Ahmet Shtimja ( 1887- 1923) personalitet i rëndësishëm i Lëvizjes Kombëtare

AHMET SYLA, i njohur në popull si AHMET SHTIMJA, u lind në vitin 1887 në Shtime. Veprimtarinë e tij patriotike e filloi si pjesëmarrës në kryengritjen e përgjithshme të vitit 1910, të udhëhequr nga atdhetari dhe prijësi popullor, Isa Boletini, kundër forcave osmane të pushtimit. Në vitin 1916, nga administrata bullgare është emruar kryetar i komunës së Shtimes. Këtë post e mbajti deri në vitin 1918.

Më 18 dhjetor të vitit 1919, në Shkup me rastin e konstituimit të Kuvendit Ekzekutiv të Xhemjetit, Bashkimi, Ahmet Shtimja është zgjedhur në organin operativo-ekzekutiv të kësaj partie politike që merrej asokohe me mbrojtjen e të drejtave të popullit shqiptar në Jugosllavi. Po ashtu, Ahmet Shtimja ishte edhe veprimtar i dalluar i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” me qendër në Shkodër, të themeluar më 1 maj të vitit 1918, për mbrojtjen e popullsisë shqiptare nga politika zyrtare serbe e dhunës dhe e arbitraritetit. Ndërkaq, në kohën e Mbretërisë së Jugosllavisë në vitin 1921, Ahmet Shtimja me vota të shumicës shqiptare sërish u rizgjodh kryetar i  komunës. Si anëtarë i Kryesës në Partinë e Xhemjetit, zhvilloi aktivitet të madh në masë, si dhe në Parlamentin e Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene (SKS). Për veprimtarinë e tij patriotike, në vitin 1921 xhandarmëria serbe, kryetarin e Shtimes, Ahmet Shtimja, e ka rrahur në mënyrën më të egër. Ai dhe përcjellësit e tij kanë marrë plagë të rënda. Edhe pse ishte rrahur keq, Ahmeti i kishte përballur këto tortura dhe kishte vazhduar aktivitetin e tij partiak si dhe kryerjen e detyrës së kryetarit me një angazhim edhe më të madh.

Ahmet Syla si njëri prej prijësve politikë të Xhemjetit, bashkë me kryesinë e kësaj partie politike dhe si përfaqësues i kësaj ane, kishte marrë pjesë në bisedimet që u zhvilluan në vitin 1923, në Shkup me udhëheqësinë e Partisë Radikale dhe me Nikolla Pashiqin, kryeministrin e Mbretërisë SKS-së. Gjatë këtij takimi, kërkesat e Xhemjetit i parashtroi dhe i argumentoi përfaqësuesi i saj, Ahmet Shtimja. Ai përmendi fakte të shumta për padrejtësitë, të cilat i bënin organet e pushtetit ndaj popullatës shqiptare.

Duke folur për kërkesat e Xhemjetit, Ahmeti insistoi posaçërisht:

Që gjuha shqipe të mësohej në shkollat fillore, në vend të mësim-besimit dhe

Që gjuha shqipe të përdoret edhe në administratë,

Që xhandarmëria dhe rojet e pyjeve të caktoheshin në përpjesëtim me përbërjen kombëtare të popullsisë dhe kërkesa të tjera.

Në pjesën e përmbylljes, Ahmet Shtimja ia tërhoqi vërejtjen Nikolla Pashiqit se: “Po qe se nuk përkrahen kërkesat e Xhemjetit, deputetët e kësaj partie do të votojnë kundër dhënies së besimit qeverisë”, gjë që do të sillte rrëzimin e saj.

Pas mbarimit të tubimit në Shkup, Ahmet Syla ishte kthyer në Ferizaj. Atë ditë ishte ditë tregu. Ai shfrytëzoi rastin ta ftojë popullin në një tubim spontan te Stacioni hekurudhor. Masën e tubuar të popullit e njoftoi me kërkesat e shqiptarëve. Ai ndër të tjera i kishte thënë popullit: “Shpejt kanë me kanë votimet dhe ai që voton për Partinë Radikale asht edhe armik i shqiptarizmit dhe i fesë sonë”.

Pas disa ditësh, në shenjë hakmarrjeje për këtë veprim të guximshëm të Ahmetit, në Shtime pushteti i atëhershëm serb organizoi “fushatë ndjekjeje”, gjoja kundër kaçakëve, kurse në të vërtetë kishte qëllim likuidimin fizik të kryetarit të komunës së Shtimes. Kështu që në natën e 11-12 korrikut të vitit 1923, në vendin e quajtur “Bërryli i Topillës” është vrarë Ahmet Shtimja në moshën 36 vjeçare, së bashku me truprojën e tij Rexhep Muratin (1890-1923) nga fshati Topillë. Organet e pushtetit serb të asaj kohe, vrasjen e tyre e paraqitën si vrasje nga kaçakët në ndjekje të Imer Devetakut.

Për veprimtarinë e çmueshme të atdhetarit dhe patriotit, Ahmet Shtimja, janë thurur edhe një varg këngësh tematike të rapsodëve popullorë që pasqyrojë veprimtarinë patriotike dhe rrethanat e vrasjes së tij.

Pas luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), në shenjë respekti për atdhetarin shtimjan, Ahmet Shtimja dhe përcjellësin e tij, Rexhep Murati, është ngritur në vitin 2000 një pllakë përkujtimore në vendin e rënies së tyre, në Grykën e Topillës. Veprimtaria patriotike e kryetarit “kryengritës” të komunës së Shtimes, i cili në atë periudhë u dallua në mbrojtjen e interesave të popullit shqiptar, po çmohet edhe sot. Në shenjë kujtimi për jetën dhe veprën patriotike të Ahmet Shtimes, delegatët e Kuvendit Komunal të Shtimes, në vitin 2000 pagëzuan me emrin e tij rrugën përgjatë lumit të Shtimes, që të çon në drejtim të Xhamisë së Vjetër, ku në oborrin e saj prehen eshtrat e këtij atdhetari të kësaj treve.

Andaj, me rastin e 90 vjetorit të rënies heroike të kryetarit të parë të komunës së Shtimes, atdhetarit dhe prijësit popullor, Ahmet Shtimja, kryetari i komunës së Shtimes Naim Ismajli është zotuar se gjatë vitit 2013 do ta rregullojë varrin dhe një monument me qëllim që ta kujtojnë brezat me pietit këtë tribun popullor.

  1. 7. 2013

Lulëzim Sahiti

Në këngët e trimërisë, të cilat rapsodët tanë i kanë thurë nga brezi në brez,  shquhet edhe kënga  kushtuar Ahmet Shtimes dhe vrasjes së tij në pritë nga xhandarët serbë. Ahmet mulla Syla është dalluar në mbrojtjen e interesave të popullsisë shqiptare të keqtrajtur dhe të shtypur gjatë kohës së Mbretërisë despotike serbe, pikërisht në kohën e Nikolla Pashiqit, kryexhelatit dhe vrastarit të njohur të shqiptarëve. Në mesin e shumë varianteve të kësaj kënge të thurur nga këngëtarë anonimë po ju prezantojmë këtë këngë të shënuar në Shtime.

Këngë kushtuar Ahmet Shtimes

Kur kish ardhë  Serbia e parë

Ka zgjedhë disa  për kryetar

Në Shtime ishte nji shqiptar

Ahmet Syla i paskan thanë

Fort k’saj rajes o po u vika ranë

Ni tubim ni ditë pe bajnë

Pop Stojanit o naj paska thanë

Kryetarin na se dojmë shqiptar

Se shumë me t’keq neva tu na marrë

N’zall te Shtimes s’po na len me dalë

Alltinë n’fytë o për ditë na vnon

Po naj shanë thoshin babë e nanë

Na shanë kryqin o ne viligdan

Ditët e Sllavës s’po na len me i majt

Na 500 vjet ner sunë tyne jemi kanë

Tash asht ardh thonë derzhava jonë

Dona drejtat krejt neve me na dhanë

Pop Stojani me pa çka u kish thanë

Ngoni rajë juve çka po u thamë

Sabah Zoti nesër kur të banë

Vet n’opshtinë unë do të shkoj

Tana fjaltë renë kam me ja thanë

Qaren juve unë do t’jav baj

Sabah zoti t’nesrit kur pe banë

Pop Stojani koka çu ne kam

Fill n’opshtinë Popi tek po shkon

Rrak-tak n’derë Popi po rrapllon

O hajde mrena Ahmeti po ja banë

E qelka derën Popi hy ish kanë

O çka me pa o seri të madh

Ish kanë ulë aga thonë me ni shkam

Si drangu zoti e kish fal

E kish qit kamën hajde për mi kamë

N’qehlibare thonë tuj pi duhan

Fol bre Pop çka je dal n’ketë anë

Ia niska Popi fjaltë po ja kallon

Thotë fortë me t’keq rajën mi ke marrë

N’zall te Shtimes nuk po i len me dalë

Ti nuk po i len hiç me metun gjallë

Alltinë n’fytë për ditë po jav vnon

Po jav shanë babën me gjithë nanë

Jav shanë kryqin me viligdan

Ditët e Sllavav s’po i len me i majtë

Na 500 vjetë ner sunë tuaj jemi kanë

Tash asht ardh derzhava jonë

Dona drejtat krejt me na i dhanë

Ahmet Aga rreptë u çu n’kamë

Po ma nxirrka shtatë nagan

N’gropë te fytit Popit po ja vnon

Ti ngo knena Pop na i paska thanë

Ti ngo knena Pop i biri shkinës

Mos me kanë n’mjedis opshtinës

Ti qes trutë në zall te Shtimes

M’thonë Ahmet i biri Mulla Sylës

Pop Stojani me pa çka po banë

Bash si qeni përjashta koka dalë

Fill te raja Popi tek po shkon

Kuku rajë Popi u kish pas thanë

Te Ahmeti sot unë jam kanë

Tana fjaltë renë ja kam thanë

Shumë ma zi se juve ma ka ba

Veç qarja e jonë ndryshe ka me kanë

Na shumë do pare do t’i tubojmë

Domi kishës neve na nimon

Delegatë tre do t’i shterngojmë

N’Beograd te Krali t’i çojmë

Neve Krali do t’na ndihmon

Niskan pare raja po tubojnë

Domi kishes shumë po ju nimon

Delegatë t’mirë tre po mi gjanë

E marrkan rrugën n’Beograd po shkojnë

Kral Pashiqit n’zyre po mi shkojnë

Ja marrshin patin Kralit po mi thonë

Ku je Kral thoshin dilli jonë

Na në Shtime jetojmë në Kosovë

Kryetarin na kanë ba shqiptar

Ja niskan fjaltë renë po ja kallxojnë

Ish nal Krali nisi po mendon

Ngoni rajë ju paska thanë

Ju në Shtime tash kini me dalë

Ahmet Agës me shku e me thanë

Sot një javë e dill ka me kanë

Hiq nuk bahet deri n’Shkup pa ardh

Se ni gllasenje na dona me majt

Kryetart kanë me ardh te tanë

Delegatët nuk bahet pa kanë

Qaren juve unë do t’jav gjaj

U niska raja n’Shtime kokan ardhë

Shkojshin Agës o po mi kallxojnë

Ditët kalojshin e diella asht ardhë

Delegatët krejt në Shkup po shkojnë

Janë hy n’sallë delegatët te tanë

Kral Pashiqi na u çu n’kamë

Dojka mbledhjes ai t’ja filloi

Sherif Voca rrept u çu n’kamë

Nal Pashiq, Sherifi i ka thanë

Nuk mund mbledhjes ti t’ja fillon

Se s’ka ardhë kryetari jonë

Ulë Pashiqi n’vend koka kanë

S’vonoi shumë Aga paj ka ardhë

Krejt shqiptart po e presin n’kamë

Brohoritje tanë po bajnë piskam

Tash na erdh kryetari jonë

Sherif Voca Kralit naj ka thanë

Nisja Kral mbledhjen ndash me majt

U çu Pashiqi nis po majke fjalë

Ngoni knena delegatë jav banë

Ni gllasenje sot na do ta bajmë

Kryetart dom me n’dërru te tanë

Kqyrni kokrrat o se ku pej lamë

Radikalit kokrrat do t’ja lamë

Na ketë vend krejt do ta sundojmë

Sherif Voca koka çu ne kamë

Tungjatjeta Kral Pashiq ja banë

Pra, ngonaj fjaltë na dom me t’i thanë

Ti n’kofsh agrarin neve me na nal

Tokat tona shkive mos me jav dhanë

N’kofsh polarin neve me na nal

N’ara tona gjanë mos me naj nxanë

N’kofsh shumarin neve me na nal

N’zabel tonë neve mos me na nxanë

Shkolla shqipe neve me naj dhanë

Ku t’kish qef kokrrat na t’i lamë

Kral Pashiqi fort idhnu ish kanë

Jo Sherif, Krali i paska thanë

S’muj k’to t’drejta juve me jav dhanë

Se s’unë e qartim derzhavën tonë

Ahmet Aga rreptë asht çu n’kamë

Po ma nxjerrke ai shtatë nagan

Mjedis sallës zjarrë i paska dhanë

Qartë tubimi n’atë vend koka kanë

T’gjithë deputetët dal përjashta janë kanë

Ahmet Aga drejt po shkon në dram

Për Ferizaj rrugën e ka marrë

Se n’Ferizaj Aga kaka nalë

Shpejtë prej dramës Aga koka dalë

Ish mbushë shehri plotë e plotë shqiptar

Ja niska Aga po ju man fjalë

Ngoni knena o vllazen shqiptar

Tash prej Shkupit unë jam tuj ardh

Me Kral Pashiqin kogjo fortë jam ngranë

Kini metë kokrrat ku po i lamë

Radikalit kokrrat mos t’ja lamë

N’demokratë krejt kokrrat t’i lamë

N’demokratë na t’i lamë n’Xhymjet

Ta sundojmë na Kosovën vet

Qeto fjalë Aga shkon tuj thanë

Vrajma zot ni shka kapedan

Civil ish ai veshun ish kan

N’krye kish vnu ni plis të bardhë

Gjuhën shqipe vesh e kish pas marrë

Ish nal Agën sa mirë pe ngon

Niska qeni be po banë

Pasha kryqin e veligdan

Pasha kishat krejt kah janë

Dy javë ditja k’ta t’gjallë me zanë

Mret n’Kosovë paska me kan

Vrajma zot q’atë kapedan

Pej hypë trenit n’Beograd po shkon

Shkoj Pashiqit po kallon

Se n’Ferizaj ni ditë jam kanë

Çka e kam pa ni shqiptar asgan

N’Ferizaj fjalim kah mbanë

Krejt shqiptart kah e dëgjojnë

Dy javë ditja ata gjallë me zanë

Mbret n’Kosovë ai kish me kanë

Ahmet Aga me pa çka po banë

Pe kryn fjalimin e po shkon në dram

Se për Shtime rrugen e ka marrë

Se n’Koshare Aga kur asht ardh

Ramë Kosharja përpara i ka dalë

A unë erdhe Ahmet Agë ja ban

Qe kadal po thotë mixha Ramë

Me Kral Pashiqin kogjo fort jam ngranë

Qartun glasin n’Shkup ja kam lanë

Ngoni Rama çka i paska thanë

S’paske ba mirë Ahmet Agë ja banë

Se n’koftë Pashiqi qysh i kanë thanë

Pa ni sherr tybe n’ka me t’lanë

Ahmet Aga fort idhnu ish kanë

Hajt hiqmu qafe llom i keq ja banë

Se hajri yt kurrë nuk asht kanë

Jam i zoti vet n’krye me i dal

E marrka rrugën Aga po t’fillon

Se në Shtime Aga koka ardh

Hiq shumë ditë nuk po kalojnë

Kral Pashiqi me pa ç’po banë

N’telefon gishtin pe vnon

N’stanicë t’Shtimes po lajmron

Xhanarisë ju paska thanë

Pop Stojanin n’tel me ma dhanë

Janë shku Popin e paskan marrë

N’telefon Popi po shkon

Nis Pashiqi pe qorton

Ti ngo mirë Pop naj ka thanë

Ahmet Agës ni sherr qe s’ja banë

Asni kime n’mjekërr s’kam me ta lanë

Niskan shkit planin pe bajnë

Ni natë natën çu janë kanë

Po mi thejnë nja tri dugaj

Shumë do mall e paskan marrë

Tjert u drodhën n’tjetrën anë

Shkojkan Agës poj kallxojnë

Do kaçak n’Shtime janë ardh

Naj kanë thy disa dugaj

Shumë do mall ne na kanë marrë

N’Rekë t’Topillës thonë po rrnojnë

Ahmet Aga u paska thanë

Shkoni n’shpi rajes jav banë

Sabah Zoti kur ta banë

Bashkë me ju Rekes kam me ardh

K’ta kaçak kem mej zanë

Thrret Ahmeti e dashnja nanë

Mushma qesen me duhan

N’Rekë Topillës kem me dal

Do kaçak kem mej zanë

Ne ngofsh nanën sot nuk shkon

Se pa ni sherr shkit s’kanë me t’lanë

Mirë pe di e dashnja nanë

Ni herë besen popullit ja kam dhanë

S’mdhimet shpirti për ta me dhanë

Hajli koftë nana i kish thanë

Ja mushë qesen me duhan

Ahmet Aga çka po banë

K’ti Rexhepit ni za ja lshon

Shpejt atin gati ma banë

Ai Rexhepi me pa ç’po banë

Dy atllart po mi shterngon

Në oborr me ta ish dalë

Tungatjeta Ahmet Agë ja banë

O Ahmet Aga, Rexhep i ka thanë

Ti nuk bahet me mu me ardh

S’ban opshtinën vet me lanë

Ahmet Agë, Rexha i paska thanë

Nuk muj vetëm ty me t’lanë

Për opshtinë gajle se kam

Hajli koftë Aga naj ka thanë

Te dy atllarve n’shpinë ju ranë

Marrshin rrugë Rekës po shkojnë

Vrajmi zot xhanartë çka po bajnë

Prita t’shtira jav paskan zanë

Me manzerra Agën pe gjuajnë

Shumë n’ven t’keq e paskan marrë

Prej atkisë n’tokë ra ish kanë

Ai Rexhepi me pa ç’po banë

Niska luftën me xhanarë

Dy atyre po mi damton

Edhe Rexhen pushka e ka marrë

Ngatë Ahmetit avit ish kanë

Janë marrë n’gryk si vllazën me kanë

Hallashtisë mes veti janë

Te dy shpirti aty poj lshon

Vrajmi zot xhanartë ç’po bajnë

Ni korrstinë po ma shtërngojnë

Te dy trimat n’ta i ngarkojnë

Marrin rrugën n’Shtime poj qojnë

Te dyrtë e Agës kur janë ardhë

Qaty kerrin pe nalojnë

Nanës Agës za poj bajnë

Dil e merre thonë djalin tanë

Tu ka ba zotni i ranë

S’po hec n’kam veç ratë n’pajtan

Nana Agës n’sakak ka dalë

Fill te kerri avit ish kanë

Te dy djemëve për ftyre u mshon

Te dy djemëve për ftyre u bjen

Djelt e nanës sot paski dekë

Ju past shpirti loke rahmet

E dhatë jetën për vatan t’vet

Ju pas çu Zoti n’xhenet

Nana fort do t’banë gajret

Baj gajret o djemt e mi

M’u  vra djali për liri

Mos mej lanë shqiptartë n’robni.

Kontrolloni gjithashtu

Spiro Dine (1844-1922), rilindës, atdhetar dhe mbledhës i folklorit

Spiro Dine (1844-1922), rilindës, atdhetar dhe mbledhës i folklorit

Spiro Dine lindi në Vithkuq të Korçës në vitin 1844. Mori pjesë në Lëvizjen e …