Ahmet Qeriqi: Nata e fundit e profesor Gjonit

Në kohën e ndarjes, natën e 23 shkurtit të vitit 1947, Gjon Serreçi e kishte përqafuar fort bashkëluftëtarin dhe shokun e tij besnik, Man Gagun. Në momentin e ndarjes, kishte ndier sikur  diçka në trupin e tij ishte këputur. Tetë muaj kishin qenë të pandashëm, qysh prej korrikut të vitit 1946. Tetë muaj nëpër prita, në male e në bjeshkë, nëpër bunkerë, shpella e vende ilegale, në rreziqe të papërshkrueshme, duke shtegtuar herë në një vend e herë në tjetrin. Në kohën e ndarjes, Mani, edhe pse burrë dhe trim i shquar, nuk i kishte përmbajtur lotët. Dajallarët dhe xhaxhai i tij e kishin detyruar të dorëzohej.


-Nuk keni rrugë tjetër. Po qe se luftoni, apo kapeni gjallë do të na shkojnë gjytër gra e fëmijë, dhe ne do t’ na pushkatojnë, iu kishte drejtuar, atë natë Manit dhe Gjonit, Shek Bazi, në kasollen e Shkorrëve  të Desit.


-Ti do të dorëzohesh, por ama nuk do ta pranosh asnjë fjalë për Gjonin, i drejtohet  xhaxhai i tij, i cili si duket ushtronte një ndikim të fuqishëm te nipi.


Mani nuk kishte folur. Ziente nga marazi dhe nga gjendja tepër e rëndë para ndarjes. Po ashtu, ishte bindur se po binte në një kurth të rrezikshëm, por nuk i rezistonte dot xhaxhait dhe dajallarëve.


-K’tu, para këtij burri, ke me ba be në Kur`an se asnjë fjalë nuk ke me çitë për së gjalli, – i thotë  Manit, daja i tij, Bel  Shkorri.


Mani kishte pohuar me kokë, por nuk kishte nxjerrë fjalë nga goja.


-Sonte do të kalosh natën k’tu, n’ ket kasolle,  i drejtohet profesor Gjonit në kohën kur po largoheshin dhe pas pak shton. Nesër kah mbramja vjen Riza ose unë, ta sjellim bukën  dhe të nisim për rrugë….


Në ndarje, Gjoni  ishte përshëndetur me të gjithë.


Ai nuk kishte pranuar të dorëzohej, edhe pse oferta për dorëzim e Shkorrëve ishte bërë sa për sy e faqe, meqë ata të vetmin qëllim kishin ta shpëtonin Manin. Mbase e kishte hetuar hilen e Shkorrve, duke mos e përjashtuar as frikën e arsyeshme të tyre, sepse OZN-a në raste kur zbulonte jatakët, ata i maltretonte mizorisht, por edhe i pushkatonte pa gjyq. 


 


Kishte mbetur fillikat vetëm në kasollen verore të Shkorrve në majat e maleve të fshatit Des. Ishte një natë e zezë sterrë, ndërsa acari sikur  po përpinte çdo gjë të gjallë. Afrohet te shtrati i drurit, merr disa shkarpa dhe i hedh në zjarr. Ishte hera e parë gjatë tërë kohës së ilegalitetit, që kishte mbetur  vetëm. Qe ndarë edhe nga shoku më i ngushtë, prej të cilit kishte menduar se mund ta ndante vetëm vdekja.


Një zë i befasishëm i korbatkës e kishte shqetësuar  në kohën kur mendime të zeza dhe të liga ia kaplojnë trurin. Nuk e kishte menduar kurrë se do të mbetej aq i vetmuar, në një vend krejtësisht të panjohur. E kishin tradhtuar, apo ai kishte tradhtuar veten, duke lejuar të  gjendej në një situatë të tillë?


Ngrihet në këmbë, shtrëngon sharcin, prek bombat në brez për t’ u siguruar se i kishte në vend dhe del nga kasollja. Sesi i kishte shkrepur në mendje të zbrazte një shanzer të automatikut, për të treguar se ishte gjallë, dhe nuk do të dorëzohej kurrë. Por ndërroi mendje. Shkorrët, së bashku me Manin, nuk mund të ishin larguar shumë nga kasollja, dhe me të dëgjuar breshërinë do të mendonin se kishte rënë në ndonjë pritë. Të vetmit shokë që i kishin mbetur në jetë ishin armët, bombat dhe çanta me dokumente sekrete. Nuk kishte asnjë kothere buke. Nuk kishte ngrënë fare dhe nuk kishte shije për bukë, por hetonte sikur diçka po i gërryente zorrët nga përbrenda.


Sërish futet në kasollen e errët dhe sërish vendos shkarpa të tjera në prush. Fryma dhe të ftohtit depërtonin kudo. Vetëm vendin te shtrati e kishte izoluar pak, me disa thasë të dhinjtë. Edhe postaja  e madhe e leshit sikur kishte ngrirë. Ishte  veshur me rroba të lehta të verës. Kishte edhe një xhemper të trashë të leshit, që ia kishte dhënë, Salih Rexhë Ribari, disa muaj më parë  me rastin e ndarjes, në malet e Lypovisë. Çizmet ishin çjerrë dhe këmbët po i mërdhinin. E dinte se Sali Rexha kishte një çetë trimash dhe ishte betuar se nuk do të dorëzohej i gjallë. Tani kur kishte mbetur fill i vetëm, e sillte në kujtesë trimin, që kishte çarë rrethimin e forcave serbe,  në Bilushë, në malet e Vërrinit dhe nuk pranonte të tërhiqej, edhe pse vetë Gjoni me Azem Bardhin kishin urdhëruar tërheqjen, meqë mendonin se forcat ushtarake serbe kishin bërë një tërheqje taktike, për t’i futur në rrethim tërë luftëtarët e NDSH-së, që po bënin përpjekje të depërtonin në Shqipëri. Para i dilte trupi i bëshëm i Salihut. Pak ditë më parë nga Shkorrët kishte dëgjuar se ai kishte çarë rrethimin në Lypovi dhe me rastin e luftimeve kishte vrarë një kolonel të Armatës jugosllave.


Ndarja nga Shkorrët dhe nga Mani e kishte prekur thellë në shpirt. Sa shumë iu kishte besuar atyre njerëzve. Sa të dashur e të respektuar ishin treguar, ndërsa ata, në një çast ishin ngutur dhe kishin arritur marrëveshje për ta ndarë Manin, duke e lënë vetë, në fatin e tij, në rrugën e tij të mundimshme, me plot të papritura e befasi, në rrugën drejt paparashikueshmërisë.


Beli i kishte premtuar se të nesërmen do t`’ sillte edhe bukë dhe do ta përcillte në drejtim të Malësisë së Medvegjës. Mirëpo çka do të bënte në një vend, ku nuk njihte asnjeri. Po të kontaktonte ndonjërin prej bashkëluftëtarëve, do të shpëtonte edhe për një kohë. Kishte dijeni se shumë nga bashkëluftëtarët ndodheshin edhe nëpër male të Llapit e të Drenicës, por si të gjente rrugën deri atje, kur ishte fill i vetëm dhe acari e dëbora vështirësonte çdo lëvizje.


-Heu, Gjon heu!- thotë vet me vete.


Acari kishte përthekuar tërë majën e malit dhe po e shtrëngonte si me darë. Nuk ngrohej dot as nga zjarri,  që kishte ndezur në qoshe të kasolles. Përderisa nga njëra anë gjoksi i ngrohej, shpina i mërdhinte në anën tjetër. Era e fortë që depërtonte nëpër çatitë me shpatëza të rralla, krijonte një si fishkëllimë edhe më të tmerrshme.     


Po sikur ndonjëri prej Shkorrëve, ta denonconte?


Po sikur  milicët e OZN-ës, ta dinin vendin?


Fakti, se Shkorrët kishin ndarë Manin, kishte ngjallë edhe dyshime të thella. Ai e dinte se ata rrezikonin, por mendonte se nuk kishin vepruar drejt, që e kishin ndarë dhunshëm, Manin. Fara e dyshimit sa vinte e po  zmadhohej. Nga frika se mos po rrethohej tinëzisht, ngrihet sërish në këmbë, del jashtë dhe sillet disa metra rreth kasolles. Asgjë të dyshimtë nuk kishte vërejtur. Në honin përballë dëgjon një ulërimë ujqish të uritur. Gjithnjë ishte frikësuar nga ujqit, edhe pse e dinte se egërsirat  frikësohen nga njerëzit. Ujqit e uritur i sulmojnë edhe njerëzit, seku kishte lexuar apo kishte dëgjuar… Por ujqër më të befasishëm dhe më të tmerrshëm asokohe për të, ishin armiqtë, ozn-istët e çanaklëpirësit e pushtetit titist. Shtrëngon automatikun për të qenë i sigurt në shokun e tij të vetëm, në shokun e vetëm besnik, dhe sërish futet në kasolle. Ishte bezdisur tejmase. Gjumi mund ta tradhtonte, dhe meqë ishte vetëm nuk duhej ta lejonte veten të flinte. Mund të dremiste, por çdo gjysmë ore do të dilte jashtë për të vëzhguar. Nuk do t`ia falte vetes, po ta zinin në gjumë, apo në pritë. Të paktën të luftonte si burrë, ashtu sikurse po bënin shumica e bashkëluftëtarëve të tij, të cilët kishin mbetur gjithandej maleve të Kosovës.


Nata, ishte e ftoftë dhe e gjatë.


Shpresat, sikur kishin humbur.


Kah t’ia mbante me të zbardhur drita, kur nuk dinte asnjë rrugë, asnjë shteg. Nuk  kishte përcjellë me vëmendje shtegtimet e muajve të fundit, nga bashkëluftëtari i tij, Man Gagi, i cili dinte përmendsh të gjitha shtigjet.


Tani kur kishte humbur shokun e tij të ngushtë, po hetonte sesa i vetmuar kishte mbetur. Dinte të orientohej në drejtim të vendlindjes së tij, drejt në Ferizaj, por rrugëtimi duhej të bëhej vetëm gjatë natës dhe nëpër ecejake të fshehta, larg fshatrave, larg të lehurave të qenve. Rrugët e tilla nuk i dinte Gjon Serreçi, profesori i drejtësisë dhe i filozofisë i gjimnazit Sami Frashëri të Prishtinës, i cili kishte lënë ditarin, e rehatinë e tij individuale dhe iu kishte bashkuar luftëtarëve nacionalistë të  Ajet Gërgurit, Salih Rexhës, Osman Bunjakut e të tjerëve, që kundërshtonin me forcë ripushtimin e Kosovës dhe regjimin komunist të Marshall Titos e të Fadil Hoxhës…


Sërish dremiste, por acari dhe uria  nuk e linin të flinte. Dromca të shkëputura e gjithfarë kujtimesh i reflektonin para syve dhe nuk dinte se ishte zgjuar apo ëndërronte. 


“I dukej se kishte trokitur në dyer të një kishe, por sapo hapet dera në vend të priftit, vëren një milic me automatikun  në gjendje gatishmërie…” Brof në këmbë nga frika dhe heton se këmbët iu kishin mërdhirë nga të ftohtit. Sërish hedh dru në prushin që po shuhej nga acari. Fillon të endet nëpër kthinë nga frika se mos do ta tradhtonte gjumi. 


Ndërkohë i kujtohet se nën shtratin e drurit kishte patate, të cilat ditë më parë i kishte lënë Man Gagi. Kontrollon nëpër terr dhe  gjen disa patate të ngrira. E largon prushin me një copë të drurit dhe i fut patatet brenda në prush për t`i pjekur. Kontrollon sërish se mos do të gjente edhe ndonjë kothere buke të mbetur, por nuk gjen. Në një thes tjetër gjen dardha të egra, që kishin mbetur aty mbase qysh nga vjeshta. Edhe  ato  qenë kalbur dhe ngrirë…


Pasi kishte ngrënë me shije patatet, merr pagurin për të pirë ujë, por heton se uji ishte ngrirë. E ofron pagurin metalik te zjarri dhe e fut në hiri.  Struket sërish në shtratin përballë zjarrit… “Sapo mbyll sytë, ëndërron sikur ndodhej në një sallë të madhe të një ndërtese pa kulm, pa dyer e dritare  në një qytet të panjohur, ku njerëzia dilnin dhe hynin pa ndërprerë. Ndërtesa ishte e madhe, si Kapitoli i dikurshëm romak, të cilin e kishte parë në Romë, gjatë kohës kur atje kishte studiuar… Ndërkohë vëren një bari, që kërkonte dikë. Nuk e merrte me mend se ç kërkonte bariu në atë sallë të madhe, ku venin e vinin  burra të njohur diplomatë, priftërinj, tregtarë…”


Sërish kishte brofur nga të ftohtit, dhe ngrihet me rrëmbim nga postaja  e leshit. Hedh shkarpa të thata në prush, hedh automatikun në krah dhe del jashtë kasolles. Asgjë nuk pipëtinte, përveç fishkëllimës të thatë dhe të acartë të veriut. I vjen rreth e rrotull kasolles dhe pasi nuk vëren asgjë të dyshimtë, sërish futet brenda. Për të mos fjetur kishte fërkuar me borë qafën dhe fytyrën…


 Nata e gjatë e dimrit, lodhja, shqetësimi dhe brenga e kishin bërë të veten. Maja e lartë e malit Des dhe ajri i ftoftë sërish e kishte vënë në gjumë. “Sërish kishte ëndërruar një bari, që hetonte tinëzisht lëvizjet e tij nëpër një terren malor të panjohur. Ndërkohë, bariu i panjohur, e thërret në emër, fillon të qesh dhe ikë në drejtim të kundërt… Gjooon!….Gjooon!…Gjooon!… shpërndahej jehona e zërit të bariut  nëpër luginë.  Merr në shënjestër për ta vrarë por heton se i kishte bllokuar shuli i mauzerit. Bariu befas ishte zhdukur. Një jehonë zëri si kor i këndimit kishtar, po përhapej nëpër luginën, në të cilën ai ecte, duke bërë përpjekje të identifikonte vendin ku ishte futur bariu. Ndërkohë vëren dy njerëz. në pritë, me armët drejtuar kundër tij. Me shpejtësi e hedh bombën e dorës por ajo nuk aktivizohet. Dy milicët fillojnë të qeshin…”


Sërish brof nga gjumi dhe nxjerrë një ofshamë të thellë.


-O Ati ynë, që je në qiell, më ndihmo! -thotë dhe ngrihet nga shtrati sikur i zënë në faj. Ishte hera e parë pas disa vjetësh që fare rastësisht i kishin buruar nga goja fjalët e lutjes, madje kishte bërë edhe kryq. Gjoni, edhe pse kishte mbaruar kolegjin fetar në Prizren, nuk ishte nga mesi i fetarëve të devotshëm. Shoqërimi me vëllezërit e fesë tjetër, sikur e kishte shkëputur përfundimisht madje edhe nga bërja kryq, e lëre më nga lutjet…


Po të kishte mbetur prift, me siguri se do të ndodhej ndokund në ndonjë kishë apo manastir, dhe nuk do të kishte përjetuar çaste të tilla të vuajtjeve. Por, edhe për priftërinjtë dhe hoxhallarët e ndershëm kishin ardhur ditë të rënda e të mundimshme. Komunizmi e konsideronte fenë opium për popullin, të cilin e përdorte kisha dhe klasa sunduese për t’i mbajtur nën shtypje e shfrytëzim masat e gjera. Fenë dhe institucionet fetare, si të tilla, nuk i duronte komunizmi. Gjoni nuk ishte shquar për devotshmëri fetare, as atëherë kur kishte qenë nxënës në kolegjin katolik. Kishte të tjera aspirata, të tjera synime, të cilat ishte munduar t’ i  realizonte, por ja që një natë fare befasisht, kishte mbetur fillikat vetëm, në malet e larta të një fshati të Kosovës ashtu si murg mesjetar, apo si komit i kohëve të shkuara…


 


 Më në fund kishte gdhirë mëngjesi i acartë i 24 shkurtit i vitit 1947. Del me shpejtësi nga kasollja. Vëren me vëmendje nga të gjitha anët dhe vërteton se nuk kishte asnjë shenjë që linte për të dyshuar.


Kthen sërish në kasolle, shuan dhe zhduk gjurmët e zjarrit.  


Merr çantën, automatikun dhe largohet në drejtim të honit, përballë kasolles malore të Shkorrve. Nuk guxonte të largohej gjithaq, sepse mund të binte në ndonjë pritë, apo në rrethana të tilla   mund të ballafaqohej në ndonjë situatë të befasishme.


Ecja nëpër borë ishte me rrezik sepse prapa linte gjurmët, por nuk kishte ç’ të bënte. Ishte rreziku më evident  po të qëndronte në kasolle, tani kur ishte dorëzuar shoku i tij i ngushtë, Man Gagi. Nga torturat dhe mizoria që do të ushtronte OZN-a, ai mund t`i tregonte të gjitha dhe fare befasisht mund të ndodhej nën rrethim të forcave policore. Në shenjë sigurie, pasi kishte marrë vendim për të rezistuar dhe për të mos u dorëzuar i gjallë, vë automatikun në gjendje zjarri dhe sogjeton…


Fshihej pas lisave, vëzhgonte terrenin, çante dëborën e rrastë të shkurtit në ato maja malesh dhe priste e priste, pa ditur se kë priste dhe nga do t ia mbante…


Në kushte dhe rrethana të tilla nuk mund të priste derisa të dilte pranvera, meqë rrethi iu kishte ngushtuar skajshmërisht.


Njihte edhe disa jatakë të tjerë, por të gjithë ishin të njohur të Man Gagit, dhe tani kur ai ishte dorëzuar të gjithë  ndodheshin nën ankth të zbulimit të mundshëm. Askush nuk do t`i bënte konak. Edhe po t’i bënte konak ndonjë atdhetar zemërgjerë, ai do ta rrezikonte tërë familjen…


-Heu shpirt i shkretë, heu! -thotë me zë të ulët, duke shikuar mjegullën që kishte filluar të kaplonte vendin.


 


                                        ***


 


Dita e 24 shkurtit i kishte gjetur në brenga e shqetësime të rënda edhe Shkorrët e Desit. Ata, ndodheshin në mes të dy zjarreve. Po ta largonin Gjonin dhe po të pranonte Man Gagi në hetuesi, se ku ishte parë me Gjonin për herë të fundit me të, do të llogaritej se ishin  implikuar edhe ata.


-Ta largojmë Gjonin sa më parë nga kjo anë, thotë Bel Shkorri, i cili nuk kishte fjetur tërë natën nga shqetësimi, meqë dyshonte se Mani mund të kishte pranuar në hetuesi.


-Në asnjë mënyrë nuk bën ta largojmë, ia kthen prerë  Xaja. Nëse pranon Mani, ku ta gjemë pastaj Gjonin, kur ne Manin  e kemi detyruar të dorëzohet.


-Po, si t’ ia bëjmë, pra?


-Gjoni, edhe ashtu i humbun asht, nëse asht sikur po  mendoj unë. Nuk ka nga me ia mbajtë, shton Xaja duke thithur tymin e cigares.


-Çka don me thanë me këto fjalë?- ndërhyn qortueshëm Beli.


-Du me thanë se nuk do t`i rrezikojmë familjet tona për nji katolik, për nji njeri të dyshimtë!


-Ai mbi të gjitha asht shqiptar, mor i pafytyrë, ndërhyn Beli.


-Ai mbi të gjitha asht nji katolik, të cilit edhe nuk mund t`i besohet. Asht profesor, ka lënë rrogën dhe rehatinë e tij në Prishtinë  dhe ka dalë malit. K’saj nuk i besoj unë!


Ndërkohë duke parë shqetësimin dhe kureshtjen e kushëririt kishte shtuar:


-Çka do me thanë, nëse ai ka lidhje me Shaban Kajtazin apo Çeda Topalloviqin, apo me Isa Dujakën, dhe krejt kjo punë asht ba  me i zbulue jatakët?


-Nuk më besohet, por ama që Gjoni ishte profesor dhe që e ka lënë rehatinë, për këtë kam dëshmi, dhe nga kjo anë mundesh me pasë të drejtë, vazhdon Beli duke tëholluar dyshimin e tij.


-Tekefundit as e njohim si duhet, as e kemi mik. Përse ai nuk u dorëzue së bashku me Manin. Po të ishte në rrezik do të dorëzohej, po ama Gjonin ndoshta e kanë  lanë në mal, për t`i zënë të tjerët dhe për të na bitisur neve fukarenjve.


-Na vret Zoti nëse e tradhtojmë. Do t`u lamë hije të keqe familjeve, brezave…


-Ai e ka tradhtue vetveten. Po t’ ishte i rrezikuem do t’ dorëzohej, sepse nuk ka nga ia mban në këtë dimër të egër, fill i vetëm në këto male…


Në odën plot tym duhani të Bel Shkorrit kishte rënë një qetësi varri. Krimbi i dyshimit, dhe arsyetimi i robit  ishin futur thellë në kokat  e të dyve.


Ndërkohë kishte arritur edhe xhaxhai i Man Gagit, Shek Bazi.


Qysh në fjalët e para, Xajë Shkorri kishte zbuluar se Sheki dhe Beli ishin bërë pjesë e planit për ta kapur Gjonin, por të gjallë, me çdo kusht.


-Do të na vrasë Zoti nëse e bajmë ket punë të ligë, thotë Beli, pasi kishin  ndërruar disa fjalë me Shek Bazin.


-Ka me na vra dhe me na qit’ fare pushteti, nëse nuk bashkëpunojmë me ta, shton Xaja. Ti e di sa shkije  kemi vra! Duhet t’ ia qesin kapakun disi. Nëse e pranojnë bashkëpunimin me OZN-ën, mund të na falen edhe gjynahet.


Xaja ishte zbuluar në tërësi.


Bel Shkorri dhe Shek Bazi e kishin kuptuar me vonesë karremin që e kishte kurdisur ai për të tre.


Në orët e pasdites, dy Shkorrët si dhe Sheki takohen me Isa Dujakën dhe Çeda Topalloviqin. Plani për kapjen gjallë të  Gjonit kishte filluar të përmbyllej me kapitullin e fundit.


 


                                       ****


 


Man Gagin e dorëzuar, milicët e OZN-ës  e kishin shtruar në tortura mizore. Ai nuk kishte pranuar asgjë. Pas disa orë  torturimesh të padurueshme, kishte pranuar se ishte ndarë me Gjonin dy ditë më parë, në malet e Ferizajt dhe Gjoni kishte ikur në drejtim të panjohur.


Duke qenë se OZN-a kishte sajuar tërë  skenarin, duke qenë se Mani nuk ishte më person i rëndësishëm në kombinimet e mëtejme, ata nuk e ngasin më tej. Megjithatë e marrin me vete, lidhur në pranga, ndërkohë që e ballafaqojnë me xhaxhanë e tij dhe me  Shkorrët. Ai do të mbetej peng në rrethana të jashtëzakonshme, madje edhe mund të qitej në pritë të armës së Gjon Serreçit, sado që oznistët kishin marrë masa për ta kapur gjallë Gjon Serreçin, sepse i gjallë iu duhej shumë më tepër. Në momentin e takimit me xhaxhanë dhe me dajallarët, Man Gagi kishte kuptuar se kishte filluar të realizohej skenari i rrezikshëm i kapjes gjallë të shokut të tij më të ngushtë, të cilin e kishte tradhtuar nën presionin e dajallarëve dhe të xhaxhait. Për më tepër, atij do t`i mbetej faji përjetë, meqë ishte dorëzuar dhe me të drejtë do të dyshohej se ai e dinte vendndodhjen e Gjon Serreçit.  


 


Në orët e natës të 24  shkurtit, Xajë Shkorri merr bukën për t`ia çuar Gjonit dhe niset në drejtim të kasolles. Prapa tij shkojnë dy oficerët e OZN-ës, Aleksa Vuçiniq, Dragutin Papoviq me katër policë përcjellës. Drejt kasolles niset vetëm Xaja. Të tjerë presin më larg.


Meqë Gjoni nuk ndodhej në kasolle, Xaja fillon të gjurmojë përreth. Ai kishte  pallur me të vogël,  duke emituar palljen e kaut, shenjë që tregonte se nuk kishte rrezik. Ulërima si ujk, ishte shenjë për të mos u afruar te kasollja, kështu i kishte Xaja. Pak më vonë, Gjon Serreçi ishte futur në kasolle. Xaja, që e dinte përmendsh vendin, si gjatë ditës ashtu edhe gjatë natës, kishte vërejtur Gjonin kur ishte futur në kasolle, por vonohet me qëllim të caktuar. Pasi kollitet pak, largon dengun   e tallës nga hyrja dhe futet brenda. Gjoni qe futur, disa minuta më herët, kishte  filluar të djegë edhe disa nga dokumentet, për të cilat konsideronte se nuk duhej të binin në duar të armikut.


-Ha bukë njëherë, mor vëlla, se nuk ke gjë në bark, ka kohë për m’i djegë dokumentet,- thotë Xaja me zë të lartë.


-Përse  po bërtet ashtu, mundet me na ndigjue ndokush, e qorton Gjoni.


-Kush mund me na ndigjue në këtë maje mali, në këtë dimër kaq të egër. Edhe egërsirat janë futë thellë në shpella, se le ma gjindja e shkretë që po vuejnë nga acari, por edhe ma keq nga ky pushtet i dreqit…


Derisa Gjoni krejt shkujdesur po i digjte dokumentet, te dera e kasolles befasisht reflekton një dritë vezulluese, e një reflektori ushtarak që ia kishte marrë sytë. Dy  oficerët serbë të OZN-ës, me shpejtësi të rrufeshme i bien në shpinë Gjonit, i cili nuk arrin ta zbraz bombën e dorës.


-Ne mrdaj, jebem ti shiptarsku majku!1), i thotë oficeri duke i rënë në kokë me kondak të pushkës.


-Mua më shaj nënën, e jo shqiptarëve, mor barbar, -ia kthen Gjoni, të cilin me shpejtësi e kishin lidhur këmbë e duar.


Oficerët nuk e ngasin Xajë Shkorrin, i cili qëndronte me duart lart, meqë veprimi i tillë ishte paraparë   për të qenë  pjesë e skenarit.


Pusti ruke, Rizo, zavrshili smo posao!2) i drejtohet Papoviqi Xajes duke ia rrahur shpinën, në shenj falënderimi për angazhim që kishte treguar në kapjen gjallë të Gjon Serreçit.


Oficeri tjetër kishte marrë nga zjarri copët e letrave e dokumenteve që nuk ishin djegur, ndërsa Gjonin  duarlidhur, duke e goditur në shpinë dhe në kokë me kondakët dhe me tytat e pushkëve, e nisin në drejtim të Desit….


_________________


1-Mos luaj vendit, ta q… nënën shqiptare!


2-Lëshoj duart, Rizo, ne e kryem punën!

Kontrolloni gjithashtu

FADIL REXHA: KUR MUNGON LUANI MAJMUNËT BËHEN MBRETËR

Fadil Rexha: LARGIMI NGA VENDLINDJA

Ishte një mëngjes i ftohtë pranvere me bore e shi. Me lot në sy, u …