Ahmet Qeriqi: Nëpër shekuj kënga e popullit: Malësor Prenkoçaj

Ahmet Qeriqi: Nëpër shekuj kënga e popullit: Malësor Prenkoçaj

Malësor Prenkoçaj, ka sjellë në botën e këngës shqiptare,  këndimin autentik të Malësisë së Trieshit, ku është lindur dhe ku është rritur, në tingujt magjiplotë të natyrës së Alpeve shqiptare, por edhe me jehonën e këngëve malësore dhe të tjera, të përcjella me vegla muzikore veçmas me çifteli, në fillim të këndimit, por duke e pasuruar e begatuar me kohë,  me të gjithë elementet e duhura muzikore.

Në vitet e para pas luftës së UÇK-së dhe fitores  historike kundër pushtimit e robërisë, Malësori studionte dhe jetonte, në Prishtinë. Në ato vitet e para të pasluftës  ishte vetëm Radio-Kosova e Lirë që jehonte kudo, meqë ende nuk dëgjoheshin radiot e tjera, por ishte edhe programi i saj me këngë burimore shqiptare, që i joshte  dëgjuesit dhe këngëtarët. Më kujtohet kur sapo nxirrte nga produksioni  ndonjë këngë të re, merrte me vete CD-në, vinte në Radio, na përshëndeste vëllazërisht, na mbështeste dhe ndihej në disponim të veçantë.

Nga ajo kohë e në vazhdim këngët e tij janë bërë pjesë e fonotekës së Radios, të cilat transmetohen e pëlqehen nga dëgjuesit.

Këngët e Malësor Prenkoçajt, janë kryesisht këngë të hareshme, këngë popullore, por edhe rapsodike, këngë për dëshmorët, këngë trimërie e dashurie, këngë malli për vendlindjen e Malësinë, por edhe këngë argëtimi e dëfrimi.

Me një zë tipik të malësorit, por me zë të mbëltuar e të begatuar me nuanca artistike të këndimit, Malësor Prenkoçaj qysh në rininë e tij është bërë një me këngën shqipe, me këngën e mallit e të krenarisë kombëtare, duke sjellë zëra të pastër të këngës autentike të viseve të Malësisë së veriut, një pjesë në Mal të Zi, por edhe të Kosovës, përgjithësisht të muzikës popullore shqiptare.

Ashtu sikur edhe këngëtarët e tjerë të kësaj treve, muzikore shqiptare,  Malësori shquhet për një stil origjinal të këndimit, që i referohet në radhë të parë ngjyrës mjaft të theksuar të zërit, kordave të fuqishme zanore që i disponon, të cilat edhe i begaton me efektet e njohura të këndimit, duke sjellë elementë të haresë, ngazëllimit e entuziazmit, që i shkojnë për mrekulli  trashëgiminë sonë autentike, popullore e rapsodike.

Malësori me kohë e ka gjetur akordin e vet, ka gjetur vetveten  në botën e muzikës, të cilin edhe e ka plotësuar  në të gjitha segmentet, duke mos u mjaftuar vetëm me këngë të traditës, por duke e begatuar atë edhe në bazë të kërkesave të publikut, pse jo edhe të konkurrencës në tregun e këngës, meqë kënga gjithnjë zhvillohet, gjithnjë ndodhet në proces të manifestimit artistik, dhe begatohet e zhvillohet si art që i referohet shpirtit, që i pastron valvulet e zemërimit e pezmatimit, që shëron dhe begaton qenien njerëzore.

Rruga e Malësor Prenkoçajt në muzikën shqiptare, ka kaluar nëpër hope, gëzime suksese e zhgënjime  por ai me kohë e ka gjetur veten, ashtu sikur kënga e ka gjetur Malësorin dhe janë bërë bashkë, në rrugëtimin drejt të ardhmes.

E veçanta e këndimit të këtij këngëtari është zëri melodik, i cili edhe i ka paraprirë në rrugën për tu përcaktuar për një zhanër të këngëve sikur janë këngët e hareshme, por edhe ato të mallit, këngët ritmike që ngjallin atmosferë disponimi si dhe këngët e lehta të mbëltuara nga tradita e pasur e këngëve popullore e të përpunuara.

Malësori përveç këngëtar i mirënjohur është edhe instrumentist i dalluar. Ai zotëron ekzekutimin me shumë vegla muzikore me të cilat ekzekuton dhe frymon për mrekulli.

Në botën e magjisë së këngës shqipe, prej asaj folklorike e burimore, popullore e të lehtë, ai ka zgjedhur shumësinë e këndimit, jo duke u mjaftuar vetëm me një zhanër të caktuar, por duke i provuar të gjitha dhe duke ia dalë me sukses, si pak kush.

Malësori nuk është nga ata këngëtarë që i merr me vete  disponimi i publikut,  nganjëherë jo i  matur.  Ai ruan interpretimin origjinal, ruan gjuhën e kursyer në tekstet e këngëve dhe këndon këngën e tij, e cila tashmë është formësuar me një stil autentik me shumësinë e zhanreve muzikore, duke ruajtur në vetvete këngën e mallit, këngën shqiptare të  Malësisë së Veriut, ashtu  sikur ruhet dhe çmohet margaritari i rrallë.

Krojmir

Gusht 2021

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. Zholi

Albert Z. ZHOLI:  Dita Botërore e  librit dhe e kriza e së drejtës së autorit në Shqipëri

 Dita Botërore e  librit dhe e kriza e së drejtës së autorit në Shqipëri Shqipëria …