“Ju kish rritur nëna
Për një botë të re
Lule more trima
Që ratë për Atdhe”!
Në 5 Maj, në këtë ditë të shënuar veteranë e pasardhës do të vendosin kurora dhe buqeta me lule pranë varrezave të Dëshmorëve dhe te Monumenti “Nëna Shqipëri”
Është Dita e Dëshmorëve të Atdheut, e atyre që sa më shumë ikin vitet, aq më shumë afrohen në gëzimet e arritjet tona, ndaj populli i ka përjetësuar me vargjet: “O biro, ç’është kështu, vitet tutje ju tëhu.” Ata që japin jetën për Atdheun nuk vdesin. Ata i takojmë përditë, kur ecim në një rrugë, kur afrohemi pranë një shkolle apo lapidari, kur vendosim një tufë lule të freskët tek varret e mermerta, i gjejmë në mijëra e mijëra vargje këngësh e faqe librash të shkruara për ta.
28 mijë yje ndriçojnë 28 mijë km të Shqipërisë, historia sikur ta kishte llogaritur; një dëshmor për çdo km katror. Varrezat e dëshmorëve flenë nën pllakat e mermerta në çdo cep t Shqipërisë, por këtu në Tiranë janë simboli i gjithë të rënëve, sepse këtu ata janë në gjirin e ballëlartës e ballëndriturës Nënë Shqipëri. Kjo ditë e madhërishme e mori emrin për nder të ditës së rënies së Qemal Stafës, ndaj në sytë e tij simbol lirie, ne shohim të gjithë të rinjtë dhe të rejat që sakrifikuan jetën e tyre në lule të moshës.
E na duket sikur bisedojmë, jo vetëm me Qemalin, që u sakrifikua që “një jetë e re të lulëzonte gërmadhash”, me Vojo Kushin “luanin e Kodrës së Kuqe”, me Margaritën dhe Kristaqin të cilët rininë ia falën lirisë, me Bulen e Persefoninë që shkuan ballëlart para litarit, me Memo Meton që nxiste dëshirën e vajzës shqiptare të dilte malit me Kajo Karafilin, atentatorin që u bë tmerri i armiqëve, me gruan heroinë Mine Peza, që u vu në krye të demonstratës për lirimin e djemve të burgosur, Qeriba Derrin e cila me urrejtje iu përgjigj xhelatëve: “Më torturoni sa të ngopeni, por lirinë se ndalni dot”, me Abaz Shehun, Mihal Durin, Shejnaze Jukën, legjendën e Mallakastrës Dervish Hekalin, për të vazhduar me vendimin e Pesë Heronjve të Vigut: “Ne kemi vendos ma mirë me dhanë jetën si me le, sesa me tradhtue luftën që kemi nisur, se një herë kemi thënë, ja vdekje ja liri”, e për të arritur tek mijëra të tjerë, deri tek dëshmorët e fundit që u sakrifikuan për Shqipërinë, ditën e fundit të çlirimit me moton: “Jetën e duam pa masë, por ca më shumë duam lirinë”.
Pavarësisht se pinjollët e fashistëve dhe ballistëve duan ta mohojnë gjakun e dëshmorëve, duke kalkuluar me numrin e të rënëve, kërkojnë të denigrojnë LANÇ dhe rolin udhëheqës të Komandantit legjendar, Enver Hoxha, por nuk do t’ia arrijnë kurrë. Populli tanimë ua ka dhënë atyre verdiktin: “Kush nuk do të rënët, nuk mund të dojë as të gjallët”.
Më 5 Maj përkulen me respekt të thellë para dëshmorëve, veteranë e pasardhës të LANÇ, pushtetarë e njerëz të thjeshtë, të rinj e të reja, duke kujtuar bashkë 28 mijë dëshmorët, edhe ata 70 mijë partizanë që duruan të ftohtin dhe torturat, zbathur e zhveshur, ato nëna e baballarë që nuk i ndanë nga vatrat e tyre bijtë partizanë. Në çdo 5 maj Shqipëria ngjan me një himn të trëndafiltë që lulëzon përjetësisht në agime lirie, sepse respekti dhe nderimi për dëshmorët, është shenjë e pjekurisë dhe fuqisë së një kombi, është respekti për të kaluarën dhe një investim i artë për të ardhmen. Një popull i tërë përkulet Ditën e 5 Majit, me respekt para atyre që flenë nën pllakat e mermerta dhe koha e pavdekësisë së tyre është një moshë, sa mosha e gjithë brezave që ikin dhe vijnë mbi këtë tokë. Ata nuk kanë vdekje kurrë, sepse nënat i “kishin lindur për një botë të re”.