Ahmet Qeriqi: KRONIKË LUFTE I (Periudha kohore prej 1 deri më 13 qershor të vitit 1998)

Ahmet Qeriqi: KRONIKË LUFTE I (Periudha kohore prej 1 deri më 13 qershor të vitit 1998)

Periudha kohore prej 1 deri më 13 qershor të vitit 1998

Duke qenë në kontakt një kohë të gjatë me   Jetë Hasanin, Sylë Qeriqin dhe Elez Durmishin e çlirimtarë të tjerë të Drenicës, isha në dijeni të organizimit të pikave të UÇK-së, në disa fshatra të Drenicës jugore përreth Blinajës dhe Rrafshnaltës.

Po ashtu, kohë më parë në odën e Elezit, në Krojmir. kam kontaktuar me Halil Jakup Ollurin dhe Ramiz Rexhep Qeriqin, të cilët qysh në pranverë me një grup luftëtarësh nga Shqipëria kishin hyrë  fillimisht në Dukagjin, e pastaj në Drenicë. Në Krojmir kohë pas kohe qëndrojnë edhe Shkuri Buja, Fatmir Limaj, Ismet Jashari e luftëtarë të tjerë. Ata kanë organizuar pikat luftarake të quajtura:  Çeliku I.II.III etj.

Kontaktet e mia me…

( 20 rreshta të koduar)

Në ditët e para të qershorit vazhdimisht kam udhëtuar këmbë, në drejtim të Godancit, ku kam takuar njërin prej militantëve më të hershëm të lëvizjes së armatosur, Jetë Hasanin, i njohur për qëndrimin e tij atdhetar dhe për konfliktet që ka pasur sidomos me policinë vendore të Shtimes.

Jeta është luftëtar i kalitur. Ai së bashku me Elez Durmishin e Sylë Qeriqin, qysh në fillim të vitin 1993  ka mundësuar materialisht stërvitjen e një grupi të luftëtarëve, në Tiranë.

Duke qenë se materialisht qëndron mirë, meqë ka një pension invalidor, Jeta, shumicën e të hollave i ka ndarë për stërvitjen e luftëtarëve dhe duke i ndihmuar materialisht familjet e të burgosurve.

Nga Godanci kam udhëtuar nëpër pyjet e Blinajës dhe çdo të dytën apo të tretën ditë kam vajtur në Krojmir. Këtu, në odën që e ka ndërtuar babai im Aliu, ku edhe kam qëndruar ilegalisht në vitin 1981, ende jeton mixha  im, Mehdi Emin Qeriqi me bashkëshorten, Ajshe Kadri Beba-Qeriqi, dhe bijën Milikije. Këtë odë e kemi caktuar si pikë ushtarake, meqë mali është shumë afër dhe janë të gjitha kushtet për të ushtruar veprimtari  të pahetueshme, luftarake.

Në pjesën e poshtme të odës, është vendosur kuzhina.

Një segment tjetër i organizimit është edhe lidhja me popullin, meqë propaganda pacifiste rugoviane, ka përhapur gënjeshtra se njerëzit me maska janë agjentë dhe dorë e zgjatur e Serbisë, të cilët kanë qëllim që të prishin rehatinë dhe paqen, e cila sipas tyre është rezultat i politikës rugoviane.

Një propagandë të tillë, të verbër  po e zhvillon Dega e LDK-së në Shtime. Thuhet se ata kanë kërkuar nga kryetarët e degëve të LDK-së në terren, që të mos i pranojnë në shtëpitë e tyre pjesëtarët e UÇK-së dhe mos të lejojnë në asnjë mënyrë që ata të strehohen  nëpër fshatrat malore. Kjo është vetëm një propagandë verbale, meqë popullata e kësaj ane i do dhe i nderon pa masë luftëtarët, dhe deri tani nuk është shënuar qoftë edhe një rast që ndonjë familjarë të ketë hezituar për t’ i pranuar në shtëpi dhe për t’ i mbajtur me ushqim. Thonë po ashtu se LDK-ja  e ka lajmëruar edhe Zyrën amerikane në Prishtinë, duke i bërë me dije se disa njerëz të dyshimtë, sidomos ish të burgosur politikë, janë armatosur dhe pritet që UÇK-ja të zgjerohet edhe në fshatrat malore të Shtimes.

Ali Sadriu nga Davidovci, Jetullah Rexha, nga Petrova, Nebih Gashi nga Pjetërshtica dhe disa kuadro të LDK-së, kanë filluar të propagandojnë kundër UÇK-së. Mjerisht, ata kanë rënë pre e politikës zyrtare të Rugovës, edhe pse e dinë se  zhvillimet në terren kanë marrë një kahe tjetër nga politika e proklamuar pacifiste. Janë qindra- mijëra anëtarë të LDK-së të cilët tashmë as duan të dinë për partinë. Shumë prej tyre janë pranuar në radhët e UÇK-së, meqë organizimi politik në zonat tona është shpallur i pavlefshëm.

Disa nga ushtarët tanë, pasi i kanë dëgjuar deklaratat e tilla janë mllefosur dhe kërkojnë që të lejohen, në mënyrë që t’ i kapin ata,  një pjesë e të cilëve thuhet se  tanimë haptas po bashkëpunojnë me elementë të dyshuar.

Nuk është lejuar që ata të arrestohen, meqë veprimet e tilla do të mund të ndikonin keq te popullata, e cila ende nuk është informuar si duhet dhe sa duhet me zhvillimet në terren.

Këta, dhe të tillë si këta,  mendojnë  se e vetmja alternativë për të ardhmen e shqiptarëve,   është politika pacifiste rugoviane.

Kundërvënia që duhet t`iu bëhet të tillëve, po vështirësohet edhe me faktin se faktori ndërkombëtar nuk po e përkrahë luftën e UÇK-së, por politikën pacifiste  të Rugovës.

Megjithatë në zonat e luftimeve është ndërprerë aktiviteti partiak dhe nuk do të lejohet asnjë tubim i tillë.

Forcat ushtarake e policore serbe, kanë filluar të vendosin postblloqe të reja. Ata, po përgatiten për një ofensivë kundër pozicioneve tona. Si duket  ata kanë të dhëna të mjaftueshme lidhur me pikat pozicionet, numrin e ushtarëve tanë  dhe me armatimin. Mendoj se ata qëllimisht po presin. Taktika e tyre është që të tregohen të papërfillshëm dhe në ndo një rast të papritur të sulmojnë  befasisht…

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Probleme të shumta dhe të papritura (E hënë 22 qershor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Probleme të shumta dhe të papritura (E hënë 22 qershor, 1998)

Jam zgjuar si zakonisht, i lodhur nga pagjumësia. Në odën e Vehbiut që ndodhet afër …