Ahmet Qeriqi: KRONIKË LUFTE I (Periudha kohore prej 1 deri më 13 qershor të vitit 1998)

Ahmet Qeriqi: KRONIKË LUFTE I (Periudha kohore prej 1 deri më 13 qershor të vitit 1998)

(Pjesa e parë, 29 maj 1998 – 3 janar 1999)

Në këtë  kronikë janë përfshirë ngjarjet kryesore të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kryesisht në rrezen e veprimit të Brigadës 121 Ismet Jashari, “Kumanova” prej 29 maj 1998 deri më 28 qershor të vitit 1999, gjithsej 394 ditë.

Në këtë kronikë kam përfshirë ngjarje e zhvillime, të cilat kanë ndodhur gjatë kohës së luftës së UÇK-së kryesisht në Krojmir të Drenicës Jugore si dhe në fshatrat përreth prej fundit të majit të vitit 1998 e deri në fund të qershorit të vitit 1999.

Duke qenë në lidhje me grupin e UÇK-së, në Krojmir, para fillimit të luftës, me kohë kisha menduar që të gjitha zhvillimet t’i shënoja në letër, meqë në të kaluarën na kanë munguar ato dhe pikërisht  për këtë, pjesë të caktuar të historisë na i kanë shkruar të huajt, sipas bindjeve dhe interesave të tyre.

Përcaktimi im për titullin “Kronikë lufte”, ka të bëjë në radhë të parë me një formë të përshkrimit kronologjik të zhvillimeve në këtë pjesë të Drenicës, por edhe të luftës në përgjithësi, sidomos në pjesën e dytë të saj, e cila fillon me  4 janar kur edhe ka filluar transmetimin, Radio-Kosova e Lirë.

Përshkimet, përshtypjet, shënimet janë individuale, por nuk janë një ditar i thjesht ditor individual, meqë kam bërë përpjekje të lidh faktorët e zhvillimeve në sinkroni e diakroni, në kohë dhe hapësirë, edhe atje ku nuk kam arritur fizikisht, por jam mbështetur në të dhëna të publikuara  të informatorëve dhe medieve përgjithësisht.

Karakteristika e veçantë e kësaj kronike është përshkrimi real dhe me përgjegjësi të lartë i tërë asaj që e kam shënuar, zakonisht në mbrëmje vonë pasi kanë rënë për të fjetur të gjithë. Në kushte të tilla të lodhjes e sfilitjes ditore mbase edhe nuk kam arritur të kujtoj të gjitha zhvillimet e ditës, por jam përpjekur ta aktivizoj kujtesën maksimalisht dhe besoj se kam arritur që në segmente  të përgjithshme të përshkruajë çdo ditë veç e veç, sidomos prej 15 qershorit të vitit 1998 e deri më 28 qershor të vitit 1999, pas çlirimit definitiv të Kosovës nga robëria gati njëshekullore serbe.

Jam i vetëdijshëm se kjo kronikë ka edhe mangësitë dhe kufizimet e veta, meqë në radhë të parë është pasqyrim subjektiv i ngjarjeve, i një realiteti objektiv, i një kronike ditore të zhvillimeve në raport me personat që kam pasur më shumë komunikim. Ata janë të pranishëm gati në çdo ditë. Por, po ashtu jam përpjekur të mos lë anash asnjë ngjarje për të cilën jam njoftuar, apo kam qenë vetë subjekt, apo objekt i saj.

E veçanta tjetër e kësaj kronike është se në raste të caktuar të ofensivave, kam mbajtur shënime të shkurta ditore në fletoren time, me qëllim që të evidentojë  të gjitha zhvillimet, të cilat si gjithmonë i kam shkruar në të shumtën e rasteve me dritë të llampës, gjithnjë në orët e vona të natës, me laps kimik me stilolaps apo me laps grafit.

Të gjitha fletoret, pesë sosh ruhen në arkivin e bibliotekës sime, në origjinal.

Në rastet kur në kronikë  janë vënë tri pika…. kam hequr një fragment apo ndonjë ngjarje të caktuar, e cila për arsye objektive e subjektive tani për tani nuk i jepet opinionit të lexuesve, meqë mund të përdoret apo të keq interpretohet për qëllime të caktuara. ( Në kushte dhe rrethana kur kjo Kronikë do të bëhet libër, në të ardhmen, do të interpretohen edhe pjesët, tash për tash të anash-kaluara).

Prej fillimit të luftës e deri në fund kam shfaqur edhe disa rezerva të caktuara te individë apo eprorë të luftës, të cilët me veprimet e tyre të pamatura i kanë shkaktuar dëm imazhit pozitiv të UÇK-së, por për fat, të tillë pa pasur pak, edhe pse disa veprime të tyre kanë lënë pasoja të pariparueshme.

Autori me dashamirësi pranon çdo sugjerim, plotësim, apo evidencë të ndonjë emri të pa përmendur në “Kronikë”, me qëllim që pjesa e saj përfundimtare të dalë sa më e plotë dhe të jetë një pasqyrë realiste e besnike e zhvillimeve të kohës së luftës në këtë pjesë të Drenicës dhe të Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Probleme të shumta dhe të papritura (E hënë 22 qershor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Probleme të shumta dhe të papritura (E hënë 22 qershor, 1998)

Jam zgjuar si zakonisht, i lodhur nga pagjumësia. Në odën e Vehbiut që ndodhet afër …