Ahmet Qeriqi: Manipulimet politike e fetare me emrin dhe personalitetin e Nënë Terezës

Robëria dhe skllavëria shumëshekullore e popujve ka krijuar kultin e Shpëtimtarit, të Mesisë kudo te popujt e botës dhe jo vetëm ndër ne. Etja për kultet nuk është diçka gjenetike as e lindur, por janë sundimtarët ata që ngrehin kulte, me qëllim që popullin ta mbajnë të robëruar, të shfrytëzuar e të nënshtruar.
Në kohën e sundimit turk, sidomos në periudhën e konvertimit fetar të shqiptarëve, kult suprem ishte Sulltani, Baba Mbreti. Kur përmendej emri i tij, jo vetëm çdo imam, por edhe çdo besimtar duhej të luante nga vendi. Çuditërisht, një veprim ti tillë nuk bëhej kur përmendej emri i Allahut, apo emri i profetit Muhamed. Edhe pse feja islame nuk preferon veprime të tilla, në praktikë sundimtarët, sidomos sulltanët, identifikoheshin me mëkëmbësin e fesë dhe me kultin e sundimtarit, që shtrinte pushtetin në këtë botë. Secila periudhë historike ka pasur dhe ka kultet, të cilat nuk lindin vetvetiu por i lind, i ushqen dhe iu jep dimension feja, pushteti, politika. 
Në këtë segment u lind edhe kulti i Nënë Terezës, Gonxhe Bojaxhiut, e cila në parim të besimit të saj të çiltër nuk kishte kultin e individit, por të tjerët, sidomos pas vdekjes e ngritën në kult, në radhë të parë për qëllime politike, pse jo edhe për qëllime fetare e tjetër fare. 
Kulti i nënë Terezës është instaluar në Kosovë, sidomos në kohën e sundimit të regjimit vrastar të Milosheviqit, si përpjekje për të dëshmuar para botës se shqiptarët janë popull i vjetër, me qytetërim autentik dhe kanë dhënë personalitete me përmasa botërore. Këtë kult e ngriti edhe më lartë politika pacifiste e Ibrahim Rugovës, i cili me tërë qenien ishte drejtuar kah Vatikani, nga ku kërkonte shpëtim, duke pasur mbështetje sidomos kultin tashmë të ngritur për Nënë Terezën. 
Një rol të rëndësishëm në Kosovë në ngritjen e këtij kulti ka luajtur edhe formimi i Shoqatës bamirëse, humanitare “Nëna Terezë”, e cila ka vepruar sidomos në vitet e robërisë, por edhe gjatë kohës së luftës sonë heroike çlirimtare dhe fitimtare, Nënë Tereza tashmë ishte bërë emër i njohur për tërë botën shqiptare. Përvujtëria e saj, mëshira, përkujdesja për të pastrehët, për të sëmurët, ishin bërë mbështetje morale për popullin fukara, i cili kërkonte me çdo kusht të mbijetonte sundimin e egër dhe gjakatar të Serbisë sodomiste dhe mirëpriste çdo ndihmë nga kudo që do të vinte. 
Shumicës dërrmuese të popullit tonë nuk i ka interesuar as i intereson misioni i saj i shenjtë, mbështetur fuqishëm dhe krejtësisht në Kishën katolike dhe në politikën fetare të Vatikanit. Nënë Tereza realisht ishte njëra ndër misionaret më të njohura të botës katolike dhe me shembullin e përkushtimin e saj arriti ta zgjerojë dhe ta begatojë misionin e bamirësisë, por kurdoherë dhe çdoherë duke i qëndruar besnike Vatikanit dhe synimeve misionare, që edhe sot e kësaj dite janë të përhapura dhe funksionojnë në të katër anët e botës. 
Me shembullin dhe përkushtimin e saj ajo tuboi rreth vetes motra të nderit, kuptohet, vetëm nga rendi dhe urdhri katolik. Ndikimi i saj në politikën ndërkombëtare për Kosovën nuk mund të thuhet se ekziston, por meqë ajo kishte pranuar botërisht përkatësinë e saj shqiptare, ky fakt, natyrisht se mund të ketë ushtruar ndikim te disa qarqe pro shqiptare në politikën ndërkombëtare, por në asnjë mënyrë në politikën fetare të Vatikanit. Nënë Tereza edhe po të donte, edhe po të kishte zemër të zhuritur për kombin, sikur paraqitet në shkrimet e disa apologjetëve, me prejardhje të dikurshme të ideologjisë komuniste, nuk do të mund të angazhohej në këtë drejtim, në radhë të parë, sepse ajo tërë jetën ia kishte kushtuar misionit, i cili në asnjë mënyrë nuk do ta lejonte të merrej me politikë kombëtare, sikur bëjnë përpjekje ta paraqesin ithtarët e saj të shumtë, të cilët mendojnë se po ta lavdërojnë Nënë Terezën, kanë bërë punën që duhet, edhe pse nga ky soj ka më së shumti ateistë të padeklaruar, të cilëve nuk u prish punë të festojnë krishtlindjet edhe Bajramin, në të njëjtën kohë. Laramanë të tillë ka sa të duash në Shqipëri dhe në Kosovë. Kjo nuk ka të bëjë me intelektualët që kanë bindje ateiste dhe që botërisht deklarohen si të tillë, pa asnjë paragjykim. Këtu është fjala për politikanët laramanë fetarë, të cilët duan ta kenë mirë me çdo fe dhe të cilët nuk kanë identitet të mirëfilltë fetar, as identitet të mirëfilltë ateist, por ata janë intelektualë gjysmakë, të cilët i përshtateshin dhe i përshtaten çdo pushteti, sidomos të huaj. 
Kulti i Nënë Terezës ka shtrirë ndikimin edhe mbi institucionet fetare islame. Kjo është esenca e këtij vështrimi dhe këtu duhet dhënë shpjegime të caktuara, të matura e profesionale, sepse asnjë fe monoteiste nuk e pranon si të shenjtë besimin e fesë tjetër. Kjo nuk ndodh në botën e krishterë, edhe pse ndodh që besimtarët të kalojnë nga një fe në tjetrën, por nuk ka rast në botë, që një individi t i pranohet dualiteti fetar, të jetë në të njëjtën kohë mysliman edhe i krishterë. Ky fenomen nuk ekziston në botë. Dhe përderisa nuk ekziston një fenomen i tillë, nuk mund të kërkohet nga myslimanët e Kosovës që Nënë Terezën ta konsiderojnë si të shenjtë, sepse thjesht secila fe ka parimet e veta partikulare, bazamentin autentik fetar, besimin, lutjet, liturgjinë, agjërimin, të cilat në esencë dallojnë njëra nga tjetra. 
Mirëpo nuk mund t’ i mohohet asnjë myslimani shqiptar që të ketë respekt për një bashkëkombëse, që ka bërë emër në botë, sikur është Gonxhe Bojaxhiu, por edhe nuk do të duhej t’i imponohej asnjë myslimani ta konsiderojë të shenjtë Nënë Terezë, përderisa Islami nuk e njeh, as e pranon këtë fenomen të fesë së krishterë. 
Me rastin e manipulimit me emrin e Nënë Terezës kemi një fenomen që i përket politikës më shumë sesa religjionit. Në shkollat tona, nxënësit nuk mësojnë për Krishtin as për profetin Muhamed, por mësojnë për Nënë Terezën dhe janë të shumta institucionet, sheshet, rrugët që mbajnë këtë emër, në Kosovë, në Shqipëri, në Maqedoni dhe kudo ndër shqiptarë. Në këtë mënyrë Nënë Tereza është përvetësuar në radhë të parë nga politika zyrtare, e cila pretendon të paraqitet shumë properëndimore, duke harruar se bota është diçka më shumë se ky perceptim i tyre dhe duke harruar se përcaktimi, si qëllim në vetvete dhe për efekte politike, nuk do të thotë gjithçka. 
Këtu qëndron manipulimi politik që i bëhet Nënë Terezës, në përpjekje për ta përvetësuar në aspektin kombëtar dhe fetar. Një përpjekje të tillë e kanë provuar dhe ende po insistojnë ta provojnë edhe sllavomaqedonët, vetëm për fatin se ajo ka lindur në Shkup, edhe pse kisha ortodokse sllave e këtij shteti, nuk ka asgjë të përbashkët me përkatësinë fetare katolike të Nënë Terezës, edhe pse kreu institucional i këtij shteti sllav, ka marrë vendim për ta rrënuar shtëpinë e lindjes së Nënë Terezës, në Shkup, me qëllim që mbi ato rrënoja të vendosen themelet e një kishte ortodokse, sllavomaqedone. 
Shumë nga politikanët shqiptarë kanë manipuluar dhe po manipulojnë me emrin, veprën dhe jetën e Nënë Terezës, në rrugë për të demonstruar përcaktimin e tyre evropian, por me një segment të heshtur edhe të pranimit të trashëgimisë fetare të Nënë Terezës. Ky është realiteti që ushqen për të keq, jo vetëm atë pjesë të besimtarëve islamë që cilësohen si ekstremistë, por edhe të gjithë besimtarët e vërtetë dhe të devotshëm islamë, të cilët mund të ndihen edhe të irrituar kur fëmijët e tyre duhet të mësojnë në shkollë dhe të detyrohen të pranojnë se Nënë Tereza është e shenjëtruar. Kjo bie ndesh me bazamentin e fesë islame e pranoi apo nuk e pranoi Bashkësia Islame e politizuar e Kosovës, apo disa nga imamët tanë që pranojnë autoritetin fetar të Nënë Terezës, duke deklaruar se ata e respektojnë humanitetin dhe dimensionin e saj moral si dhe përkatësinë e gjakun e saj shqiptar. 
Edhe pse shumë politikanë shqiptarë, analistë dhe drejtues institucionesh, nuk reshtin duke e madhëruar personalitetin e Nënë Terezës, edhe pse kreu katolik i Kosovës, por edhe një pjesë e kreut zyrtar islam janë përcaktuar për Bashkimin Evropian, Vatikani zyrtar as e ka njohur, as do ta njohë pavarësinë e Kosovës, madje as për hir të shenjtëreshës, Nëna Terezë, sepse realisht, ajo, asnjëherë dhe me asnjë rast nuk është angazhuar për pavarësinë e Kosovës. Përcaktimi dhe tërë përkushtimi i saj iu ka kushtuar misionit katolik të Vatikanit, në shërbim të fëmijëve të varfër e të mbetur rrugëve të botës, por jo fëmijëve bonjakë e të varfër shqiptarë të Kosovës, të Shqipërisë apo të Iliridës. Këto fakte kryeneçe nuk mund të mohohen, kur është fjala për misionin e shenjtë të Nënë Terezës. 
Duke peshuar aktivitetin e saj fetar, dhe duke anashkaluar në tërësi aktivitetin e saj patriotik e kombëtar, figura e Nënë Terezës ka dimensionin e vet autentik, i cili nuk mund të tjetërsohet, nuk mund të shtrembërohet, por as të mohohet. 
Manipulimet me emrin e Nënë Terezës duhet të ndërpriten, meqë kurdoherë nga krijimi i miteve dhe idoleve kanë përfituar vetëm sundimtarët, despotët, diktatorët dhe ata të cilët politikat e veta i kanë orientuar në shërbim të realizimit të ideve, shpeshherë shterpe dhe shumë herë me pasoja të rënda për popujt.

Kontrolloni gjithashtu

Enver Hoxha

ISA FERIZAJ: RRON E DREJTA, E VËRTETA

ENVERIZMI ATDHETAR! Erdhi serish prilli, në vendin tim; Gjetur, i ka shqipet, në fluturim. Gjet …