Ahmet Qeriqi: Perandoria Osmane ishte fuqi pushtuese botërore dhe jo Aleancë ushtarake

Debatet  që janë ngjallur lidhur me kërkesat e Turqisë zyrtare për ndryshimin e disa përmbajtjeve dhe formulimeve në  tekstet e Historisë së Popullit Shqiptar, me të drejtë kanë nxituar reagime ndër më të ndryshmet, kryesisht reagime në mbrojtje të identitetit kombëtar të shqiptarëve dhe në mbrojtje të së vërtetës së historisë së Shqipërisë gjatë kohës së pushtimit  pesëshekullor turk. Gjatë debateve janë shfaqur dhe po shfaqen edhe opinione, që jo vetëm e arsyetojnë pushtimin shumëshekullor turk, por janë të gatshëm të heqin dorë nga gjuha, kultura, tradita, historia, arti e kultura shqiptare.

Kjo problematikë duhet parë në varësi të ndërtimit intelektual, fetar e kulturor të individëve të caktuar, ndërkohë që institucionet e Kosovës, të Maqedonisë dhe Shqipërisë duhet të marrin para së gjithash një qëndrim shkencor, pavarësisht miqësisë që kemi sot me Turqinë, Amerikën apo shtetet tjera mike të vendit tonë. Miqësia lidhet mbi parime të barazisë, respektit dhe besimit reciprok dhe jo me kërkesa për ndërrim të historisë apo identitetit.

Historia nuk mund të amputohet për hir të politikës apo miqësisë me njërin apo tjetrin shtet. Identiteti kombëtar e fetar i një kombi nuk është këmishë apo pallto që mund ta ndërrosh kur të duash. Historia e shkruar me gjakun e atyre njerëzve, që kanë luftuar për të mbrojtur qenien, tokat, kulturën, traditat, nuk mund të tjetërsohet dhe nuk duhet lejuar që të shtrembërohet, për hir të politikës, meqë humb kredibilitetin moral dhe si e tillë ajo nuk mund të trajtohet me seriozitet.

Mendoj se gabimi më i madh në këtë drejtim bëhet kur Perandoria Osmane identifikohet me Islamin, njëjtë sikur ishte identifikuar në kohën e Perandorisë turke. Islami dhe Perandoria Turke janë dy realitete, janë dy kategori, të cilat në rastin tonë kanë disa specifika, meqë shumë shqiptarë në të kaluarën, me hir apo pa hir  e pranuan islamin. Për të qenë më korrekt dhe për hir të së vërtetës, ata që e pranonin islamin quheshin turq, “turk elhamdulilah”  dhe në asnjë mënyrë nuk lejohej identifikimi kombëtar me fenë, sikur pretendohet të paraqitet sot. Të pranosh islamin do të thoshte të kishe pranuar në radhë të parë pushtetin, fenë, kulturën dhe traditën fetare islame. Ishte gjuha këtu që paraqitej si pengesë, meqë ajo nuk mund të mësoj aq lehtë për t u bërë përnjëherë edhe turk.

Perandoria Osmane ka qenë në luftë edhe kundër shteteve islame, sikur ishte Persia, Egjipti dhe tërë bota arabe, jo sepse atje  duhej të përhapje islami,  por sepse Perandoria donte ta pushtonte tërë botën, kurrsesi me të vetmin qëllim për ta përhapur islamin sikur pretendohet sot, pa asnjë argument shkencor. Ishin turqit selxhukë ata që pranuan islamin nga arabët dhe jo e kundërta sepse Islami është shumë më i vjetër se Perandoria turke, e cila nuk është shtrirë edhe aq lehtë dhe pa rezistencë mbi botën arabe.

Përpjekjet për ta identifikuar islamin shqiptar me atë turk janë të paqëndrueshme për faktin se ishin pikërisht shqiptarët myslimanë që e luftuan pushtimin turk. Në të gjitha lëvizjet çlirimtare shqiptarët islamë kanë luftuar kundër Perandorisë, po jo kundër islamit, sepse po të kishin luftuar kundër islamit, me rastin e dëbimit të Turqisë nga Ballkani ata do të ishin kthyer në fenë krishterë, ashtu sikur bënë serbët, grekët, hungarezët, bullgarët, moldavët e popujt e  tjerë të shtypur nga Perandoria turke.

 

Shqiptarët nuk mund të heqin dorë nga kujtesa e tyre historike për hir të miqësisë aktuale më Turqinë

 

Dihet historikisht se shqiptarët me rastin e pranimit të fesë pranoheshin në radhët e pushtetit perandorak, por nuk duhet harruar se në radhët e atij  pushteti janë pranuar edhe grekët, serbët, bullgarët, dhe të gjithë popujt nën sundim të Perandorisë, por të gjithë ata nuk i kanë ruajtur më interesat e popujve të vetë, por interesat e pushtetit perandorak global.

Spekulohet shumë me faktin se shqiptarët i kanë dhënë Perandorisë 33 serasqerë, kryeministra, sepse ata kryeministra kishin vetëm origjinë shqiptare, por asnjëri prej tyre nuk luftoi për ta çliruar Shqipërinë, sikur bëri Skënderbeu, apo sikur u mundua të bënte Halil Patrona, apo sikur bënë  më vonë Ali Pashë Tepelena, Mehmed Ali Pashë Misiri, themeluesi i Egjiptit modern  dhe të gjithë Rilindësit  deri te Ismail Qemali.

 

Është rasti këtu të përmendet kryengritja e Stambollit i vitit 1730 nga Halil Patrona, Halil Arnauti, një kryengritje tipike sociale e morale, të cilën e lau me gjak Sulltan Mahmudi, edhe pse për ta shuar kryengritjen ishte betuar se kreut të saj do t ia falte jetën. Vetëm tre muaj më vonë, Halil Patronës  dhe rreth 7000 kryengritësve shumica prej tyre shqiptarë iu morën kokat. Të gjitha ata ishin myslimanë, madje myslimanë që ishin ngritur kundër “tatimeve të përjetshme” dhe kundër 150 shtëpive publike të Stambollit. Për shkak të pastërtisë morale dhe kërkesave sociale të Halil Arnautit dhe me qëllim për ta shlyer nga kujtesa e Perandorisë  aktin e tillë moral, Turqia e sotme po shfaq serialin: “Bir zamanlar osmaly kiyam” ku figura e Halil Patronës poshtërohet në mënyrën më të shëmtuar të mundshme, duke e paraqitur krejtësisht të deformuar e të banalizuar deri në grotesk.

Si mund të kërkohet të “fshihet’ gjuha e urrejtjes së tekstet e historisë së Shqipërisë” kur Turqia promovon me seriale televizive një gjuhë të tillë të urrejtjes deri në neveri kundër një kryengritësi shqiptar? Në Historinë e Perandorisë Osmane, të gjithë shqiptarët islamë që e kanë luftuar për çlirimin e trojeve të Shqipërisë janë të shpallur tradhtarë, të gjithë, pa asnjë përjashtim. Lexoni dhe do të bindeni.

 

Fakti i pamohueshëm historik se shqiptarët myslimanë morën pjesë në çlirimin e tyre kombëtar nga Turqia, jo vetëm që nuk mund të mohohet, por edhe duhet të afirmohet, sepse kjo luftë nuk ishte e orientuar kundër islamit, as kundër popullit turk, por kundër Perandorisë, që më në fund fatkeqësinë më të madhe ia solli vetë Turqisë, vetë popullit turk, i cili prej vitit 1912 e deri në vitin 1924, luftoi për të mbijetuar dhe në këtë luftë la viktima milionëshe. Në luftën e popullit turk për mbijetesë gjatë atyre viteve  meqë ishte rrezikuar vetë substanca e kombit kanë marrë pjesë edhe mijëra shqiptarë, të cilët  Aleanca e shenjtë sllave, gjatë Luftërave ballkanike,  e përkrahur nga të gjitha shtetet e Evropës,   qindra mijëra shqiptarë i kishte dëbuar nga trojet e tyre etnike për në Turqi.

Është e vërtetë e pamohueshme se historia e popullit shqiptar dhe atij turk ka një lidhje 500-vjeçare, por nuk mund të pranohet se ishte miqësi mbi parime të barazisë dhe reciprocitetit. Ajo ishte e tillë vetëm në një segment, në segmentin fetar, meqë shqiptarët pas çlirimit nga Turqia nuk u kthyen në fenë krishtere, nuk hoqën dorë nga islami, të cilin pa dyshim se e kishin pranuar nga Turqia, mirëpo nuk e kishin identifikuar me Turqinë. Ata ishin mbështetur mbi  parimet e fesë islame, që janë shumë më të vjetra sesa Perandoria pushtuese osmane. Pikërisht sepse shqiptarët nuk hoqën dorë nga feja islame u lanë më mëshirë të kohës, ashtu sikur u lanë edhe boshnjakët. Andaj, hoxhallarët, imamët, të parët e fesë nuk kanë të drejtë të anashkalojë faktet, për hir të politikës. Përpjekja për ta dëmtuar unitetin dhe tolerancën fetare që mbretëron me shekuj ndër shqiptarë, nuk mund të kalojë, as duhet lejuar të kalojë, sepse ajo mund të sjellë pasoja sidomos për pjesëtarët e besimit islam.

 

Feja islame ndër shqiptarë nuk ka pse të identifikohet me Turqinë as me shtetet islame

 

Parimet fetare islame nuk është e drejtë të identifikohen me Perandorinë turke, vetëm sepse islami ndër shqiptarë erdhi përmes Turqisë, ashtu sikur parimet e fesë së krishterë nuk do të duhej të identifikoheshin me politikën globale Evropiane apo amerikane. Nëse feja i nënshtrohet politikës, ajo humbet bazamentin hyjnor dhe keqpërdorët për qëllime pushtuese, antinjerëzore, sikur ndodhi me kryqëzatat, qysh në shekulli XII, të cilat fatkeqësisht e mjerisht janë të pranishme edhe sot. Nuk duhet harruar faktin se Perandoria Osmane u ngrit me fundin e kryqëzatave dhe filloi hakmarrjen e madhe për kryqëzatat kundër të krishterëve të Evropës.

 

Feja është përcaktim hyjnor për individin dhe nga ai vetë varet përkatësia e besimit dhe e predikimit. Nëse atë e detyrojmë dhunshëm ta pranojë fenë, atëherë kemi thyer vetë fondamentin e saj. Kur’ani nuk e preferon kthimin në fe me dhunë. Kemi prirje të besojmë se këtij segmenti kur’anor nuk iu ka përmbajtur Turqia, e cila për më tepër kishte nxjerrë edhe ligjin e “devshirmesë”, marrjen peng të fëmijëve të krishterë, të cilët i rekrutonte në formacionet e jeniçerëve. Ky ligj nuk ka qenë i bazuar në Kur’an, as në traditën e përhapjes së fesë në periudhën e “as-habëve” në kohën e profetit Muhamed. Një ligj i tillë ka ekzistuar deri në kohën, kur në vitin 1826,  Stambolli zyrtar ka marrë vendim për të shpërbërë formacionet e jeniçerëve.

Nuk besojmë të ketë pasur mbështetje në Kur’an dhe në sheriat haremi i sulltanëve dhe ndëshkimet e rënda që sulltanët iu kanë bërë popujve.

Feja islame ndër shqiptarë nuk ka pse të identifikohet me Turqinë as me shtetet islame, meqë ajo ka ngjyrat e veta tradicionale gjatë tërë historisë në zhvillimin e saj sinkronik dhe diakronik. Përkatësia kombëtare e shqiptarëve, apo sentimenti për këtë përkatësi  është më i fuqishëm, më i ndjeshëm dhe më i pranishëm ndër shumicën e shqiptarëve, sesa përkatësia fetare, të paktën unë mendoj kështu. Pikërisht për këtë ndër shqiptarë është tejet e shprehur edhe toleranca fetare, fenomen ky që respektohet nga tërë bota. Fenomeni i tolerancës gjen  mbështetje në parimet e tri feve monoteiste, mbi parimet e besimit në një Zot, mbi parimet e barazisë, reciprocitetit, respektin për fenë e tjetrit, duke u nisur nga parimi fondamental i besimit në një Zot të vetëm dhe në urdhëresat  e ndalesat që janë të njëjta për tri fetë monoteiste të botës. Shqiptaria  nuk guxon të rrezikojë tolerancën shekullore ndërfetare dhe unë besoj sinqerisht se Turqia, të paktën Turqia zyrtare nuk e kërkon këtë. Sa për heqjen nga tekstet e historisë të ndonjë fjale përçmuese e përbuzëse, kryesisht letrare, për atë mund edhe të diskutohet, por të zëvendësohet fjala “pushtim” me “bashkekzistencë” është krejtësisht e papranueshme, është krejtësisht antishkencore dhe antihistorike.

Kontrolloni gjithashtu

Studimi i së ashtuquajturës ‘Akademi e Studimeve Shqiptare’ në 80-vjetorin e Çlirimit të Shqipërisë, masakron historinë e LANC-it

Historianë dhe studiues gjysmakë,  me prejardhje balliste e profashiste,  në 80-vjetorin e Çlirimit të Shqipërisë …