Ahmet Qeriqi: Morali i degjeneruar i shoqërisë borgjeze, në romanin “Sonata e Krojcerit”, të shkrimtarit botëror, Leon Tolstoj

Gjeniu i prozës ruse, por edhe i letërsisë botërore në përgjithësi, Leon Tolstoj, në romanin e tij të shkurtër “Sonata e Krojcerit” ka trajtuar problemet fondamentale morale, jo vetëm të shoqërisë ruse të kohës, por edhe të krishterimit në përgjithësi. Në romanin e tij të famshëm “Ringjallja” ai ka segmentuar gjerë e gjatë moralin e botës së krishterë, duke i bërë një analizë tejet të fuqishme moralit të proklamuar nga bibla dhe moralit të turmave për të arritur në përfundim pesimist se shkelja e kurorës nuk mund të falet dhe nuk mund të ndreqet me asnjë çmim, me asnjë përkushtim dhe me asnjë pendesë…
Duke marrë për subjekt të veprës “Sonata e Krojcerit” një tragjedi të një familjeje borgjeze të kohës, shkrimtari ka pasqyruar rrethanat shumë të mprehura dhe të acaruara të moralit të shoqërisë ruse, duke i vënë përballë raportet shoqërore e morale, të cilat nuk e bëjnë dot zap lakminë, tradhtinë bashkëshortore duke anashkaluar qoftë edhe mundësinë teorike barazisë gjinore, meqë këtë barazi e ka penguar dhe e pengon feja, por edhe tradita e shoqërisë njerëzore, duke u nisur nga bindja se gruaja është e krijuar nga Zoti për të qenë shërbëtore e mashkullit. 
Femra në të kaluarën por edhe në shoqërinë e sotme bashkëkohore është abuzuar dhe abuzohet, shfrytëzohet dhe keqtrajtohet në të gjitha mënyrat ndër më perverset dhe me hipokritet. Tolstoi gjenial kishte vërejtur se femra gjatë tërë historisë së zhvillimit të shoqërisë njerëzore ka qenë e keqtrajtuar, ku më shumë e ku më pak, por në esencë ajo ka qenë dhe ka mbetur pre e epsheve të pangopura të individëve, sidomos pushtetarëve, të cilët kanë arritur që nga femra të nxjerrin përfitime të shumta. Për shkak të bukurisë së saj, xhelozisë, grabitjeve në botë janë zhvilluar edhe lufta të tmerrshme, ku femra ka qenë shkaktar kryesor i tragjedive të tilla, madje janë shkaktuar edhe tragjedi me përmasa kolektive, sikur ishte lufta e Trojës e të tjera.
Në fillim të veprës, “Sonata e Krojcerit” Tolstoi paraqet disa pikëpamje lidhur me moralin dhe femrën, të cilat i shprehin individë të ndryshëm në një vagon të udhëtarëve në tren, kur rastis që në mesin e tyre, përveç shkrimtarit të jetë edhe një fisnik, i cili ka vrarë gruan e tij, meqë e ka zënë në flagrancë me një burrë tjetër. Ndërtimi i strukturës së romanit është shumë i thjeshtë, por tejet domethënës, meqë shkrimtari ka marrë si pikënisje një fabul të rëndomtë, ose të shkëputur nga gazetat e kohës. Personazhi kryesor i romanit Pozdnishevi, fillimisht shpreh bindjet e tij rreth dashurisë, moralit dhe gruas, dhe gjatë shprehjes së opinioneve me udhëtarët në vagon zbulohet se ai kishte vrarë bashkëshorten.
Ky personazh i përmbaruar dhe mjaft i tipizuar i kohës, i cili po me këto cilësi e karakteristika është pasqyruar edhe te veprat e Dostojevskit, Gogolit, Shçedrinit, Lermontovit e shkrimtarëve të tjerë rusë, është përfaqësues tipik i borgjezisë së kohës. Pozdnishevi ishte një njeri mondan, i cili kishte kryer shkollë dhe kishte bërë karrierë dhe për më tepër kishte abuzuar sa e sa femra, ndërkohë që kur martohet i vë fre lakmisë. Mirëpo me rastin e njohjes me një vajzë të bukur ai dashurohet dhe martohet me të. Asaj i kishte rrëfyer për të kaluarën e vetë të zezë, nisur nga sinqeriteti, pa menduar për pasojat e mundshme dhe duke menduar mendjelehtësish se bashkëshortja e ardhme do t ia falte fajet e beqarisë. Pozdnishevi, vetëm pasi kishte vrarë bashkëshorten zbulon shkaktarët e vërtetë, që e quan në tragjedinë familjare.

Ai nuk ndihej fajtor se para martesës kishte abuzuar me femra, sepse ashtu abuzonin të gjithë meshkujt pa dallim, por edhe prindërit e tyre i cytnin të bëjnë veprime të tilla. Në këtë mënyrë ai bie pre e moralit të prishur të shoqërisë së kohës, pa arritur te rezonojë për pasojat e mëpastajme, meqë ai nuk ishte përjashtim, por një i ri i dhënë pas qejfeve e seksit, ashtu sikur të gjithë të rinjtë e tjerë, të cilët të mësuar me një jetë të shfrenuar pasi të martohen, nuk mund të jenë indiferentë ndaj grave të tjera që parapëlqejnë. Tolstoi lë për të kuptuar se në një shoqëri të pamoralshme nuk mund të lindin e të rriten njerëz të moralshëm, përveç në raste të veçanta. Ai kishte marrë për bazë një fjali nga Ungjilli ku thuhet se “Ai që e shikon gruan e tjetrit me sy të lig, është sikur të ketë fjetur me të, duke lënë të kuptohet se këto fjalë kanë të bëjnë për gruan e botës, por edhe për të veten”.
Shkrimtari, niset nga parimet bazë të fesë, e cila kudo në botën e krishterë por edhe në Rusi nuk ishte pranuar në fondamentin e saj, por vetëm në formën deklarative, sipërfaqësore. Madje duke folur për tradhtinë bashkëshortore të krishterëve, Tolstoi, përmes dialogut me Pozdnishevin vëren se burrave u prishet qejfi kur gratë lindin. “Fëmijët bëhen pengesa për dëfrimet e tyre, dhe mashkulli shikon si të zbrazë epshin e tij të pangopshëm seksual. Në raste të tilla vjen poligamia, jo e hapët dhe e ndershme sikur ndër myslimanë, por e poshtër, hipokrite dhe gënjeshtare sikur është ajo e evropianëve. Skllavëria e gruas vjen nga fakti se ajo konsiderohet si mjet i kënaqësisë seksuale. Edhe atëherë kur asaj i japin të drejta, burrat prapë fillojnë ta trajtojnë si një objekt për dëfrimin e tyre”. Kjo ide ngulet në shpirtin e çdo mashkulli, kështu që gruaja mbetet një skllave e poshtëruar dhe e kompromentuar. Shkrimtari i madh rus, e kishte kuptuar mirëfilli se edukata e gruas duhet të rrjedhë nga një pikëpamje e drejtë dhe jo e gabuar mbi rolin e saj në jetën shoqërore. Mirëpo, ai, po ashtu kishte vërejtur se aktualisht, në shoqërinë e kohës roli i gruas është që të englendisë burrin, prandaj edhe edukata e saj ndjek këtë qëllim. Dhe përderisa ideali i saj më i lartë do të jetë martesa e jo virgjëria, gruaja do të jetë skllave, konstaton Pozdishevi, i cili kishte ëndërruar një jetë të harmonishme bashkëshortore, por nuk kishte arritur ta përmbaronte atë dhe për më keq, duke hetuar se gruaja po e tradhtonte me një muzikant të degjeneruar, e vret bashkëshorten, ndërsa e degdis dhe e prish familjen.
Trajtimi që Tostoi humanist i bën nevojës së barazisë së gruas është fenomenal dhe mbështetet mbi principet e domosdoshmërisë së barazisë gjinore. Ai duke përshkruar shembuj të tragjedive familjare, të cilat kanë motiv kurorëthyerjen, vëren se pasojat e kësaj gjendjeje janë shkaktarët e degjenerimit moral të shoqërisë, e cila jo vetëm që është e paaftë për të ndryshuar gjendjen, por nuk bën as edhe përpjekjen më të vogël për të bërë ndonjë ndryshim. Tostoi ka vërejtur me shumë vëmendje se 10 urdhëresat e Hyjit, të cilat janë transmetuar njerëzimit përmes profetit Mojsi janë bazamenti moral i shoqërisë njerëzore, por është lakmia ajo që te shumica e njerëzve prish ekuilibrin mes ndjenjës dhe arsyes. 
Me qëllim për të dhënë një mësim universal për domosdoshmërinë e ruajtjes së moralit, Tostoi përmes figurës së Pozdnishevit ka arritur të përmbarojë një monument të fuqishëm letrar, një traktat moral filozofik, me qëllim që vepra të ushtrojë ndikim, duke paraqitur shembuj konkretë të tragjedisë dhe jo vetëm duke bërë thirrje deklarative për moral sikur bën kisha, ndërsa me hipokrizinë më të madhe e përdhunon bazën morale të shoqërisë, duke qenë gjithnjë në shërbim të borgjezisë kapitaliste, në sundimin dhe dominim të botës dhe duke u mbështetur vetëm në institucionin e faljes, pendimit dhe mëshirës.
Si krijues gjenial, shkrimtari me reputacion botëror dhe njëri ndër shkrimtarët më të lexuar kudo në botë, Leon Tolstoi ka lënë në romanet e tij shembuj të shumtë të ngjarjeve, që ka sajuar e shtjelluar me mjeshtëri në veprat e tij dhe që shumica syresh lidhen me degradimin moral të shoqërisë borgjeze e kapitaliste, e cila edhe sot e kësaj dite, edhe pse çirret për barazi gjinore, në fondamentin e saj ka garën marramendëse për ta paraqitur dhe për ta reklamuar lakuriqësinë e femrës dhe të gjitha llojet e perversiteteve njerëzore, deri edhe te legjitimimi i pederastisë dhe anomalive seksuale. Shoqëria e sotme kapitaliste e shfrytëzon, e keqtrajton dhe e përbuzë femrën në format ndër më të ndryshmet, duke e bërë atë pre të egoizmit, lakmisë dhe përfitimeve kolosale nga drejtuesit e kompanive të seksit, drogës, krimit dhe prostitucionit…

Kontrolloni gjithashtu

FADIL REXHA: KUR MUNGON LUANI MAJMUNËT BËHEN MBRETËR

Fadil Rexha: LARGIMI NGA VENDLINDJA

Ishte një mëngjes i ftohtë pranvere me bore e shi. Me lot në sy, u …