Shefi i Shtabit të VLEN, Adnan Azizi, është kritikuar ashpër për një seri veprimesh dhe deklaratash që, sipas kritikëve, rrezikojnë jo vetëm procesin zgjedhor, por edhe stabilitetin dhe sigurinë në vend. Sipas reagimeve, Azizi ka qëndruar pa përgjigje për shtatë ditë ndaj padronit të tij, Hristian Mickoski, për ofendime ndaj tij, dhe më pas ka nisur sulme të drejtpërdrejta ndaj shqiptarëve. Ai akuzohet për dalje në mbrojtje të huliganëve maqedonas që kanë dhunuar fëmijë shqiptarë, duke shpikur akuza ndaj viktimave dhe duke përhapur teori ogurzeza për djegie të xhamisë në Kodrën e Diellit. Kritikët e konsiderojnë këtë si një akt të ulët politik, që nuk mbahet mend nga politikanët shqiptarë që nga koha e Rahman Morinës, kur dhuna ndaj shqiptarëve shpesh akuzohej si faj i vetë shqiptarëve, ndërsa mbrohej regjimi i Millosheviçit. Sipas tyre, deklaratat e Azizit dhe të eksponentëve të tjerë të VLEN-it me përmbajtje fetare po krijojnë tensione etnike dhe po tentojnë të shtrembërojnë sulmet ndaj shqiptarëve, duke u dhënë atyre konotacion fetar dhe duke nxitur urrejtje dhe konflikte. Reagimet theksojnë se këto janë “skenare të rrezikshme” për komunitetin shqiptar, të cilat kujtojnë periudha të tensionuara historike nga koha e Rankoviçit dhe Çubrilloviqit, dhe akuzojnë strukturat aktuale të qeverisë për ringjalljen e këtyre praktikave.
