Ahmet Qeriqi: Kosova, një histori e shkurtër deri në pavarësi I

Ahmet Qeriqi: Kosova, një histori e shkurtër deri në pavarësi I

Ahmet Qeriqi
Ahmet Qeriqi

Kosova e sotme përfshin pjesën qendrore të Dardanisë së dikurshme ilirike, ndërsa territori i saj historik gjatë shekujve përgjithësisht shtrihej në sipërfaqen gjeografike të saj, e cila deri në deri në vitin 1912 ishte e njohur si Vilajeti i Kosovës dhe përfshinte rreth 60.000 km2.

Kosova e sotme e rrudhur gjeografikisht, sidomos  në shekullin XX tani shtrihet në qendër të Siujdhesës Ballkanike dhe kufizohet në veri dhe në lindje me Serbinë, në juglindje me Republikën e Maqedonisë, në jugperëndim me Shqipërinë dhe në perëndim me Malin e Zi. Ka një sipërfaqe prej 10.908 km² dhe popullsi prej 2 milion e 200 mijë banorë. Kryeqyteti dhe qendra më e rëndësishme e vendit është Prishtina, Shumica dërrmuese e popullsisë, rreth 90 për qind  janë shqiptarë, ndërsa pakicat e tjera kombëtare janë serbë, turq, boshnjakë, romë, ashkalinjë dhe egjiptianë.

Kosova, apo Dardania e dikurshme  është pjesë përbërëse e  qytetërimit të lashtë iliro-dardan dhe e zhvillimit të gjuhës shqipe si pasardhëse në vazhdimësi e  gjuhës së moçme  ilire. Gjuha shqipe dhe etnosi shqiptar del të jetë formuar në qendër të Ballkanit, në trekëndëshin Sofje, Nish, Shkup, që përfshinte edhe Ulqinin, Shqipërinë e sotme deri në More.

Në shekujt e parë të epokës së re ishte themeluar Mbretëria Dardane, ndërsa më vonë, pas rënies së tërë rajonit të Ballkanit nën Perandorinë romake kishte filluar edhe shfrytëzimi i resurseve natyrore nga Perandoria e Romës deri në shekullin e VIII.

Pastaj kishte ndodhur dyndja e sllavëve në Ballkan, shkizma e Perandorisë në Lindje dhe në Perëndim dhe periudha e sundimit të Bizantit.

Në vitin 1389 në trojet e sotme të Kosovës ishte zhvilluar ndeshja e parë e madhe mes forcave të krishtera të Ballkanit, të përbëra nga shqiptarët, sllavët, boshnjakët, hungarezët, polakët  dhe disa vendeve të Evropës kundër dominimit  të Perandorisë Osmane.

Përpjekja e dytë për çlirimin e viseve të Kosovës, apo sikur njihet Beteja e Dytë e Kosovës e vitit 1448 kishte shënuar edhe rënien definitive të Kosovës dhe të një pjese të madhe të vendeve të Ballkanit nën Perandorinë turke.

Bashkimi i principatave shqiptare u bë me formimin e Shtetit të Arbrit nga Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në vitin 1444.

Viti 1478, me rënien e Shkodrës shënon kohën troje shqiptare kishin rënë në sundimin turk.

Prej vitit 1478 e deri në vitin 1912 trojet shqiptare në Ballkan kanë qenë nën Perandorinë turke. Një pjesë e madhe e shqiptarëve kishin pranuar islamin dhe kishin marrë pjesë edhe në jetën administrative, politike  e ushtarake të Perandorisë.

Në fillim të shekullit XIX, shqiptarët kishin nën qeverisje dy pashallëqe të mëdha, ku bënin pjesë trojet e katër vilajeteve të njohura të Rumelisë, apo të Arnautistanit.

Pashallëku i Janinës, në krye me Ali Pashë Tepelenën përfshinte pjesën më të madhe të Greqisë së sotme, Çamërinë deri në More, Shqipërinë e Jugut  e të lindjes deri në Manastir e Selanik. Pjesa veriore e trojeve shqiptare ishte në qeverisjen e Pashallëkut të Shkodrës, që shtrihej në pjesën verore të vendit Ulqin, Plavë, Guci  deri në Sanxhak e deri në Nish.

Në përpjekje për të bashkuar katër vilajetet shqiptare të Rumelisë, të cilat rrezikoheshin nga pushtimi i shteteve sllave e evropiane, për shkak të dobësimit të Perandorisë Osmane, sidomos pas humbjes fatale të saj në Frontin e Lindjes, në  Plevne të Bullgarisë në vitin 1877,  në qershor të vitit 1878, ishte themeluar Lidhja Shqiptare e Prizrenit, ku ishin përfaqësuar krerët e katër Vilajeteve: Abdyl Frashëri, Imer Prizreni, Ali Pashë Gucia, Jashar bej Shkupi, Ilaz Dibra, Hasan Tetova e përfaqësues të tjerë, që kishin shpalosur programin kombëtar të ruajtjes së tërësisë tokësore shqiptare nga shtetet, që kishin për synim aneksimin e trojeve tona në dobi të shteteve të reja të Ballkanit, të cilat i formonin Fuqitë e Mëdha në krye me Rusinë.

 Prej vitit 1878 e deri në vitin 1912, shqiptarët e katër vilajeteve, të Janinës, Manastirit, Shkodrës e Kosovës nuk i reshtën përpjekjet e tyre, për ruajtjen e tërësisë tokësore, në luftë kundër shteteve fqinje por edhe kundër vetë Perandorisë Osmane, e cila për ta ruajtur pushtetin autarkik, që po shembej, bënte koncesione me tokat shqiptare.

Në gusht të vitit 1878, Dega e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në Gjakovë, nuk ishte pajtuar me dorëzimin e Plavës, Gucisë e Ulqinit, Malit të Zi, sipas vendimeve të Kongresit të Berlinit të po atij viti. Në shenj revolte forcat kryengritëse  kishin rrethuar gjeneralin turk Mehmed Pashë Magjari, në kullat e Abdullah Pashë Drenit, në Gjakovë, i cili kishte ardhur me qëllim për t’ i bindur shqiptarët t’ia lëshonin trojet Malit të Zi.

Pas një përleshjeje të përgjakshme, forcat e lidhjes në krye me Sylejman Vokshin, që ishte edhe komandant ushtarak i forcave të Lidhjes, vritet Mehmed Pashë Magjari, Abdullah Begu dhe shumë ushtarë turq. Në atë betejë kishin rënë edhe qindra luftëtarë shqiptarë.

Me qëllim për ta thyer Lidhjen e Prizrenit, e cila nuk i përfillte vendimet e Fuqive të Mëdha, por as të Perandorisë Osmane, për të dorëzuar trojet shteteve të Ballkanit, më 20 dhe 21 prill të vitit 1881, në Fushë të Shtimes, në mes fshatrave Koshare e Slivovë ishte zhvilluar një betejë e përgjakshme mes forcave të gjeneralit turk, Dervish Pasha, që me mijëra ushtarë vinte për ta shuar rezistencën e organizuar  dhe forcave të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në krye me Sylejman Vokshin, Sefë Kosharen, Mic Sokolin e shumë të tjerë.

Prej vitit 1881 e deri në vitin 1912, trojet shqiptare përgjithësisht e veçmas trojet e Kosovës kanë qenë arenë e luftimeve kundër shteteve fqinje, kundër Stambollit dhe Fuqive të mëdha. Janë të njohura kryengritjet shqiptare në Vilajetin e Kosovës, sidomos ato të vitit 1910, 1911 dhe 1912, ku luftëtarët shqiptarë luftonin në të gjitha frontet dhe kundër të gjithëve.

Luftimet ishin zhvilluar në grykën e Kaçanikut, në krye  me Idriz Seferin, në Grykën e Carralevës në krye me Isa Boletinin,  në Malësinë e Shkodrës me Dedë Gjon Lulin, në Jug të Shqipërisë me Çerqiz Topullin e qindra atdhetarë të tjerë edhe në viset e tjera të Shqipërisë së katër vilajeteve.

Në kryengritjen e përgjithshme popullore të vitit 1912 kundër shteteve të Ballkanit dhe Aleancës së krishterë sllave, shqiptarët luftuan për jetë e vdekje, ndërsa trojet e tyre u lanë me gjakun e qindra mijëra atdhetarëve të katër vilajeteve.

Kosova e pagoi tagrin në tragjik të ushtrive ballkanike, të cilat kishin për qëllim zhbërjen etnike dhe zhdukjen masive të shqiptarëve në Shqipëri e në Kosovë, meqë në Kongresin e Berlinit, Bizmarku gjerman kishte deklaruar se Shqipëria është vetëm shprehje gjeografike, dhe ajo nuk ekzistonte.

 

Literatura:

 

Historia e Popullit  Shqiptar, Shtëpia Botuese  “TOENA”. Tiranë, 2002.

Lëvizja Popullore e Kosovës 1981-1989.

Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare, Wikipedia, internet.

Kristo Frashëri: Skema politike e Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Enver Hoxha kishte planifikuar të sulmojë Jugosllavinë? – Gazeta Tema 3. 4. 2013.

Dr. Jakup Krasniqi: Kthesa e madhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës, Prishtinë, 2006.

Dr. Jakup Krasniqi: Pavarësi dhe personalitete, Prishtinë 2012.

Radio-Kosova e Lirë, Arkivi i luftës I II III. Prishtinë 2009.

Historia e UÇK-së,  Wikipedia.org/wiki/ Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Ndihma në artikuj ushqimorë për stafin e Radios-Kosova e Lirë (E hënë 12 prill, 1999)

Ahmet Qeriqi: Ndihma në artikuj ushqimorë për stafin e Radios-Kosova e Lirë (E hënë 12 prill, 1999)

Jam zgjuar i lodhur dhe i mërzitur tejmase. Sapo ndahem nga gjumi  dhe kontaktoj me …