës homerike shqiptare, ruan në vetvete fatin tragjik të popujve tragjikë të Ballkanit, të cilët  jo vetëm njëherë për interesa të huaja iu vërsulën tmerrësisht njëri tjetrit. Në këtë këngë tipike thirravaje, shqiptare, këngëtari anonim popullor ka derdhur tërë gjenialitetin krijues, si në përmbajte ashtu edhe në ritmikë gradative të këndimit, në këndim vaji dhe heroizmi. Kjo është mbase e vetmja këngë shqiptare këngë e vaj, vaj e këngë, mall për jetë, e gjak për vdekje, Në këtë këngë janë sintetizuar të gjitha elementet e mundshme të akorduar në elementet më tipike të akordit muzikor, arkaik, të këngëve legjendare homerike.

Në këtë këngë hetohet hapërimi i përgjakshëm historik prej llogorit në llogor, duke luftuar ballë për ballë e perç për perç, me shpatë e singji, me kobure, e pushkë kapakli.

Është ndoshta e vetmja këngë e krijuar nga gjeniu popullor ku hetohet sidomos hapërimi fatal i historisë së përgjakshme shqiptare, lufta kundër dushmanit, lufta, jo për të pushtuar, por lufta e detyrueshme për të ekzistuar, lufta prej llogorit në llogor, prej Prokupjes deri në Nish, prej Uzdrumit në Guadalaharë,  gjithnjë në llogari të dikujt e shpeshherë në llogari të pushtuesit, apo të interesave të të mëdhenjve.

E tillë ishte historia shqiptare, e tillë është sintetizuar madhërisht, fatalisht dhe tragjikisht në këngën “Prej Prokupjes deri në Nish”.

Gjithnjë prej llogorit në llogor, në llogorin e parë, të dytë, të tretë e kështu me radhë.

Gjithnjë bajraqe që nuk po ngulen,

bajrqe të rënduara nga gjaku,

bajraqe që bien e ngrihen,

e bien sërish duke luftuar perq për perq,

ballë për ballë,

fyt për fyt,

me shpatë e thikë,

me ushtë e heshtë,

me jatagan e kacaturre,

duke ia marrë shpirtin njëri tjetrit,

duke ia këputur kokën për ta marrë trofe,

ashtu sikur bëjnë zakonisht njerëzit,

ashtu sikur bëjnë dhe sikur i kanë mësuar   të bëjnë, perënditë e tyre.

 

Kënga Prej Prokupjes deri në Nish, ka mbijetuar në kujtesën shqiptare si këngë vajtimi e mjerimi,

këngë heroizmi e fataliteti,

këngë e përjetësisë së përgjakshme shqiptare,

kënga e këngëve të tragjikes dhe heroizmit,

të hapërimit drejt jetës dhe theqafes,

drejt varrit dhe sërish duke ngelur në këngë,

duke luftuar për hatër të Vatanit, të vatanit të ndarë në gjashtë pjesë,

në gjashtë llogore të hapura për Zeqirin 17 vjeçar që e kishte ngulur krehrin në mish, meqë ishte mustaqe – padjerësitur dhe krehri si për ogur të keq, nuk i rrinte në mustaqe.

Dhe po të mos i rrinte krehri në mustaqe  nuk e trashëgonte dot flamurin e gjakut,  flamurin e fitores për namin e Pashë Maliqit,  për luftën kundër dushmanit e kundër qafirit,  edhe pse si dushman e qafir trajtohej nga po i njëjti pushtues,  të cilit edhe i shërbente edhe e luftonte, në të njëjtën kohë.  Flokët e Zeqirit, gjithnjë fije e fije,  të djersitura e të përgjakura,  të djegura nga flaka e pamëshirshme e luftës,

dhe pastaj bajraku plot gjak të cilin nuk e ngreh dot,

sepse as këmbët nuk i shkul dot nga llogori plot gjak,

sepse tymat janë përzier dhe nuk dihet më  kush kë po e ther,

nuk dihet kush për kë po jep shpirt…

E tillë ishte jeta shqiptare,

e tillë nëpër llogore gjaku prej Prokupjes deri në Nish,

në Kaçanik e n’ Boletin,

prej Janine në Stamboll, prej Vranine në Funete del Ebro.

I tillë si hapërimi tragjik, tejet tragjik i tragjedisë së përmotshme shqiptare.

 

 

 

Prej Prokupjes deri n Nish

 

Maliq Pasha n` atë dori

Ugurolla  moj Shqypni

Shqypnia shkojke fushës

Na e mbloj tymi i pushkës.

 

Maliq Pasha n` qallmë të bardhë

Ugurolla bajraktarë

Bajraku i Zeqirit

S po shihet prej tymit.

 

Prej Prokupje deri në Nish

Na u mbush fusha plot dervishë

Dervishlertë po luten,

Bajraqet s` po ngulen.

 

Hajde, hajde, Zeqir Llausha

Tre llagore në gjak i mbushe

-Ço Zeqir bajrakun!

-S mund po e luaj prej gjakut.

 

Kur i ramë llogorit t` parë,

Me qafirin ballë për ballë,

-Bini djem dushmanit!

-Për hatër të Vatanit!

 

Kur i ramë llogorit të dytë

Me qafirin fyt për fyt,

-Bini djem dushmanit!

-Për hatër t` Vatanit!

 

Kur i ramë llogorit të tretë

Me qafirin perq për perq

-Bini djem dushmanit

-Për hatër t` Vatanit!

 

Hajde hajde Zeqir Rezalla

Mos i del bajrakut përpara

-Bini ju djem e bini!

-Tymat t` jau përzieni!

 

Flokt` e Zeqirit  fije-fije

Mirë llogorit po na i bie,

-Ço Zeqir Bajrakun!

-S mund po e luj prej gjakut.

Kontrolloni gjithashtu

Shefqet Dibrani; Sylë Mujaj, arriti që dhembjen, vuajtjen, dhunën fizike e psikike, në burg, ta paraqesë në art figurativ

Me rastin e hapjes së Ekspozitës Personale të piktorit,  Sylë Mujaj  (15.09.2024 – 29.09.2024 / …