Ahmet Qeriqi: Tre Halilët e legjendave dhe historisë shqiptare

Në traditën e  rrëfimeve popullore dhe në historinë shqiptare  njihen personazhet  e rrëfimeve popullore Muji e Halili, Halili e Musliu dhe Halili e Musa i Vogël.


Muji dhe Halili janë personazhet e njohura të këngëve, të emërtuara në traditën folklorike, si “Këngë të Kreshnikëve”. Ende nuk dihet se kur janë krijuar këto këngë, të cilat janë analoge me këngët omonime, që këndohen edhe te boshnjakët, mirëpo dihet tashmë se këngët i përkasin  periudhës së konvertimit fetar, meqë personazhet dalin me emra islamë dhe përgjithësisht përfaqësuese të botës islame, që lufton kundër “kaurëve”, të krishterë të Ballkanit dhe të Evropës. Këngët janë të ngjyrosura ideologjikisht, me motive aventuriere-kalorësiake. Janë ndoshta këngë tipike kalorësiake, në të cilat dominon hiperbola, elementet fantastike, madje edhe format naive të groteskës dhe një mori elementesh, jo aq karakteristike për këngët shqipe në përgjithësi, apo për ciklet e tjera të këngëve tona legjendare.


Cikli i këngëve për Halilin dhe Mujin, është i pranishëm edhe te boshnjakët myslimanë, ndërsa vendet  ku zhvillohen ngjarjet përputhen me rajonin e Bosnjës e Hercegovinës, Malit të Zi, Hungarisë, ndonjëherë edhe Stambollit, por krejt pak në toponiminë shqiptare, sikur janë emërtimet“Lugjet e verdha” Mrizi i Zanave”,  që nuk ngrehin ndonjë peshë.


Pa qëllim për të minimizuar karakterin autentik, shqiptar, të këtij cikli, duhet pranuar faktin se në këto këngë megjithatë fshihen dy emra, të cilët e hasim edhe në këngë të tjera e veçmas, në historinë krenare e të dhembshme të Halil Patronës dhe të Musli Bashës.


Halil Patrona dhe Musli Basha, i pari komandant i Regjimentit të Pestë të jeniçerëve në Stamboll në vitin 1730 dhe i dyti veterani i njohur i jeniçerëve, më 28 shtator të vitit 1730, organizuan kryengritjen më të madhe sociale e morale, në Stamboll dhe ndërruan nga posti Sulltan Ahmedin e Tretë. Në shenjë hakmarrjeje për këtë kryengritje dhe realizimin e kërkesave sociale e morale, Sulltan Mustafa i Parë, nën presion të kreut shtetëror e qeveritar,  merr vendim dhe pabesisht i pret kokën Halil Patronës, Musli Bashës dhe 24 bashkëluftëtarëve të tyre, më 25 nëntor të vitit 1730.


Të shumta janë dokumentet  historike turke, angleze, gjermane, austriake, arabe, sllave, në të cilat janë shënuar disa nga bëmat e Jeniçerit Halil Patrona dhe veteranit Musli Basha në Budin, Beograd, Nish dhe vende të tjera, ku ata kanë bërë akte të larta të trimërisë, si dy jeniçerë të fuqishëm,  që kishin tronditur Perandorinë Osmane dhe e kishin mbajtur peng për tre muaj me radhë. Për bëmat e Halil Patronës, një jeniçer shqiptar nga Hurpishti i Manastirit, në Maqedoni janë shkruar romane, drama, novela, tregime, ndërsa në Historinë e Perandorisë Osmane dhe në të gjitha enciklopeditë botërore, ekzistojnë mijëra fakte relevante historike, por  fare pak në historinë e  shkruar të popullit shqiptar.


Janë disa elemente që megjithatë lidhin një relevantë mes Halil Patronës e Muli Bashës, me Mujin e Halilin e legjendave. Halili i këngëve kreshnike paraqitet si aventurier dhe njeri të cilin nuk e bën zap askush, ndërsa Muji paraqitet si luftëtar më serioz dhe shpeshherë futet në rrezik, për ta shpëtuar Halilin mendjelehtë, por edhe këmbëshpejtë si Akili i Homerit dhe dashnor romantik, ashtu si kalorësit evropianë të kohës. Një element tjetër, i cili  e sforcon deri diku këtë tezë është edhe prania e Halilit dhe Musliut në Budin, ku mbahen në robëri dhe nga ku ikin, pastaj në Beograd, ku luftojnë dhe në vitin 1720, në Nish ku nxisin një kryengritje të madhe me pasoja të rënda. Edhe Musli Basha, shoku i  ngushtë dhe sivëllam i Halilit paraqitet më i matur në qëndrimet e tij, por e pason Halilin edhe atje ku e di se ai do ta humb kokën.


Një element tjetër është edhe dashuria romantike e Halilit me Gjylbejazën, vajzën 17-vjeçare të haremit të Sulltan Ahmedit të tretë, e cila ishte dëbuar nga Haremi, ndërsa Halili e kishte blerë në tregun e robëreshave, me paratë që ia kishte falur tregtari grek Janaçi, i cili më vonë zbulohet se kishte qenë babai i skllaves Irenë, e njohur si Gjylbejazja, në romanin e shkrimtarit më të madh hungarez, Jokai Mor, titulluar “Trëndafili i bardhë”.


Ekziston edhe një fakt tjetër, që hedh dritë mbi këtë histori tragjike, ashtu sikur është shumë tragjike tërë historia shqiptare.


Pas prerjes së kokës së Halil Patronës, Musli Bashës, Emir Aliut, Ahmet Çinarit, Mehmet Onduçit, Mustafë Lazit, Ismail Tursuçit, Ali Gavurit, Ramazan Çigerxhiu e të tjerë, kishte filluar fushata e përgjakshme e vrasjes së kryengritësve, shumica e të cilëve ishin jeniçerë nga Regjimenti i Pestë i Stambollit. Gjatë tri ditëve të kryengritjes, më 26. 27 dhe 28 nëntor 1730, forcat perandorake kishin vrarë 7. 000 jeniçerë, ndërsa 5.000 të tjerë kishin arritur të iknin nga Stambolli dhe kishin depërtuar në malet e larta të Maqedonisë, Shqipërisë e Kosovës. Me qëllim të shtypjes përfundimtare të kryengritjes, e cila  kishte marrë përmasa edhe në një- vjetorin e saj më 28 shtator të vitit 1731, në krye me shokun dhe mikun e Halilit, grekun e pasur, Janaqi, kreu perandorak kishte caktuar Osman Topall Pashën nga Moreja, në cilësinë e një inkuizitorit të lartë, të cilit iu kishin dhënë detyra, që të shfaroste të gjithë kryengritësit shqiptarë të Halil Patronës, kudo ku ata të ndodhnin, në Stamboll, në Maqedoni e në Shqipëri, apo edhe në Serbi e deri në Srem, ku shumë prej tyre kishin ikur me qëllim që të shpëtonin kokat, meqë e dinin se ishin shpallur “fermanli”.


Anatema pushtetare, që iu kishte bërë pasueseve të Halil Patronës ishte aq e madhe, sa askush nuk kishte guxuar të përmendte as edhe emrin e tij. Mbase, pikërisht për shkak të këtij presioni, këngëtari popullor, me qëllim për të përjetësuar bëmat e Halilit dhe Mustës në Stamboll, kishte krijuar, jo këngë të mirëfillta historike, por parodi kalorësiake, ku trimëria e tyre shpeshherë qesëndisej dhe stërmadhohej aq shumë, sa dukej edhe naive e groteske. Mbase edhe mund të mos jetë kështu, por emrat e personazheve: Halili dhe Muji apo Halili dhe Musliu do të dukeshin si dy rastësi, po të mos kishim edhe shembullin e tretë, të motivit gjithnjë tragjik, po me të njëjtit emra dhe me një përmbajtje të përafërt.


Halili dhe Musta janë  dy personazhe të këngëve të trimërisë, që kanë për motiv pasojat e tradhtisë së interesave kombëtare. Ngjarja tragjike, që rrëfehet në këtë këngë duket se ka ndodhur në pallatin Bushaltinjve në Shkodër, ndoshta kah fundi i shekullit të 18-të, apo fillimi i shekullit të 19-të, që përafërsisht korrespondon edhe me kujtesën e popullit, për prerjen e kokave të Halil Patronës dhe Musli Bashës.


Veziri i Shkodrës kishte shpallur “fermanli” Halilin dhe Mustën”, me prejardhje nga Kosova, konkretisht nga viset Gallapit, sikur identifikohen nga shumë variante këngësh, të cilët kishin një motër të martuar  në Shkodër, për Bejtash aganë, që i shërbente Vezirit. Ndodh që Halili dhe Musta shkojnë për ta vizituar motrën, duke mos dyshuar se do t’ i tradhtonte dhëndri. Ndërkohë, Bejtash agai,  gjatë natës, u fsheh armët miqve, lajmëron forcat e Vezirit, të cilët arrijnë të futën tinëzisht dhe i kapin gjallë dy vëllezërit e shpallur “fermanli”. Të nesërmen, në mes të qytetit, xhalatxhia, me urdhrin e Vezirit  u prenë kokat dy vëllezërve, ndërsa motra e tyre, Hajria betohet se do t’ ua marrë hakun, tradhtarëve, “qenve’ të Shkodrës. Për më tepër, Hajria, nga frika se edhe djali i saj, i biri i Bejtash agait mund të trashëgonte veset e babait, e vret edhe të birin.


Lidhja e këtij motivi me historinë tragjike të Halil Patronës ka ngjashmëri të theksuar, sepse edhe Halili e Musliu ishin vrarë pabesisht. Ata ishin ftuar në pallat, ku Sulltani Mustafa i Parë, iu kishte premtuar se në shenjë pajtimi dhe nderimi, do t’ iu jepte rrobat prej lëkure, që ishte nderi më i madh që u bëhej jeniçerëve. Në kohën Kur Halili e Musliu po bëheshin gati të merrnin rrobat, ndërsa në radhë, jashtë Pallatit, po prisnin për të marrë rrobat e gradat edhe 24 bashkëluftëtarë të tyre, jeniçerë, forcat e Halil Pelivanit sulmojnë pas shpine dhe u presin kokat Halil Patronës dhe Musli Bashës, në prani të Sulltanit dhe suitës së tij. Ndërkohë, ftojnë një nga një jeniçerët e tjerë, të cilët mendonin se po prisnin në radhë për rroba, ndërkohë që brenda pallatit por grumbulloheshin kokat e tyre të prera.


(Kampi i Halil Patronës gjatë kryengritjes ishte vendosur ne Yskydar, të Stambollit. Në gjuhën turke, emri i Shkodrës shqiptohet si Yskydar).


Ngado që të studiohet ky fenomen i tre “Halilëve”, arrijmë në përfundim se kemi të bëjmë me një Halil dhe një Musli, për të cilët kujtesa popullore shqiptare, është treguar shumë e rezervuar nga frika për pasojat, ndërsa historishkruesit e Historisë së Shqipërisë e kanë abortuar këtë histori, ashtu sikur kanë abortuar edhe historinë e Milush Nikollë Kopiliqit.


Halili e Muji, Halili e Musliu dhe Halili e Musta, janë emra që kanë hyrë në kujtesën e popullit shqiptar dhe në historinë botërore, por bëmat e tyre ende nuk janë ndriçuar sa duhet, ata janë lënë në harresë nga harrestarët dhe historianët e ideologjizuar, nga shumë historianë tanë, të cilët sillen me prepotencë ashtu si dikur pashallarët e Sulltan Ahmedit të tretë, apo Bejtash agallarët e Vezirit të Shkodrës, ashtu sikur për shembull një Ben Bllush, në romanin e tij skandaloz, “ Të jetosh në ishull”  ku fyen, ironizon, përdhos historinë e Halil Patronës dhe të gjitha personaliteteve shqiptare të besimit islam, prej Skënderbeut, Ali Pasha Tepelenës e deri te ismail Qemali.


Sa të mjerë duken disa historianë shqiptarë, kur i pyet për Halil Patronën, ndërsa ata rrudhin krahët dhe të thonë: “Për herë të parë po e dëgjoj këtë emër”. Për ju lexues të nderuar kemi një porosi. Nëse doni të dini më shumë për Halil Patronën, për tre Halilët, shtypni në google emrin e tij dhe do të gjeni tërë një botë të panjohur, apo pak të njohur, varet nga secili.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Dhjetë alfabete të gjuhës shqipe, të cilat i ka prezantuar në një libër studiuesi i mirënjohur, Robert Elsie

Robert Elsie: Literatura shqipe në traditën islame-osmane I

Me ardhjen e tij ne Shqiperi, pushteti Osman solli me vete kulturen e tij te …