Ahmet Qeriqi: Nëpër shekuj kënga e popullit: Mahmut Ferati

Ahmet Qeriqi: Nëpër shekuj kënga e popullit: Mahmut Ferati

Këndimi trevës së Tetovës, ka disa komponentë muzikorë të ndërthurur me trevat e tjera shqiptare përreth, por mbi të gjitha ka bazamentin autentik burimor, që shquhet me veçanti të muzikës së Shqipërisë së mesme dhe asaj të veriut, të Malësisë së Sharit dhe trevës më autentike të këngës shqipe sikur është ajo e Kërçovës me rrethinë.

Tetova me rrethinën e saj, gjatë tërë historisë i ka dhënë emra të shquar kombit, dhe ka qenë e po mbetet njëra ndër shtyllat më të forta të kombit e Shqipërisë historike, etnike e natyrale.

Edhe në arte e veçanërisht në muzikë,  Tetova ka dhënë emra të dalluar këngëtaresh e këngëtarësh. Në mesin e tyre shquhet me zërin këngën e përkushtimin ndaj saj edhe Mahmut Ferati, një këngëtar i arsimuar në lëmin e muzikës, i   njohur kudo ndër shqiptarë, me një përvojë më shumë se dyzetvjeçare, duke kënduar para publikut shqiptar, qoftë solo, duet,  apo në grup, ulur këmbëkryq në odë,  apo ngritur në bina, në estradë para mijëra spektatorëve e dëgjuesve, por gjithnjë i dalluar për mënyrën autentike të këndimit.

Kënga e Mahmut Feratit, shquhet për lirizmin e fuqishëm dhe këndimin e lirshëm e të pastër të vargjeve të këngëve, ndër më të ndryshmet. Shquhet për një fonetikë të pasur shqiptimi të fjalëve, për mbëltimin  e  tyre me zërin melodik, me mjaft nuanca origjinale dhe me një shumëllojshmëri dridhjesh, ritmesh të pasura, zërin herë të thellë e të fuqishëm, herë të lehtë e të përmallshëm, zërin tipik të Malësisë së Tetovës, por edhe zërin melodik të këngëve qytetare të Tetovës e më gjerë.

Të shkruash për këngëtarin, Mahmut Ferati dhe radhën e nivelit të tij muzikor, nuk është fare punë e vështirë, sepse kudo ku gjurmon e ku hulumton, ke lëndë të mjaftueshme në të gjitha fushat e segmentet, andaj edhe shkrimi qoftë afirmativ, kritik  dhe përgjithësisht realist, nuk ka si të mos provokojë për të thënë diçka më shumë se sa kanë thënë të tjerët, edhe pse duhet pranuar me keqardhje se në kohën tonë të  turrit, për të thënë e për të shkruar gjithçka, për të kënduar mbarë e mbrapsht dhe  vetëm sipërfaqësisht,  mungojnë shkrimet realiste, në masë mungon madje edhe vetë metodologjia e qasjes dhe trajtimit profesional të këngës së këngëtarëve që kanë bërë emër, si krijues origjinalë dhe kanë dominuar skenën e estradës për disa decenie me radhë, sikur është Mahmut Ferati, Ilir Shaqiri, Shkurte Fejza, Shyhrete Behluli, Dava Gjergji, Arif Vladi, Vëllezërit, Sejdiu, Bexhet Jagodini, Ylmize Tafallari e shumë të tjerë …

Duke qenë, si të thuash,   i lindur për këngë, talent për kundrimin dhe joshjen artistike me  tingujt e natyrës, e cila na rrethon, i edukuar dhe i arsimuar me këngë, Mahmut Ferati, tashmë  jo vetëm ndihet “ i zoti i këngës”, por realisht ai është në mesin e këngëtarëve më të njohur të kohës sonë, këngët e të cilit dëgjohen me endje kudo, ku dëgjohet kënga shqipe, kënga thirravaje e shekujve të rëndë të robërisë, shekuj të rëndë si tunxhi, të cilët kanë lënë edhe gjurmë të diktueshme në këngën tonë, por ajo  megjithatë i ka bërë ballë asimilimit, dhe ka ruajtur,  aq sa ka mundur të ruajë gjatë shekujve, nga Iliria e deri te koha jonë.

Mahmut Ferati, nuk është këngëtar fanatik, sikur ata që nuk pranojnë të këndojnë në duet e  në grup, por ruajnë me zili, këngën e zërin e vet, duke qenë të vetëdijshëm se i takojnë një niveli të lartë dhe origjinal të këndimit dhe kjo është e kuptueshme, aspak e dënueshme.

Ai në këtë drejtim është këngëtari më zemërgjerë, i cili nuk ka kursyer as kursen të këndojë bashkë me këngëtare e këngëtarë  të njohura e të afirmuar, por këndon  edhe me këngëtarë të tjerë, që ndodhën në rrugën e afirmimit.

Kjo është njëra ndër meritat e tij parësore  si këngëtar, por  edhe si edukator muzikor me profesion, sepse kjo afri e bashkëpunim, ndikon te ata me të cilët këndon bashkë, duke iu dhënë zemër këngëtarëve të talentuar, në rrugë për afirmimin e tyre. Kjo nuk do të thotë se ai nuk këndon me nivelin e këngëtarëve të tjerë, gjithsesi të afirmuar sikur bëjnë edhe këngëtarët e tjerë kush më shumë e kush më pak.

Po kështu, Mahmut Ferati ka një repertor të pasur të këngëve të ndryshme, po thuajse të të gjitha zhanreve, prej këngëve historike, të trimërisë e këngëve për dëshmorët e martirët, deri te këngët e dashurisë, ato humoristike, këngë dasmash, madje edhe tallava, të cilën e kërkon publiku i caktuar, por vërehet  një kujdes të veçantë për të mos sharruar në moçalishten e këndimit, “tralala e tralale”.

Ky këngëtar i pasionuar i ka dhënë dhe po i jep këngës shqipe, zërin, talentin e lindur për këndim, përmbajtjen dhe përkushtimin për këngën burimore shqiptare, e cila  është ruajtur, është zhvilluar dhe arsimuar deri në fanatizëm në kohën e socializmit, veçmas në Shqipëri, por edhe kudo në trevat shqiptare.

Bazamenti, themeli, bërthama e këngës shqipe, përmbajtja e saj, idejshmëria artistike dhe shumë komponentë të tjerë të begatisë sonë kulturore në përgjithësi,  muzikore në veçanti, kanë ruajtur, dhe kanë krijuar shkollën e këngës shqipe, pavarësisht se në të kaluarën kemi jetuar e në një masë jetojmë edhe sot në gjashtë shtete të Ballkanit, në dy shtete tona dhe në katër shtete  fqinje.

Kënga shqipe, nuk i ka pranuar as  i ka njohur kufijtë, që na i ka vendosur bota mujshare,  bashkë me fqinjët tanë.

Kënga,  edhe kur ka qenë e ndaluar  nga robëruesit e pushtuesit e ndryshëm është kënduar, dhe nuk e ka bërë zap asnjë pushtues, sepse kënga i referohet shpirtit, emocionit, luftës me zjarrin e zemrës për ta çarë rrethimin, izolimin, degdisjen, ajo është e lindur  për ta shprehur me zë botën e ndjesive të fuqishme, me qëllim për t’ i mobilizuar forcat, meqë kënga dhe muzika kanë një ndikim të veçantë, në zgjimin dhe kalitjen e konsolidimin e vetëdijes kombëtare, sidomos atëherë kur populli ndodhet nën pushtim. Në raste të tilla kënga bëhet pjesë e mobilizimit, pjesë e saj zemërdhënëse…

Këngëtari, Mahmut Ferati, ka korda të fuqishme zanore, me të cilat e mbërthen fuqishëm këngën, duke e begatuar atë  me të gjitha afektet muzikore, me ritmin e cezurën, me zgjatjen e shkurtimin  në masë të  rrokjeve, me komponimin e pasur në tërësinë kompozicionale, duke treguar kujdes në çdo efekt përbërës, ndihmës, parësor apo dytësor.

Me karrierën e tij  dyzetvjeçare si këngëtar dhe profesor i muzikës, Mahmut Ferati,  ka arritur majat e këndimit e të prezantimit, ka arritur të krijojë emrin e këngëtarit popullor, profesionist dhe të afirmuar, i cili është i vetëdijshëm për efektin që ushtron kënga andaj edhe e këndon me seriozitet e përkushtim të veçantë. Është ne mesin e këngëtarëve që e këndon dhe e përjeton këngën dhe përmbajtjen e saj, duke i dhënë tërë fuqinë e magjinë e përhapjes dhe kombinimit të tingujve në tërësinë e saj, duke e përcjellë qoftë vetëm me një çifteli, sharki apo me një orkestrinë të pasur e të kompletuar me të gjithë instrumentet e komponentët muzikorë.

Ai është  i afërt me të gjithë, shumë bashkëpunues dhe përkushtues ndaj këngës e artit në përgjithësi. Duke kënduar solo, në duet dhe në grup, ka nxjerrë në dritë afër 1oo albume e këngë të zhanreve të ndryshme, të cilat janë një begati e botës muzikore shqiptare kudo ku jehon ajo, kudo ku ai shfaqë botën e tij të fuqishme të emocioneve të derdhura në këngë, qoftë në këngën e mallit e të tragjikes, qoftë në këngën lirike e të dashurisë, qoftë në këngën e trimërisë dhe heroizmit, qoftë në këngën e humorit e argëtimit, pasi ai e krijon dhe e zotëron atë në mënyrë origjinale, edhe pse ka raste dhe momente ku  bën edhe kontrapunkte, i vetëdijshëm për to,  por të cilat i kërkon publiku dhe të cilat dalin paksa jashtë masës së përgjithshme të seriozitetit të këndimit, por që shumica nuk i vëren, as do të duhej të bëheshin objekt i ndonjë qasjeje, sepse kjo u ndodh të gjithë këngëtarëve.

Është me rëndësi  fakti se këngëtarët e afirmuar, ata që i dalin zot vetvetes në këngë, sikur është edhe Mahmut Ferati, janë të vetëdijshëm dhe nuk e lejojnë vetën në sharrojnë thellë në virusin e tallavasë, e cila i referohet vetëm argëtimit, shfrimit të ndjenjave të paekuilibruara vetëm kënaqësisë momentale dhe deformiteteve të ndryshme, të cilat kanë tendencë ta ngulfasin këngën e pastër dhe origjinale, këngën burimore shqipe.

Mahmut Ferati është në kulmin e këndimit, sepse vitet e jetës  në këngë e pasurojnë atë dhe e bëjnë sikur verën e moçme. Andaj presim edhe këngë të reja, që do ta begatojnë më tej repertorin e tij edhe ashtu mjaft të pasur, duke u bërë pjesë e botës muzikore, burimore shqiptare.

Kontrolloni gjithashtu

Albert Zholi

-Albert Z. ZHOLI: Flasin për Ditën e Verës: Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka

Flasin Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka -Dita e Verës nuk …