leoni

Ahmet Qeriqi: Poezi nga zemra, për ty, Kosovë

Kjo përmbledhje poetike, me poezi kushtuar Kosovës, shkëlqen në mesin e shumë përmbledhjeve të tjera, që janë botuar dhe që trajtojnë këtë tematikë. Këta dhjetë poetë e shkrimtarë: Agim Shehu, Çobo Skënderi, Daut Gumeni, Dilaver Goxhai, i njohur gjatë luftës në Kosovës si Shpëtim Golemi, Halil Qendro, Ibrahim Gani, Ilir Balili, Lirim Deda, Martin Cukalla dhe Sylejman Mato, secili më i frymëzuar dhe më i përkushtuar se tjetri, Kosovës i kanë falur  fjalët më të zjarrta, që burojnë nga zemra, disa madje i kanë falur edhe mundin, dijen e djersën. Në mesin e këtyre krijimeve ka edhe poezi antologjike, që shquhen në të gjitha pikëpamjet artistike, stilistike, me të cilat sajohet poezia e arrirë.


 




Lidhja e gjakut, gjuhës, përkatësisë kombëtare, dokesore, mes shqiptarëve, pavarësisht rrethanave shoqërore e historike, në të kaluarën, vazhdimisht ka qenë një segment i fortë unifikues kombëtar, në raportet, kohë dhe hapësirë. Edhe pse të ndarë në pesë shtete, në disa fe,  në dy dialekte, në 12 fise e në sa e sa krahina, edhe pse nën sundimin e perandorive më të mëdha dhe më gjakësore, që ka njohur bota, shqiptarët nëpër shekuj kanë frymuar, ëndërruar dhe kanë aspiruar bashkërisht, sepse cilën do gjymtyrë t’ ia dhunosh njeriut ajo dhemb dhe dhembja e tillë transmetohet në krejt organizmin. Kështu ndodhi edhe me gjymtyrët e Shqipërisë, të “cilës shekujt vetëm brinjët ia lanë” (Kadare).


Kështu ka ndodhur me ne shqiptarët. Edhe pse me kufij  mes përmes trojeve arbërore, qysh prej vitit 1912, edhe pse nën “thundrën e përdhunës, lakuriq e të dregosur, trup e shpirt të sakatosur,”( Noli) shqiptarët kanë mbijetuar në të gjitha katrahurat e historisë dhe aktualisht ndodhen në rrugë të integrimit të fuqishëm e të natyrshëm brendakombëtar. Është dëshmuar tashmë se ky integrim shpirtëror është më i fuqishëm se integrimi fizik dhe në të ardhëm pikërisht ky integrim i brendshëm do ta mbijetojë, në mos e ka mbijetuar  integrimin territorial.


Dëshmi për këto konstatime, me këtë rast, kam poezitë e 10 poetëve nga Kurveleshit i Labërisë, të cilët në krijimet  e tyre  kushtuar Kosovës dhe përgjithësisht trojeve të robëruara të Atdheut kanë shprehur botën e tyre të ndjeshme poetike, të shprehur fuqishëm për fatkeqësinë e vëllezërve e motrave të tyre, në disa periudha kohore.


Poetët: nga Labëria kanë bashkuar në këtë përmbledhje poetike, disa nga poezitë e tyre më të bukura kushtuar Kosovës, kushtuar vëllezërve, të cilët më në fund arritën të dalin nga robëria shekullore, ashtu sikur doli dikur populli i Izraelit, i cili u lirua nga faraonët. Në rastin konkret, populli shqiptar i Kosovës, dëboi nga vendi i vet “faraonët” e Karpateve. Eksodi biblik, kthyes,  i një pjese të popullit të Kosovës, në pranverën e vitit 1999, na përkujton kohën e lirimit të izraelitëve me ndihmën e Hyjit, që vinte nga sipëri reve tesve, ashtu sikur erdhi më në fund edhe ndihma për popullin e Kosovës nga sipëri reve, e avionëve të NATO-s.


Drama e popullit shqiptar, i ndarë padrejtësisht nga fuqitë e mëdha, doemos se ka shkaktuar një tronditje jo vetëm shpirtërore te të gjithë shqiptarët. Kjo tronditje  ka përshkuar si me korrent, sidomos  mendjet e ndritura të kombit, idealistët, intelektualët, poetët, shkrimtarët, të cilët e kanë shprehur botën e tyre krijuese përmes të gjitha gjinive letrare e artistike.


 


Poeti, Agim Shehu, i cili vizitoi Kosovën në vitet 70 të shekullit të kaluar, ka skalitur kujtimet më të mira për shqiptarët e këndej Drinit, të cilët jetonin me dëshirën më të mirë për “Nanën Shqyni”. Në kumtin e tij poetik, lidhur me gjakun që nuk falet, as bëhet dot ujë, ai shkruan:


 


Ti gjak virgjin i racës sonë,


në duel me çdo mbretëri:


sa vriteshe në Fushë-Kosovë


ringjalleshe në Çamëri.


 


Kjo lidhje integrale e një populli, të ndarë fizikisht, por të bashkuar kurdoherë me mendje e zemër, ishte një lidhje gjenetike, së cilës pushtuesit e egër, sado që bënë përpjekje të jashtëzakonshme, nuk ia ndërruan dot kodin gjenetik.


Poezitë e Agim Shehut për Kosovën, janë poezi të motivuara dhe të frymëzuara, poezi, e shqiptarit për shqiptarin, poezi, e cila thyen kufijtë, kapton fusha e male dhe ndalet në Prishtinë, në Rugovë, në Fushë Kosovë, për të kujtuan Labërinë, Çamërinë, Malësinë.  Duke sjellë në mendje dromca e fragmente nga historia e përbashkët e vuajtjeve shekullore, ai sjellë në kujtesë edhe qëndresën shekullore, nagantin e Isa Boletinit, litarin në fyt të Sefë Koshares, Avdyl Frashrin që kaptonte luginat e alpet e atdheut, duke thirrur me zërin pushkë: Mos shikoni çka thotë tradhtia, Gegë e toskë një është Shqipëria..


 


Poezitë e Çobo Skënderit për Kosovën janë vargje kushtrimi, janë thirrje për mobilizim, të frymëzuara sidomos nga qëndresa, që bëri populli shqiptar në trojet e robëruara të Atdheut, për të mos lejuar asimilimin, zvetënim dhe për të mos e pranuar rezignatën tragjike të robërisë sllave. Poeti shkruan për ngjarje të së kaluarës, për heroinën Shote Galica, për Adem Jasharin, legjendarin e UÇK-së, për nënat e Kosovës që lindin djem e vajza si zanat, andaj edhe për të mos e harruar të kaluarën dhe për të mos lejuar që ajo të na përsëritet ai shkruan   Çobo Skënderi shkruan poezi për Azem Galicën, i cili për 12 vjet rresht luftoi nëpër malet e Drenicës dhe të Kosovës, kundër pushtuesve e sidomos kundër pushtuesit serb, shkruan për trimin e Karadaket, Xheladin Zeqiri, i cili sa në luftë së bashku me Asim Zenelin për çlirimin e Shqipërisë nga pushtimi fashist.


 


Dëshmorët e Kosovës,


t’i derdhim në buste,


monumente e lapidarë.


Ata dhanë jetën për të djeshmen


të sotmen dhe të nesërmen


e Shqipërisë faqebardhë!


 


Çobo Skënderi shkruan poezi për Azem Galicën, i cili për 12 vjet rresht luftoi nëpër malet e Drenicës dhe të Kosovës, kundër pushtuesve e sidomos kundër pushtuesit serb, shkruan për trimin e Karadakut, Xheladin Beqiri, i cili ra në luftë së bashku me Asim Zenelin për çlirimin e Shqipërisë nga pushtimi fashist.


 


Një krijues në mesin e poetëve të Kurveleshit, që kanë shkruar për Kosovën është edhe Daut Gumeni, i cili ka përjetuar mbi kurriz padrejtësitë e pushtetit totalitar, por nuk është dorëzuar, për më tepër e ka ruajtur me fanatizëm besimin në fitore dhe e ka përjetuar fitoren e dyfishtë, demokracinë në Shqipëri dhe çlirimin e Kosovës nga robëria.


Poezitë e këtij poeti për Kosovën shquhen me një frymëzim të veçantë, ku shprehet revolta e mllefi kundër padrejtësive historike, që mujsharët e botës i bënë mbi kurriz të popullit shqiptar.


Preokupimi i tij për fatin tragjik të rinisë shqiptare të Kosovës, zë fill qysh nga demonstratat e rinisë studentore të marsit e prillit të vitit 1981, kur rinia dhe mbarë populli liridashës u ngrit në barrikada duke kërkuar liri, barazi vetëvendosje, nën moton “Republikë kushtetutë, ja me hatër ja me luftë”. Duke ndier thellë në shpirt fatin tragjik të pjesës së ndarë dhunshëm të kombit, duke përshkruar ndeshjen e ashpër të vëllezërve nga Kosova kundër robërisë, poeti bëhet zëdhënës i kërkesave të tyre të drejta, duke shprehur besimin e patundur se e drejta mënon por nuk harron, se një ditë Kosova do të gëzojë hiret e pranverës së vet të lirë:


 


Toka ime e bukur me pranverë të rrallë!


Lulet që këtë prill të vetëtitën qiellin e Shqiponjës,


lulet që t’u shkoqën në bodrume,


m’i mbyll në zemrën tënde


në palcë të gurit!


 


Daut Gumeni  ka përcjellë me kujdes zhvillimet në Kosovë, ka njohur me kohë historinë, sinkroninë dhe diakroninë e saj, sepse “Kosova ishte lule dhe plakë,  një vit prush e një vit flakë”, ishte piemonti i shqiptarisë që nuk do të zhbëhej, sepse një komb që lind Nënë Terezë a Adem Jasharë, nuk mund të zhduket.


Mirëpo poeti e ndien thellë në shpirt plagën që barbarët ia kanë shkaktuar Kosovës, andaj shkruan:


 


Fati më ndihmoi


ta shoh Kosovën natën


për të mos ia parë


të gjithë plagët.


 


Poezitë e Daut Gumenit kushtuar Kosovës është e çiltër dhe ashtu sikur edhe poezitë e poetëve të tjerë, buron nga thellësitë e shpirtit.


 


Përballë asaj kulle


një arë e mbjellë më varre të gjallësh


ngarkuar me lule


një kodër e butë


e mbjellë me liri.


Përballë lëndinës më varre të vrarësh


një korie me lisa të njomë


shtatbukur si Jasharë të rinj.


(Prekaz, korrik 1999)


 


Në mesin e poetëve të pranishëm me krijimet e tyre poetike në  përmbledhjeje me poezi për Kosovën, shquhet edhe Dilaver Goxhai, i njohur gjatë luftës me emrin kuptimplotë, Shpëtim Golemi, i cili ishte nga oficerët e parë të Shqipërisë, që së bashku me Tahir Sinanin, Adem Shehun, Bardhyl Tahirin, Skerdilajd Llagamin, Indrit Carën, Astrit Sulin e të tjerë, iu përgjigjen krismave kushtrimtare dhe çlirimtare të Adem Jasharit dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.


Goxhaj, e njohu dhe e përjetoi nga afër frymëmarrjen e Kosovës, në kohën e dramës së madhe, që përjetoi kombi shqiptar në përgjithësi. Ai u bë pjesë e saj, ashtu sikur dikur Xheladin Beqiri, Hajdar Dushi, Ali Kelmendi e sa e sa të tjerë, që luftuan dhe ranë për çlirimin e Shqipërisë.


Poezitë e Dilaver Goxhait, të prezantuara në këtë përmbledhje poetike, shquhen për frymëzim të veçantë të kolonelit, i cili krahas angazhimeve në SHP të UÇK-së, në mendjen e tij vazhdimisht skiconte e më pas edhe shkruante poezi, që i buronin nga shpirti, që frymëzoheshin gjatë betejave,  sikur janë poezitë për Indrit Carën, Adem Jasharin, Adem Demaçin, Zahir Pajazitin, për vullnetarët nga Shqipëria, për  “çikat” e bukura e shtathedhura të Kosovës, që kishin hedhur kallashët mbi supe dhe luftonin ashtu sikur kishin luftuar motrat e tyre partizane, ashtu sikur vajzat e Kurbinit, për djemtë e UÇK-së, që sulmonin armikun serb, atje ku ai më së paku e priste.


Janë shumë kuptimplota vargjet e thurura për legjendarin e UÇK-së, jo vetëm nga poetët e këtij vëllimi me poezi, sepse ai dha  shembullin unikat të sakrificës për liri, së bashku me tërë familjen. Poeti  me të drejtë konstaton se  Adem Jashari s’ka vdekur, sepse emrin e tij e gjen kudo nëpër rrugët e sheshet e Kosovës, në mendjet e liridashësve, kudo nëpër këngë, në poezi në drama e romane.  Goxhai me të drejtë konstaton se Adem Jashari është i pranishëm në zemrat e të gjithë shqiptarëve dhe si i tillë ai nuk do të vdesë kurrë, ashtu sikur nuk ka vdekur në kujtesën e popullit  mbretëresha Teutë, i madhi Skënderbe, plaku i pavarësisë, Ismail Qemali e të tjerë.


Poezitë e Dilaver Goxhait shquhen për diskurs të thjeshtë në pikëpamje të ndërtimit, por brendia e vargjeve zbulon një botë të fuqishme emocionale, e cila ndërthuret nga fragmentet  e ndodhive të shumta, që përbëjnë një tërësi tematike, që është e lidhur me luftën e UÇK-së ashtu sikur thoi për mishin.


 


Oh! Çfarë vajza pati UÇK-ja,


çfarë vajza!


Flutura !


Vajza vetëtimë.


Dhe djalli vet frikohej


kur shihte ato vajza


shkrepëtimë.


 


Një frymëzim të veçantë për poetin Goxhai, zë Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila bëri kthesën më të madhe në historinë tonë kombëtare e më gjerë, luftë kjo të cilën e përkrahu edhe Aleanca më  e madhe ushtarake dhe më e fortë e botës, NATO-ja. Duke qenë pjesëtar i i kësaj ushtrie, në nivelin e lartë komandues, Goxhai konstaton me të drejtë se  UÇK-ja kurrë nuk vdes nga zemrat dhe nga mendja e shqiptarëve, andaj ai shkruan:


 


Të gjithë


të vdekshëm janë


Që nga perandori deri tek ushtari.


Dhe për të gjithë  vjen një ditë


e mbi krye u mbin bari…


Por UÇK-ja,


e jona trimëri,


nuk do të vdes kurrë.


Ajo është dhe mbetet


Atdhe më vete.


 


Lirim Deda, i përket brezit të krijuesve në Shqipëri, të cilët kontaktin imagjinar, por  dhe fizik me Kosovën e kanë vendosur qysh herët, jo vetëm pas çlirimit të Kosovës nga okupimi serb.


Në poezinë e tij, ai përshkruan  fatin e shqiptarit të mbetur jashtë kufijve të Atdheut, edhe ashtu të përgjysmuar e të degdisur në mjerim. Ai shkruan për dy kokat e shqipes, aq shumë të kthyera majtas e djathtas, për Grykën madhështore të Rugovës, për Drinin dhe Azem Galicën, për lulëkuqet dhe lule-gjakun e Kosovës, viktimizimin e Jusuf Gërvallës, për Rexhep Qosen me  bukën e shpresës, për Adem Demaçin dhe heroizmin tipik shqiptar të mbijetesës, për minatorin Trepçës të dëbuar dhunshëm nga puna dhe për një varg temash, të cilat i ka poetizuar me një diskurs të shquar poetik, stilistik e artistik. 


Në poezinë e tij kushtuar  simbolit të gjallë të rezistencë sonë kombëtare, Adem Demaçit, ai ka pasqyruar idealistin e pamposhtur, njeriun i cili të magnetizon me të drejtën e tij, njeriun i luftës dhe i paqes, të durimit në raste të caktuara por në anën tjetër të njeriut të fortë si stralli, i cili përballoi me sukses të jashtëzakonshëm të gjitha sfidat e jetës, njeriu që edhe për së gjalli u bë dhe mbeti hero i qëndresës, njerëzisë, humanizmit…


 


“Takova një njeri


dhe pas një minute u bëmë shokë.


Takova një njeri


në udhët e largëta ku gjaku thërret dashuri


dhe të dy vetvetiu u bëmë një ushtri”.


 


Poezitë e poetit Martin Cukalla, të prezantuara në këtë përmbledhje poetike shquhen për një përkushtim  të jashtëzakonshëm. Me nota dhe emocione të thella, ai përshkruan gjendjen e rëndë, fatin dhe tragjedinë e popullit shqiptar të Kosovës. Cukalla, në poezitë e tij  është bërë një me fatin e njeriut të degdisur në mjerim nga dhuna barbare, që ka ushtruar armiku shekullor. Ai e përjeton tepër rëndë fatin e pjesës së robëruar të kombit, i cili po përpëlitej në shtratin e rëndë të robërisë, duke bërë përpjekje titanike për t’u çliruar njëherë e përgjithmonë nga tirania, shtypja, masakrimi dhe dëbimi i dhunshëm, me qëllim të spastrimit etnik të tërë një populli.


Në poezinë: “As lot nuk kam”, ai ka pasqyruar fatin e rëndë si tunxhi të shqiptarit të Kosovës, i cili ka mbetur, pa shtëpi, pa strehë, në mëshirën e natyrës, e cila vepron sipas ligjeve kozmike dhe nuk çan hallin për të pastrehët, që ishin rrezikuar nga shfarosja kolektive:


 


Pusho o qiell me shi, fëmijët i kam të lagur qull.


Por shiu bie e të pushuar nuk ka.


E unë nuk kam ku t’i thaj të lagurit e m’i deri në palcë.


E bari u kalb,


E unë nuk kam t’u jap deleve të uritura


E shtëpia është larg,


Strehë për një tank  serb që ngërdheshet.


 


Martin Cukalla përshkruan vuajtjet e tragjedinë e popullit, por me besim të patundur se lufta për çlirim dhe përkrahja nga ajri i forcës më të madhe të botës, do t;i shpaguajë deri diku vuajtjet dhe mjerimin shekullor.


Në poezinë: “Më thuaj çfarë i the Adem Jasharit”, poeti ka thurur me mjeshtri një dialog të imagjinuar në formë pyetje për veprën  dhe heroizmin, për sakrificën dhe idealin, për jetën dhe vdekjen përqafuar, me një qëllim sublim, për lirinë dhe dhënien fund të robërisë shekullore.  Adem Jashari, njeriu i ditëve tona doli nga vendi i legjendave  dhe u fut sërish në legjendë, andaj për t i thënë diçka Adem Jasharit:


 


fjalët duan zemër të larë


fjalët duan zemër të larë nëpër burimet, përtej tradhtisë


përtej shtypjes e frikës, përtej arratisë tek e keqja


fjalët duan zemër të larë në konstruksion trimërie,


të ngritur me flakërima drite, që sfidon topat dhe vdekjet.


më thuaj, çfarë i the Adem Jasharit?


 


Temën e dramës, të dhembjes dhe krenarisë kombëtare, në vitet 1998-1999, në këtë përmbledhje me poezi kushtuar Kosovës  e ka trajtuar edhe shkrimtari dhe poeti i njohur, Sylejman Mato, i cili në poezitë e tij ka skicuar fragmente poetike të historisë së një populli të ndarë padrejtësisht, të cilit iu desh  djersë e gjak për të mbijetuar gjatë shekujve dhe për të mos u nënshtruar.


Poeti  ka sintetizuar një përvojë të fuqishme artistike në përzgjedhjen e figurave stilistike, me qëllim  për të materializuar idetë dhe pasqyrimin e tij  lidhur me fatin e njeriut shqiptar në kohë dhe hapësirë.


Poezia “ Si krushqit ne s’u ngrimë”  trajton motivin e njohur të ringjalljes, të mbajtjes së  besës, duke nxjerrë nga miti realitetin ekzistues, mbijetesën e një populli, i cili edhe pse ishte detyruar dhunshëm të jetonte ndaras, ai u bashkua  në kushte dhe rrethana të reja historike, sepse sikur thotë poeti:


 


Po ti do vish drejt meje


dhe unë do vij te ti,


ti del nga toka e kuqe,


unë dal nga guri i zi.


Dhe do takohen bashkë


të gjallë dhe të vdekur,


dhe do fërkojnë sytë:


– “Sa shumë kemi fjetur!”


 


Në poezinë:   “ Tani Atdheu është  pa popull”, poeti Sylejman Mato  trajton tragjedinë e eksodit të shqiptarëve të Kosovës nga trojet e tyre, të cilët gjeten shpëtim ku tjetër, pos  në shtëpitë e vëllezërve të tyre,  në anën tjetër të Atdheut, për të pritur derisa të kalonte uragani e katrahura. Përshkrimi i dhembjes që ndiejnë njerëzit e dëbuar dhunshëm nga barbaria, duke lenë prapa shtëpitë, trojet, varrezat, janë dhënë me nota të fuqishme, e mbi të gjitha me një përshkim të një realiteti të trishtuar:


 


Tani Atdheu ka shtëpi të djegura,


ka varre të rinj dhe të lashtë,


tani Atdheu ka rrugë të bombarduara,


burime të trishta, qafëmale të frikshme


dhe qytete të braktisura.


 


Kjo gjendje sado e trishtuar nuk përshkruhet ma  fatalitetit, apo dorëzim, sepse mbi Kosovë tutje larg në qiell po godasin sgalemët: Ç’zhurmë të bukur bëjnë tek rendin në qiej/ sgalemët… këta zogj të bukur,/ lajmëtarë!


 


Një tjetër poet, i cili i ka kushtuar shumë poezi të përkushtuara Kosovës është edhe Halil Qendro, i cili skalit vargun me mjeshtri, përmes  një ritmikë të brendshme. Poeti e ka ndier qysh moti dhembjen për Kosovën, dhembje kjo e cila në vitin 1981 shpërtheu me revolta e demonstrata dhe kjo jehonë e kryengritjes së rinisë dhe popullit liridashës të Kosovës,  përshkoi si me korrent tërë Shqipërisë, madje edhe kreun e shtetit sepse Kosova Ashti i prerë nga trungu i nënës,  gjaku i lidhur në aortën tek zemra.



Koha ka kaluar por në shpirtin e poetit nuk është shuar malli për Kosovës, brenga për vëllezërit të mbetur nën robëri, por edhe besimi i patundur se ata kurrë nuk do të gjunjëzohen., edhe pse


Një shekull pritje-lëngatë, durim-zezë Kosovë,


kavo mishi e eshtrash, gjak të kullojnë gjymtyrët,


mbi relieving e hartës sate


lëvizin gishtërinj diplomatësh kasapë…


 


Dhembja për pjesën e robëruar të Atdheut është e madhe, është e padurueshme, meqë përditë përhapen lajme se policia dhe ushtria e pushtuesit serb përditë  po masakrohen shqiptarë në Drenicë, Deçan, Junik e gjithandej…


Kjo katrahurë e derdhur barbarisht  mbi kurriz të një populli, poetit i përkujton Vietnamin, Palestinën, mirëpo  Kosova vdes e rilind  në protoplazmën e gjakut, në shenjtërinë e Lirisë.   


Halil Qendro i kushton poezi Azem Galicës, poetëve të Kosovës që dinë fjalë prej guri,


Varrezave masive ku ende nuk është zbardhur fati i mijëra shqiptarëve të mbetur thellë të tokat e Serbisë, pastaj  shkruan poezi për kthimin e Gjergj Kastrioti në Prishtinë, duke i bërë të fala Bacë Adem Jasharit, se u krye njçë kapitull i historisë sonë.


 


Të gjallët


mbi supe lart e mbajnë Kosovën:


pengu yt:


Bacë,


u kry!


 


Një dyzinë poezish, mjaft të ngjeshura artistikisht ka shkuar për Kosovën edhe Ibrahim Gani, i cili shquhet për një perceptim autentik të poezisë, që buron nga shpirti, nga  dashuria e pashuar për Drenicën, Kosovën, Kaçanikun dhe për të gjitha trojet shqiptare, të mbetura për shumë kohë nën robëri.


 


Duke ecur nëpër Drenicë poeti është thinjur tashmë…


Në Drenicë, në tokën time


vij për herë të parë.


Këtu mijëra herë kam lindur,


mijëra herë jam vrarë.


E përsëri gjallë,


Mal i Bardhë.


 


Duke  përshkruar gjeografinë e përgjakur të Atdheut, poeti me imagjinatën e tij kreative kapton fusha e male, nga Preveza në Gjakovë, nga Tetova në Tivar, nga Labëria në Drenicë, dhe kudo  sheh vëllezërit e gjuhës e të gjakut, të cilët për afër një shekuj jetuan të ndarë, por kurrë nuk e harruan njëri tjetrin, sepse nga brezi në brez trimat e trimëreshat, nga brezi në brez u lanë amanet, luftën për liri.


Ibrahim Gani i bie pash më pash tokave të atdheut dhe  na flet për trimat, për Gjolekën e Hodo Alinë, Hasan Prishtinën,  Asim Zenelin, Xheladin Beqirin, Shaban Palluzhën e deri te Jasharët e legjendave të trimërisë. Ashtu sikur edhe poetët e tjerë që kanë prezantuar poezitë e tyre në këtë përmbledhje, edhe Ibrahim Gani, vendin kryesor ia kushton motivit patriotik, që buron krejt arsyeshëm qoftë si frymëzim kombëtar, qoftë si realitet historik.


Poeti vë në spikamë edhe luftërat e përbashkëta të shqiptarëve pa dallim krahine apo bajraku. Kushtrimit për liri në Hot e Grudë, i përgjigjen edhe bijtë e Labërisë, si Hodo Nivica dhe Zenel Gjoleka, ndërsa kushtrimit për luftë kundër pushtimi fashist të Shqipërisë i përgjigjen bijtë e Kaçanikut, Gjakovës e Pejës, si Xheladin Beqiri, Hajdar Dushi, Ali Kelmendi e shumë të tjerë.


 


Erdhe nga Kosova gjidjegur, me plagë,


Labërisë sonë shpatullat mbështete.


Shpesh rrije menduar mbi gurrë, mbi sfakë


Rreth longarë e fyej derdhnin hidhur dertët.


 


Ashtu sikur shumica e poetëve shqiptarë edhe Ibrahim Gani nuk i bën dot zemra ta lë anash, heroizmin e Zhan d’ Arksë shqiptare, Shote Galicës, trimëreshës së Drenicës, e cila për 12 vjet rresht luftoi krah për krahj me burrin, Azem Galica e më vonë me vendimin e trimave të lirisë ajo priu në ballë të çetave çlirimtare.


 


Dilni të shikoni, vjen Shota, Azemi


Mbi supet e tyre ndezur rri ylberi.


Mbi hark të ylberit tërë ëndrrat tona,


Për ta skaj më skaj po këndon Kosova.



Derdhur përmbi shpatull, si lastarë shelgu,


Nuse kaq të bukur, s’ka njohur dyfeku.


 


Disa poezi të frymëzuara për Kosovën, për bijtë trima e vajzat trimëresha ka shkruar edhe Ilir Balili. Me poezitë e tij të pranishme në këtë përmbledhje poetike, këngën e mallit  që buron nga zemra, poeti Balili  ia kushton motrave e vëllezërve nga Kosova dhe nga  trojet e tjera të pjesëve të robëruara deri vonë të atdheut. Ai i kushton një poezi dy trimave  të Kodrës së Diellit, Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut, të cilët  më 2 nëntor të vitit 1989, ishin rrethuar nga forcat policore të Serbisë, dhe për nëntë orë rresht luftuan në rrethim, por nuk u dorëzuan, ranë sikur bien trimat, duke lënë prapa amanetin për çlirim, të cilin e vazhduan bashkëluftëtarët e tyre deri në çlirimin e Kosovës nga barbaria e pushtuesit serb.


 


Atje te Kodra e Diellit,


pranë Kodrës së trimave,


ta zunë pritën me rrethim


ata që mijëra prita i kanë vënë në shekuj


Atdheut tim….


 


Ilir Balili shkruan lirshëm, meqë i njeh temat që i trajton, shkruan guximshëm meqë sajon poezi për trimat, për dëshmorët e kombit, për ata që atdheut ia falën më të shenjtën, jetën.


Në disa poezi të tij vërehet edhe mllefi e urrejtja drejtuar forcave të errësirës, kopeve të egërsirave me fytyrë njeriu, të cilët sulen mbi njerëzit ashtu si ujqit dhe e egërsirat. I mllefosur kundër padrejtësisë, kundër shfrytëzimit e robërisë, ai kërkon llogari madje edhe nga vetë Zoti, i cili lejon që tërë një popull të bëhet kurban.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Dhjetë alfabete të gjuhës shqipe, të cilat i ka prezantuar në një libër studiuesi i mirënjohur, Robert Elsie

Robert Elsie: Literatura shqipe në traditën islame-osmane I

Me ardhjen e tij ne Shqiperi, pushteti Osman solli me vete kulturen e tij te …