Ahmet Qeriqi: KRONIKË LUFTE I (Periudha kohore prej 1 deri më 13 qershor të vitit 1998)

Në pikën vendore të UÇK-së  në Krojmir kemi hapur, “Regjistrin për rekrutim të vullnetarëve”. Në regjistër ndodh që nënshkruhen me qindra vullnetarë vetëm gjatë një dite, edhe pse janë krejt të pakët ata, për të cilët vendoset që të shkojnë për armatim në Shqipëri.

Po ashtu, shumica e fshatarëve i kanë dorëzuar armët që i kanë mbajtur pa ose me leje, duke kërkuar që po me ato armë t`i bashkohen radhëve tona çlirimtare.

Në të gjitha fshatrat e Drenicës prej Komaranit e deri në Carralevë, janë aktivizuar edhe Shtabet civile, të cilat kanë obligim  të mobilizojnë të rinjtë në hapjen e istikameve e të bunkerëve, të grumbullojnë ushqime dhe pajisje të tjera të nevojshme për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Nën organizimin dhe mbikëqyrjen e këtyre shtabeve, janë rregulluar të gjitha rrugët që i lidhin fshatrat me Rrafshnaltën. Kudo punohet. Kudo ka një lëvizje të papërballueshme të njerëzve. Popullata në këtë pjesë të Drenicës është trefishuar nga të zhvendosurit.

Tregu organizohet për çdo javë në Grykë të Shalës. Nuk ka mungesë të shprehur të artikujve ushqimorë. Kudo vëren vetura, kudo vullnetarë, ushtarë, nxënës, studentë…

Përgjithësisht bie në sy një ritëm luftarak i lëvizjes së njerëzve.

Po bën vapë e padurueshme. Temperaturat po shënojnë rritje, ndërsa shi nuk po bie. Kroni te Lagja Qeriqi,  ku është vendosur shtabi ushtarak është i mjaftueshëm për të furnizuar me ujë një ushtri të tërë.

Ditët e para të qershorit në pjesën jugore të Drenicës, paralajmëronin atmosferën e përleshjeve. Të gjithë e dinë këtë dhe që të gjithë janë të gatshëm për të rezistuar.

Është krijuar një bindje jo reale, se  serbët nuk mund të depërtojnë me këmbësori nëpër Grykën  e Carralevës. Janë bërë të gjitha përgatitjet, në të gjitha pikëkalimet që të mos lejohet depërtimi i armatës armike në këto anë. Edhe pse kemi pak ushtarë dhe armatim jo të mjaftueshëm zënia e Grykës në Carralevë është organizuar sipas shembullit të Grykës së Llapushnikut.

Ushtarët dhe eprorët kanë moral të lartë dhe nuk i frikësohen më armës së armikut.

Gjysma e parë e qershorit në fshatrat e Drenicës së Epërme dhe në disa fshatra të kompleksit pyjor të Blinajes, ka kaluar  në shenjë të mobilizimit dhe të përgatitjeve të përgjithshme, për t’ u ballafaquar me të gjitha sfidat e mundshme.

I kemi ndërmarrë të gjitha masat për t’ i konsoliduar radhët.

Krojmiri është kthyer në një qendër ushtarake rajonale. Aty vijnë kureshtarë po edhe shumë vullnetarë nga fshatra të Rrafshit, të Shtimes e të Lypjanit. Janë të shumtë ata që sjellin ndihma e sidomos barna nga organizatat humanitare. Po ashtu funksionon edhe Këshilli i Emergjencës, njësitë e Organizatës Humanitare, “Nëna Tereze” dhe organizata të tjera humanitare.

Në Shalë, në Krojmirë dhe në Pjetërshticë, kemi aktivizuar edhe punktet shëndetësore, në të cilat kanë filluar të punojnë mjekët, të cilët iu kanë bashkuar radhëve tona si: Stomatologu, Naser Bytyqi nga Qylaga, Jakup Ismajli nga Caraleva, Avdullah Fazliu po ashtu nga Caraleva, Fitim Selimi nga Banulla, Reshat Gashi nga Shtimja, disa motra medicinale si: Mirditë Selatin Qeriqi, pastaj  bija ime, Arbanë Qeriqi, Ganimete Qeriqi, Melikije Qeriqi, Teutë Mazreku dhe Merita, tekniku Musë nga Zborci, Mentor Shamolli nga Shala, Rama nga Godanci, Tahiri nga Varigovci e shumë të tjerë.

Kam kontaktuar edhe me neuropsikiatrin, Fatmir Xhelili, në Shtime. Fatmiri ka shfaqur interesim të angazhohet në të gjitha segmentet qoftë profesionale apo edhe në logjistikë. Më ka bërë përshtypje të veçantë besimi që ai ka shprehur, edhe pse niveli i komunikimeve tona të mëparshme nuk ka qenë i kësaj natyre. Nuk kam kurrfarë faktesh që më bëjnë të dyshoj në sinqeritetin dhe paraqitjen e tij diskrete, por më habit pak fakti i paraqitjes së tij aq të hapur…  (Tetë rreshta të koduar)

Në pikat tona ku ka filluar vëzhgimi dhe ku janë rregulluar pozicionet janë ndërmarrë të gjitha masat që me rastin e shpërthimit të luftimeve të jemi sa më të përgatitur, për të përballuar ndeshjen e parë, e cila po vërehet në horizont.

Në gjysmën e parë të qershorit mbaron faza përgatitore e stërvitore.

Një aktivitet të gjithanshëm dhe të pandalshëm ditë e natë  po tregojnë sidomos:

 Heset Hamdiu nga Krojmiri, Ramadan Rizani, Vehbi Qeriqi, Mehdi Qeriqi, Tezja ime, Ajshe Qeriqi, 65 vjeçe,  ndihmon në përgatitjen e ushqimit. Atë e ndihmojnë, bashkëshortja ime Zymrytja, pastaj gra të tjera të kushërinjve.

Në mesin e eprorëve dhe ushtarëve dallohen: Sylë Qeriqi, Jetë Hasani, Elez Durmishi,  të cilin Ilaz Dërguti dhe Sami Lushtaku e kanë caktuar përgjegjës të shtabit vendor në Krojmir, pastaj  Milaim Beha nga Carraleva, Ramiz Qeriqi, Halil Olluri, Shukri Buja, Shaban Mustafa, Halil Metaj, Ajvaz Karpuzi, Ali Gashi, pastaj  Rrahman Tafa nga Carraleva, Ruzhdi Salihu nga Zborci, Xhelal Hajdini, i mbiquajtur “Sherri” nga fshati Zabel, Gani Kastrati nga Nekoci, Gafurr Dugolli, Ismet Hoxha, drejtoresha e shkollës së Nekovcit, Elmie Plakiqi, dhe shumë ushtarë e ushtare të tjera nga fshatrat përreth.

Gjysma e parë e qershorit karakterizohet me një dinamizëm të papërshkrueshëm të zhvillimeve, e sidomos me lëvizjet e papërballueshme të njerëzve, të zhvendosurve, të ushtarëve dhe të qindra vullnetarëve të tjerë të cilët kishin arritur nga të gjitha anët e Kosovës, me qëllim të  depërtimit në Shqipëri për t u armatosur.

 

Sqarim

 

Emrat e mbiemrat e shënuar në këtë Kronikë, nuk janë nga  të gjithë ata luftëtarë e luftëtare, apo veprimtarë të kësaj ane, por i kam evidentuar ata të cilët i njoh dhe me të cilët kam bashkëvepruar dhe bashkëpunuar. Kjo  Kronikë është e stisur me qindra emra. Kërkoj mirëkuptim, për ndonjë lëshim të mundshëm, pa asnjë qëllim të caktuar…

 

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Probleme të shumta dhe të papritura (E hënë 22 qershor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Probleme të shumta dhe të papritura (E hënë 22 qershor, 1998)

Jam zgjuar si zakonisht, i lodhur nga pagjumësia. Në odën e Vehbiut që ndodhet afër …