AKK kritikon KQZ-në: Komunat nuk janë “bankomat” për shpenzimet e procesit zgjedhor

Asociacioni i Komunave të Kosovës, ka reaguar ashpër ndaj kërkesës së KQZ, të datës 19 dhjetor 2025, me të cilën komunave u kërkohet që për herë të tretë brenda këtij viti të mbulojnë financiarisht angazhimin e stafit teknik gjatë vikendit për nevojat e procesit zgjedhor. Në reagimin e tyre, AKK ka vlerësuar se kjo qasje është e padrejtë dhe e paarsyeshme, duke theksuar se shpenzimet në fjalë burojnë drejtpërdrejt nga një proces që administrohet dhe menaxhohet nga vetë KQZ. Sipas AKK-së, komunat nuk mund dhe nuk duhet të trajtohen si “bankomat” për mbulimin e kostove të institucioneve qendrore. Përveç barrës financiare, komunat po ngarkohen edhe me angazhim shtesë administrativ për procedimin e pagesave, duke krijuar një barrë të dyfishtë për pushtetin lokal. Në fund, AKK i ka bërë thirrje KQZ-së që të marrë përgjegjësinë e plotë financiare për të gjitha shpenzimet që rrjedhin nga procesi zgjedhor dhe të ndalë praktikën e bartjes së këtyre kostove te komunat, në respekt të parimit të autonomisë lokale dhe funksionimit të qëndrueshëm financiar të komunave, thuhet në reagimin e AKK-së.

Kontrolloni gjithashtu

Bajram Begaj falënderon Bahamasin për njohjen e Kosovës

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social “X” lidhur …