Aleanca Kosovare e Bizneseve e ka quajtur ngjarje të rëndësishme për Shqipërinë takimin në Tiranë të 47 liderëve të vendeve të ndryshme të botës. Ky institucion ka vlerësuar se ky takim ishte më shumë se sa një samit. “Për Shqipërinë, pritja e këtij takimi është një fitore diplomatike e jashtëzakonshme, një reflektim i përpjekjeve të vazhdueshme për të ndërtuar një shtet funksional, të besueshëm dhe të orientuar drejt Perëndimit. Për rajonin, ky takim është një sinjal i fuqishëm: Ballkani Perëndimor nuk është më periferia e Europës, por një partner aktiv në siguri, stabilitet dhe zhvillim. Kryeministri Edi Rama, si nikoqir i këtij samiti, ka dëshmuar aftësi të jashtëzakonshme për të sjellë në Tiranë lidershipin global. Ai ka ndërtuar një profil ndërkombëtar të veçantë dhe, përmes diplomacisë aktive, ka vendosur Shqipërinë në qendër të vëmendjes europiane. Ky pozicion mund dhe duhet të shfrytëzohet edhe për Kosovën dhe për gjithë rajonin tonë, ka vlerësuar Aleanca Kosovare e Bizneseve.
