Ahmet Qeriqi: Paraqitja e Hyjit JHVH, para Mojsiut në Malin Sinaj dhe urdhëresat e ndalesat

Tre librat e shenjtë, Toreja, Bibla dhe Kur’ani pranojnë se profeti Mojsi ka biseduar me Hyjin, në Malin Sinaj. Është i vetmi nga profetët që ka folur me Zotin dhe ka shkruar fjalët dhe porositë, që ka marrë nga ai. Biseda, sipas librave të shenjtë është bërë në mënyrë specifike, meqë Hyji nuk e ka lejuar Mojsiun ta shohë atë, por i ka caktuar paraprakisht vendin, ku ai ka qëndruar për të biseduar me Të. Cila ka qenë  mënyra dhe distanca  e komunikimit mes Hyjit JHVH dhe profetit Mojsi, kjo nuk është shpjeguar në tërësi dhe në detaje. Megjithatë në Besëlidhjen e Vjetër kemi një fragment fenomenal,  që e shpjegon deri diku  këtë komunikim jo edhe aq misterioz.


Ja si përshkruhet koha, vendi, komunikimi dhe 10 urdhëresat e ndalesat që Hyji përmes Mojsiut ia kishte transmetuar njerëzimit:


 


“Erdhi e treta ditë dhe zbardhi drita, u ndien bubullima, shpërthyen vetëtima, një re e dendur tesve e mbuloi malin. Boria jehoi thekshëm dhe populli, që ishte në tebanishte u drodh nga frika. Atëherë Mojsiu i tha popullit të dalë nga tebanishta, në takim me Hyjin. Populli i izraelit qëndroi në këmbë rrëzë malit.


Krejt mali i Sinajit nuk ishte tjetër pos tym, sepse Hyji kishte zbritur me zjarr mbi te, e tymi ngrihej posi tym furre. I tërë mali tundej tmerrësisht.


Zëri i borisë sa vinte e rritej.


Mojsiu fliste me Hyjin dhe Ai i përgjigjej me bubullimë.


Zbriti Hyji mbi malin Sinaj, në maje të malit dhe e thirri Mojsiun, në vendin ku kishte zbritur.


Hyji i tha Mojsiut:


Porosite popullin tënd, të mos e kapërcejë cakun, me qëllim që ta shohë Hyjin, përndryshe, një shumicë e tyre do të vdesin. Edhe rabinët, që do t’ i ofrohen Hyjit le të jenë të pastër, sepse Hyji do t’i shqimë.


Pasi Mojsiu i tregoi Hyjit se populli nuk do të afrohet dhe nuk do t’ i kalojë caqet, Hyji e tha Mojsiut, shko merre Aronin dhe ngjitu me te, por caqet mos t i kalojnë as rabinët.


 


Atëherë Hyji i tha këto fjalë:


 


Unë jam Hyji yt, që të nxora nga dheu i Egjiptit, prej shtëpisë së skllavërisë.


Nuk ka Zot tjetër përveç meje!


-Mos bëj  kurrfarë idhulli, as kurrfarë përfytyrimi të gjërave, që janë lart në qiell, as të gjërave që janë poshtë mbi tokë, as të gjërave që janë nën tokë.


-Mos i adhuro ato dhe mos u jep fare nderim, sepse unë Hyji, Jam Vetë Hyji yt, (HJVH) jam ziliqar dhe e ndëshkoj paudhësinë e etërve në fëmijë deri në të tretin dhe në të katërtin brez, të gjithë atyre që më urrejnë, por jam i mëshirshëm me mijëra brezni për ata që më duan dhe i zbatojnë urdhrat e mia.


-Mos e merr nëpër gojë kot emrin e Hyjit, sepse Hyji nuk e lë pa i ndëshkuar ata që e përmendim kot emrin e tij.


-Shenjtëroje  ditën e shtunë. Gjashtë ditë puno, kryeji punët dhe ditën e shtatë pusho, sepse  e shtata ditë, është e shtuna, Dita e Hyjit. Të shtunën mos puno, as ti, as bija jote, as shërbëtori, as shërbëtorja, as kafsha jote, as i huaji që banon te ti. Sepse gjatë gjashtë ditëve Zoti e bëri qiellin, tokën e detin dhe gjithçka që gjendet në to, ndërsa ditën e shtatë, të shtunën pushoi.


-Nderoji prindërit që ta kesh jetën e gjatë në tokë.


-Mos vra!


-Mos the kurorë!


-Mos vidh!


-Mos bëj dëshmi të rreme!


-Mos i lakmo shtëpisë së të afërmit tënd! Mos i lakmo gruas së tij, shërbëtorit, shërbëtores, kaut, gomarit dhe asnjë gjëje që i përket atij!


Gjatë tërë kohës sa foli Hyji me Mojsiun, populli dëgjonte borinë  dhe shihte malin duke tymuar, i trembur dhe i frikësuar kishte qëndruar në vendin e caktuar pa lëvizur. (Bibla shqip 1994  faqe 104-105).


Ky fragment na zbulon misterin e vetëm, që dimë për krijuesin JHVH. Hyji zbret në Malin Sinaj përmes flakës. Në kuptim të fantastikës shkencore, Hyji duhej të ishte në një anije kozmike, ose vetë ai të ishte në objektin real, që ne e njohim me termin e fantastikës shkencore si anija kozmike.


Ky shkrim i Biblës duhet të analizohet shkronjë për shkronjë, fjalë për fjalë, fjali për fjali, për  të ndriçuar misterin e prezantimit të hyjit para Mojsiut, vëllait të tij Aronit, por edhe pjesëtarëve të popullit të zgjedhur. Hyji, përmes Mojsiut i kishte porositur izraelitet që të mos e kalonin cakun, me qëllim për ta parë hyjin, sepse do të shqimeshin, ashtu sikur bën flutura, e cila i drejtohet dritës së qiririt apo poçit elektrik.


 


Përshkrimi i  paraqitjes së Hyjit para Mojsiut dhe shpallja e 10 urdhëresave e ndalesave, sipas Besëlidhjes së Vjetër


 


Krejt mali i Sinajit nuk ishte tjetër pos tym, sepse Hyji kishte zbritur me zjarr mbi te, e tymi ngrihej posi tym furre. I tërë mali tundej tmerrësisht.  Zëri i borisë sa vinte e rritej.  Mojsiu fliste me Hyjin dhe Ai i përgjigjej me bubullimë.


Për cilin tym është fjala, për tymin që erdhi së bashku me zjarrin, apo për një tym paraprak, i cili po ngrihej lartë posi tym furre?. Nga një tym i tillë, i dendur dhe nga llava e zjarrtë, i tërë mali i Sinajit tundej tmerrësisht, ndërsa zëri i një borie bëhej gjithnjë e më i fuqishëm, më shurdhues.


Hyji i përgjigjet Mojsiut me bubullimë. Mojsiu e kuptonte gjuhën e bubullimës, por ne nuk dimë se ato krisma ishin si bubullima e kohës kur bie shi, apo krisma të veçanta, që shënonin komunikimin e Mojsiut me Hyjin. Ky kapitull i Biblës, jep disa elemente bazike për të ndërtuar një këndvështrim, apo një qasje  më të plotë për Hyjin, krijuesin e gjithësisë së pafund.


Është i vetmi vend në librat e shenjtë ku shpjegohet gjerësisht shfaqja e Hyjit mbi majën e një mali, i cili tani ndodhet i gurëzuar në një shkretëtirë gurore, të thepisur në gadishullin e Sinajit.


Paraqitja, natyrisht se ka elemente fantastike, por mënyra e  paraqitjes, kërkesa nga Hyji, që askush të mos e kalonte cakun, që asnjëri nga rabinet të mos paraqitej i papastër se do të shqimej, na bën të mendojmë thellë për një fuqi mbinatyrore, e cila përkufizon qartë mënyrën e sjelljes së njerëzve, në një rast të caktuar, kur ai do të shfaqej, jo me pamjen e tij, por me fuqinë e tij të mbinatyrshme, të përcaktuar në pamje si zjarr dhe në dëgjim  si zë kumbues, si zëri i një borie që sa vjen e të  pushton nga fuqia e tingullit. Bibla thotë se vendi ku ishte shfaqur Hyji, tundej tmerrësisht, meqë forca e pranisë së tij ishte e   jashtëzakonshme, e jashtëmatshme.


 


Biseda e Mojsiut me Hyjin (Allahun) përshkruhet edhe në Kur’an. Ja si i paraqitet zëri i Allahut,  Mojsiut në Malin Sinaj, sipas përshkrimit në kapitullin Kasas( rrëfime) ku shkruan:


Dhe kur Musai e plotësoi afatin dhe u nis me familjen e vet, ai pa një zjarr në anën e Turit (Turi Sinaj).Pritni i tha familjes (popullit ) së vet, kam vërejtur një zjarr, ndoshta do t’ iu sjellë ndonjë lajm prej atje, ose ndonjë urëz të ndezur, që të ngroheni.


E kur erdhi te zjarri, dikush i thirri nga ana e djathë e Luginës së bekuar me lisa: O Musa, unë jam All-llahu, Zot i botërave. Pastaj All-llahu e udhëzoi si të vepronte me popullin e tij për të kaluar Nilin. (Dr. Feti Mehdiu: Kur’ani dhe hija e tij shqip, Shkup 1999, f 388). Edhe në Kur’an paraqitja e Hyjit, All-llahut,  bëhet përmes zjarrit, në Malin Sinaj.


 


Paraqitja e Hyjit, në Malin e Sinajit, lidhet edhe me dhjetë urdhëresat që janë bazamenti fetar dhe moral i gjinisë njerëzore, të njohura në të gjitha fetë moniste por edhe bazamenti i tërë qytetërimit njerëzor. Dhjetë urdhëresat e ndalesat  janë bazamenti moral i çdo shoqërie, çdo feje dhe qytetërimi.


Hyji kishte porositur Mojsiun dhe popullin e Izraelit që në mënyrën më rigoroze të iu përmbaheshin ligjit të urdhëresave dhe ndalesave, nga të cilat buron tërë një kodeks i sjelljes njerëzore, për një jetë të harmonishme. Prishja e cilitdo urdhër, prish tërësinë e pakos dhe atij, që prish këtë bazamenti i kthehet si ndëshkim, kudo qoftë, në çdo kohë dhe në çdo cep të botës ku jetojnë njerëzit.


Nga korpusi prej dhjetë urdhëresave e ndalesave, pesë të parat janë urdhëresa, ndërsa pesë të fundit janë ndalesa. Katër të parat lidhen me Hyjin dhe raportin që njeriu duhet ta ketë me te, ndërsa gjashtë të tjerat kanë kryesisht urdhëresa, që duhet të përfillen rigorozisht, në mënyrë për ta ruajtur baraspeshën e jetës në njeriut në familje dhe në shoqëri.


 


1. -Mos bëj  kurrfarë idhulli, as kurrfarë përfytyrimi të gjërave që janë lart në qiell, as të gjërave që janë poshtë mbi tokë, as të gjërave që janë nën tokë.


Kjo urdhëresë në dukje të parë ka të bëjë me lirimin e njerëzve nga idhujtaria, e përhapur në periudhën e profetëve, madje disa herë edhe në mesin e tyre, si para ashtu edhe pas vdekjes së profetit Mojsi.


Vetë paraqitja e Hyjit para popullit të Izraelit në një rrethanë të jashtëzakonshme tregon se sa i kotë është besimin në një idhull që nuk bëzan, aq më keq kur ai është një gjësend  i thjeshtë, në shumë raste një materie e rëndomtë, që shërben si  një fetish i periudhës së hershme të barbarisë, por si i tillë ka ardhur deri në ditët tona.


Hyji kërkon që  mos besojmë në idhuj, por as në përfytyrimin e tyre, qofshin këta idhuj në qiell, në tokë, apo nëntokë.


Cilët pra janë idhujt nën tokë? Logjika e thjeshtë na shtyn të mendojmë me metale e çmuara, apo në idhuj që i ka mbuluar dheu gjatë termeteve, apo gjatë dyndjes së ndonjë shtëllunge të madhe pluhuri nëpër shkretëtirë, që  ka mundur të mbulonte idhujt.


Hyji nuk ka ndaluar gërmimin nën tokë për të zbuluar të mirat materiale, por ka ndaluar që ato të mira që fetishizohen e të adhurohen.


 


2 -Mos i adhuro idhujt dhe mos u jep fare nderim, sepse unë Hyji, Jam Vetë Hyji yt, (HJVH) jam ziliqar dhe e ndëshkoj paudhësinë e etërve në fëmijë deri në të tretin dhe në të katërtin brez, për të gjithë ata që më urrejnë, por jam i mëshirshëm me mijëra brezni për ata që më duan dhe i zbatojnë urdhrat e mia.


 


Derisa urdhëresa e parë ka të bëjë me shpikjen apo sajimin e idhujve nga njerëzit, në urdhëresën e dytë  ndalohet edhe adhurimi  apo nderimi i idhujve. Për më tepër, Hyji  zotohet se do të ndëshkojë adhuruesit e idhujve, bijtë e bijat e tyre, madje edhe nipat e mbesat e tyre.  Hyji pranon me këtë rast se Ai është ziliqar dhe e ndëshkon ashpër një paudhësi të tillë, ashtu sikur i ndëshkon ashpër edhe ata që e urrejnë. Kjo urdhëresë mbase ishte dhënë për shkak se pasuesit e Mojsiut, kishin jetuar shumë kohë nën idhujtarinë pagane të faraonëve, dhe ai kishte ndaluar rigorozisht idhujtarinë, adhurimin dhe nderimin e idhujve.


 


3. -Mos e merr nëpër gojë kot emrin e Hyjit, sepse Hyji nuk e lë pa i ndëshkuar ata që e përmendim kot emrin e tij.


Si duhet të shpjegohet kjo urdhëresë? Përse do të ndëshkohen ata që e përmendin kot emrin e Hyjit? Si duket, këtu kemi të bëjmë me betimin në Zot, me sajimin e gënjeshtrës apo mashtrimit duke përmendur emrin e Hyjit, apo duke u përbetuar rrejshëm në emrin e tij. Fshehja pas emrit të Hyjit del të jetë shumë e dënueshme dhe për një veprim të tillë Hyji ka ndëshkuar dhe ndëshkon njerëzit. Ka gjasa që përkthimi të jetë ngatërruar,  nga nëpër gojë, me kuptimin e fjalës “përgojim”, sepse marrja e emrit në gojë vetvetiu nuk do të duhej të ishte një krim, i cili do të ndëshkohej. Përgojimi me këtë rast lidhet edhe me kuptimin e mospërfilljes së Hyjit që nënkupton edhe blasfeminë.


 


4. -Shenjtëroje  ditën e shtunë. Gjashtë ditë puno, kryeji punët dhe ditën e shtatë pusho, sepse  e shtata ditë, është e shtuna, Dita e Hyjit.


Urdhëresa, lidhur me ditën e shtunë, është mjaft e kuptueshme. Në tërë botën popujt kanë nga një ditë pushimi, në javë, por dita e shtunë si ditë pushimi vlen vetëm te hebrenjtë. Te shqiptarët Dita e shtunë ka qenë ditë e veçantë por edhe e fundit e javës, ashtu sikur është realisht në kalendarin e vërtetë të Javës, apo ditëve të Jahvës. Kjo gjithsesi  del të ketë qenë një ditë e shenjtë, për faktin se me këtë ditë lidhet edhe përbetim, “për t shtunë e shtatëqind vjet”, përbetim i njohur në rastet kur përbetuesi zotohet për të kryer apo për të mos e kryer një veprim.  Po ashtu dita e shtunë zakonisht ishte edhe ditë tregu. Këtë fenomen e shpjegon emri i substantivuar  “shtunak”, njeri i ditës së shtunë. Shtunak i thuhej zakonisht njeriut,  i cili kthehej vonë nga tregu dhe natën e kalonte në ndonjë bujtinë apo te ndonjë mik. Nuk njihet formulimi analog sihënak, martak epo premtak. Te shqiptarët nuk njihet rigoriziteti i ndalimit të punës në ditën e shtunë, ndërsa te hebrenjtë dita e shtunë është ditë rigoroze e pushimit.


Jezu Krishti, në predikimet e tij dhe në riinterpretimin e disa skemave të Besëlidhjes së Vjetër,  ditën e shtunë e kishte relativizuar dhe për këtë shkak ishte paditur nga farisenjtë.


“Në atë kohë, në një të shtunë, Jezusi kaloi në të mbjella, Nxënësit e tij të uritur filluan të këpusin kallëz e të hanë. Kur i panë farisenjtë i thanë: Nxënësit e tu po bëjnë çka nuk është e lejueshme të bëjnë ditën e shtunë.


Jezusi u përgjigj:


A nuk e keni lexuar në ligj se priftërinjtë e prishin të shtunën në Tempull në ditë të shtunë dhe nuk bëjnë mëkat… (Besëlidhja e Re,  Drita,  Ferizaj 1980, faqe 34.)


Pikërisht sepse kishte shpërfillur  ditën e shtunë, rabinët e paditën edhe për këtë veprim, i cili hidhte hije mbi dyshimin e tyre. Mbase pikërisht për këtë bota e krishterë zgjodhi ditën e diel si ditë pushimi, ndoshta edhe për dallim nga tradita hebraike, edhe pse Besëlidhja e Vjetër ka qenë dhe mbetet autoritet, jo vetëm për hebrenjtë por edhe për krishterët e myslimanët.


 


5. Nderoji prindërit që ta kesh jetën e gjatë në tokë.


Kjo urdhëresë është dhënë në formë të prerë duke nënkuptuar edhe shpërblimin, që do të ketë djali apo vajza  nëse  i nderon prindërit. Urdhëresa bën pjesë në urdhëresat e buta, sa i përket interpretimit, por duhet pasur parasysh se në kuadër të dhjetë urdhëresave, që të gjitha kanë vlerë të njëjtë, ato përbëjnë një pako, janë urdhëresa, të cilave njerëzit duhet t’ iu përmbahen në mënyrë rigoroze.


Tradita e nderimit të prindërve përfillet në të gjitha qytetërimet, por prindërit nuk nderohen dhe nuk respektohen njëlloj te të gjitha kombet, apo qytetërimet e botës.


Nëse komentohet esenca e këtij urdhri, atëherë mund të nën kuptohet se nderimi duhet të bëhet, me qëllim që të përfitojë ai që nderon prindin, meqë hyji ia bën të mundshëm të jetojë më gjatë.


 


6. Mos vra!


Urdhri për të mos vrarë, është i përhapur në tri besimit monoteiste. Fenomeni i vrasjes mes njerëzve është i njohur dhe lidhet me bijtë e babait të parë të njerëzimit. Këtu duhet të sqarojmë diçka. Profetit i parë Adam, Hyji nuk ia kishte shpallur dhjetë urdhëresat, për faktin se ai fillimisht kishte krijuar njeriun, sipas shëmbëlltyrës së vet dhe nga një brinjë e tij  kishte krijuar femrën, gruan e Adamit, Evën, me të cilën ai pati bij e bija. Ndodhi që Kabili ta vrasë Abelin, vëllanë e vet, dhe qysh nga ajo kohë vrasje, vetëvrasja, vrasja e  prindit nga fëmija e tij apo vrasja e fëmijës nga babai janë bërë fenomene të njohura kudo nëpër botë në të gjitha qytetërimet, te të gjithë popujt pa dallim.


Urdhri për të mos vrarë ka qenë i njohur edhe më parë dhe këtë akt të shëmtuar e kishin dënuar të gjithë profetët, por vetëm në kohën e Mojsiut, gjatë pranimit të këshillave nga Hyji, në mesin e 10 urdhëresave ishte shënuar edhe kjo urdhëresë, e gjashta ma radhë, një urdhëresë pa shpjegime, sikur janë edhe katër urdhëresat e tjera të fundit.


Fenomeni i vrasjes, është interpretuar por edhe sot interpretohet në mënyra të ndryshme. Urdhëresa e drejtpërdrejtë  mos vra, në kuptimin sikur është dhënë, pa shpjegime plotësuese, nënkupton ndalimin e vrasjes së çdo qenie, dhe jo vetëm mos vrasjen e  njeriut. Meqë kemi të bëjmë me një urdhëresë të tillë, pa shpjegime, sikur është rasti me  urdhëresat e para, doemos se ndalesa, “mos vra” duhet të përfshijë të gjitha qeniet, kur dimë se sipas Tores, Bibles dhe Kur’anit vrasja e njeriut nga njeriu  ka qenë dhe mbetet një akt i  dënueshëm, por nuk ndalohet vrasja e qenieve të tjera, madje edhe shfarosja e tyre. Për më tepër, fenomeni i flijimit është i përhapur në të gjitha fetë monoteiste por edhe në fetë politeiste.


Vrasjet në historinë në historinë e njerëzimit, luftërat vrastare kanë marrë më shumë jetë njerëzish sesa vdekjet nga pleqëria apo nga sëmundjet e ndryshme. Urdhëresa mos vra nuk është përfillur asnjëherë nga sundimtarët, por as nga krerët fetarë, të tri feve monoteiste.


 


7 -Mos the kurorë!


Fenomeni i thyerjes së kurorës është i lashtë, po aq sa edhe njerëzimi. Është një akt i pamoralshëm  që ka qenë dhe ka mbetur një plagë e pashërueshme morale e krejt njerëzimit, dhe që ka shkaktuar e shkakton pasoja të shumta te njerëzit, pasoja këto që zakonisht mbarojnë me shkurorëzime, vrasje dhe hakmarrje ndër më mizoret. Derisa martesa ka vulën e shenjtërisë, të lidhjes martesore të një çifti, me lidhje kurore për mos mashtrim, me qëllim për të lindur e rritur trashëgimtarë dhe për ta shumëzuar njerëzimin, por edhe  me qëllim që bashkëshortët ta ndihmojnë njëri tjetrin,   thyerja e kurorës nga burri apo gruaja, është konsideruar dhe konsiderohet akt i pamoralshëm, që e dëmton kurorën dhe fyen aktin e shenjtë të martesës.


Librat e shenjtë, në parim  nuk e ndalojnë shkurorëzimin. Tradita islame, për dallim nga tradita e krishterë, lejon madje edhe martesën e mashkullit me disa gra, por rigorozisht ndëshkohet thyerja e kurorës, sidomos nëse kurorën e ka thyer femra. Në një rast të tillë, ajo ndëshkohet mizorisht, me dënim kapital, vrasje, varje, dënim të përjetshëm,  por në disa vende edhe me linçim publik. Linçimi publik ka qenë dukuri edhe e hebrenjve, në kohën e Jezusit. Mashkulli mund të linçohet moralisht, por nuk linçohet fizikisht. Mbase për shkakun se mashkullit i lejohet të martohet me shumë gra.


Thyerja e kurorës në botën e sotme bashkëkohore, është një dukuri fare e rëndomtë edhe pse ajo sanksionohet dhe mund të ndiqet penalisht, nëse njëra nga palët e kërkon këtë. Statistikat, të cilat ndërrojnë nga vendi në vend ose nga tradita e feja, japin shifra alarmante të dukurisë së shkurorëzimeve. 


 


8-Mos vidh!


Dukuria e vjedhjes, plaçkitjes, shfrytëzimit, përvetësimit të pasurisë së tjetrit dhe akte të tjera, që lidhen me hajninë kanë qenë dhe janë akte të dënueshme si në librat e shenjtë ashtu edhe kodekset morale e dokesore të popujve. Vjedhja dënohet kudo në botë, por nuk dënohet njësoj. Në vendet me demokraci të zhvilluar, hajnia ndëshkohet sipas ligjeve në fuqi, ndërsa në vendet islame, hajnia ndëshkohet më mizorisht, në disa raste madje edhe me gjymtim të dorës.


 


9  -Mos bëj dëshmi të rreme!


Edhe dëshmia e rreme është një akt amoral, të cilin Hyji JAHV e ka radhitur në mesin e dhjetë urdhëresave e ndalesave. Ky akt lidhet me gënjeshtrën, e cila edhe pse është e dënueshme, nuk është radhitur në mesin e 10 ndalesave të  Hyjit. Dëshmia e rrejshme mund të shkaktojë dëme të mëdha dhe dihet tashmë se ajo shpeshherë ka shkaktuar edhe tragjedi familjare, por edhe kolektive. Në traditën penale të botës së krishterë, por edhe të botës islame, Bibla dhe Kur’ani kanë shërbyer si libra të shenjë ku në raste të thirrjes për të dëshmuar paraprakisht është dhënë e jepet betimi në Bibël apo në Kur’an për të treguar vetëm të vërtetën. Për dëshmi të rrejshme në shumë vende të botës parashihen edhe dënime, në akord me peshën apo pasojat që ka shkaktuar dëshmia e rreme si e tillë. Nga dëshmitë e rreme shpeshherë kanë ndodhur edhe tragjedi me pasoja për njerëzit.


 


10-Mos i lakmo shtëpisë së të afërmit tënd! Mos i lakmo gruas së tij, shërbëtorit, shërbëtores, kaut, gomarit dhe asnjë gjëje që i përket atij!


Dukuria e lakmisë është tejet e përhapur, kudo në racën njerëzore. Në pesë urdhëresat që ka caktuar Hyji për njerëzit, edhe pse lakmia është radhitur e fundit, ajo megjithatë është në mesin e pesë ndalesave. Vesi i lig i lakmisë së gjësë së tjetrit, të gruas, shërbëtorit, pasurisë është veprim i ndaluar. Hyji ka ndaluar lakminë me qëllim të përfitimit të paligjshëm, apo me qëllim të përvetësimit të gjërave që nuk i përkasin atij, por që zgjojnë kërshërinë për t’i marrë, apo për t i përvetësuar ato. Me këtë rast dënohet edhe vetë lakmia si e tillë,  si ves i lig dhe i panatyrshëm, pavarësisht se ajo ka mbetur vetëm lakmi dhe nuk është realizuar në drejtim të përvetësimit të gjësendit të lakmuar.


 


Përmbajtja e këtyre urdhëresave e ndalesave është jashtëzakonisht e rëndësishme për fetë monoteiste, meqë profeti Mojsi pranohet nga hebrenjtë, të krishterët dhe myslimanët. “Këto dhjetë fjalë, të cilat janë shkruar në dy pllaka të gurit, kanë një rëndësi të veçantë për zhvillimin etik dhe shoqëror të shoqërisë njerëzore, të cilat më vonë i gjejmë  të zhvilluara në traditën fetare dhe juridike si urdhëresa e ndalesa”, mbi të cilat është vënë bazamenti moral dhe fetar, njerëzor. ( Enciklopedija  zivih religija, Nolit, Beograd 1990, f. 161). Urdhëresat dhe ndalesat të cilat Hyji JAHV, ia ka transmetuar Mojsiut, dhe ai i ka skalitur në pllaka guri si urdhëresa e ndalese të domosdoshme kanë qenë dhe kanë mbetur  bazamenti i fesë dhe i moralit njerëzor. E tërë tradita e mëvonshme dokesore, juridike e fetare është mbështetur në këtë bazament  dhe ka arritur deri në ditët tona.


 



Literatura:


 


1. Dom Simon Filipaj, Bibla shqip, Drita Ferizaj 1994.


2. Dr. Feti Mehdiu, Kur’ani dhe hija e tij shqip, Shkup 1999.


3. Besëlidhja e Re,  Drita,  Ferizaj 1980.


4. Enciklopedija zivih religija, Nolit, Beograd 1990.


5. Talmudi, parathënia e Eugjen Veberit, Beograd 1990.


6. A.Qeriqi. Në gjurmim të Lashtësisë, Prishtinë 2002.

Kontrolloni gjithashtu

Enver Hoxha

ISA FERIZAJ: RRON E DREJTA, E VËRTETA

ENVERIZMI ATDHETAR! Erdhi serish prilli, në vendin tim; Gjetur, i ka shqipet, në fluturim. Gjet …