Dr. Shefqet Krasniqi: Dikush me shami mbulon pjesën e jashtme të kokës, dikush e ka të mbuluar trurin…

Edhe ky vit shkollor, 2014-2015, filloi si çdo tjetër,
pa ndonjë ndryshim të madh. Kur kemi të bëjmë me përparimin dhe progresin
pothuajse asgjë nuk ka lëvizur për mos me thënë se disa gjëra kanë ecur
mbrapsht. Problemet e grumbulluara prej vitesh vazhdojnë të jenë po ato madje
siç duket këtë vit kemi probleme edhe më të mëdha. Varfëria e skamja janë
shtuar, kriza politike është thelluar, problemet sociale janë rritur. Pothuajse
asgjë pozitive nuk dëgjon në vendin tonë përveç ofshamave dhe mallkimeve në çdo
cep e rrugë. Në skenë ka dal edhe një element i cili nuk ka qenë më herët, apo
pa ka qenë por me intensitet më të vogël, fjala është për luftën e hapur kundër
Islamit dhe myslimanëve. Luftë kjo speciale e ushqyer dhe fryrë nga disa
neu-komunist e laikë fanatikë të cilët assesi nuk mund ta pranojnë se në
demokraci feja duhet të zhvillohet krahas ideologjive tjera dhe të ketë rolin e
saj të plotë të veprimit proaktiv në shoqëri.

 

Ata që dikur ishin mësuar me parullën ‘druzhe Tito
miti se kunemo’ nuk po mund të lirohen akoma nga të konsideruarit e religjionit
si fenomen shoqëror që duhet margjinalizuar, pikërisht ashtu siç na e mësonin
vet dikur në Marksizëm-Leninizëm. Andaj që sa kohë Kosova është bllokuar në të
gjitha aspektet për shkak të ngërçit politik, kurse nuk flitet për asgjë tjetër
përveç ‘radikalizmit’ e ‘ekstremizmit’ sikur të ishim ne vatër e konfliktit e
jo Lindja e Mesme. Jam i vetëdijshëm se ky problem tashmë po i preokupon shumë
nga vendet e Evropës por natyrisht ky nuk është problemi kyç siç po mundohen ta
bëjnë neo-komunistët tek ne. Ndaj për të larguar vëmendjen nga problemet reale
qeveritë tona njëra pas tjetrës e kanë ngre këtë problem në agjendë dhe kanë
lënë anash të gjitha problemet tjera reale me të cilat ballafaqohet vendi.
Vërtetë ndjehem shumë mirë kur po shoh se masa e gjerë i kuptuar shumë mirë
këto ‘lojëra’ dhe tentativa politike të cilat janë tejet tendencioze. Nuk ka
asnjë vend në botë që nuk ka hair dhe sherr, njerëz të mirë dhe të këqij, ndaj
Kosova nuk mund të jetë ndryshe nga tërë bota. Se nuk ka rrezik nga
‘ekstremizmi islamik’ në vendin tonë kjo tashmë është shumë e qartë për secilin
qytetar të Kosovës, madje këtë fakt të mirënjohur e ka pranuar dhe vërtetuar
edhe njeriu më përgjegjës për sigurinë e Kosovës, komandanti i KFOR-it, i cili
pak para se të largohej u shpreh qartazi se Kosova nuk rrezikohet nga
terrorizmi. Dhe imagjino tash kujt po i shesim mend ne, ‘tute arushën me shohë’
i thotë populli kësaj pune. Si do që të jetë shpresoj dhe lutem që kjo situatë
të kalojë, e njerëzit, në veçanti pushtetarët tanë të ndihmuar nga organet e
drejtësisë të merren me problemet tjera të shumta të cilat paraqesin rrezik
serioz për vendin tonë.

 

Nga ana tjetër, muajin shtator, fillimin e këtij
viti shumë nxënës dhe familjar e kanë pritur me shumë qejf, jo vetëm se po
fillon viti i ri shkollor dhe nxënësit do i mësyjnë serish bankat shkollore për
të zënë dituri të reja, por për faktin se zyrtarë qeveritarë bile edhe vet
kryeministri patën premtuar se ky shtator do të jetë më ndryshe. Gjatë gjithë
fushatës ata tërthorazi u sinjalizonin një pjesë të madhe të rinisë se
problemet që i kanë pasur nuk do t’i kenë më, respektivisht vajzat e mbuluara
nuk do të përballën më me udhëzimin ndalues të shamive të tyre. Së këndejmi
çështja e shamisë do të zgjidhej njëherë e përgjithmonë.

 

Kjo dukej akoma më serioze duke pasur në konsideratë
faktin se edhe vet ministri i arsimit i patë kërkuar sqarim BIK-ut rreth asaj
se shamia a është simbol apo obligim fetar. Për më tepër, udhëzimi famëkeq
administrativ që mbulesën e kokës e vë në një nivel më mos-disiplinën, dhunën,
përdorimin e armeve të ftohta në shkollë, ishte shfuqizuar pak para fushatës
elektorale. Megjithatë, sikur shumë vendime e udhëzime tjera kur janë në pyetje
muslimanët marrëveshjet mbeten ngjyrë në letër. E kjo si duket u dha hapësirë
hienave të vjetra që serish me avazin e mykur të vërsulen në medie e portale se
ne nuk duam shami turke e arabe. A thua vallë qindra miliona indoneziane,
malajziane, indiane, angleze, gjermane, franceze e amerikane çfarë kanë lidhje
me Turqinë dhe Arabinë. Sa për të qeshur është me trurin e disave që e kanë të
mbuluar dhe nuk mendojnë më të, ani pse nuk bartin shami. Shamia mbulon vetëm
kokën nga jashtë por jo edhe trurin nga brenda. Shamia është obligim dhe
princip fetar që nuk pranon kompromis. Ajo është identitet ndërkombëtar,
përtej-nacional dhe përtej-kontinental. Andaj nuk ka shami arabe e turke, por
shami Islame sepse as turket e as arabet nuk bartin shami për shkak të kombit
apo nacionalizmit por për shkak të bindjeve fetare. Ekzistojnë miliona arabe që
nuk bartin shami sikur që ekzistojnë miliona turke pa shami, por në anën tjetër
ekzistojnë miliona femra tjera në Evropë, Amerikë e gjetiu që bartin shami.
Islami është fe e Zotit kush do e pranon dhe praktikon, e kush nuk do nuk e
praktikon, por ama le të civilizohemi njëherë në jetën tonë e të mos spekulojmë
e shpifim se shamitë e vajzave tona janë arabe dhe turke, e jo shqiptare.
Shamia është shami, ajo është mbulimi i kokës dhe qafës të cilën e kanë bartur
me krenari gjyshet dhe nënat tona brez pas brezi dhe këtë po e bëjnë vajzat
tona sot, asgjë më shumë. Askush nuk po thërret për të kundërshtuar dhe luftuar
traditat tona, përkundrazi muslimanët janë mu ata që po insistojnë të ruajnë
traditën tonë shekullore. Por duhet të jemi të qartë se shamia, çfarëdo ngjyre
apo forme qoftë, në veçanti dhe Islami në përgjithësi po ju pengon disave në
këtë vend. Edhe lakuriqësia dhe amoraliteti nuk kanë qenë traditë e ilirëve, as
shqiptarëve të asnjë periudhe e aq më pak e të parëve tanë, por askush nuk e
ngreh kokën e të flasë kundër lakuriqësisë, sepse të korruptuarve ua ka qejfi
t’i shohin vajzat gjysmë lakuriqë e ti ushqejnë sytë e tyre, qoftë edhe në
pleqëri. Veshja e sodit më së paku përkon me kulturën dhe traditën tonë
kombëtare qoftë edhe gjatë periudhës pagane parahistorike.

 

Si do që të jetë vajzat ia mësyn shkollave por u
penguan nga ‘drejtorë’ të shumë shkollave, si në kohën e drejtorëve të
dhunshëm, me çka rezultoi që ato ta humbin vitin. D.m.th të mbesin pa dije,
sepse thjesht qeveritarët nuk e mbajtën premtimin e dhënë. Qeveria nuk u
interesua për to, pra kjo është dhurata dhe kontributi i radhës së këtij pushteti
që ‘aq shumë të mira’ na solli tash e sa mandate me radhë. Zoti e drejtoftë
këtë pushtet, në veçanti të parët tanë, e na i sjelltë në pushtet ata që
mendojnë dhe punojnë më shumë dhe më mirë për popullin. Amin.

Kontrolloni gjithashtu

Fatmir Humolli

Fatmir Humolli, ka njoftuar se nuk do të garojë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 9 shkurtit të vitit 2025

Deputeti i pavarur i Kuvendit të Kosovës, Fatmir Humolli, ka thënë se në zgjedhjet e …