leoni

Zymer U. Neziri: Konferenca e Dytë Ndërkombëtare për Eposin e Kreshinikëve

Konferenca II shkencore ndërkombëtare «Gjendja e tashme e Eposit të Kreshnikëve në pesë vende të Ballkanit: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Serbi, Mal i Zi», e mbajtur më 8-9 gusht 2014, në Prishtinë, përfundoi me sukses. Konferenca u organizua nga Instituti Albanologjik i Prishtinës dhe nga Qendra e Studimeve Albanologjike, Tiranë, si dhe u ndihmua prej ekspertëve tanë eminentë nga Maqedonia, Mali i Zi dhe nga arbërshët në Itali.

 

Në seancën plenare, më 8 gusht, u mbajt fjala e hapjes nga prof. dr. Zymer U. Neziri, përgjegjës i Këshillit Organizues, fjala përshëndetëse e prof. dr. Ardian Marashit, drejtor, Qendra e Studimeve Albanologjike, Tiranë, bashkorganizuese e konferencës, si dhe u shfaq filmi dokumentar Eposi i Kreshnikëve, autor Zymer U. Neziri dhe regjisor Orhan Kerkezi, që u prit me shumë interesim nga të pranishmit. Në sallën e mbushur, përveç kumtuesve, tanë dhe të huaj, e ndër ta Minna Skafte Jensen (Danimarkë), Robert Elsie (Kanada), Karl Reichl (Gjermani), Kazuhiko Jamamoto (Japoni) etj., qenë të pranishëm edhe shumë studiues, profesorë, studentë dhe këngëtarë të këngëve të kreshnikëve nga Shala e Bajgorës, Drenica, Llapusha, Llapi, Gallapi etj.

 

Pjesëmarrës të kësaj konference II shkencore ndërkombëtare qenë rreth 70 studiues tanë dhe të jashtëm, nga Ballkani, Evropa, Amerika, Azia, si dhe nga qendrat tona studimore: Instituti Albanologjik i Prishtinës, Qendra e Studimeve Albanologjike, Tiranë, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Universiteti i Prishtinës, Universiteti i Tiranës, Universiteti i Shkodrës, Universiteti i Vlorës, Universiteti i Gjirokastrës, Universiteti i Shkupit, Universiteti i Tetovës, studiues tanë nga Ulqini, Vjena, Budapeshti dhe bashkëpunëtorët e terrenit. 

 

Kumtuesit: mr. sci. Agata Rogoś (Poloni), prof. dr. Agron Xhagolli, mr. sci. Agon Rrezja, mr. sci. Albin Sadiku, akad. prof. dr. Albert Doja, ma. sci. Angjelinë Hamzaj, dr. sci. Anila Mullahi, Anton Prenkoçaj, dr. sci. Arben Hoxha, ma. sci. Arjana Seiti, Avdyl Sulaj, dr. sci. Bahri Brisku, prof. dr. Bardhosh Gaçe, dr. sci. Bashkim Lajçi, prof. dr. Begzad Baliu, dr. sci. Brikena Smajli, ma. sci. Edelajda Cenaj, Edibe Osmani, prof. dr. Enver Mehmeti,  dr. sci. Ermira Ymeraj, prof. dr. Etleva Lala, Fadil Javori, Fazli Hajrizi, dr. sci. Fejzulla Gjabri, mr. sci. Fitim Veliu, Flamur Maloku, Frashër Behra, prof. dr. Gisli Sigurdsson (Islandë), Gjon Frroku, ma. sci. Gjon Marku, Gjon Neçaj, akad. prof. dr. Gjovalin Shkurtaj, Hafezat Osmani, prof. dr. Hamit Xhaferi, prof. dr. Ina Arapi, mr. sci. Ismail Doda, prof. dr. Izaim Murtezani, ma. sci. Izet Duraku, ma. sci. Justin Elliott (Britani e Madhe), dr. sci. Kamber Kamberi, prof. dr. Karl Reichl (Gjermani), prof. dr. Kazuhiko Jamamoto (Japoni), prof. dr. Lekë Sokoli, Linditë Morina, ma. Sci. Majlinda Saraçi, akad. Prof. dr. Mark Tirta, prof. dr. Merita Gjokutaj-Shehu, Melihate Zeqiri, prof. dr. Miaser Dibra, akad. Prof. dr. Minna Skafte Jensen (Danimarkë), prof. dr. Musa Ahmeti, prof. dr. Myrvete Dreshaj-Baliu, Nebih Balaj, dr. sci. Nevrije Ismajli, prof. dr. Nicola Scaldaferri (Itali), prof. dr.

 

Pirro Miso, Rexhep Maksutaj, prof. dr. Robert Elsie (Kanada), dr. sci. Rovena Vata, mr. sci. Skënder Hoxha, prof. dr. Spiridhulla Poçi, prof. dr. Shaban Sinani, prof. dr. Shefqet Hoxha, Shpend Bisheva, Shukrane Begu, mr. sci. Vlorë Fetaj, prof. dr. Zeqirja Neziri, prof. dr. Zymer U. Neziri.

 

Projekti shkencor hulumtues në terren, në periudhën 2012-2014, Eposi i Kreshnikëve-monument I trashëgimisë kulturore shqiptare në Ballkan: Kosovë, Shqipëri, Mal i Zi, Maqedoni, Serbi (E5), i përkrahur nga Instituti Albanologjik i Prishtinës dhe i financuar nga Ministria e Arsimit,  Shkencës dhe e Teknologjisë e Qeverisë së Kosovës, ka qenë në qendër të vëmendjes së konferencës. Këngët dhe tregimet në prozë, të mbledhura në pesë vende të Ballkanit: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Serbi, Mal i Zi, qenë objekt kryesor i shqyrtimit, por janë trajtuar edhe shumë probleme të tjera të epikës gojore të disa popujve, nga Ballkani e deri në Islandë, deri në Azinë Qendrore dhe deri në Japoni.

 

Seksionet.- Kumtuesit e kësaj konference kanë kumtuar rezultatet e veta në tri salla, sipas seksioneve përkatëse: 1.Trajtesa problemore, teorike, krahasimtare. 2.Kontribute. 3.Trajtesa etnokulturore. 4.Trajtesa muzikologjike, filologjike, historike. 5.Trajtesa rajonale.

 

Seksioni Trajtesa problemore, teorike, krahasimtare u hap me kumtesën, që ishte edhe moto e konferencës, se kërkimet për këngët e kreshnikëve nuk duhet të rreshtin. Në vijim janë shqyrtuar çështje të Eposit të Kreshnikëve: kronotopia, aspekte epsitemologjike rreth trajtimit të eposit tonë në folkloristikën shqiptare, figura e nënës, realja, heroikja dhe estetja, figuracioni poetik. Nga trajtesat krahasimtare, janë shtruar: struktura etike e Kanunit – lidhja midis poezisë homerike dhe këngëve epike shqiptare; disa qenie mitike kryesore greke-romake-ilire: paralele kulturore në Eposin e Kreshnikëve; mendimi mitik dhe morfologjia sociale: për një qasje antropologjike të eposit ballkanik; konteksti letrar i sagave islandeze dhe prejardhja e tyre tradicionale gojore; Ali Bajraktari dhe Alpamysh: një interpretim i motiveve të zakonshm në epikat gojore shqiptare dhe uzbeke. Ky seksion është mbyllur me kumtesën me interes:  Pse është shpërfillur kështu vargu epik shqiptar?

 

Ne seksionin Kontribute janë shqyrtuar: takimi me lahutarin Mirash Ndou: një histori nga Shqipëria në shkurt 1974; epi i Fushë-Kosovës në versionin Nosi-Hasluck dhe prania e elementeve epike legjendare; mendimi i Fatos Arapit për Ciklin e Kreshnikëve dhe rrezatimi i tij ballkanik; kontributi i Zymer Nezirit për Eposin e Kreshnikëve; Epi i Lule Frangut, një ep me vete; shtrirja e këngës Igji Brahimi dhe tradhtia e motrës; një rapsod në oborrin e dinastëve Qyprillinj; përshëndetjet, urimet dhe mallkimet në Eposin e Kreshnikëve.

 

Në seksionin Trajtesa etnokulturore janë shqyrtuar: Ora, Zana dhe gjarpri: një qasje etnomjekësore ndaj figurave mitologjike në këngët e kreshnikëve; rreth një simbioze të gjarprit dhe të dragoit në epos; dukuri të komunitarizmit me ligjin dokesor shqiptar në Eposin e Kreshnikëve; rolet sociale në eposin shqiptar; eposi në ndërdijen kombëtare; preja në këngët e kreshnikëve; besa shqiptare në këngët kreshnike; fenomeni i virgjëreshës në traditën shqiptare dhe në Eposin e Kreshnikëve; armët e ftohta dhe armët e zjarrit në vëllimet Epika legjendare e Rugovës; elemente të hershme të veshjes në Eposin e Kreshnikëve në Tetovë dhe Gostivar me rrethinë.

 

Në seksionin e katërt, Trajtesa muzikologjike, filologjike, historike, janë shqyrtuar: duke dokumentuar dhe analizuar performancën: çështje të traditës poetike gojore shqiptare dhe arbëreshe; shoqërimi muzikor i eposit legjendar shqiptar me lahutë në koleksionin Epika legjendare e Rugovës, II, shprehje e një delikatese muzikore të rrallë tradicionale mesjetare; lahuta e Malësisë në kontekstin e praktikave të instrumenteve kordofonë monokorde me hark të kontinenteve të tjerë; dukuri morfologjike arkaike në Eposin e Kreshnikëve; Eposi i Kreshnikëve si përmendore madhështore e ligjërimit dhe e etnografisë së të folurit shqip; edhe njëherë mbi raportin paskajore-lidhore në Eposin e Kreshnikëve; trajtat foljore në Eposin e Kreshnikëve në krahinën e Llapushës; aspekte etno-historike në Eposin e Kreshnikëve; Eposi i shqiptarëve sipas relacioneve të relatorëve shqiptarë e të huaj dërguar Selisë së Shenjtë – Vatikanit në shek XV-XVII.

 

Në seksionin e fundit, Trajtesa rajonale, ku janë renditur mbi një e treta e kumtesave të konferencës, janë shtruar këto çështje: shtresime estetike në Eposin e Kreshnikëve të shqiptarëve në Mal të Zi; gjendja e sotme e Eposit të Kreshnikëve në Malësinë e Madhe (Hot, Grudë, Triepsh dhe Kojë); gjendja e sotme e Eposit të Kreshnikëve në krahinën e Krajës (2012-2014); mbijetesa e Eposit të Kreshnikëve në toponomastikën e Malësisë së Gjakovës; gjendja e sotme e Eposit të Kreshnikëve në Malësinë e Gjakovës (Tropojë) dhe në Rrethin e Pukës; gjendja e sotme e Eposit të Kreshnikëve në Nikaj e Mërtur; Cikli i Kreshnikëve në gjysmën e dytë të shek. XX në krahinat e Kukësit; gjurmë të epikës legjendare në legjendat e Drinit të Zi; lahuta dhe këngët e kreshnikëve në trevën e Mirditës; gjendja e sotme e Eposit të Kreshnikëve në krahinën e Dushkajës; gjendja e sotme e Eposit të Kreshnikëve në katundet e anës veriore të Rrafshit të Dukagjinit (2012-2014); mbijetesa e Eposit të Kreshnikëve në disa fshatra të anës veriore të Rrafshit të Dukagjinit; Eposi i Kreshnikëve në krahinën e Llapushës: Ali Ramadan Krasniqi; gjendja e sotme e Eposit të Kreshnikëve në krahinën e Llapushës: Isë Llapçeva e Naim Krasniqi; gjendja e Eposit të Kreshnikëve në trevën e Shalës së Bajgorës; gjendja e sotme e Eposit të Kreshnikëve në Vushtrri dhe rrethinë, 2012-2014; gjendja e sotme e Ciklit të Kreshnikëve në krahinat Llap e Gallap; kërkime për Eposin e Kreshnikëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë; mbijetoja të eposit heroik shqiptar midis shqiptarëve të Maqedonisë; mbijetoja të Eposit të Kreshnikëve në trevën e Dervenit të Shkupit; mbi Eposin e Kreshnikëve në trevën e Kërçovës.

 

Disa kumtues nuk qenë të pranishëm në seksionet përkatëse të konferencës, por shkurtoret e kumtesave (abstraktet), që i kanë dërguar, janë marrë parasysh në panelet e seksioneve, kurse edhe disa të tjerë nga jashtë, për shkak të mungesës së mjeteve për bileta, nuk janë nisur fare për Prishtinë, por kumtesat, besojmë, do t’i dërgojnë për botim (nga Pekini, Teherani, Kajro, Adis Abeba e Bostoni), si dhe një studiues nga Tuzlla (për shkak të vizës).

 

Dita e dytë e konferencës u mbajt më 9 gusht, Shtupeq i Madh, Rugovë: takim me lahutarë nga Rugova dhe nga Malësia e Gjakovës, takim me lahutapunues, program i AFA Rugova, vizitë në kompleksin përkujtimor të Shtupeqit të Madh. Ky ishte rast i rrallë për shumë studiues për t’i takuar e për t’i dëgjuar lahutarët, për të shikuar hapin tipik epik të valleve tona dhe për të shkelur në ambientin tipik epik të Alpeve Shqiptare.

 

Nga kumtuesit janë realizuar shumica e tezave të parashikuara për konferencën: eposi shqiptar: zënafilla, autoktonja, funksioni etnik sipas simboleve mitike-përrallore; temat dhe motivet e kon-fliktit shqiptar-sllav; vlerat autentike të eposit: qeniet mitike, mitet, figuracioni, vargnimi, gjuha, muzika; poetika e kohës, poetika e hapësirës; shtresime të lashta etnokulturore: paralele të jetës së kodifikuar sipas Kanunit shqiptar me epokën homerike; shtresime krahasuese me eposet evropiane; krahasimet në aspektin tematik dhe motivor; sinonimia historike: Muji e Halili-sinonim i qëndresës kufitare; konteksti ballkanik: përkime dhe ndikime të ndërsjella me epikat gojore fqinje; këngëtarët dygjuhësorë (bilingualë); teoria formulaike e Perry-Lordit si një nga bazat për studimin e eposit; interpretimi i këngëve epike: rrugët e zhvillimit; lahuta: instrumenti përcjellës për interpretimin e eposit; gjendja e sotme në terren e Eposit të Kreshnikëve.

 

Kjo konferencë shkencore ndërkombëtare u organizua me qëllim të paraqitjes së gjendjes së sotme të Eposit të Kreshnikëve, të shtrirjes së tij gjeografike në Ballkan, të vlerave të këtij monumenti më të madh të poezisë gojore shqiptare, të pasqyrimit të veçorive të tij autoktone, si dhe të dokumentimit të tij në UNESCO, krahas dosjes për UNESCO, e përgatitur dhe e dorëzuar vjet në Qeverinë e Kosovës, që është realizuar nga Tirana e Prishtina (QSA e IAP): se ky epos heroik legjendar është vlerë jashtëzakonisht e madhe e trashëgimisë shpirtërore të njerëzimit.

 

Kumtesat do të botohen nga bashkorganizuesit, IAP dhe QSA, në dy vëllime të veçanta, krahas

 

tri vëllimeve të konferencës së kaluar për Eposin e Kreshnikëve, IAP dhe QSA, më 2010, që janë gati për shtyp. Rezultatet e kësaj konference e nderojnë veprimtarinë shkencore të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës, i zgjerojnë e i bëjnë më të forta lidhjet e tyre me botën dhe janë me interes edhe për krijimin e diplomacisë sonë kulturore, e, në anën tjetër, kjo konferencë, duke qenë ndër më të mëdhatë e këtij lloji në botë, është kontribut i ri për albanologjinë, sidomos për epikologjinë tonë dhe për studimet epike botërore.

Kontrolloni gjithashtu

Tefta Çami: Vizita në Theth të Dukagjinit, më ka lënë shumë mbresa

Tefta Cami: Vizita në Theth të Dukagjinit, më ka lënë shumë mbresa

Me 26-27 tetor të këtij viti shkova e vizitova me vajzën time, Alma dhe me …