Ahmet Qeriqi: Ku fitoi Gegëria, ku humbi Toskëria?

“Atje lejnë, po, Toskë e Gegë

Si dy rreze n’flakë t’një dielli:

Si dy rrufe që shkojnë tue djegë

Kur shkrep reja nalt prej qielli”

(Gjergj Fishta)

 

 

Toskët dhe gegët, janë dy degët kryesore të trungut, ilir, arbëror, shqiptar, (ILARSH). Në dukje të parë dhe në saje të disa referencave gjuhësore etnokulturore, dalin të jenë dy pjesë të një tërësie, por edhe dy pjesë që kanë edhe një kufi gjeografik në mes, kufirin Jug-Veri, në mes të Shqipërisë administrative, pikërisht edhe në mes të trojeve etnike shqiptare. Lumi i Shkumbinit është vija ndarëse, mbase edhe vija gjeografike, e këtyre dy entiteteve të lashta ilire-shqiptare. Vendi i bashkimit të toskëve e gegëve është ajo trevë, që quhet Shqipëria e Mesme, ku dallimet mes toskëve dhe gegëve janë më pak të shprehura, ku edhe fillojnë të shkrihen dialektet në një të folme më të unifikuar.

Pretendimet për t’ i paraqitur toskët e gegët si dy etni, të cilat qysh moti kishin filluar të ndaheshin mes veti, nuk janë të qëndrueshme, sepse me toskët e gegët nuk ndodhi ashtu sikur ndodhi me popujt sllavë të një trungu, apo me romanët, gjermanët, nga të cilët dolën kombe të shumta etj.

Shqiptarët dhe grekët, janë dy popuj indoevropianë që nuk u degëzuan. Në drurin gjenealogjik të August Shlajherit (1821-1868),  shqipja dhe greqishtja janë dy gjuhë indoevropiane, në Ballkan, dy gjuhë, dy entitete që janë zhvilluar brendapërbrenda dhe nuk janë degëzuar, por kanë mbetur “beronja”, në krahasim me degëzimin e gjuhëve dhe kombeve të tjera indoevropiane.

 

Jo vetëm njëherë janë bërë përpjekje, madje jo vetëm artificiale për t’i ndarë toskët e gegët, duke u nisur në radhë të parë nga dialektet, por edhe nga disa veçanti të tjera, kryesisht të jashtme, disa dallime jo shumë të shprehura, për të cilat individë të caktuar i mbivlerësojnë apo i nënvlerësojnë. Dallimet janë më pak të shprehura sesa dialektet e gjuhës italiane, gjermane, spanjolle, italiane e gjuhë të tjera.

 

Toskëria dhe Gegëria, në kuptimin etnokulturor, në folklor, në trajtat dialektore kanë edhe dallime, por që më shumë janë dallime krahinore, dallime që kanë të bëjnë me jetën e gjatë nën robëri të toskëve dhe të gegëve dhe dallime që i kanë kushtëzuar rrethanat historike, politike dhe shoqërore.

 

Në Mesjetë, nga  shkrimet që i disponojmë nuk dalloheshin si entitete. Në Mesharin e Buzukut nuk flitet për “gjuhë” toske e gege, ashtu sikur nuk flitet as në veprat e autorëve të krishterë katolikë të veriut, por në saje të disa dokumenteve dihet se edhe në atë kohë ka pasur dallime dialektore. Nuk del e njëjta gjuha e shkruar e  Buzukut, ashtu si në katekizmin e Lekë Matrëngës. Në kohën e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut nuk kemi të bëjmë me toskë e gegë, por me arbër dhe epirotas, që në njëfarë mënyre korrespondojnë me arbrit në veri dhe epirotasit në jug.

 



Dialekti gegë ose gegërishtja (Geg. gegnisht) është njëri nga dy dialektet e gjuhës shqipe, që flitet nga shqiptarët gegë në veri të Shqipërisë, në Kosovë, në Maqedoni, në Turqi si dhe në Serbi dhe Mal të Zi. Gegërishtja në vetvete ka 2 nëndialekte. Dy nëndialektet e gegërishtes gjeografikisht ndahen te lumi i Matit…”Kufiri natyror” në mes të gegërishtes dhe toskërishtes është Lumi Shkumbin në Shqipëri, që përshkon Shqipërinë e mesme nga lindja në perëndim.

Toskë ose toskërisht është njëri nga dy dialektet e gjuhës shqipe, që flitet në jug të Shqipërisë, në një pjesë të vogël të Maqedonisë, në Greqi dhe në Italinë jugore nga arbëreshët. Kufiri në mes të gegërishtes dhe toskërishtes është Lumi Shkumbin që përshkon Shqipërinë e Mesme nga lindja në perëndim. Toskërishtja në vetvete ka 3 nëndialekte, si toskërishtja veriore, labërishtja dhe çamërishtja.

(Vikipedia)

 

 Pa pretendime për të rilexuar historinë, të dhënat, faktet dhe argumentet e shumta për toskët e gegët, pa pretendime për analiza të gjata dhe të faktuara, historia e së kaluarës ka sa e sa shembuj që flasin se gjyshërit e stërgjyshërit nuk bënin dallime globale, por bënin dallime krahinore, sidomos në kohën e sundimit të gjatë të marrëdhënieve feudale ndër shqiptarë.

 



 Feudalizmi në Shqipëri është formacioni që ka sunduar më shumë se të gjitha formacionet e tjera të njohura historike, që nga periudha e skllavopronarëve dhe që mjerisht një trajtë e këtij feudalizmi edhe sot e ka kapur keq qenien  shqiptare, kudo në trojet e Shqipërisë. Pikërisht feudalizmi ishte ngritur dhe kishte mbijetuar në krijimin e entiteteve, krahinave, bajraqeve, kështjellave, fiseve, feudeve e tani klaneve e partive.

Si jugu, toskët, ashtu edhe veriu, gegët, kanë jetuar nën të njëjtin format qeverisës të feudalit, krahinarit, bajraktarit. Me kthimin në Krujë, në vitin 1443, Skënderbeu kishte logjikuar me të drejtë se vetëm unifikimi i feudalëve, lidhja e tyre mund të krijonte një forcë të fuqishme për t iu kundërvënë armiqve dhe ai ishte shqiptari i parë, i cili arriti deri diku t’i bashkojë feudalët, të cilët edhe me bashkimin e tyre pretendonin të ruanin, në radhë të parë pronat vetanake, feudet, bajraqet dhe në asnjë mënyrë nuk mund të liroheshin nga mentaliteti ekzistues shoqëror e politik.

 

Skënderbeu në këtë mes kishte arritur suksesin e parë historik të bashkimit të shqiptarëve në jug dhe në veri. Me filozofinë e tij të bashkimit të forcave, ai nuk kishte ndërmend ta çrrënjoste feudalizmin, por kishte për qëllim dhe arriti t’i bashkonte krerët feudalë të vendit për të krijuar një forcë ushtarake, e cila u tregua e suksesshme për më shumë se 20 vjet. Në kohën e Skënderbeut nuk flitej për toskë e gegë, nuk flitej se ishte më trim toskë Muzaka,  apo gegë Dukagjini. Ai kishte arritur t’i “nënshtronte” feudalët rreth një qëllimi, rreth qëllimit të krijimit të shteti unik shqiptar, i cili, pavarësisht përpjekjeve, rezistencës dhe gjakderdhjeve, ra 10 vjet pas vdekjes së tij.

 



Në garën e  rrezikshme dhe me plot gjakderdhje të perandorive për pushtim dhe dominim, duke qenë vendi më i rrezikuar nga perandoritë më të mëdha të botës, Shqipëria arriti të ruajë bërthamën, ADN-në por jo edhe tërësinë gjeografike e etnike. Ajo në kohën e Ilirisë u pushtua nga romakët, më vonën nga Perandoria e Bizantit, pastaj nga Mbretëria serbe e Nemanjidëve për dy shekuj të mesjetës dhe nga Mbretëria bullgare e Samuilit, nga Perandoria Osmane, nga shtetet sllave dhe nga hegjemonët e Evropës e të Ballkanit.

 

Toskë e gegë, gjatë tërë kësaj katrahure njerëzore ndanë fatin e njëjtë dhe nuk u kursyen as pse ishin toskë, as pse ishin gegë. U vranë u masakruan dhe u degdisen edhe toskët edhe gegët, po për të njëjtat qëllime, po për të njëjtat interesa të pushtuesve të ndryshëm

Megjithatë, është për të besuar se Toskëria humbi më shumë, e rrudhën në tepër dhe e degdisën më keq perandoritë dhe shtetet fqinje të Ballkanit. Në kohën e mesjetës, një pjesë e madhe e toskëve u dynd drejt Greqisë, për t’ i përballuar më lehtë asimilimit fetar e kulturor, i cili ishte shprehur dhunshëm në Shqipëri më shumë se në të gjitha vendet e Ballkanit, si pasojë e Rezistencës së Skënderbeut në vitet 1443-1468,  që rezultoi me një hakmarrje në shkallë të gjerë që nga koha e Sulltan Mehmed-Pushtuesit. (Franc Babinger, Mehmet Pushtuesi dhe koha e tij, Prishtinë, 1989).

Arbërorët që u dynden në Greqi, arvanitasit e njohur,  u bënë klasa më luftarake e shtetit grek të pushtuar nga Perandoria turke. Ata, me qëllim për ta ruajtur fenë e krishterë u bënë një me grekët, me kishën ortodokse dhe luftuan për interesat e Greqisë, duke qenë gjithnjë në shërbim të saj, por edhe krenarë për origjinën, të cilën as e kanë mohuar as e mohojnë, as i ka detyruar as i detyron kush ta mohojnë. Arvanitasit kanë qenë dhe kanë mbetur elita më patriotike greke, madje më grekë për nga ndjenja kombëtare dhe përkatësia e shprehur vullnetarisht  sesa vetë grekët.

 



Toskëria, në kohën e Ali Pashë Tepelenës e më vonë kishte dy vilajete të mëdha të Shqipërisë, Vilajetin e Janinës dhe të Manastirit, ndërsa Gegëria kishte Vilajetin e Kosovës dhe të Shkodrës.

Me rastin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, asnjë nga Vilajetet shqiptare nuk e ruajti tërësinë, ndërsa dy vilajetet e jugut u copëtuan edhe më mizorisht. Nga përbërja e shtetit të cunguar shqiptar kishte ngelur vetëm një pjesë e Vilajetit të Janinës, shumica dërrmuese e mbetur në Greqi, ndërsa Vilajeti i Manastirit ishte pushtuar nga bullgarët e serbët.

Politika zyrtare greke dhe Kisha, bënë përpjekje që ta aneksojnë tërë jugun, tërë toskërinë deri në Shkumbin dhe në këtë drejtim dëbuan për në Turqi shqiptarët e jugut, të mbetur nën sundimin grek duke i ndërruar me grekë të Edirnes dhe krahinave të tjera. Grekët shpërbënë dhe shkatërruan në tërësi të gjitha vendbanimet shqiptare myslimane, ndërsa qëndrimin e tyre hegjemonist për t’ i përvetësuar të gjithë ortodoksët shqiptarë as e kanë fshehur as e fshehin. “Në këtë drejtim në 20 vitet e fundit ata kanë arritur ta shpartallojnë Kishën Autoqefale shqiptare duke e kthyer në qendër të hegjemonisë fetare e kulturore greke”. (At Nikollë Marku, intervistë dhënë Radios-Kosova e Lirë, më 4. 6. 2024)


 

Toskëria u dëmtua më shumë. Ajo nuk arriti t’i ruajë territoret jashtë shtetit të pavarur të vitit 1912, sikur i ruajti Gegëria në Lindje dhe verilindje të Shqipërisë administrative. Kosova, pavarësisht se ishte pushtuar nga një shtet i egër dhe fashist, në kuptimin e fjalës, sikur ishte që prej fillimit Mbretëria Serbe, Kroate Sllovene dhe më vonë të gjitha shtetet sllave që u quajtën Jugosllavi, përballoi tërë represionin dhe asnjëherë nuk u dha. Ajo përballoi deri diku me sukses ekspansionin sllav të yshtur dhe të mbështetur nga Shtetet e mëdha të Evropës dhe të Rusisë Cariste, që prej Luftërave Ballkanike në vitin 1912 e deri në qershor të vitit 1999 kur u çlirua definitivisht nga regjimi pushtues e sodomist serb. Kosova së bashku me Iliridën dhe Kosovën Lindore, dhe me trojet shqiptare në Mal të Zi, në kushte dhe rrethana tashmë të njohura historikisht ruajtën në një pjesë dërrmuese kompaktësinë  etnike, gjuhësore, kulturore, arsimore dhe mbi të gjitha, për afër 100 vjet sundim të egër dhe shfaronjës u ruajt bërthama kombëtare edhe pse e dëmtuar në disa segmente.

“Toskëria” nuk arriti ta ruajë  Çamërinë dhe  arvanitasit nuk ruajtën identitetin e tyre kombëtar. Për më tepër, Greqia dhe Kisha ortodokse ka arritur ta uzurpojë kishën autonome shqiptare dhe ka nënshtruar shumicën dërrmuese të besimtarëve ortodoksë të Shqipërisë.  Në këtë relacion, duket se shqiptarët në veri, “gegët” kanë rezistuar më shumë dhe kanë arritur ta krijojnë edhe një shtet shqiptar, Shtetin e Kosovës, me pretendime historike dhe të natyrshme të bashkimit të trojeve shqiptare. Ideja e bashkimit të trojeve shqiptare te gegët, sidomos në Kosovë, Iliridë dhe trojet e tjera është më ekspansive, është proces historik ende i  pa konsumuar, që një ditë do të realizohet si proces i natyrshëm historik, pavarësisht sa do të sëkëlldiset Greqia apo Serbia. Kësaj ideje me kohë do t i bashkohen edhe shqiptarët në jug dhe Shqipëria një ditë do të bëhet, nëse konsiderojmë se vetëm të bashkuar mund të mbijetojnë, ashtu sikur po mbijetojnë grekët, serbët e bullgarët.  Kështu si jemi të ndarë në disa shtete, nuk përbëjmë dot faktor unik politik, ekonomik, ushtarak as strategjik.

 

  “Atje lejnë, po, Toskë e Gegë

Si dy rreze n’flakë t’një dielli:

Si dy rrufe që shkojnë tue djegë

Kur shkrep reja nalt prej qielli”

(Gjergj Fishta)

Kontrolloni gjithashtu

Zymer Mehani

Zymer Mehani: Ushtar Shabani dhe thirrja e atdheut

(Tregim për dëshmorin e kombit, Shaban B. Avdiu, në përvjetorin e rënies) Në një natë …