Eposi i kreshnikeve

Ahmet Qeriqi: Mujsharët boshnjakë-arnautë në ciklin e “Këngëve të Kreshnikëve”

1.

Këngët e Kreshnikëve janë të pranishme ndër shqiptarë dhe ndër  boshnjakët myslimanë. Këto këngë nuk janë të njohura në Shqipërinë e Mesme apo të Jugut, po ashtu nuk janë të njohura as te popujt e tjerë të Ballkanit.

Fakti se Muji e Halili janë emra myslimanësh, si te shqiptarët ashtu edhe të boshnjakët, jep për të kuptuar se këto këngë, në formën sikur janë shënuar nga mbledhësit e folklorit, në Bosnje e Hercegovinë, në Krahinën e Sanxhakut,  në Kosovë dhe në Shqipërinë e Veriut i përkasin kohës së konvertimit të shqiptarëve dhe boshnjakëve në fenë islame. Tema bosht e këtyre këngëve dhe ngjarjeve që përshkruhen në to i përket luftës së myslimanëve kundër shkizmatëve, ( shkive) kundër maxharëve dhe përgjithësisht kundër të krishterëve. Në të gjitha këngët e këtij cikli madhërohen trimat myslimanë, si luftëtarë dhe  si njerëz me moral dhe burra  të drejtë, ndërsa stigmatizohen  krishterët ortodoksë, shkiet si njerëz të ligj e të pabesë. Askund nuk përmenden të krishterët katolikë, të cilët kanë qenë shumë të pranishëm në Shqipërinë e Veriut për edhe në Malit të Zi, në Zetë dhe në tërë Bregdetin e Adriatikut.  Këngët e këtij cikli nuk na japin asnjë shembull kur Muji e Halili, Arnaut Osmani apo Tale Budalina të kenë luftuar kundër të krishterëve perëndimorë, katolikë, por duket këngëtari anonim ka ditur për ndonjë dallim fetar mes të krishterëve lindorë dhe atyre perëndimorë.

Këngët e Kreshnikëve ruajnë shumë elemente ende të pastudiuara, me të cilat nuk është marrë sa duhet dhe si duhet folkloristika jonë, në të kaluarën, ndërsa  tani e tërhequr ne vetvete, është bërë anemike dhe gati e harruar.

Nuk janë shënuar polemika të mirëfillta lidhur me autoktoninë e këtyre këngëve, apo të krye personazheve edhe pse studiuesit boshnjakë pretendojnë, mbase me të drejtë, se kemi të bëjmë me një cikël autokton boshnjak, duke u mbështetur sidomos në toponimi, në antroponimi  dhe në shumë elemente të tjera, të cilat realisht, vështirë se mund të kontestohen. Vetë emërtimi “Këngët e Kreshnikëve” lidhet me Krahinën  e Krjashnikëve në Bosnje (Krajishniçka krajina).

Prania e këtyre këngëve ndër shqiptarët e veriut të Shqipërisë  dhe në  Kosovë, na bën të kuptojnë se shqiptarët në kohën e Turqisë shtriheshin thellë në Bosnje dhe për këtë kemi po kështu shumë antroponime që dëshmojë praninë e hershme të shqiptarëve në viset e Bonjës e Hercegovinës, si Muriqi, Shkreli, Klementiçi, nga Kelmendi, Gashiqi, Grudiqi, etj..

Nuk është gjurmuar autoktonia e këtyre këngëve mbase edhe për faktin se tërë toponimia i përket Bosnjës, Jutbinës, Krajishkës, Klladushës-Glladushës, Kotorreve në Zetë, tani Mali i Zi, Budimi në Hungari, Lugjet e verdha, diku në Veri të Shqipërisë,  etj.

Në portalin boshnjak Dzematrahic.ba thuhet se babai i Mujës ishte turk, i cili kishte ardhur në Bosnje së bashku me Fadil Pashën dhe ishte vendosur në kasabanë e muhafizllëkve në Knin, tani në Dalmaci.  Ai ishte martuar me motrën e Hyrem aga Kozliçit, një ajan i njohur u Utbinës. Nga ajo martesë kanë lindur Muja, Halili dhe Omeri. Babai i tyre ishte vrarë në një betejë dhe tre vëllezërit kishin mbetur jetimë…

 

Studiuesi boshnjak, Nexhib Vuçelj, në një studim të tij rreth origjinës së Mujit e Halilit shkruan:

Në popullin tonë janë të njohura si këngë krajishnike, mbase edhe për faktin se më së shumti iu kanë kënduar Mujit e Halil Hrnjiçit, motrës së tyre Ajkunës, Tale Liçaninit, ( Tale Budalina) Xhuliq Bajraktarit, Mehë Dizdareviqit,  ( Dizdar agë Osmani, ose Arnaut Osmani) dhe trimave të tjerë nga Krajishna e Bosnjës. (Internet, Bosnjaci.net. Nexhib Vuçelj.)

Këngët e kreshnikëve shquhen me elemente dhe specifika të shumta artistike, stilistike, krahas rrëfimeve heroike. Në këto këngë përveç hiperbolës, hasim edhe groteskun, që është figurë jo edhe aq e pranishme në  krijimtarinë popullore shqiptare, përveç në gojëdhëna e përralla.

Cikli i këngëve për Mujin e Halilin, analog me ciklin e njohur të boshnjakëve, ka qenë dhe ka mbetur i njëjtë në rrëfimin e bëmave dhe të motiveve. Këto këngë janë kënduar  nga rapsodë, që  në të kaluarën këndonin në dy e tri gjuhë. Ngjashmëria ka të bëjë me ngjarjet, emrat, motivet por edhe në toponiminë kryesisht boshnjake edhe në tekstet shqipe të këtyre këngëve.

Disa nga hiperbolat në mënyrën si përshkruhen “trimat e çartur”,  Muji dhe Halili

Në traditën folklorike shqiptare, është e pranishme hiperbola por edhe grotesku, që janë karakteristike sidomos për ciklin e Këngëve të Kreshnikëve. Këto dy figura stilistike i përshkojnë të gjitha këngët e këtij cikli arkaik, i pranishëm te shqiptarët në veri dhe te myslimanët e Bosnjës.

Kur Muji flinte në mal dhe merrte frymë, nga frymëmarrja e tij fletët e rëna të dushkut ngiheshin dhe binin.

Kur Muji kishte shkuar te Mbreti, skamca e tirqve të tij ishte ngatërruar në sixhadenë e Mbretit dhe kur ai ishte ngritur në këmbë e kishte tërheqë prapa sixhadenë dhe Mbretin bashkë. (Kënga Muji te Mbreti)

Qaty Muji neper fushë ka dalë,

E ka ba ai nji piskame te madhe,

Jane shembe kullat deri  n’  themele,

 U trand deti me hy brenda,

Kanë gjemue malet si për mot t’lig ! ( Fuqia e Mujit) Këngë kreshnikësh

Ose

Sa idhte me shpatë ai paska sjellë

300 shkie me njehere i paska pre,

300 gjoku me shlema po i mbyte ( Visaret e Kombit   faqe 261)

 

Hiperbola të tilla të shumta në ciklin e Këngëve të Kreshnikëve, janë ta karakterit zbavitës, larg realitetit dhe rrëfimit të caktuar të një ngjarjeje të historisë. Pavarësisht nga kjo, vënia në lojë e pushtuesit, paraqitja bardh e zi e realitetit, përçmimi i forcë së armikut, tej zmadhimi i forcës çlirimtare kanë qenë dhe kanë mbetur fakte jo vetëm në krijimet e anonimëve tanë, por edhe në këngët e popujve të tjerë të Ballkanit e më gjerë,

Duket se këto këngë, përveç ciklit të këngëve për Gjergj Elez Alinë, që është epos tipik heroik shqiptar, me të gjitha elementet madje dhe homerike, cikli i këngëve i Mujit dhe Halilit më tepër ka karakter argëtues, duke rrëfyer aventura të ndryshme, duke përshkruar situata fantastike me elemente të shumta të hiperbolës dhe groteskut, në shpërputhje të plotë  qoftë edhe me një element realist.

Për dallim nga këngët historike, këngët e trimërisë, këngët me motive sociale, këngët e dashurisë, këngët humoristike satirike, cikli i këngëve të kreshnikëve na del krejtësisht i veçantë, me vetë faktin se përmbajtja e këtyre këngëve i takon së kaluarës, kohës së konvertimit fetar dhe përkrahjes së idesë së asimilimit. Personazhet e këtyre këngëve janë myslimanë që sulmojnë harambashët e krishterë, janë të përkëdhelur të Sulltanit, edhe pse nganjëherë nuk e përfillin, por i nënshtrohen vullnetit të Allahut dhe të Sulltanit.

Të gjitha këngët e Kreshnikëve fillojnë me vargjet karakteristike

Lum për ty për Zotin të lumin

Qi s jem kanë e Zoti na ka falë! ( Visaret e kombit, Shkodër 1937, faqe 236)

 

Në shumë variante kemi edhe dy vargje të tjera

Na ka falë e na  ka ba myslimanë

Qi e dimë dinin  hak taman!

Afërsia që ka ky cikël i këngëve tona me ciklin homolog boshnjak, sidomos prania në tërësi e toponimisë boshnjake duket se përcakton edhe gjenezën e këtyre këngëve, që ruhen edhe te shqiptarët, dy popuj të Ballkanit që pranuan islamin dhe nuk u kthyen në fenë të parëve pas çlirimit nga Perandoria Osmane, sikur kanë bërë shumica e popullatës greke, bullgare, serbe,  hungareze, rumune, moldave etj.

 

Grotesku i Bali Katravellës

Një figurë e përbashkët stilistike e këngëve të këtij cikli është grotesku, i cili  në përshkrimin dhe  paraqitjen e Mujit tejkalon seriozitetin e epikës tipike dhe të njohur shqiptare, madje duke u afruar edhe me këngën e cila stigmatizon  trimërinë fodulle dhe krekosjen  sikur është kënga e Bali Katravellës, e cila duket  se i takon të njëjtës periudhë kohore, edhe pse ajo  stigmatizon një personazh të caktuar, me emër e mbiemër, por i  panjohur. Duket se këngëtari anonim, personazhin e Bali Katravellës, e ka sajuar me qëllim për t’ ia kundërvënë hiperbolave të trimërisë së kreshnikëve, me qëllim të përqeshjes dhe stigmatizimit.  Kjo përforcon edhe faktin se ky cikël këngësh  origjinën e vërtetë e kishte në Bosnje, ndërsa prania e këngëve të tilla ndër shqiptarë mund të ketë rezultuar me një këngë stigmatizuese, e cila vë në lojë trimërinë fodulle të kreshpëruar dhe në të shumtën  e rasteve trimërinë naive, madje edhe në formë virtuale.

Kënga humoristike, satirike e Bali Katravellit

Lum për Ty, për Zotin të lumin,

Qi s’ jem kanë e Zoti na ka falë.

Ishte kane ai,  Bali Katravelli

E kish pas’ shallin prej guxhufit,

E kish pas’ pushkën prej kakudit,

I kish pas’ fishktë prej pasulit,

E kish pas’ shpatën prej shavarit,

E muzdrakun prej bishtit të pacërkës,

E kish pasë gjok at’ veshmadhin

E po e çon me mathë, te nallbani,

Ja mbathë pengjet prej  kungullit t’ misirit,

Po ja ngjat  thumbat prej murrizit,

Ja ka qitë një shalë të qershisë

Po ja jep dizginat t’ kerpnajes.

Gjokut në shpinë Balia i kish ramun,

Me një arë t livrueme  ish kane ramun

Haz dizginave Balia iu kish dhanun,

Nji hap para tre   mbrapa po shkon.

Maje bjeshke Balia  kishte dalun,

E po i gjen një 300 gabelë,

Midis tyne, Balia po del

Ja kanë pre magjupt një derr,

Ishin rrokë ata  per një gabzherr,

Sheri i tyre per nje pale mushkri,

Copë e grimë tanë i paskan gri.

Kjo këngë humoristike, sipas mendimit tim,  mbi të gjitha është një parodi për këngët e kreshnikëve, një shpërfaqje tjetër e këngëtarit anonim popullor, i cili ka përqeshë në mënyrë ireale kalorësit zulmëmëdhenj “donkishotët” e këtij cikli të këngëve  të kohës së konvertimit fetar. Këngëtari anonim popullor ka  sajuar  me mjeshtri një person anonim, duke  e përshkruar atë si  një kukull dhe duke përqeshur kalorësit “zulmëmëdhenj”, kalorësit e shpifur e të improvizuar. Ky përshkrim është fantastik dhe unikat në folklorin tonë të traditës.

Për nga mënyra e këndimit, sidomos me vargjet e para, kjo këngë i takon ciklit të këngëve të kreshnikëve, sepse fillon me dy vargjet e para ku lavdërohet Hyji, i cili ka krijuar njeriun dhe njerëzimin. Në shumë këngë kreshnike evidentohen edhe dy vargjet pasuese të cilat flasin për konvertimin dhe lavdërimin e fesë islame

Zoti na  ka falë e na  ka ba myslimanë

Qi e dimë dinin  hak taman.

Po ashtu mënyra e ndërtimit të veprimit dhe përshkrimit të kalorësit i cili përgatitet për një betejë është krejtësisht e ngjashme me këngët e kreshnikëve.

Bali Katravella  me elementet e sajimit të tij si kalorës, përshkruhet si kukull që nuk e flet asnjë fjalë por që përgatitet për një aksion me një pushkë të gjatë si degë kakude,  me fishekë të fasules, me shpatë prej shavari, me mëzdrak pocërke, pastaj përshkruhet kali, veshgjati, përgatitja e tij për luftë, mbathja e veshgjatit te nallbani dhe nisja për aventurë.

Në këngët për Mujin Halilin kemi po kështu motivin e përgatitjes për luftë, kur trimat dërgojnë atin te mbathtari dhe e porosisin t’ ia mbathë këmbët me hekur, me thumba çeliku, me mëzdrak e helmetë po ashtu prej çeliku, me mburojë që nuk shpohet,  etj.

  1. 2.

A ishte Servantesi  në dijeni të këngëve kreshnike, apo trimërive të rrëfyera boshnjake-shqiptare?

Servantesi, shkrimtari spanjoll ndër  më të njohurit  e botës,  në vitin 1575 ishte zënë rob dhe, sipas një varianti të hulumtuar nga biografët e tij,  ai për pesë vjet kishte qëndruar në një burg të Ulqinit. Edhe e dashura e imagjinuar e Don Kishotit, D’Ulqinja e Tobozës, duket se është ndonjë  Ulqinake  e Taraboshit, ndonjë grua e fisme për të cilën, shkrimtari i madh spanjoll Miguel Servantes Saavedra, mund të kishte dëgjuar nga ndonjë i burgosur, apo mund edhe të ketë qenë një princeshë e njohur e kohës, që atij i kishte bërë përshtypje të veçantë me bukurinë e mahnitshme. Mundet që Servantesi gjatë kohë se qëndrimit në burg, nga të burgosurit arbëreshë e sllavë të ketë dëgjuar edhe për trimëritë e kalorësve të kohës. Është për të besuar se Hidalogoja i tij i rënë nga vakti, Don Kishoti i Mançës,  të ketë pasur frymëzim nga periudha historike e ndeshjeve të kalorësve turq apo të konvertuar, e cila lokalizohet në Ulqin, Kotorre të Reja, në Klladushë, në Budim, në Sarajet e bardha dhe përgjithësisht në territorin e sotëm të Veriut të Shqipërisë, Malit të Zi dhe të Bonjës e Hercegovinës.

Historitë e bëmave të Mujit e Halilit,  mund të kenë qenë burim frymëzimi për shkrimtarin e madh spanjoll dhe botëror, Miguel Servantes Saavedra, për të shkruar  romanin me famë botërore, “Don Kishoti i Mançës” Kryepersonazhi i romanit,  kalorësi Don Kishot  dhe shërbëtori i tij besnik, Sanço Panço,  edhe pse ai merr për bazë të rrëfimeve të tij të trilluara,  janë personazhe që jetojnë jashtë realitetit, duke pikasur një njeri krejt të lojtur dhe një më pak të lojtur, i cili në momente të caktuara zgjohet nga deliri i zotërisë dhe mendon esëll, por autoriteti i  kalorësit bën që ai të bindet, edhe atëherë kur është krejt i vetëdijshëm se ustai ka shkalluar.

Edhe Muji e Halili  dy personazhet më të spikatura të këngëve të kreshnikëve, jetojnë në një masë jashtë realitetit. Ata janë dy personazhe të paepur për aventura, luftojnë, bien, ngrihen, bien sërish, thyejnë burgjet, grabisin vajza e princesha, luftojnë ndonjëherë edhe kundër turqve, por e pranojnë autoritetin e baba Dovletit. Luftojnë kundër krajlit  të Budimit por edhe kundër prijësve të Kotorreve të reja. Sipas këtyre këngëve ata shihen  në Jutbinë të Bosnjës ku është edhe vendlindja e tyre, pastaj në Kotorre, në Lugje të Verdha, madje  në Stamboll, te Baba Mbret. Trimëritë e tyre janë jashtë realitetit, ato janë po aq të zmadhuara sa edhe imagjinata e Don Kishotit, i cili dëshiron me çdo kusht të bëhet mbrojtës i një rendi të vdekur dhe në një kohë të perënduar ku mendonte se kishte pasur prijës fisnikë që ruanin rendin, nderin, të varfrit, skamnorët, që ruanin vajzat  e virgjëra nga banditët e dhunuesit.

Gjithçka ka në këngët e kreshnikëve, por ka krejt pak përshkruhen  situata reale, krejt pak epikë, përveç heroizmit pompoz, hiperbolizues, i cili mbase ka buruar nga ndjenja dhe frymëzimi për  manifestim të mundshëm të fuqisë dhe aspiratës për kundërvënie në kohën e robërisë aziatike, kur tërë Ballkani ishte nën Perandorinë turke.

Legjendat për Mujin e Halilin, janë legjenda tipike për nga ndërtimi, përmbajtja dhe skalitja e personazheve. Si figura të tilla, të krijuara nga gjeniu popullor, ata janë zmadhuar në përmasa të sfidantëve kundër pushtimit e robërisë, por kushtet dhe rrethanat historike kur janë krijuar këngët e tilla, të cilat kanë pësuar sa e sa metamorfoza gjatë shekujve, ka qenë një realitet tjetër, një realitet i luftës së pandërprerë në shekuj të popujve të robëruar.

Ndoshta kemi të bëjmë me një rastësi të zakonshme, por historia njeh një Halil dhe një Musli, apo Musë edhe në vitin 1730, kur dy shqiptarët më zë të kohës, Halil Patrona dhe Musli Beshe i prijnë kryengritjes më të madhe të Stambollit, në shtator të vitit 1730, me ç’ rast marrin krerët e katër zyrtarëve më të lartë të Sulltan Ahmedit të Tretë dhe e ndërrojnë atë nga froni. Edhe një segment i tillë i historisë mund të jetë shortuar më vonë në këto këngët e kreshnikëve, meqë Halil Patrona kishte qenë i ngujuar disa vjet në kështjellën e Budimit, kishte organizuar një kryengritje të jeniçerëve në Nish dhe ishte njëri ndër personazhet më të njohura të shekullit 18-të në historinë turke, krejt pak i njohur në historinë shqiptare, ndërsa i kthyer në groteskë të tmerrit dhe çmendurisë, në dy serialet TRT1 në gjuhën turke. ( Bir zamanlar Osmanly Kiyam 20 episode dhe Osmanly Darin devlet 12 episode).  Kujtesa popullore shqiptare për Mujin e Halilin është përjetësuar me këngën epike heroike për Halilin e Mustën e vogël të cilët i pret pabesisht Veziri i Shkodrës.

Tre halilët dhe tre mujët e mustët  kujtesës popullore dhe historike nuk janë rastësi kujtese, as rastësi historike, por një fenomen i ngatërruar në kohë e hapësirë, në rrathët koncentrikë të së kaluarës, duke nisur nga Akili e Agamemnoni.

Muji dhe Halili, Omeri, herë djali, herë vëllai i Mujit,  Tale Budalina, Omeri i Mujit, Arnaut Osmani, Vuku Harambashi,  Smilaniq Alija, Ali Bajraktari,  Hysen Gradenica, Zuku Bajraktari,  Duro Jabanxhija, Krali i Budimit, Krali i Kotorreve, Ajkuna e Mujit, Ajkune Devojka, prenceshat e bukuroshet e Krajlave janë personazhe aventurierësh të cilëve u mungon identiteti realist në përshkrim, meqë të gjithë janë të përshkruar bardh e zi, me elemente hiperbole, kryesisht të karakterit grotesk, përgjithësisht mujsharë në shërbim të turkut dhe bejlurçinës së feudalëve sikur thoshte fan Noli, në introduktën e tij të mirënjohur për romanin e Servantesit ”Don Kishoti i Mançës”.

Pavarësisht se kemi të bëjmë me dy realitete, një realitet gojëdhënor në Bosnje e Hercegovinë dhe një në Veri të Shqipërisë, që janë jo vetëm të ngjashme por krejtësisht identike, realiteti tjetër imagjinar është ai i shkrimtarit më të madh të Spanjës, Servantesit, i cili ka arritur t i bëjë të pavdekshëm dy personazhe të cilat i njeh tërë bota letrare. Edhe këngët kreshnike të Mujit dhe Halilit janë dy personazhe të legjendave të hiperbolizuara dhe mjaft groteske, sa nuk kanë si të mos kujtojnë jo vetëm një relacion mjaft identik në shumë elemente, por edhe një ndikim të mundshëm që kishte Servantesi në kohën kur ishte në një burg të Turqve, në një vend të cilin nuk ka arritur ta përcaktonte. E vetmja lidhje imagjinare e tij ka të bëjë me dy emra, me D’Ulqinjen e Tobozës, mbase  Ulqinaken e Taraboshit dhe një pirat i njohur i kohës Arnaut Mami, i cili e kishte zënë rob shkrimtarin, asokohe kalorës, Miguel Servantesin. Dhe nuk janë pak këto elemente po ta shtosh faktin se ai, nga një apo më shumë të burgosur kishte dëgjuar  rrëfime trimërie, të cilat nuk i kishte besuar,  por me botën e tij të pasur artistike kishte shortuar dy personazhe të paharrueshme, që i kishte bërë të pavdekshme, duke iu dhënë tiparet spanjolle, gjuhën, aspiratat, vetëmashtrimin jetën dhe bredhjet kot me qëllim për ta ndrequr botën.

Pas përkthimit të romanit të Servantesit, Noli  Madh, në introduktën e tij për Don Kishotin kishte shkruar se shqiptarët do ta kuptonin mirë këtë vepër sepse ende në Shqipëri rronte rendi feudal i bejlerëve dhe i Berihajt që shkon pas Ustait. Noli e kishte përkthyer romanin për t’ia dhënë lexuesit shqiptarë si dhuratë të çmuar, nga e cila ai do ta kuptonte më mirë shakaxhiun e përparimit, Ahmet Zogollin, i cili ishte vetëshpallur mbret, në kohën kur në botë kishin perënduar monarkitë dhe kur revolucionet e shumta sociale kishin krijuara rend të ri demokratik me përmasa botërore. Përpjekjet e Zogut për një Shqipëri mbretërore, të bazuara në ligjet dhe kanunet e vjetra, realisht përkojnë me përpjekjet e Don Kishotit, i cili me ushtën e tij, me kalin, Rosinant gati të ngordhur dhe me shërbëtorin ulok, por besnik, Sanço Panço  donte ka kthente Spanjën në kohë e kalorësisë mesjetare.

Noli shkruan: “Në Shqipëri kjo vepër do të kuptohet më mirë se kudo gjetkë. Sepse atje tiparet e bejlurçinës dhe të laros i gjejmë në çdo çap. Po thuaj të gjithë aristokratët tanë, me ca përjashtime të paka, janë të deklasuar, pa bazë ekonomike dhe kanë rënë në klasën e bejlurçinave, që kur u shkëput Shqipëria prej Turqisë. Që atëherë aristokratët tanë që i shërbenin Turqisë si kondotierë dhe shefa bashibozukësh, kanë mbetur pa punë. Gjithashtu kanë mbetur pa punë dhe pa bukë fshatarët dhe malësorët e varfër, që shkonin në kohët e vjetra bashkë me bejlerët si bashibozukë dhe hajdutë për të plaçkitur Evropën, Azinë dhe Afrikën. Këto dy elemente përpiqen tani të përfaqësojnë në Shqipëri një gjendje feudale, medievale (mesjetare), prapanike dhe reaksionare, si atë të Turqisë së vjetër, të vdekur përgjithnjë, sepse ashtu ua do interesi i klasës, se ashtu gjejnë punë dhe bukë. Bejlurçinat dhe larot e Shqipërisë na bëjnë sot të qeshim e të qajmë me prapavijën e tyre, tamam si me Don Kishotin e me Sançon. Dhëntë Zoti të na bëjnë nesër të qeshim, se na bënë të qajmë mjaft.( Fan Noli, introduktë, “Don Kishoti i Mançës, botim i vitit 2003, faqe 9.)

 

Pavarësisht se Noli, me sa dimë ne, nuk kishte  shkruar kurrë për Mujin e Halilin, në këtë introduktë flet për shqiptarë mercenarë “që shkonin në kohët e vjetra bashkë me bejlerët si bashibozukë dhe hajdutë për të plaçkitur Evropën, Azinë dhe Afrikën”.  Të tillë plaçkitës e vrasës në një masë ishin  edhe Muji e Halili, të cilët luftojnë kundër të krishterëve, duke pasur prapa mbështetje Perandorinë më të madhe të botës, të asaj kohe.

Burimet:

 

Portali boshnjak, Dzematrahic.ba

Internet, Bosnjaci.net. Nexhib Vuçelj.

Kënga kreshnike Muji te Mbreti. Këngë kreshnikësh.

Kënga humoristike, satirike e Bali Katravellit.

Visaret e Kombit   faqe 261.

Visaret e kombit, Shkodër 1937, faqe 236,

Serialet filmike turke: Bir zamanlar Osmanly Kiyam 20 episode.

Osmanly Darin devlet 12 episode.

Fan Noli, introduktë, “Don Kishoti i Mançës, botim i vitit 2003, faqe 9.

Kontrolloni gjithashtu

Shqipëria fillon restaurimin e trashëgimisë kinematografike

Procesi i restaurimit të trashëgimisë kinematografike në Shqipëri ka një rëndësi të madhe për ruajtjen …