Albert Z. Zholi: Ribotohet në Turqi, “Alfabetarja” e Shoqërisë së të Shypurit Shkronja Shqip të Stambollit I

Albert Z. Zholi: Ribotohet në Turqi, “Alfabetarja” e Shoqërisë së të Shypurit Shkronja Shqip të Stambollit I

Në këtë vëllim prej 348 faqesh, ribotohet për herë të parë edhe Kanonizma (statuti) e Shoqërisë së Stambollit

 

NJË LIBËR I VOGËL ME VLERA TË MËDHA KOMBËTARE  E QYTETËRUESE

Vëllimi përmban studimet shkencore të Aleks Budës, Dhimitër Shuteriqit, Mahir Domit, Kristo Frashërit, Shaban Demirajt, Kristaq Priftit, Zija Xholit, Rexhep Qoses…

Themelimi i Shoqërisë së të Shtypuri Shkronja Shqip në Stamboll më 12 tetor 1879 është një nga ato ngjarje që për shqiptarët dhe Shqipërinë përbëjnë një vend kujtese  (siç i ka quajtur ngjarje të tilla historiani francez Pierre Nora në veprën e tij të mirënjohur Les Lieux de Mémoire,1984–1992, 3 vëll.). Ajo Shoqëri atdhetarësh, që miratoi një alfabet kombëtar të gjuhës shqipe me 36 shkronja (i njohur si alfabeti i Stambollit ose alfabeti i Sami Frashërit) u bë nismëtare e lëvizjes së madhe për lëvrimin e gjuhës e të letërsisë shqipe, për mësimin e gjuhës shqipe në shkolla, për botimin e libraveshkollorë shqip, për zhvillimin e shtypit e të botimeve në gjuhën shqipe. Veprimtarët e kësaj shoqërie e dinin mirë se ç’rëndësi kishte drita e diturisë për të ngritur një popull në luftën për liri (Dhe drita e diturisë përpara do të na shpjerë, përpara drejt lirisë! – Naim Frashëri). Ndonëse autoritet osmane e ndaluan veprimtarinë e Shoqërisë, flaka e atdhetarisë dhe e zellit për të mësuar shkrimin e leximin e gjuhës shqipe, për të botuar libra, gazeta e revista shqip u përhap kudo në kolonitë shqiptare të mërgimit jashtë perandorisë, veçanërisht në Rumani dhe në Egjipt.

Veprimtaria e Shoqërisë së të Shtypuri Shkronja Shqip dhe e degëve të saj është trajtuar e pasqyruar në veprat themelore të Universitetit të Tiranës dhe të Akademisë së Shkencave, si Historia e Shqipërisë, Historia e popullit shqiptar, Historia e letërsisë shqipe, si edhe në punime të posaçme shkencore e në artikuj studimorë-përkujtimorë në revistat shkencore e në shtypin masiv në Shqipëri, në Kosovë e në Maqedoni. Shoqëria e të Shtypuri Shkronja Shqip ka qenë përkujtuar herë pas here në përvjetorë të ndryshëm të saj. Por në tridhjetë vjetët e fundit kjo ngjarje kishte mbetur jashtë vëmendjes së institucioneve tona shkencore. Prandaj meriton të përgëzohet nisma e fondacionit ALSAR dhe e disa studiuesve të gjuhësisë që e risollën në vëmendje këtë ngjarje madhore të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Para një viti Fondacioni ALSAR botoi librin “Shoqëri e të Shtypuri Shkronja Shqip dhe veprimtaria e saj. Përmbledhje studimesh dhe artikujsh. Me rastin e 140-vjetorit të themelimit 1879–2019)”. Në këtë vëllim prej 348 faqesh, të përgatitur me kujdes të veçantë nga gjuhëtarët Emil Lafe dhe Xhevat Lloshi, ribotohet për herë të parë edhe Kanonizma (statuti) e Shoqërisë në faksimile të origjinalit dhe e tejshkronjëzuar në alfabetin e sotshëm. Vëllimi përmban studimet shkencore të botuara më parë rreth veprimtarisë së Shoqërisë së Stambollit nga studiues të mirënjohur si akademikët Aleks Buda, Dhimitër Shuteriqi, Mahir Domi, Kristo Frashëri, Shaban Demiraj, Kristaq Prifti, Zija Xholi, Rexhep Qosja, si edhe nga një numër studiuesish të tjerë të shquar, si Justin Rrota, Injac Zamputi, Nexhip P. Alpan, Hasan Kaleshi, Jup Kastrati, Tomor Osmani etj. Një pjesë e mirë e librit përmban një varg shkrimesh të botuara në shtypin masiv. Me rastin e daljes së librit Fondacioni ALSAR organizoi edhe një konferencë shkencore, ku krahas studiuesve shqiptarë referuan edhe studiues të ardhur posaçërisht nga Universitete të Turqisë.

Fryti i parë shkencor i Shoqërisë së të Shtypuri Shkronja Shqip qe libri “Alfabetare e gjuhësës shqip” (136 fq.), i botuar në Stamboll më 1879 me një tirazh prej 20.000 kopjesh, që u përhapën anembanë dhe u përpinë nga shqiptarët ashtu siç përpin shiun e shumëpritur një tokë e djegur nga thatësira. Libri hapet me një paraqitje didaktike të alfabetit të ri të miratuar nga Shoqëria dhe më tej vijojnë pjesët: “Udhë e të shkruarit të gjuhësë shqip” (nga Jani Vreto), “Gjuha shqip” (nga Sami Frashëri), “Shqypnija e Shqyptart” (nga Pashko Vasa), “Dheshkronjë” (nga Sami Frashëri), “Për Gjithëçishtënë (‘universin’) dhe për Zon’ e jetësë edhe për Njerinë, botën’ e vogëlë” (nga Jani Vreto), “Porsit e Tovitit mbë të birë” (nga Koto Hoxhi), “Numerëmësonjë” (‘aritmetikë’) (nga Jani Vreto). Siç e tregojnë edhe titujt, në këto pjesë jepen njohuri për gjuhën shqipe dhe lëvrimin e saj, për historinë e shqiptarëve e të Shqipërisë, për gjeografinë e kontinenteve, për gjithësinë, për njeriun si qenie shoqërore, për moralin dhe fenë. Është për të shënuar se autorët e këtyre shkrimeve, që patën më tej një rol të madh në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, nisën të botojnë shkrime shqip pikërisht me këtë “Alfabetare”.

Megjithëse kanë kaluar 140 vjet, shkrimet e tyre edhe sot të tërheqin për thjeshtësinë e qartësinë e shprehjes dhe për përpjekjet e autorëve për ta ngritur shqipen popullore në shkallën e një gjuhe që të përmbushë kërkesat e shprehjes në trajtimin e temave shkencore e kulturore. Edhe më parë këto pjesë kanë qenë ribotuar në përmbledhje veprash ose studime të veçanta, të përshtatura deri diku për lexuesin e sotshëm. Për herë të parë pas 140 vjetësh “Alfabetarja” e Stambollit na vjen sot e plotë. Përgatitësit e këtij vëllimi, prof. Enver Hysa, prof. Emil Lafe, prof. Seit Mansaku, kanë synuar dhe realizuar me sukses një ribotim me kritere filologjike akademike, d.m.th. i kanë qëndruar besnikë teksit origjinal, të cilin e kanë riprodhuar me faksimile, dhe e kanë pajisur me shënime gjuhësore e redaktoriale atje ku ka qenë e nevojshme. Libri është shtypur në Stamboll dhe me cilësi të lartë, ashtu si edhe botimet e tjera të ALSAR-it, që po jep një ndihmesë shumë të vyer në pasurimin e bibliotekës albanologjike me ribotime veprash themelore të së shkuarës, krahas botimeve me studime bashkëkohore.

Në fund të librit përgatitësit dhe botuesi (drejtori i ALSAR-it, z. Mehdi Gurra) i drejtohen lexuesit me një Pasthënie, të cilën po e sjellim më poshtë për vlerat njohëse që përmban lidhur me librin dhe kohën e tij.  

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Në mbrojtje të pikës më strategjike të Rrafshnaltës Te Shkëmbi i gradinës kanë rënë dëshmorë: Islam Kastrati, Mentor Morina, Halim Bajraktari, Ramadan Bytyçi dhe Mentor Gashi E hënë 19 prill, 1999

Ahmet Qeriqi: Në mbrojtje të pikës më strategjike të Rrafshnaltës Te Shkëmbi i gradinës kanë rënë dëshmorë: Islam Kastrati, Mentor Morina, Halim Bajraktari, Ramadan Bytyçi dhe Mentor Gashi (E hënë 19 prill, 1999)

Sot moti ka filluar të përmirësohet. Qysh në orën 9.00 të mëngjesit janë lëshuar në …