Ajete Zogaj: LETËRSINË PËR FËMIJË NË DRITË SHKENCORE TË THELLUAR

Ajete Zogaj: LETËRSINË PËR FËMIJË NË DRITË SHKENCORE TË THELLUAR

Anton Nikë Berisha, STUDIME LETRARE (Të zgjedhura). Vëllimi i dhjetë. Shtëpia botuese “Faik Konica”, Prishtinë 2025

“Pikërisht, për këtë gjë them me bindje se një popull që ka pasur apo ka një letërsi të madhe për fëmijë, ka pasur dhe ka një letërsi të madhe për të rritur. Ngjet kështu për shkak se ndërtimi dhe ngritja e shpirtit artistik të një qenie njerëzore kërkon mund të madh dhe shumë kohë: fillon qysh në moshë të re e vazhdon gjatë gjithë jetës”.[1]

 

Letërsia për fëmijë dhe misioni i shkrimtarit

Studimet letrare dëshmojnë se letërsia për fëmijë bën një nga shtresat më të rëndësishme të artit të fjalës. Autorët e veprave letrare për fëmijë, për hartimin e tyre, përdorin mjeshtëri shkrimore për të shprehur e për të komunikuar sa më lehtë me marrësit, me lexuesit. Thënë figurativisht, letërsia për fëmijë ngjason me kopshtin e luleve, ku fjalët e përzgjedhura e gjuha poetike e përdorur nga autorët/autoret bëhen bazë dhe udhërrëfyese e diturisë dhe e pjekurisë së tyre. Pra, në rrugëtimin magjik të botës së fëmijës, roli i shkrimtarit, veçmas atij që shkruan për fëmijët, është i jashtëzakonshëm: Shkrimtari për fëmijë, nuk është thjeshtë vetëm një rrëfimtar, është edhe një ‘misionar’, i cili me mjeshtërinë e shkrimit të veprës letrare për fëmijë ‘bëhet edhe vetë fëmijë’, duke depërtuar thellë në botën dhe në shpirtin e fëmijës për ta drejtuar në një botë sa imagjinative aq edhe magjike. Përmes librave për të vegjlit, autorët ngjallin dashurinë për prindërit, për shokët, për atdheun, zgjojnë kureshtjen dhe aftësinë të dallojnë të mirën dhe të keqen, ta çmojnë virtytin dhe t’i shmangin veset. Personazhet, gjuha poetike, figuracioni i përdorur në veprat për fëmijë, janë ura lidhëse që i krijon shkrimtari, duke e vënë në komunikim sa real aq edhe imagjinar fëmijën me veten dhe me botën që e rrethon.

Shkrimtari për fëmijë është edhe një misionar, i cili përmes fjalës së shkruar rrezaton tek të vegjlit dituri dhe mendime me vlerë. Vepra letrare për fëmijë, veç zbavitjes dhe imagjinatës, bëhet një formë – mënyrë drejt formimit të personalitetit të fëmijës.

Ndër ndërmarrjet studimore më të rëndësishme dhe më shkencore që i janë bërë letërsisë për fëmijë

 Është e njohur se letërsia jonë për fëmijë zë fill që nga gjeneza e artit të fjalës, me përrallat, me kallëzimet, nga këngët e djepit, me të cilat nëna e vinte fëmijën në gjumë etj.

Letërsia për fëmijë është mjaft e pasur dhe e larmishme, po ajo nuk është studiuar mirëfilli, edhe pse janë hartuar disa vepra për letërsinë për fëmijë, madje ajo është edhe lëndë e veçantë mësimore në universitetet tona.

Duke ndjerë nevojën për një libër të mirëfilltë studimor, i cili qëmton në mënyrë shkencore ndriçimin e veçorive të veprave letrare për fëmijë, në vitin 2020, në botim të Universitetit “Fehmi Agani” të Gjakovës, studiuesi i letërsisë, profesor Anton Nikë Berisha, nxori në dritë librin studimor “Poetika e letërsisë për fëmijë” duke mbushur boshllëkun e literaturës së nevojshme për letërsinë për fëmijë, për studiues, për profesorë e për studentë.

Ky fundvit, shënon një sukses tjetër të radhës së këtij studiuesi shumëdimensional, duke sjell botimin e kompletit 10 vëllimshëm të “STUDIME LETRARE” (Të zgjedhura), i cili është ndër botimet më të rëndësishme, të themi kapitale dhe monumentale, për studimet letrare, duke zbatuar një qasje shkencore serioze në studimin e veprave letrare të autorëve shqiptarë dhe të huaj, si dhe kontributit të tyre në fusha të caktuara të dijes dhe shkencës albanologjike.

Vëllimi i dhjetë i “Studimeve letrare” (të zgjedhura) është ndër ndërmarrjet studimore më të rëndësishme dhe më shkencore që i janë bërë letërsisë për fëmijë, duke hedhur dritë mbi çështje të letërsisë për fëmijë dhe autorëve më përfaqësues të kësaj letërsie.

Materia e lëndës është e renditur në kapitujt: Çështje të letërsisë për fëmijë; Poezia për fëmijë e Mark Krasniqit, Vëzhgime veprës letrare për fëmijë të Rifat Kukajt dhe Tre poetë të shquar për fëmijë.

Mark Krasniqi poeti i shquar për fëmijë

Jo rastësisht, në fillim të studimit të tij, profesor Anton Nikë Berisha, sjell vlerësimin e akademik Mark Krasniqit, njërit ndër autorët më të shquar të letërsisë për fëmijë tek ne, për rëndësinë e letërsisë për fëmijë: “Mendoj se letërsia që shkruhet për fëmijë kryesisht duhet ta ketë po atë qëllim si literatura për të rritur, e kjo është, për të thënë shkurt – fisnikërimin e njeriut. Mendoj se secili shkrimtar duhet ta ndjekë dritën e këtij ylli prijatar në krijimtarinë e tij […] Kontaktet e para me librin kanë rënësi vendimtare për qëndrimin e mëtejshëm të fëmijëve ndaj librit. Libri i mirë argëtues e bën për vete shpirtin e njomë të fëmijës…”[2].

Siç e pohon edhe vetë profesor Anton Nikë Berisha në këtë studim, interesimet e tij për letërsinë për fëmijë janë të hershme se ai herë pas here u është kthyer studimit të veprave të saj jo vetëm në rrafshin kombëtar[3].

Sipas profesorit studimi dhe njohja e veçantive dhe e veprave të letërsisë për fëmijë shtrohet si detyrë e rëndësishme jo vetëm për ata që merren drejtpërdrejt me studimin e saj, po dhe për ata që e japin si lëndë mësimi në rrafshe të ndryshme dhe për lexuesin në përgjithësi[4].

Ta njohësh e ta studiosh letërsinë për fëmijë, për profesor Antonin, domethënë të merresh me një shtresë të artit të fjalës, me perceptimin, me shqiptimin e mëvetësishëm të botës e të shpirtit të njeriut, me shtjellimin tekstor e me sistemin shprehës poetik të veçantë, cilësi që përligjen brenda llojeve e gjinive të ndryshme të kësaj letërsie, po edhe të letërsisë në përgjithësi: lirikës, epikës dhe dramatikes ose edhe një lloji letrar (nënllojet e ndryshme të lirikës, llojet e ndryshme të romanit etj.), ku strukturat gjuhësore poetike, shumësia kuptimore dhe simbolike e veprave afrohen po edhe ndryshojnë midis tyre.

Në pjesën e parë “Çështje të poetikës së letërsisë për fëmijë” janë ndriçuar disa veçori të rëndësishme si: qenësia e strukturës gjuhësore shprehëse poetike dhe natyra dhe rëndësia e mesazheve dhe e komunikimit me tekstet poetike përballë realitetit konkret jetësor etj. Lidhur me këto dy elemente të rëndësishme, autori sjell një mendim të studiuesit kroat, Zdenko Shkrebit, duke pasur parasysh mendimin e Aristotelit: “Nuk është punë e poetit të rrëfejë për atë që ka ndodhur, por për atë që ka mundur të ndodhë, ose pse është e mundshme, ose pse është e dobishme”[5].

Duke qëmtuar çështje teorike të letërsisë për fëmijë, studiuesi Berisha vlerëson se “[…] nuk janë ngjarjet dhe dukuritë që trajtohen në veprat letrare, që i bëjnë ato të rëndësishme e të vlefshme, por është shtjellimi i tekstit, është rrëfimi që shpirtëzon çdo gjë në vepër; është arti i tyre që u bëri e do tu bëjë ballë kohëve, shijeve e brezave të shumtë”[6].

Berisha thekson se letërsia për fëmijë duhet vlerësuar sipas kritereve estetike, gjuhësore dhe shtjelluese, njësoj si veprat e letërsisë për të rritur; ngase natyra dhe bota e letërsisë për fëmijë është tërheqëse dhe magjepse, është botë e fantazisë dhe e befasive, e së pazakonshmes dhe e së panjohurës, është lojë dhe argëtim.

Në studimin e tij ai e vendosë letërsinë për fëmijë në një nivel të lartë artistik dhe kulturor, duke treguar kështu nderim të veçantë ndaj lexuesve të vegjël. Si e tillë ajo meriton studim serioz, ndriçimin në mbështetje tek tradita jonë letrare, qoftë në atë gojore, qoftë në atë të shkruar. Kjo i jep letërsisë për fëmijë një vlerë të madhe poetike dhe identitare, duke e shndërruar atë në një mjet të fuqishëm të rritjes shpirtërore dhe kulturore të brezave: “Letërsinë për fëmijë e bëjnë letërsi të mrekullisë dhe magjisë para së gjithash gjuha, mënyra e perceptimit, e shtjellimit dhe e të shprehurit, thjeshtësia e mesazheve; loja që është e pranishme e që gërshetohet me humor të natyrshëm, që zgjojnë te fëmijët kureshtjen, kënaqësinë, fisnikërimin dhe pasurimin shpirtëror.”[7]

Libri trajton shumë çështje të letërsisë për fëmijë përballë letërsisë për të rritur, që këtu nuk e ka vendim të zgjatëm.

Një vend të rëndësishëm në këtë vëllim zë studimi monografik për njërin ndër poetët më të spikatur, Mark Krasniqit, me titullin: “Poezia për fëmijë e Mark Krasniqit”, që është një nga studimet më të rëndësishme të kritikës sonë letrare që për objekt trajtimi kanë letërsisë për fëmijë. Duke lexuar me kujdes këtë studim, themi me bindje të plotë, se është studim i hartuar me përkushtim dhe i argumentuar shkencorisht, duke dëshmuar një qasjeje të thellë dhe studimore ndaj krijimtarisë së këtij poeti:

“Përkushtimi i vijueshëm i Krasniqit për përftimin e veprave për fëmijë nuk është gjë e rastit. Ai qe dhe është i lidhur shpirtërisht me botën e fëmijëve, që për të rriturit mbetet diçka e madhërishme, një ëndërr e bukur: ‘Më pëlqen gjithçka fëminore: naiviteti simpatik i vocërrakëve, loja e pafrenueme, kânga e gaz, ‘problemet’ e tyne të shumta, sinqeriteti dhe sjelljet e natyrshme. Të gjitha këto përbâjnë ni poezi të veçantë. Jeta e fëmijëve âsht si nji ândërr e bukur”[8].

Siç vë në dukje profesor Berisha, Mark Krasniqi ishte jo vetëm autor i poezisë për fëmijë, por edhe njohës i mirë i letërsisë për fëmijë në përgjithësi, sipas së cilit, poezia për fëmijë zgjon fantazinë dhe kënaqësinë nëpërmjet tingëllimit dhe muzikalitetit: “Letërsia duhet të kontribuojë sa më shumë të jetë e mundur për t’i prirë brezit të ri në rrugë të mbarë, për t’u bërë nesër faktor i fuqishëm i shoqërisë, i armatosur me vlera të larta morale e intelektuale”[9]. Për gjuhën shqipe dhe rëndësinë dhe e saj si mjet identitar kombëtar Mark Krasniqi thoshte: “[…] gjuha shqipe nuk është vetëm gjuhë e sharrëxhinjve, e barinjve e fshatarëve, por edhe e Dantes, Shekspirit, Sokratit, Kantit dhe autorëve të tjerë më të njohur botërorë”[10] dhe mendimin për veprën e Fishtës  “Lahuta e Malcís” që në moshën e re: “Lahuta e Malcís është epopeja e luftës së popullit shqiptar për të qenë zot i shtëpisë dhe i trojeve të veta”[11].

Sipas profesor Antonit, poezia për fëmijë e Mark Krasniqit u mbështet në letërsinë tonë gojore, para së gjithash në përralla e fabula, por edhe në traditat e tjera letrare të shkruara. Rrëfimi poetik i Krasniqit është ngrohtë, i drejtpërdrejt, i kuptueshëm dhe i besueshëm dhe kjo e bën një nga qenësitë e veprës së tij për fëmijë. Në krijimet e tij poetike, përmes të shprehurit poetik dhe mënyrës së shtjellimit, i bën tërheqëse dukuritë e zakonshme, interesante dhe po aq edhe argëtuese. Kështu veprën “Posta e porositur” Berisha e vlerëson një nga përmbledhjet më interesante dhe më artistikisht më të ngritura për fëmijë në gjuhën tonë, ndërsa humori bën një përbërës të rëndësishëm poetik të saj.

Në kapitullin “Mendime të studiuesve dhe të shkrimtarëve për poezinë për fëmijë të Mark Krasniqit”, autori sjell mendimet e Hasan Mekulit, Anton Pashkut, Agim Devës, Ramadan Musliut dhe Esat Mekulit etj.

Në pjesën e studimit “Ndër personalitet më të shquara të botës bashkëkohore shqiptare” është me rëndësi të shkëputen disa nga vlerësimet që profesor Anton Nikë Berisha i sjell për lexuesit dhe studiuesit: “Është vështirë ta gjesh sot edhe një personalitet tjetër në botën tonë dhe në kohën tonë, krijimtarinë e të cilit e cilësuan vijimisht dy përbërës të qenësishëm, që nuk patën as edhe më të voglën rënie deri në këtë çast: puna e mirëfilltë dhe e frytshme shkencore, pedagogjike dhe letrare  dhe veprimtaria kombëtare. Këta përbërës të qenësishëm të përcaktimit dhe të veprimit të tij, përligjur nga një punë e rëndësishme, vëllimore dhe e vijueshme, e bërë me ndërgjegje, me profesionalizëm dhe me përkushtim të lartë, e radhisin atë në rrethin më të ngushtë të personalitete më të shquara shqiptare të të gjitha kohëve [….] Rëndësia dhe qenësia e punës së Mark Krasniqit për botën tonë nuk qëndron në faktin pse ai u mor me disa lloje të veprimtarisë, por pse arriti rezultate të rëndësishme e të çmueshme në secilën prej tyre. Në disa nga këto fusha ai vuri, të themi metaforikisht, gurët nismëtarë të mendimit shkencor”[12].

 

Kur ‘flasin’ veprat dhe vlera e tyre

Në bazë të analizimit dhe të interpretimit që u bën veprave letrare të Rifat Kukaj Berisha thekson se ai është një nga emrat më të rëndësishëm të letërsisë shqipe për fëmijë. Veprat e tij cilësohen nga gjuha e pasur dhe poetike, ku bie në sy aftësia e veçantë për të kombinuar botën e fëmijëve me elemente magjie, lojërash dhe rrëfenjash popullore. Kukaj krijoi një univers letrar ku fëmijët jo vetëm argëtohen, por edhe mësojnë për vlerat njerëzore dhe për botën e tyre shpirtërore: “Rifati krijoi në vetmi dhe në mënyrë të mëvetësishme; i njohu grupet e ndryshme të krijuesve dhe interesat e tyre, por nuk i takoi asnjërit nga ata. Njihte vetëm një grup: atë të njerëzve që u përkushtohen punës dhe krijimit. As nuk i pëlqente fjalët e mëdha, as nuk ua thoshte të tjerëve. “Le të flasë puna vetë”, thoshte dhe kësaj i përmbahej me këmbëngulësi.”[13]

Në krijimtarinë letrare për fëmijë të Rifat Kukajt dallohen veprat që kanë të bëjnë me guximin dhe mirësinë, miqësinë dhe solidaritetin, marrëdhëniet njeri – natyrë, vlerën e punës dhe mençurisë, vlerësimin e së mirës e largimin nga e keqja. Personazhet e veprave të Kukajt janë të gjalla, të paharrueshme dhe shumë shpesh të humanizuara. Në varësi të veprës, ato mund të jenë: fëmijë dhe figura të zakonshme të jetës së përditshme, kafshë që flasin, qenie fantastike, krijesa përrallash, apo elemente të natyrës të personifikuara, të cilat janë të ndërtuara në mënyrë mjeshtërore. Kukaj përdor një gjuhë të pastër dhe të pasur me mjaft muzikalitet dhe ritëm. Shpesh përdor humor të butë që në situata komike t’i afroj fëmijët me leximin. Në disa vepra gjejmë edhe elemente të traditës gojore shqiptare, këngë, thënie popullore, përralla etj.

Duke e vlerësuar lart veprën letrare të Rifatit, Berisha shkruan: “Vlera e veprës letrare të Kukajt lidhet me dukurinë e qenësishme: një gjysmë qindvjetëshi jete ky autor ia kushtoi letërsisë. Pra, ai hyn në rrethin e ngushtë të shkrimtarëve tanë që jetoi me letërsinë dhe jetoi për letërsinë. Thënë ndryshe: ai e lexoi letërsinë dhe e krijoi letërsinë. Leximi ia përsosi dhe ia pasuroi prirjet dhe aftësitë natyrore; i ndihmoi në përcaktimin e qasjes së dukurive, mënyrën e trajtimit dhe sidomos krijimin e sistemit të të shprehurit poetik”[14].

Vepra letrare e Rifat Kukajt është një thesar i letërsisë shqipe, e mbushur me ngrohtësi, fantazi dhe urtësi. Ai me thjeshtësinë dhe mençurinë e tij, na ka lënë një trashëgimi letrare që do të vazhdojë të jetojë në zemrat e lexuesve për shumë vite.

Në studim autori ka përfshirë edhe një përsiatje të veten poetike kushtuar Rifat Kukaj: “Fjala jote lindi nga buzëqeshja e luleve” , në të cilën ‘gdhend’ me fjalën e bukur artistike, portretin e këtij shkrimtari të madh për fëmijë.

 

Tre përfaqësues të shquar të letërsisë për fëmijë

Kapitulli i këtij studimi, përmbyllet me vështrimin dhe interpretimin e veprave të tre shkrimtarëve tanë të shquar për fëmijë: Agim Devës, Ali Hurugliës dhe Ymer Elshanit.

Mund të themi me bindje se letërsia shqipe për fëmijë është ndërtuar dhe pasuruar falë përkushtimit dhe punës së shumë autorëve tanë, të cilët me krijimtarinë e tyre, e lartësuan letërsinë tonë për fëmijë. Ndër këta shkrimtarë janë dhe Ali Huruglica, Agim Deva dhe Ymer Elshani.

Secili prej tyre ka sjellë veçanti në veprat e tyre për fëmijë, që edhe sot vazhdojnë të lexohen me kënaqësi dhe bëjnë ndikim estetik në lexuesin.

Duke folur për mënyrën e qasjes dhe të dukurive që i trajton Agim Deva, Berisha veçon: “Për Agim Devën s’ka asnjë temë që mund të bëhet objekt trajtimi në poezinë për fëmijë dhe që nëpërmjet saj mund të komunikohet me fëmijët. Për të është e rëndësishme mënyra e qasjes dhe e transponimit të dukurisë, përkatësisht mesazhi që del nga struktura tekstore, që nxit e kushtëzon komunikimin […] Rrëfim poetik i Agim Devës, është sa i pandërmjetëm dhe i qartë, aq edhe simbolik dhe poetik. Poezia e tij tematikisht është aktuale dhe kuptimisht shumështresore”[15].

Sipas Berishës poezia e Agim Devës njihet për mënyrën e ngrohtë të rrëfimit dhe për aftësinë e ndërtimit të tekstit poetik:  shkruan me sinqeritet dhe qartësi, duke shënuar në letër ndjenjat dhe shqetësimet e fëmijëve, por gjithmonë duke i udhëhequr drejt zgjidhjeve humane dhe të matura. Mesazhet e tij janë të ndërtuara mbi vlera universale si miqësia, bashkëpunimi dhe respekti, çka e bën veprën e tij me vlera dhe të dashur për fëmijët.

Në studimin e vet profesor Berisha ndriçon edhe krijimtarinë e Ali Huruglicës, “[…] autor i 13 përmbledhjeve me poezi (një përmbledhje me proza poetike (tregime të shkurtra) dhe një romani, hyn në të dy grupet, sidomos në të dytin, ku bota e shprehur përmes tekstit poetik që përfton, lë përshtypjen e realitetit konkret, e veprimeve dhe synimeve që fëmijëve u ndodhin në përditshmëri”[16].

Huruglica përpiqet që poezia e tij të jetë një përafrim me jetën e fëmijëve, po dhe me gjakimet dhe përfytyrimet e tyre, të shprehë një botë të ndërliqshme që jetësohet në tekstin letrar poetik dhe ndikon si e tillë më fuqishëm.

Studiuesi Anton Nikë Berisha i çmon dhe i vlerëson lart edhe veprat për fëmijë të Ymer Elshanit, e cila është ndërtuar dhe e  mbruhet nga arti i pasur që i jep asaj përmasën e gjithkohësisë; çështjet që shqiptohen nëpërmjet tekstit poetik janë të lidhura ngushtë me botën e fëmijëve, me gëzimet dhe me shqetësimet; ato janë pasuri dhe veçanti e jetës së tyre të sotme, po do të jenë të tilla ose të ngjashme edhe në të ardhmen. Pra, “Ymer Elshani është i lidhur me fjalën poetike, ajo është kënga e tij, është kënga që i jehon brenda shpirtit, po jehon edhe në natyrë;”[17]

Këta tre shkrimtarë për fëmijë u kanë dhuruar brezave të tërë të fëmijëve art, buzëqeshje, dhe ëndrra.

²

Kontributi shumëvjeçar i profesor Anton Nikë Berishës për studimin e letërsinë në përgjithësi, sidomos të letërsisë sonë shqipe, është i një rëndësie të jashtëzakonshme. Brenda kësaj studimet e tij për letërsinë për fëmijë, përbëjnë një pikë të rëndësishme referimi, për të gjithë ata që merren me studimin e letërsisë për fëmijë, e me letërsinë dhe kulturën shqiptare në përgjithësi.

Pikëpamjet shkencore të profesor Anton Nikë Berishës e vendosin letërsinë për fëmijë në një nivel të lartë artistik dhe kulturor. Kjo i jep letërsisë për fëmijë jo vetëm rëndësinë dhe vlerën estetike, por edhe vlerë edukative dhe identitare, duke e shndërruar atë në një mjet të fuqishëm të rritjes shpirtërore dhe kulturore të brezave të rinj.

Prishtinë, dhjetor 2025

 

[1] Anton Nikë Berisha, Studime letrare (të zgjedhura). Vëllimi i dhjetë. Shtëpia botuese “Faik Konica”, Prishtinë 2025, f. 360

[2] Anton Nikë Berisha, Studime letrare (të zgjedhura). Vëllimi i dhjetë. Shtëpia botuese “Faik Konica”, Prishtinë 2025, f. 7.

[3] Të them këtu se edhe Anton Nikë Berisha që kur ishte nxënës i Shkollës normale të Prishtinës në vitet e 60-ta nisi të botonte vjershat e para në revistën “Pionieri”.

[4] Po aty, f. 10.

[5] Po aty, f.34.

[6] Po aty, f. 43

[7] Po aty, f. 44

[8] Po aty, f.93.

[9] Shih Anton Nikë Berisha, Studime letrare (të zgjedhura). Vëllimi dhjetë, f. 75.

[10] Po aty, f. 97.

[11] Po aty, f. 96.

[12] Po aty, f. 207

[13] Po aty, f. 248

[14] Po aty. f. 247

[15] Po aty, f. 344

[16] Po aty, f. 138.

[17] Po a ty, f. 368

Kontrolloni gjithashtu

Labëri Qeriqi – Pajaziti: Ditë e rëndë e jetës time

Pas disa kohësh përpjekjeje me veten, mora guximin të shkoj në banesë, ku dikur rrihte …