leoni

Albert Z. ZHOLI: Flet këngëtari i mirënjohur i Polifonisë, Nazif Çela: Në vitin 1988 në Francë, këngën “Janino ç’të panë sytë” e kthyen disa herë

Albert Z. ZHOLI:  Flet këngëtari i mirënjohur i Polifonisë,  Nazif Çela: Në vitin 1988 në Francë, këngën “Janino ç’të panë sytë” e kthyen disa herë  

Nazif Çela: Në vitin 1988 në Francë këngën “Janino ç’të panë sytë” e kthyen disa herë

-Në këtë situatë na mungon kënga, sallat, miqtë, duartrokitjet

– Kënga ime e parë ka dalë në radio Gjirokastra në vitin 1976

-Kënga  “Janinës ç’i panë sytë” në vitin 1983 zuri çmimin e parë, pra laurant i Festivalit

-Kënga “Janinës ç’i panë sytë” është kënduar nga një grup francez të cilët janë mahnitur

– Në Francë më kontrolluan fytin mos kisha vënë çip për ngjyrim zëri

 -Duhet një politikë shtetërore për të ruajtur Polifoninë, ajo po humbet terren.

 

 

 

Kënga është lidhur pazgjidhshmërisht me të. Në asnjë  çast se mendon veten pa këngë. Edhe në këtë situatë Pandemie ai me grupe të vegjël miqsh në ambiente të ngushta këndon dhe nxjerr këngë të reja. Ndaj ai mbetet një nga këngëtarët më famozë të polifonisë shqiptare. Ka mbi 42 vjet në skenë dhe rezultatet rriten për çdo ditë. Është thirrur në të katër anët e botës ku ka emigrantë dhe këngët më të preferuara të emigrantëve janë “Polifonia labe”, “Janinës ç’i anë sytë” dhe “Tana”. Ai ka mbi 400 këngë në arkivin e tij dhe zërin e ka si të një djali të ri. Vlerëson maskimalisht Festivalet Ndërkombëtare të Gjirokastrës, të cilat ishin tejet të organizuara dhe stimulonin këngëtarët. Por sot thekson ai, kënga polifonike po shkon drejt kolapsit. Nuk përkrahen këngëtarët e rinj dhe pas disa vitesh rrezikohet trashëgimia e brezave tek kjo këngë magjike.  Këngën e parë e ka të regjistruar tek Radio Gjirokastra, por dita më e lumtur ka qenë në vitin 1983, kur zuri vend të parë në Gjirokastër dhe pas Festivalit dhanë një koncert me këngë të zgjedhuara para udhëheqjes së kohës në Pallatin e Sportit në Tiranë.

 

Pandemia sikur e ka tkurrur këngën. Na mungojnë aktivitete e shumta në Tiranë dhe gjithë Shqipërinë. Na mungon edhe kënga labe që ishte për ne e pa ndarë në çdo aktivitet. Si po e kaloni këtë situatë?

 

-Për këngëtarin kjo është situata më e vështirë. Është një situatë që as e mendoja kurrë. Ne jemi mësuar me aktivitet, në lëvizje, jemi mësuar të këndojmë thuajse çdo ditë të javës. Edhe kur ishim tre katër veta ne këndonim në lokal, në shtëpi, zyra, ambiente të ndryshme pa diskutuar aktivitet e shumta. Pra jemi si zogu në kafaz. Ne duam hapësirë, duam salla të mëdha, duam dasma, etj…Nuk jemi mësuar me jetë të mbyllur. Kënga është si deti, do të shtrihet, do të ketë frymëmarrje. Në këto kushte nuk them se e kemi lënë këngën. Jo! Kënga është gjithmonë tek unë dhe grupi im, por na mungon publiku, duartrokitjet, brohoritjet. Na mundon bashkëbisedimi me miqtë dhe njerëzit që duan artin, këngën e bukur labe.

 

Kur fillon karriera juaj si këngëtar i polifonisë, kush ju zbuloi si talent të kësaj kënge të rrallë në botë?

-Kënga ime e parë  ka dalë në radio Gjirokastra në vitin 1976. “ Dola shoqe dola malit për reva/Nga mali Shushicën për në Barçalla.”  Këtë këngë e ka bërë  Feti Brahimi. Këngën e kam kënduar me grupin e Barçallasë që në atë kohë ishte me 18 veta.  Ahere fshati i Lapardhasë ishte i madh dhe të gjithë e donin këngën. Kishim dëshirë të këndonim dhe mblidheshim tek vatra e kulturës.

 

Po këngën  “Janinës ç’i panë sytë” kur dhe ku e keni kënduar?

-Këtë këngë e kam kënduar në vitin 1983 me 6 veta. Pra  e reduktuam grupin.  Këngën e këndova në Festivalin madhështor të Gjirokastrës  dhe  ne zumë çmimin e parë, pra laurant i Festivalit.  Ky tekst ishte një tekst popullor  nga këngët e vjetra të popullit nga folklori i madh i popullit. Kësaj kënge i bëmë një ndryshim të vogël e përshtatëm disi me kohën. Kjo këngë  lidhet me luftërat dhe përpjekjet e luftëarëve tanë për liri dhe pavarësi nga otomania turke, por në Janinë janë bërë të gjitha vrasjet apo vrasjet në litar të luftëtarëve tanë. Ajo ishte kryeqendra e pushtuesve turq madje aty mobilizoheshin ushtarë dhe shqiptarët për Perandorinë. Janina ka shumë histori luftërash të popullit tonë dhe prej aty kanë lindur këngët për trimat shqiptarë. Kështu është kënga e Bilbilenjtë, e Ismail Lesko Progonati, këngët për Ali Pashën, kënga për të cilën flasim dhe qindra të tjera si kjo.

 

– Cilët ishin ato personalitete të muzikës që i dhanë vlerësimin e madh kësaj kënge në Festival?

 -Ahere me vlerësimet nuk bëhej shaka. Atëherë vlerësimi ishte real dhe me seriozitet. Në atë Festival vlerësues ishin korifenjtë e muzikës shqiptare,  Çezk Zadeja, Tish Daija,  dhe shumë të tjerë. Vlerësimi merrej nga të gjitha drejtimet, zëri, tematika, historia, interpretimi, mesazhi, pra merreshin në kompleksitet.

 

-Po para Enver Hoxhës a e ke kënduar këtë këngë?

-Po, sigurisht. Pas Festivalit në Gjirokastër, zgjidheshin këngët më të mira dhe jepej shfaqje para udhëheqjes. Kështu ndodhi dhe atë vit. Ne kur mbaruam festivalin na zgjodhën  të parëve ta këndonim këngën para Komandantit. Nuk ishte e kollaj të këndoje para Komandantit në ato vite. Ai të përpinte, ishte shumë i dashuruar me këngën labe.  Ne këtë koncert e zhvillonim tek Pallati i Sportit i cili mbushej plot e përplot. Nuk mund ta mendoje se si bëhej ai koncert. Nuk mund të përsëriten sot. Kënga jonë ishte kënga kryesore në atë shfaqje.

 

-Si reagoi Enveri kur kënduat?

 

-Kur ne kaluam në strofën e dytë, ai ngriti dorën disa herë lart duke na përshëndetur dhe duke thënë mes atyre  që e shoqëronin: “Hajde këngë hajde”.  Kur mbaroi shfaqja ai erdhi dhe na takoi të gjithëve. Mua më shtrëngoi në krah. Ju lumtë na tha.  Ai e donte shumë këngën labe dhe e këndonte dhe vetë. Ishin çaste magjike, të gjithë na uronin.

-Po në Festivalin e vitit 1988 në Gjirokastër, cilën këngë kënduat?

 

-Këngën e Tanës.  Këtë këngë e këndonin disa zona të Shqipërisë. Ne e sollëm ndryshe sipas asaj që ishte kënduar në Labëri. Specialistët thanë tani gjeti vendin e duhur Tana.  Kjo këngë ka ardhur deri sot nga gojëdhënat e popullit.  Në zonën tonë kemi një rrugë që quhet  “Rruga e kalit” pasi ka plasur kali kur ishte në ecje. Kali plasi nga nxitja e madhe e atyre që donin të shkonin në mal dhe të shpëtonin bagëtitë nga hajdutët.  Tana sipas gojëdhënave ka qenë një vajzë nga Mavrova. Ajo ishte e bija e agait të fshatit dhe kishte rënë në dashuri me bariun e fshatit një djalë i bukur dhe çapkën. Por atëhere dera e fisme duhej të shkonte tek dera e fisme.  Çobani ishte në Shashicë me dhen. Ai në një takim i kishte thënë Tanës se nis, natën dëgjon ndonjëherë fyellin që bie dije se jam në rrezik, dmth, kanë ardhur hajdutët të më vjedhin dhe të më vrasin. Tana hapi sytë. Si do i bjerë fyellit kur në stan të jenë hajdutët? Pas disa ditësh ndodhi ngjarja. Hajdutët shkuan tek stani çobanit, e lidhën morën bagëtinë dhe kur donin ta vrisnin e pyetën: Çfarë do të thuash për herë të fundit? Dua ti bie njëherë fyellit u tha çobani. Ashtu u bë. Çobani mori fyellin dhe nisi ti bjerë. Këtë e dëgjoi vajza, Tana, e dashura. Menjëherë ajo ndez dhe fik tre herë çirakun, kandilin, dmth, që e mori haberin.  Ajo shkon me vrap dhe i thotë nënës se në mal kanë rënë hajdutët. Nëna u tmerrua dhe e pyeti nga e di ti? E pashë në ëndërr i tha Tana. Nqs, gënjej kur të ktheheni nis, s’është e vërtetë më vrisni.   Nëna  zgjoi burrin i cili mori disa besnikë dhe u nis për në mal. Rrugës i plasi kali por ata vazhduan rrugën me vrap. Kur shkuan  ishte koha kur çobanin do e vrisnin. Por arritën në kohë. Morën të gjitha bagëtitë dhe e çliruan çobanin.

 

-Sa këngë keni në repertorin tuaj?

-Nuk i kam numëruar  kohët e fundit, por para disa vitesh kisha 400. Thuajse çdo muaj bëjmë nga një këngë të re.

-Po kënga juaj e fundit…?

-Unë punoj dhe me këngë vetjake, me  poezi të gjurmëve popullore. Pra bëj këngë për persona të ndryshëm.

-Tematika e  këngëve tuaja?

Janë me karakter elegjik  baritor, patriotik, por edhe politik.

 

-Cila është kënga që të kërkohet më shumë?

-Kënga për Labërinë, ose më mirë të themi Polifonia labe. Kjo këngë patjetër që do të më kërkohet kudo që shkoj.  Pastaj kërkohen të gjitha këngët patriotike.

 -Cilët janë poetët  që keni bashkëpunuar më shumë?

 -I pari ka qenë poeti Feti Brahimi, Lefter Çipa, Muhamet Tartari, Tomor Lelo, Nexhip Onjea,     por kam dhe këngë të miat.

 

 – Nën regjimin komunist, a patët rast të shkoni jashtë shtetit?

–  Po kam shkuar në vitin 1988 në Francë me këngën “Janino ç’të panë sytë”. Ata nuk e besonin si këndohej kjo këngë dhe e kanë kthyer disa herë. Shikonin majtas- djathtas e se mos kishte dikund ndonjë vegël muzikore. Madje dua të them se disa specialistë erdhën dhe më shikonin në fyt se mos kisha vënë ndonjë çip që forconte zërin. U befasuan.

 

-Këngët e tua janë vetëm për Labërinë?

-Jo, për të gjithë kombin. Ne u kemi kënduar të gjithë heronjve nga jugu në veri, u kemi kënduar patriotëve të  veriut dhe më tej. Kënga jonë është mbarë shqiptare dhe nuk i përkasim vetëm Vlorës, Tepelenës, apo jugut. Madje kemi aq këngë për patriotët e tjerë, sa dhe për Labërinë.

 

-Në sa vende të Botës keni shkuar për të kënduar?

-Nuk i kam numëruar, por në gjithë Europën dhe në Amerikë.

-Çfarë të ka bërë më shumë përshtypje në jetë?

-Kur kam parë të realizuar nga një grup polifonik francez këngën “Janino ç’të pan sytë”. E këndonin në shqip. Jam emocionuar shumë, shumë. Nuk e besoja. Ata nuk kishin mundur ta realizonin saktësisht, por ishte një përpjekje serioze.

 

 – Cilat janë problemet e polifonisë sot?

– Ah, polifonia me sa duket po na humbet. Jo se nuk punohet,  por ajo punë nuk është sistematike, nuk është nga të gjithë.  Ka  element por nuk punohet. Pra u duket diçka që nuk nxjerr fitim. Nuk vlerësohet dhe stimulohet nga shteti. Më shumë janë përpjekje individuale. Elementët e rinj nuk gjejnë përkrahje. Nuk kanë ku të shprehen. Janë të vetmuar. Atë kohë ne stimuloheshim që në tetëvjeçare. Kishim disa grupe në shkollë.  Sot çdo gjë është spontane dhe askush nuk ka interes të drejtpërdrejtë se nuk përkrahet. Janë organizime sporadike që nuk vlerësohen. Kështu do bjerë rëndësia e këngës labe.

 

–  Si i ke marrëdhëniet me këngëtarët e tjerë të polifonisë?

–  Shumë shumë të mira. Secili ka zërin e vet, karakteristikat e zërit të vet. Pra kanë veçantitë dhe kërkesat janë të ndryshme. Më Golikun me Paron me Tomorrin me Katinën me Irinin, Kalo Bregun, Ajet Dukën  kam marrëdhënie të shkëlqyera. Unë kam pjesën time, ai tjetri pjesën e tij. Ne kemi këngë të ndryshme, kemi tekste të ndryshme.

 

-Projekti i ardhshëm…?

-Ne do të bëjmë një album të ri me këngë të vjetra. Thuajse i kemi gjetur këngët, tani po i përpunojmë për t’i kënduar. Jemi unë,  Mehmet Visha,  Hyso Xhaferi, dhe tre djem të rinj. Do dalë një album i rrallë.

 

-Mendon se grupet labe po zvogëlohen në Labëri dhe më tej?

-Duhet shumë kujdes. Kjo është një pasuri e rrallë. Është një pasuri që të gjithë e duan ta kenë por zoti na e ka falur neve. Ne duhet ta mbrojmë dhe ta çojmë më tej, me çdo kusht. Po kalojmë situata të vështira. Grupet polifonike nuk po përkrahen nga shteti, ato po mbijetojnë vetë. Të gjitha grupet janë në vështirësi ekonomike dhe bëjnë ç’është e mundur nga vetja të mos e lënë të humbasë kjo vlerë e pa çmuar. Por ka  dhe një problem. Fshatrat e Labërisë ku gjallon kënga, po boshatisen. Pra po humbet tradita. Shumë poi kin ne emigracion. Shumë të tjerë në qytete të ndryshme të Shqipërisë. Problemi është se brezi i vjetër po e ruan me fanatizëm këtë këngë, por brezi i ri është më ndryshe. Ata të brezit të ri që kanë ikur nga Labëria nuk po kujdesen si duhet për polifoninë, Janë ta paktë ata që po e transmentojnë këtë këngë. Pra jemi në një rrëpirë. Duhet shumë kujdes. Duhet edhe nga shteti një përkrahje e madhe. Bartësit e këngës labe po rrallohen ndaj duhet një politikë shtetërore për të ruajtur këtë visar të rrallë. Vetë ndihem shumë i merakosur. Nuk janë më ato grupe që gjallonin Festivalin e Gjirokastrës. Nuk janë ai brez i ri që ishte shtrirë në gjithë Labërinë, që e trashëgonte këtë këngë me përgjegjësi. Duhet një punë e studiuar,  ndryshe ne do ta humbasim Polifoninë e bukur.

Kontrolloni gjithashtu

Gabriel Escobar: Duam që Serbia të jetë shtet më i fuqishëm brenda komunitetit, me miq që ka në Amerikë dhe në Evropë

Pjesë nga intervista e të dërguarit special të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhënë ‘Zërit të Amerikës”

I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në …