Ahmet Qeriqi: Letërsia shqipe me alfabet arab, u anashkalua për shkak të alfabetit me të cilën është shkruar I

Letërsia shqipe me alfabet arab, kundruar realisht është pasuri letrare, kombëtare e shqiptarëve, jo vetëm sepse shumica e kombit i përket besimit islam, por sepse ajo ka vlerat e veta specifike që pasurojnë diversitetin kulturor të një populli, dikur shumë me ndikim në Perandorinë Osmane, por edhe në Ballkan përgjithësisht.

Pas përcaktimit për alfabetin latin të gjuhës shqipe, në Kongresin e Manastirit në vitin 1908, që ishte dhe është alfabet shumë i përshtatshëm dhe më i lehtë për ta mësuar, tërë literatura shqipe e shkruar me alfabetin arab u anashkalua duke e identifikuar me alfabetin e pushtuesit, por duke harruar se edhe alfabeti latin kishte qenë po ashtu alfabet i pushtuesit romak në viset e Ilirisë.  Pikërisht sepse ishte e shkruar me atë alfabet, ajo letërsi shqipe ishte  anashkaluar mizorisht, ndërsa është çmuar e tejçmuar letërsia e shkruar me alfabet latin e grek, pse jo edhe sllav, që kishte vetëm përmbajtje fetare, po jo edhe sociale.

Nëse gjykojmë letërsinë në pikëpamje politike dhe ideologjike, vepra e iluministit, Marin Barleti, “Historie de vitae et gestis Georgius Castriotis-Scanderbegus, Epirotarum Principis” u shkrua në gjuhën latine në kohën kur turmat e pashkolluara shqiptare nuk e dinin as e kuptonin latinishten.  E përkthyer pothuaj në të gjitha gjuhët europiane, pas gati 5 shekujve , vepra e Barletit u shqipërua nga Stefan Prifti në vitin 1964. (Vikipidia). Vepra e dytë dhe më e plotë e Barletit është “Historia e Skënderbeut” po në latinisht, me titullin e plotë “Mbi sjelljet e jetës dhe punët, veçanërisht kundrejt turqve, bëmat e Gjergj Kastriotit, princi i shkëlqyer i epirotëve, i mbiquajtur Skanderbeg për veprat e tij, ndryshe Aleksandri i Madh. Shkruar prej Marin Barlet Shkodranit (lat. De Vita Moribus Ac Rebus Praecipue Aduersus Turcas, Gestis, Georgii Castrioti, Clarissimi Epirotarum Principis, qui propter celeberrima facinora, Scanderbegus, hoc est, Alexander Magnus, cognominatus fuit, libri Tredecim, per Marinum Barletium Scodrensem conscripti). Vikipidia.

 Një gjysmë shekulli më vonë se Barleti,  ka jetuar në Perandorinë Osmane të kohës, poeti më i madh i kohës, Jahja Bej Dukagjini, që nuk e kishte fshehur kurrë origjinën por që ishte lavdëruar me të, madje mu në Pallatin perandorak të  Sulltan Sylejmanit,  por vepra e tij nuk u përkthye kurrë në gjuhën shqipe, edhe pse kemi të bëjmë me një poet të përmasave botërore, pa dyshim asokohe poeti më i madh me origjinë shqiptare, për të cilën ai mu në qendër të Perandorisë krenohej me origjinën pa i bërë syri vër.

Origjinën e kam shqiptar,

Dhe farefisi im jeton me shpatë në dorë.

Farefisi im i lashtë rrjedh nga paria e shqiptarëve,

 Sojin më të lashtë e kam prej princërve të Dukagjinit.

 

Jahja beu ishte me origjinë nga Principata e madhe e Dukagjinasve. Në historinë turke njihet si: Dukagjin-Zade Jahja Bej, apo Tashlixhali Jahja. Është ndër personalitetet e pakta të kohës, i cili jo vetëm që nuk kishte mohuar origjinën e vetë, por me mburrje kishte shkruar për atë origjinë “spartane”, që ka jetuar dhe rron me shpatë, gjithnjë i kërcënuar, por gjithnjë e mbijetuar, nga shekulli në shekull.

 

Raca ime është racë shqiptare…

E gjithë familja ime me shpatë rronte.

Tamam si zemër luani,

Ata si shqiponjat ndërtojnë shtëpitë e tyre mes gurësh.

Ky është gjeni, origjina e atij që është shqiptar.

Ai është si margaritar, i fshehur mes gurësh… shkruan në një ode të tij, në gjuhën turke.

 

Jahja bej Dukagjini, pavarësisht se ishte poet i oborrit mbretëror ai ishte edhe një burrë trim dhe shumë i mirëpritur edhe nga vetë Sulltan Sylejmani, e sidomos nga Ibrahim Pashë Pargaliu. Në anën tjetër ishte shoku më i ngushtë dhe më i dashur i djalit të Sulltanit, shehzade Mustafasë. Edhe ky si shumë e shumë shqiptarë të tjerë ishte rrëmbyer që në fëmijëri, me ligjin e Devshirmesë, që lejonte turqit të merrnin fëmijë të krishterë, qoftë edhe në mënyrë të dhunshme, me qëllim për t’i arsimuar fetarisht dhe ushtarakisht dhe për t’ i bërë pjesë të Perandorisë. Jahja beu ishte vëlla i Vezirit të njohur  Ahmet Bej Dukagjini.

 

Ka shkruar divanin e njohur: “Mbreti e lypësi”, pastaj pesë romanca të njohura për dashurinë, të deklamuara me një alegori mistike, por jo nën ndikimin e traditës  mistike iraniane. Ka shkruar edhe romancën e njohur me temë nga Kur-ani e Besëlidhja e Vjetër,  “Jusufi e Zylehja”, “Trëndafili” mbi njëmijë petale”, ku ka përshkruar mrekullitë e Profetit Muhamed. Libri i Qytetit e shumë poezi, divane, ode me tema të ndryshme fetare, etj. Deceniet e fundit të jetës i ka kaluar kryesisht në vende të ndryshme të Rumelisë, por më tepër ka qëndruar në vendlindjen e tij në Taslixhe ku edhe ka vdekur në vitin 1575.( Vezirët kokëprerë… RKL)

 

 

Letërsia shqipe e periudhës para romantizmit, nga studiues të letërsisë shqipe u përkufizua si letërsi e “bejtexhinjve

Letërsia shqipe e periudhës para romantizmit, nga studiues të letërsisë shqipe u përkufizua si letërsi e “bejtexhinjve”, duke u bazuar jo në përmbajtjen e saj, që kryesisht ishte letërsi sociale, e shprehur shumë kohë para romantizmit e realizmit, ndër të veçantat e asaj kohe,  por u përdor ky term për  formën e shkruar në vargje, strofa, bejte.

Temat sociale të poezisë së bejtexhinjve mbizotëronin në kohën kur letërsia shqipe me alfabet latin ishte kryekreje deskriptive dhe nuk kishte as edhe një poezi  të mirëfilltë shoqërore. Ajo ishte krejtësisht fetare, kryesisht e përkthyer, me shumë latinizma të pakuptueshme po aq sa kishte edhe poezia e bejtexhinjve, me arabizma e turqizma.

Megjithatë po të marrim kundrim realist në qasje të problemit, po ta vlerësojmë drejt dhe paanshëm, dashur pa dashur duhet të pranojmë se për nga tematike, përmbajtja e brendia, poezitë e ‘bejtexhinjve” ishin  poezi sociale një shekull para lindje së romantizmit dhe po thuajse dy shekuj para  realizmit në letërsinë shqipe.

Kontrolloni gjithashtu

Enver Hoxha (1966): Kosova është shqiptare, mbetet shqiptare dhe i përket Shqipërisë

Isa Ferizaj: I ENVER HOXHËS, MË I MADHI OBELISK – SHQIPTARIA (poemë)

Kohërat enden si të marra, kohërat pa maja; Po lind dielli krejt terruar, mbretëron hataja! …