Ahmet Qeriqi: Medreseja Al-laudin, në Prishtinë në vitet 60-të ka qenë çerdhe e atdhetarisë, më vonë edhe e luftëtarëve të lirisë IV
Një grup nxënësish të Medresesë "Alauddin"

Ahmet Qeriqi: Medreseja Al-laudin, në Prishtinë në vitet 60-të ka qenë çerdhe e atdhetarisë, më vonë edhe e luftëtarëve të lirisë IV

LRBSH-ja në Medrese

 

Pikërisht për këtë e them me përgjegjësi se  në vitet 60 të shekullit 20, askund në shkollat e Kosovës nuk është lexuar më shumë literaturë e ndaluar nga Shqipëria sesa në Medrese. Vetëm tetë  muaj pas botimit të romanit “Lumi i vdekur” ai është lexuar ilegalisht në Medrese. Po ashtu ndër veprat më të lexuara, të cilat e them pa hamendje se i kanë lexuar shumica e medresistëve ka qenë romani Afërdita dhe romani  Pse, i Sterjo Spases, Lumi i vdekur, i Jakov Xoxës, Sikur t isha djalë, i Haki Spërmillit, Lulja e Kujtimit, e Foçion Postolit,  e prej vitit 1959 ka qenë romani, “Gjarpërinjtë e Gjakut” i Adem Demaçit,  të cilin e kishim fqinj të parë të dashur e të respektuar. Ishte i vetmi që nuk na ndëshkonte fizikisht kur topi binte në oborrin e tij. Ai na kthente topin dhe na porosiste të mos kalonin mbi mur, por të dilnim e të hynim në oborr nga dera, e cila nuk ishte edhe aq larg. Një fqinje ( një “inxhe” që nuk ia kam mbajtur mend emrin),  që na urrente, kur topthi binte atje, na shqyente dhe na gjuante sërish ashtu të shqyer  në oborrin e Shkollës.

Në vitin 1964, kur ende ishim larg gjuhës së njësuar të kombit, një hoxhë atdhetar, Mulla Sherif Ahmeti, na diktonte të shkruanin në gjuhën letrare, madje me pjesoren e zgjeruar, ashtu sikur dëgjonim të flitej në Radio-Tiranë. Tinës lexonin edhe vepra të Hafiz Ali Korçës, Ibrahim Dalliut, të Gjergj Fishës, Adem Demaçit. Kjo ishte Medreseja e asaj kohe. Shikonim  filma, përcillnim pjesët teatrale, blinim gazeta e revista, përcillnim ngjarjet sportive dhe ishin në korrent të zhvillimeve shoqërore si të gjithë nxënësit e shkollave të tjera, edhe pse të papranuar dhe çuditërisht të përbuzur e të injoruar…

Kemi qenë të izoluar në krahasim me bashkëmoshatarët në shkollat e tjera.

Në Konviktin e Medresesë dalja në qytet ka qenë e lirë vetëm të martën pas dite, meqë ishte ditë tregu dhe ditën e diel pas dite. Ditëve të tjera dilej vetëm me leje dhe me arsyetim të faktuar. Dalja pa leje ndëshkohej me një racion  bukë, shpeshherë edhe me ndëshkim fizik, rrahje të duarve me vizore apo shtagë.

E kishim të ndalura ta hiqnim nga koka kapelën gjatë daljes së qytet, andaj edhe ishim bërë objekt i përqeshjeve e cinizmit të bashkëmoshatarëve, të cilët na identifikonin dhe gjuanin me rromuze, “shikoj hoxhallarët”… Kapelat kanë qenë ato franceze të kohës dhe plisa të bardhë. Urrejtja e lehtë dhe e fortë kundër medresistëve ishte pjesë e qëndrimit zyrtar komunist, edhe pse Medreseja ishte shkollë e regjistruar, por nuk pranohej statusi i  njëjtë  me statusin e shkollave të tjera. Kalimi prej medresesë në një shkollë laike nënkuptonte riprovimin e të gjitha lëndëve, madje edhe të atyre shoqërore e shkencore. Medresistët mund të regjistroheshin me provime pranuese në Orientalistikë, apo edhe në Fakultete të tjera gjithnjë  me provime të shumta pranuese.

Gjeneratat e medresistëve të Prishtinës prej vitit 1959 e deri në vitin 1966, flas për kohën në të cilën kam qenë nxënës, kanë qenë nxënësit e vetëm të diskriminuar sa i përket të drejtave dhe lirive njerëzore, në Kosovë dhe përgjithësisht në Jugosllavinë e kohës. Përveç demonizimit të ushtronte regjimi, mbizotëronte një klimë e urrejtjes edhe nga shumica e bashkëmoshatarëve. Përballja me injorimin, përçmimin, urrejtjen, ishte një padrejtësi uloke e egër dhe aspak njerëzore. Edhe në këto kushte të injorimit dhe mospranimit, medresistët iu kanë përgjigjur idealistëve të kombit, sepse shumica kishte prejardhje nga kundërshtarët e regjimit jugosllav dhe kishte trashëguar edukatë të pastër kombëtare.

Grupi i LRBSH-së në Medrese  ka qenë grupi i vetëm të rinjve, pikërisht në lagjen ku ishte edhe bërthama e Lëvizjes, Adem Demaçi, Tefik Sahiti, Sabri Novosella, Selatin Novosella, që kanë vepruar në kuadër të kësaj organizate.

Nga një grup prej më se 12 medresistëve, të moshës jo madhore janë dënuar: Ahmet Aliu, nga fshati Krojmir i Drenicës, me këtë mbiemër në njihnin të gjithë në medrese. Mbiemri Qeriqi  iu kishte vënë familjes në vitin 1967. ( Deri në atë vit në të gjitha dokumentet zyrtare në gjuhën serbe ka qenë mbiemri Shema, ( në dokumentet e kohës së Kralit, Shemoviq, Miftaroviq). Isha dënuar fillimisht një muaj burg efektiv, meqë isha i mitur. Por, pasi ishte ankuar  Prokurori Gjykata e Shkallës së Dytë kishte marrë vendim definitiv, dy maj burg dhe 1 vit me kusht.

 Po ashtu një vit e gjysmë burg ka qenë i dënuar Imer Mehmeti nga Kremenata. Ai nuk ishte i mitur andaj edhe ishte dënuar më rëndë. Me nga një muaj ishin dënuar: Riza Gjoka nga Tuzi i Malit të Zi dhe Shemadin Akiti nga Zajazi i Kërçovës. Ishin maltretuar, rrahur e mbajtur në hetuesi edhe Mehmet Gashi, Januz Hoxha nga Bllaca i cili kishte pranuar angazhimin, por meqë ishte penduar nuk ishte dënuar me burg. Është marrë nën hetime dhe është maltretuar edhe Ali Isufi nga Dabishevci, mbase edhe Hasan Ballovci dhe disa medresistë të tjerë. Arrestimi ka ndodhur me 6 nëntor të vitit 1965, në orën tetë të mëngjesit. Dy anëtarë të grupit, Imer Hysiqi nga Shtimja, dhe Bajram Sadiku nga Reçaku,  në fillim të nëntorit të vitit 1965, kishin kaluar kufirin dhe ishin vendosur në Shqipëri ku edhe jetojnë aktualisht me familjet e tyre. Ata nuk ishin nxënës të medresesë por të Shkollës Ekonomike të Prishtinës.

Lidhja jonë me LRBSH-në ka qenë përmes, Feti Mehdiut, i cili nuk ishte dekonspiruar. Fetiu ishte më i moshuar se ne të tjerët, meqë Medreseja e Ulët i pranonte edhe nxënësit që kishin kryer tetëvjeçaren. Unë kisha mohuar se ai më kishte drejtuar te Sabri Novosella, të cilin e kam vizituar dy  tri herë në shtëpi. Sabriu nuk ka përmendur si anëtarë të organizatës asnjë nga medresistët. Mirëpo ne jemi  vetëdekonspiruar më vonë duke bërë përpjekje për riaktivizim që nënkuptonte afishimin e flamujve, flamurin kuqezi me apo pa shqiponjë, sepse ai qepej individualisht  dhe shkrimin e parullave si Kosova asht Shqipëri, etj.

Po kështu nuk pranohej statusi i shkollës së rregullt edhe pse dëftesa e medresistit e periudhës për të cilën po shkruaj kishte 20 deri në 22  lëndë, fetare, shoqërore e shkencore. Në krahasim me të gjitha shkollat e Kosovës, ne ishin nxënësit që në të njëjtën kohë kryenin dy shkolla, tetëvjeçaren dhe shkollën e ulët fetare. Merreni me mend sa kohë i ka kushtuar një nxënësi të medresesë, mësim,  1o deri 12 orë në ditë.

Mendoj se ishin nxënësit më të përgatitur të kohës, meqë përveç lëndëve të rregullta të tetëvjeçares në të njëjtën kohë mësonim edhe lëndët fetare, pastaj gjuhën arabe, e cila kishte orë javore po aq sa gjuha shqipe, në fillim ishte edhe gjuha turke, pastaj gjuha serbokroate, më vonë mbase edhe ndonjë gjuhë tjetër.

Askush deri sot nuk ka shkruar për këtë fenomen të nxënësve, jo të një gjenerate por më shumë se dhjetë gjeneratave, të cilët gjatë një viti shkollor kanë kryer dy klasë, njërën me lëndë fetare, tjetrën me lëndë shkencore e shoqërore.

Pjesa dërrmuese e nxënësve që pranoheshin në Medrese meqë kishte numër të kufizuar vinte nga të gjitha trojet shqiptare, nga Ulqini, Kraja, Anamali, Plava, Gucia, Medvegja Presheva Kumanova, Shkupi, Tetova Zajazi Kërçova, Gostivari dhe pjesët e Kosovës.  Në gjeneratën e viti 1959-1960, nga rreth  nxënës sa kishte medreseja ishin nga më shumë se nga 35 fshatra e qytete të trojeve shqiptare nën Jugosllavi si: Plavë, Guci, Ulqin, Tuz, Gostivar, Tetovë, Zajas, Kumanovë, Preshevë, Medvegjë, Besianë, Prishtinë, Mramor, Dabishevc, Surkish, Ballovc, Krojmir, Kizharekë, Belinc, Godanc, Pjetërshticë, Firajë,  Pejë, Novosellë, Gjakovë, Prizren, Zhur, Bllacë e Therandës, Kaçanik, Zajaz, Gjilan, Zhegër, Ivajë, Vërboc, Gjilan…

Përjashtimi  i katër nxënësve nga Medreseja në janar  të vitit 1966.

Gjatë viteve të mesmit në Medrese, edhe pse është folur dhe është spekuluar, asnjë prej hoxhallarëve nuk na ka denoncuar, por kanë qenë të detyruar të na përjashtojnë, sepse për vepra të tilla penale i ka përjashtuar nxënësit edhe Normalja e Prishtinës, Shkolla Ekonomike e sa e sa të tjera. Nuk ka folur asnjë fjalë, gjatë hetimeve  as Sabri Novosella, lidhja jonë e vetme me organizatën, por as Feti Mehdiu meqë unë në lidhjen time me Sabriun, nuk e kishte përmendur Fetiun si organizator i treshes.

Duke qenë se ishin marrë nën hetime dhe për shkak të veprimtarisë nacionaliste e irredentiste ishin shpallur fajtorë dhe ishin dënuar me burg, Ahmet Aliu, Imer Mehmeti, Riza Gjokaj dhe Shemadin Akti, kishte pasuar edhe përjashtimi nga shkolla.

Me rastin e përjashtimit nga Shkolla, në janar të vitit 1966 është zhvilluar  një debat i ashpër mes të gjithë hoxhallarëve, sidomos Mulla Hasan Nahit e të tjerëve që nuk pranonin të na përjashtonin, ndërsa drejtori, Mulla Rashit Osmani, u thoshte se nuk kemi rrugë tjetër, nuk dalim dot kundër shtetit. Mjerisht në mesin e nxënësve, disa të manipuluar kërkuan verbalisht përjashtimin, por fjala e tyre nuk pati ndonjë ndikim.

Ajo që më ka mbetur në kujtesë ishte reagimi burrëror dhe stoik i Hasan Efendi Nahit, i cili kishte kërkuar që për përjashtimin ose jo të votohej, ndërsa drejtori i shkollës Mulla Rashid Osmani, mundohej ta bindte se një qëndrim i tillë ishte i kundërligjshëm, meqë shkolla nuk na përjashtonte për delikte që kishin bërë përbrenda, por ishte qëndrimi zyrtar i RSFJ-së që çdo nxënës apo student që shpallej fajtor dhe dënohej me burg të përjashtohej nga shkolla, madje edhe me pamundësi regjistrimi në ndonjë shkollë tjetër.

Në vendim, që kishte nxjerrë Drejtoria, në gjuhën serbokroate shkruan: …”Ahmet Aliu dënohet me përjashtim nga  Medreseja Alaud-din e Prishtinës me pa të drejtë shkollimi  në gjitha shkollat fetare në territorin e RSFJ-së, për shkak të veprës së tij armiqësore, pasi i ka takuar një organizate e cila kërkon bashkimin e Kosovës me Shqipërinë”.

(Pas largimit të Aleksander Rankoviqin, nga posti, dhe dënimi verbal të krimeve të tij,  dy vjet me vonesë Drejtoria e Medresesë  kishte reviduar qëndrimin, por unë isha thirrur në shërbim ushtarak dyvjeçar dhe nuk ishte kthyer më në Medrese. Në vitin shkollor 1969-1970, me provime pranuese jam regjistruan të Fakultetin Filozofik të Prishtinës, Dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe).

Në vitin 1964, kur ende ishim larg gjuhës së njësuar të kombit, një hoxhë atdhetar, Mulla Sherifi, na diktonte të shkruanin në gjuhën letrare, madje me pjesoren e zgjeruar, ashtu sikur dëgjonim të flitej në Radio-Tiranë.

Tinës lexonin edhe vepra të Hafiz Ali Korçës, Ibrahim Dalliut, të Gjergj Fishës, Adem Demaçit. Kjo ishte Medreseja e asaj kohe.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Fshatrat rreth Kozmaqit po digjen flakë. Nuk dihet për fatin e popullatës. Po zgjerohet fronti i UÇK-së, në Koshare ( E martë 13 prill, 1999)

Ahmet Qeriqi: Fshatrat rreth Kozmaqit po digjen flakë. Nuk dihet për fatin e popullatës. Po zgjerohet fronti i UÇK-së, në Koshare ( E martë 13 prill, 1999)

Burimet e ndryshme të lajmeve nga Drenica Qendrore bëjnë të ditur se atje ka ndodhur …